Partia Socialiste e Shqipërisë

Në Pogradecin turistik, ku veprat publike dhe punët e kryera bindin më mirë se çdo fjalë, dhe ku një sërë projektesh madhore që kanë nisur, presin të realizohen këtë mandat të ri, – vijoi sot takimi elektoral me qytetarët pogradecarë për t’u kërkuar besimin përmes votës për njeriun e punës Ilir Xhakolli.
* * *
Kryetari i PSSH Edi Rama: Faleminderit shumë! Është vërtetë kënaqësi që sot e zhvillojmë këtë takim kaq të bukur në këtë mjedis të ndërtuar bukur nga kryetari juaj i bashkisë. Në një tjetër ndalesë të këtij rrugëtimi drejt 14 majit kur përsëri janë punët, janë veprat, janë faktet para syve dhe të gjitha çfarë mund të flasim të gjithë ne së bashku.
Kjo është e para fushatë, sa unë mbaj mend, ku s’flasim më për ujin e pijshëm ashtu sikundër në fushatat e tjera, jo se e kemi përfunduar të gjithë projektin e madh të ujit të pijshëm nëpër gjithë Shqipërinë, por se tanimë uji i pijshëm është i disponueshëm për shumë më tepër familje sesa ndonjëherë tjetër në historinë e Shqipërisë përfshirë dhe vitet përpara këtyre viteve që do të thotë që kështu si në Pogradec, ku kanë mbetur vetëm një komunë, Trebinja, ku po punohet, është në kantier ujësjellësi, gjithë pjesa tjetër ka ujë të pijshëm 24 orë dhe kjo është një arritje e rëndësishme historike po të kemi parasysh se nga u nis kjo punë dhe po ashtu sot, falë punës këmbëngulëse të kryetarit të bashkisë dhe mbështetjes që ne i kemi dhënë vijimisht, Pogradeci nuk ka problem më me kanalizimet dhe më në fund, pas dekadash e dekadash të tëra nuk ka më ujëra të ndotur që derdhen në liqen ku shtrihet një nga pasuritë më të mëdha, në mos pasuria më e madhe e këtij komuniteti dhe që është shtysa më e fortë këtu për të investuar edhe më shumë, për ta bërë Pogradecin edhe më shumë destinacion turistik dhe për ta rritur edhe më shumë ekonominë e familjeve këtu në Pogradec, falë turizmit.
Ne kemi në proces një projekt të madh, e për mendi Niko, një projekt rreth 15 milionë euro që është në kantier, në gjithë zonën e Drilonit, kemi projektin tjetër që e kemi financuar dhe tanimë është në fazën përmbyllëse të kontratës për shëtitoren e gjithë buzë liqenit të Pogradecit, një projekt që do ta transformoje Pogradecin njësoj si Lungomare transformoi Vlorën. Kemi po ashtu një sërë projektesh të tjera që përfshijnë pjesëza të qytetit ku është ndërhyrë faktikisht në të gjitha rrugët.
Nuk dua të numëroj me radhë punët e bëra, di që kemi akoma një borxh për të shlyer ndaj zonës së Gorës dhe të Mokrës ku ka jashtëzakonisht shumë potencial për zhvillimin e turizmit dhe ku ende mungon infrastruktura e nevojshme për t’i dhënë një hov turizmit, agroturizimit dhe gjithë ekonomisë së zonës.
Unë besoj se jemi në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm. Në Pogradec, në çdo bashki dhe Shqipëri në tërësi, jemi në një moment kthese të madhe historike për ekonominë tonë sepse kemi punuar shumë për këtë ditë. Kemi bërë shumë reforma, kemi kaluar shumë vështirësi, jemi përballur dhe qytetarët janë përballur me masa shtrënguese, të rëndësshme dhe të konsiderueshme, por nga ana tjetër në këtë përpjekje shumë të madhe për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, na është dashur të përballemi edhe me të papritura të jashtëzakonshme që nga tërmeti, që na ka detyruar të spostojmë fonde për të financuar rikthimin në shtëpi të mijëra e mijëra familjeve që mbetën në qiell të hapur brenda pak sekondave, duke bërë që projekte të caktuara, përfshirë edhe projekte në Pogradec, të vonohen, të shtyhen.
