Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin elektoral të zhvilluar në Peqin
“Shumë faleminderit! Shumë faleminderit edhe sepse nuk është ora më e përshtatshme dhe kjo e shton mirënjohjen time për faktin që ju sidoqoftë jeni këtu të mbledhur për të ndarë me ne disa momente.
Ndërkohë që, unë dua t’ju them se sa e rëndësishme është që në datën 14 maj, qytetarët e këtij vendi, të gjithë pa dallim, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, patjetër edhe këtu në Peqin të votojnë Partinë Socialiste, të votojnë kandidatët tanë. Nuk besoj se është nevoja që unë të them shumë fjalë për kandidatin tonë këtu, për Roshin. Ju Roshin e njihni, Roshi është një prodhim bio i Peqinit, ka lindur këtu, është rritur këtu dhe ka punuar këtu. Roshi e ka pasur edhe drejtimin e një institucioni shumë të rëndësishëm në një moment jashtëzakonisht delikat kur ne kemi bërë gjithë atë reformë të rëndësishme në sektorin e energjisë dhe për hir të së vërtetës ia ka dalë të bëjë atë që duhet, por dhe të fitojë respektin e të gjithëve, por zgjedhja e 14 majit për hir të së vërtetës shkon përtej kandidatëve sepse është një zgjedhje për të ardhmen që lidhet drejtpërdrejtë dhe me funksionimin e marrëdhënies mes pushtetit vendor dhe qeverisë, për funksionimin e këtij partneriteti pa të cilin asnjë qytet, asnjë komunë, asnjë njësi, asnjë komunitet nuk mund të shkojë përpara ashtu siç dëshiron.
Për hir të së vërtetës ne e kemi parë në gjithë rrugëtimin tonë të gjithë këtyre viteve se sa e vështirë bëhet për gjithë bashkitë, se sa e vështirë bëhet për komunitetet kur drejtimi i tyre është në duart e atyre që për hir të së vërtetës në të gjithë historinë e pluralizmit shqiptar që nga ’92 që ka zgjedhje vendore, asnjëherë dhe askund ku iu është dhënë besimi njerëzve nuk kanë mundur të bëjnë një ndryshim për të cilin sot mund të na tregojnë sesa mirë e kanë bërë. Në asnjë bashki ku ata kanë drejtuar, komuniteti nuk ua ka parë hairin, iu ka parë vetëm sherrin. Nuk ka parë ndryshimet që kanë pritur, por ka parë vetëm probleme dhe degradim dhe shembulli më tipik i kësaj është Shkodra e cila qysh nga viti 1992, kur janë bërë për herë të parë zgjedhje vendore, deri tani që flasim drejtohet prej tyre.
Një qytet i bekuar si asnjë tjetër, një qytet që i ka pasuritë e dhuruara nga Zoti pa asnjë hesap, që nga alpet mbi krye deri te deti nën këmbë, e pastaj liqeni, lumi, malet pranë e në ndërkohë është bashkia më e prapambetur e Shqipërisë. Është bashkia me papastërtinë më të madhe ne Shqipëri. Një bashki ku kazanët e plehrave mbushen plot dhe mbulohen nga plehrat. Një bashki ku pas kaq e kaq vitesh nuk është bërë as 1/100 e atyre që janë bërë në bashkitë e tjera të Shqipërisë.
Ndërsa një shembull tjetër për dallimin e madh kur vota e komunitetit shkon andej ose vjen këtej është Tropoja. Edhe në Tropojë që nga 1992 deri në 2019 ne s’patëm asnjëherë shansin të tregojmë se çfarë dimë të bëjmë dhe çfarë mund të bëjmë për ata njerëz sepse vazhdimisht sy mbyllur vota shkoi në anën tjetër. Në 2019 për shkak të bojkotit, Tropojën e morëm për ta drejtuar ne dhe po ju them që në 4 vitet e fundit për Tropojën është bërë falë dhe mbështetjes së qeverisë më shumë sesa në 44 vitet e mëparshëm të mbledhura bashkë sepse ne dimë sesi mund t’i ndryshojmë qytete, dimë se çfarë mund të bëjmë për fshatrat, dimë sesi të bëjmë atë që komunitetet kanë nevojë. Të krijojmë kushtet që njerëzit të fillojnë ta shikojnë ndryshe vendlindjen e tyre, qytetin e tyre, fshatin e tyre dhe mbi të gjitha të kenë në krye njerëz që i rrinë mbi kokë, njerëz që dinë se çfarë do të thotë të bësh projekte, njerëz që dinë se çfarë do të thotë të punosh për njerëzit dhe me njerëzit dhe e njëjta gjë vlen dhe për Peqinin.