Pastaj jemi përballur me pandeminë. Përsëri na është dashur që fonde masive t’i spostojmë për të përballur luftën me atë mortje që na krijoi aq shumë stres dhe aq shumë dhembje dhe pastaj sikur të mos mjaftonin këto, jemi përballur dhe vazhdojmë të përballemi me një situatë të vështirë të krijuar nga lufta në Ukrainë që solli gjithë atë inflacion të madh dhe atë rritje marramendëse të çmimit të energjisë që nuk e ka ndjerë asnjë familje shqiptare, nuk e ka ndjerë asnjë biznes i vogël në Shqipëri sepse që nga dita e parë edhe sot që po flasim, qeveria vazhdon paguan që në çdo faturë që vjen në shtëpitë tuaja, çmimi të mos jetë rritur asnjë qindarkë. Të gjitha këto janë lëvizje të mëdha, janë pengesa të mëdha. Megjithatë, pikërisht se kemi punuar shumë, jemi përpjekur shumë, kemi këmbëngulur shumë, ia kemi dalë që sot të hyjmë në një proces historik të rritjes më të lartë të pagave ndodhur ndonjëherë. E kemi nisur në këtë prill, tani në ditët e para të majit, mjekët specialistë dhe një sërë kategorish të tjera fillojnë marrin paga të rritura. Do ta vazhdojmë dhe në prillin e ardhshëm do ta kemi përmbyllur si cikël duke e çuar pagën mesatare në Republikën e Shqipërisë, në 900 euro nga 530 euro që ishte kur filloi ky proces dhe njëkohësisht kemi rritur pagën minimale për sektorin publik dhe për sektorin privat në 40 mijë lekë. Nuk ishte e parashikuar, jo nga ne po as nga të tjerët që ça nuk premtojnë se e dinë që nuk do t’i bjerë rasti të kenë gjë në dorë e premtojnë ç’tu dalë përpara.
38 mijë lekë ishte dhe parashikimi i tyre për pagën minimale deri në fund të 2025. Sot jemi 40 mijë lekë. Në prill 2025 do të jemi në 45 mijë lekë pagë minimale dhe nuk do të ndalemi, nuk do ta konsiderojmë detyrën të përmbushur pa e çuar në 60 mijë lekë. Ashtu sikundër pa e çuar pagën mesatare në më shumë se 950 euro dhe pa çuar të ardhurat për frymë, nga 6400 që janë sot, euro, thuajse dyfishi nga e nisëm me 3300 euro, por patjetër duhet ta çojmë në 10 mijë euro sepse ndryshe nuk jemi aty ku duhet të jemi me punën dhe me nevojat që janë sot.
Natyrisht rritja e madhe e pagave do të na japë më shumë kontribute shoqërore, do të na japë mundësinë që t’i mbështesim edhe më shumë pensionistët tanë të cilët nuk i kemi lënë vetëm në asnjë moment dhe së fundmi i mbështetëm edhe me fondin që mblodhëm nga taksa e jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë, gjë të cilën ju thanë se nuk do të ndodhte kurrë, pastaj se ishte një luftë me biznesin, pastaj se paratë nuk do i jepeshin pensionistëve dhe sot, pensionistët janë të gjithë dëshmitarë se ato para i morën qindarkë për qindarkë, ashtu sikundër ne ua morëm eksportuesve të mëdhenj dhe ua shpërndamë pensionistëve dhe do vazhdojmë të mos lëmë rast në të ardhmen pa iu shërbyer dhe pa i shpërblyer pensionistët që janë shtresa që meriton më shumë dhe ka marrë më pak nga gjithë ky proces.
Ne në këto zgjedhje, besoj që e kemi të thjeshtë, shumë të thjeshtë, flas si qytetar, sepse duhet të vendosim më 14 maj se kë do marrim në punë për t’i qëndruar mbi krye punëve në shërbim të komuniteteve.
Natyrisht, kemi shumë arsye për të mos pasur dilemë.