Ne kemi pasur këtu një eksperiencë mikse. Ju keni pasur periudha kur bashkinë e kanë drejtuar ata dhe ka pasur periudha kur bashkinë e kemi drejtuar ne. Dhe ja ku është Saimiri këtu që për disa kohë ka qenë në krye të bashkisë dhe ju e dini shumë mirë që në atë periudhë janë bërë gjëra që më parë nuk i kishin bërë. Natyrisht që nuk janë bërë të gjitha gjërat, natyrisht se ka shumë akoma për të bërë dhe pikërisht pse ka shumë akoma për të bërë peqinasit duhet që ta bëjmë këtë gjë vetëm me ata që dinë ta bëjnë, që jemi ne dhe me Bukuroshin që nuk e kemi sjellë këtu për bukurosh, por e kemi sjellë këtu për njeri punëtor, e kemi sjellë këtu për një njeri që do t’i japim gjithë mbështetjen e nevojshme për projektet e tij.
E fundit që kam është që kini parasysh që sot jemi në një moment kthese të rëndësishme në jetën ekonomike të Shqipërisë. Sot Shqipëria është në një moment kthese ku ka filluar rritja më e madhe historike e pagave, ku mjekët, infermierët, punonjësit e sigurisë, mësuesit sapo kanë filluar të marrin pagat e rritura, të cilat do të rriten në vijimësi deri në prillin e vitit të ardhshëm, ku paga mesatare në sektorin publik në Shqipëri do të shkojë 900 euro.
Nga ana tjetër ne kemi rritur pagën minimale që e kemi çuar në 40 mijë lekë dhe do ta rrisim në 45 mijë lekë brenda këtij mandati, por e dimë shumë mirë që detyra jonë nuk është e përmbushur pa e çuar pagën minimale në 60 mijë lek të reja dhe këto nuk kanë ardhur nga hiçi, këto kanë ardhur se ne kemi ndërtuar tanimë një tjetër shkallë dhe tani është koha për të vazhduar të ndërtojmë një shkallë tjetër për ta ngjitur Shqipërinë aty ku e meriton dhe për t’iu dhënë të gjithë komuniteteve atë që meritojnë.
Zgjedhja është shumë e qartë kudo dhe unë ju them qytetarëve dhe qytetareve të Peqinit që në 14 maj mendohuni mirë, do të shkoni te kutia e votimit jo për të bërë tifozllëk se këtu nuk po luan Peqini me Elbasanin. Kur luan Peqini me Elbasanin dihet se të gjithë shkojnë për të bërë tifozllëk kundër Elbasanit madje dhe Real Madrid po të vijë në Peqin prapë me Peqinin janë të gjithë, por kjo nuk është ndeshje futbolli, këtu nuk po shkohet për të nxjerrë kunjën e ngjyrës së fanellës, jo jam i djathtë, jo jam i majtë, jo jam socialist, jo jam demokrat. Këtu po shkohet për të vendosur kë do merrni në punë për 4 vitet që vijnë.
Kush do t’ju pastrojë qytetin? Kush do t’ju ndriçojë rrugët? Kush do kujdeset për shërbimet? Kush do kujdeset për çerdhet, për kopshtet, për shkollat? Kush do të kujdeset për qendrat shëndetësore?
Në datën 14, po shkoni në pazar për të marrë dhe për të zgjedhur kalin më të mirë për të tërhequr karrocën për katër vitet e ardhshme dhe siç thotë populli, kali nuk shihet nga dhëmbët, as kandidatët nuk shihen nga boja, por shihen nga fuqia që kanë për të bërë punën.
Po e deshët karrocën në tako katër vjet, shkoni mbas tifozllëkut edhe pastaj rrini katër vjet dhe thoni çfarë i bëmë vetes se na mbuluan plehrat nga të katërta anët. Po deshët që karroca të shkojë përpara, kalë më të mirë se ky, nuk keni! Këtë duhet ta merrni shumë seriozisht se ja u thotë krye kali i Shqipërisë.
Shumë faleminderit, shumë respekt edhe ja u hëngsha zemrën të gjithëve