Kemi shumë arsye për të mos pasur dilemën sepse është shumë e qartë se çfarë duam dhe çfarë bëjmë ne dhe çfarë duan dhe çfarë nuk bëjnë ata. Këtu i kishit në krye të bashkisë dhe mbeti bashkia e Pogradecit si jetime në grupin e bashkive këtu që filluan të ecin shumë përpara, por është e njëjta gjë që ndodh sa herë bashkitë bien në dore të tyre, sa herë pushteti bie mbi duart e atyre.

Nuk ka në 31 vjet zgjedhje vendore pluraliste në Shqipëri një shembull të vetëm, që nga Tropoja e deri në Konispol, një shembull ku ata mund të tregojnë që po ua dhe atyre besimin, po ua dhe atyre mundësinë, ata mund të ndryshojnë realitetin e një qyteti apo të një fshati, por nuk kanë një të vetëm.

Tropojën e patën deri para 4 vite më parë kur na u dha ne mundësia ta drejtojmë dhe ndryshimet në këto 4 vite në Tropojë janë më shumë sesa në të gjitha vitet që mbajnë mend ata që jetojnë atje sepse ne e kemi në gjak, ne e kemi në kulturën e punës, ne e kemi pjesë të pandashme të arsyes pse merremi me politikë. Kur ne marrim një detyrë, nuk po them që çdo gjë e bëjmë perfekt, nuk po them që ne nuk bëjmë gabime, nuk po them që ne nuk kemi bërë gjëra për të cilat sot nuk jemi krenarë, nuk po them fare që ne jemi një familje ku nuk ka drurë të shtrembër, të gjitha këto janë, por ama ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi dhe as nuk ka garë, as nuk ka konkurrencë, as nuk ka diskutim fare.

Ndërkohë ata, akoma sot qysh nga ’92-shi drejtojnë Shkodrën. Shkodra është e vetmja bashki ku akoma kazanët mbulohen nga plehrat një ditë, dy ditë, tre ditë pa problem fare, ndërkohë që sot bashkitë, për shkak të drejtimit të socialistëve, për shkak të përkushtimit dhe për shkak të vendosjes së objektivave dhe angazhimeve, janë më të pastra seç kanë qenë ndonjëherë.

Sot Pogradeci është i pastër, kalon dhe nuk shikon një copë letër në rrugë. Si ishte Pogradeci përpara sesa Iliri të merrte detyrën? Unë, kur kaloja këtu, se normalisht kur këtu nuk është kryetari i bashkisë i joni, këtu nuk ndalon dot, do kalosh e do ikësh, vinin letrat e vinin plehrat, i merrte era dhe i përplaste tek xhami i makinës, rrugët lënë pa asnjë përkujdesje e pa asnjë pastrim; duke filluar që nga pastrimi, që mos them për çerdhe, për kopshte, për shkolla.

I kemi dhënë mbështetje për shkolla edhe Shkodrës ne, por janë shkollat më copë-copë që ka Shqipëria, ndërkohë që i kemi parë që ne, edhe shkollat që ndërtojmë nëpër zona ish-komuna, janë njësoj si në Europë.
Të mos flas për qendra shëndetësore që janë transformuar totalisht, mos flas për shërbimin shëndetësor që është transformuar totalisht, të mos flas për ndriçimin.

Sot Ilir Xhakolli ka vendosur ndriçim publik, jo në Pogradec, por në të 73 fshatra rreth e rrotull. Ku ka drita natën po të vësh ata në zyrë? Ata nuk ndërrojnë dot një llambë dhe u pëlqen errësira, u pëlqen pisllëku. Nuk e kanë problem fare; demokraci, liri, plehrat, njerëzit të gjithë bashkë, bashkëjetojnë, u pëlqejnë ndërtimet pa leje, u pëlqejnë lejet për ndërtime të shëmtuara.

Ndërkohë që, për ne është shumë e qartë; ne duhet të synojmë dhe ta luftojmë çdo ditë që Shqipëria e 2030-s të jetë kampione e turizmit në Ballkan dhe kampione e turizmit në Ballkan nuk do të thotë vetëm turizëm në bregdet, do të thotë turizëm në Alpe, do të thotë turizëm në gjithë këtë pjesë që është zonë e bekuar e Shqipërisë me këto liqene të mrekullueshme.

Natyrisht, Niko nuk kishte si të mos ta thoshte sot, ishte rasti i fundit i Nikos për ta thënë këtë dhe e tha që mandati që fillon me votën e 14 majit do të jetë mandati i Korçës, por do të jetë mandati i Pogradecit. Korça i ka pasur mandatet, Korça, natyrisht, do vazhdojë ta ketë gjithë mbështetjen tonë se Korça është Korçë, nuk kemi çfarë t’i bëjmë, nuk është me inat kjo punë, por fokusi në Pogradec do jetë shumë i madh sepse nëse në Korçë ne e kemi zbuluar një pjesë të madhe të potencialit, e kemi vënë në dispozicion të zhvillimit, këtu ka akoma shumë potencial për të zhvilluar dhe për ta vënë në dispozicion të zhvillimit.

Unë nuk do të ndalesha dhe nuk do përfundoja, duke thjesht kërkuar që të gjithë ata që janë socialistë, që janë progresistë, që janë simpatizantë tanët të votojnë në 14 maj, unë do kërkoja më shumë në 14 maj. Do i kërkoja grave që janë këtu që me të gjitha gjitonet, komshijet, fqinjët, si i thoni ju, që i kanë burrat me mendjen mbrapsht, të flasin dhe t’i bindin që burrat me mendje mbrapsht t’i mbyllin në shtëpi në 14 maj.

Gratë janë ato që mund ta kuptojnë shumë mirë zgjedhjen e 14 majit sepse zgjedhja e 14majit nuk është për tifozllëk, nuk është se jam unë i majtë apo i djathtë, e dua apo nuk e dua Edi Ramën, e dua apo nuk e dua Ilir Xhakollin, këto nuk janë zgjedhje për këtë punë, këto janë zgjedhje për si do jetë rruga kur të dalim nga shtëpia në mëngjes, si të majtët dhe të djathtët, do jetë e pastër apo do vijnë plehrat të t’i përplasë era në fytyrë? Si do jenë çerdhet, kopshtet shkollat; do vazhdojnë të kenë shërbim siç kanë sot? Se fare mirë mund të kthehen mbrapa, mund të fillojnë prapë t’u gërryhen muret dhe mund të fillojnë t’u mungojnë shërbimet? Po rrugët do vazhdojnë të jenë të ndriçuara që kur kthehen vajzat në shtëpi vonë natën, prindërit të mos rrinë me ankth se mos i ha ujku?

Dhe të gjitha të tjerat që janë punët e bashkisë janë në radhë të parë punët e grave.Qeveria është burri, bashkia është gruaja që duhet të kujdeset për të gjitha dhe gratë janë ato që nuk kanë kohë për të humbur, nuk u del koha. Nuk mund të ulen në kafene dhe të fillojnë të bëjnë biseda të gjata për politikën e madhe sepse duhet të merren me fëmijët, duhet të merren me punën, duhet të merren me punët e shtëpisë, duhet të merren dhe me larje, shpëlarja, tharje të burrave.

Dhe gratë, nënat, gjyshet e kuptojnë më mirë se pse në 14 maj duhet me patjetër që punëve t’i gjendet njeriu i duhur dhe këtu ju e keni njeriun e duhur se e keni gjetur, çfarë do kërkoni tani? E keni gjetur, mbaje mos e lësho, pse do ta lëshosh?

Vota e zgjedhjes së kryetarit të bashkisë është vajtja në Pazar për të blerë kalin për të tërhequr karrocën.

Do blesh kalë të tërheqë karrocën apo për inat të atij që shet kalin që është i majtë do shkosh të blesh, jo gomar jo, se gomari është goxha personalitet, ka mbajtur Perëndinë mbi shpinë gomari. Por kë do marrësh të tërheqësh karrocën apo do merresh ta tërheqësh vet? Gjithë për vete, Zoti për të gjithë, siç ndodh gjithmonë kur ata marrin qeverinë. Dhe për më tepër, sot le ta themi deri në fund janë shumë më keq sesa ç’kanë qenë në ditën e tyre më të keqe se se janë helaq fare. Janë të diskretituar botërisht, nuk i do njeri t’i shohë me sy dhe kur nuk do njeri t’i shohë me sy si mundet që Shqipëria t’i mbajë në kurriz që dhe Shqipërinë pastaj të fillojnë të mos ta shohin me sy për shkak të tyre? Nuk i do, e kanë me certifikatë me vulë, të padëshirueshëm, për miqtë më të mëdhenj tanët.

Ndërkohë që Shqipëria është sot më e respektuar se kurrë në sytë e botës e në sytë e Europës. Se s’besoj se e ka imagjinuar kush që Shqipëria do të ishte siç është sot, ulur atje me më të fortët, me me më të fuqishmit, më të rëndësishmit, në tryezën e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, që Shqipëria do të drejtonte OSBE-në, që Shqipëria do të mikpriste Samitin e parë të BE jashtë kufijve të BE, që Shqipëria do të mikpresë pas disa muajsh samitin e Berlinit.

Tani si do t’i vini në kurriz Shqipërisë personat e padëshiruar nga ata, pa të cilët, ne nuk e kemi as fuqinë dhe as mundësinë që të shkojmë përpara ashtu siç duhet. Kjo nuk është absolutisht zgjedhje e mençur. Ky është një budallallëk shumë i madh për Shqipërinë, por dhe për interesat e gjithsecilit. Ata nuk dinë, ata nuk duan dhe ata kanë qëllime krejt të tjera.

Lufta e tyre për të fituar ndonjë bashki tek-tuk është një luftë për të marrë peng bashkitë për t’i kthyer në kështjella lufte në Tiranë, për të marrë fondet dhe me ato fonde, jo për të bërë punë për komunitetin, por për të paguar autobusët e për t’i nisur për të thënë “Rama ik” atje. Kanë 10 vjet që thonë “Rama ik”. Këtu jam unë. Se të ishte ndonjë shans që me ata autobusë të ikja unë, hajde provojeni, por kot. Jo, unë do iki kur të vendosim bashkë, por jo kur thonë ata “Rama ik”. Ata për mua janë bërë për hudhra, jam në rregull unë me ata. Problemi është që nuk merren të futen nëpër bashki se për hudhra kështu me ato dy gishtat, shyqyr që i kemi.

Kështu miqtë e mi, ju falënderoj shumë.

Kam shumë besim, në 14 maj kam besim të madh të gratë. Burrat të na japin atë votën e tyre, edhe të vazhdojnë të luajnë dhe të kuvendojnë.

Gratë mund të na japin shumë më tepër sesa votën e tyre dhe unë jam i bindur që do të na japin, kështu që, nëse ndonjë nga ato shoqet a nga zonjat, quajini si të doni, që kanë burrat me mendjen mbrapa ju thonë: po s’kam çfarë i bëj burrit se është shumë i djathtë, do i thoni: thuaji si do dali nga shtëpia, do marrësh rrugën do mbash radhë të votosh Like floririn? Si? Se dhe atë tjetrin, atë se ke fare në fletë votimi se ai ka ikur dhe nga fleta votimit. Po si tani, tjetri ikën nga fleta e votimit, ti voton ta fusësh prapë?

Ai ka ikur nga fleta e votimit, s’është fare.Vjen vërdallë nëpër Shqipëri nën sqetullën e Like floririt. Ja ku u katandis partia e famshme, e madhe, legjendare demokratike, në dorën e Like floririt. “Aman o Like na merr me vete”. Ku do shkojmë me Liken? Ku?

Kështu që gratë i kuptojnë mirë këto punë, apo jo? Faleminderit!