Prezantimi i kandidatit Gledian Llatja,
Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri:
Mirëdita Elbasani!
Përshëndetje z. Kryeministër,
Mirë se erdhe!
Në fakt ky takim duket spontan dhe i thjeshtë, por e di që zemra e çdo elbasanlliu vlon dhe mezi pret të bëjmë atë takimin e madh, ku do të japim oshëtimën e fitores nga Elbasani. Atë fitore që mbase nuk do t’iu pëlqejë disave, sepse e kanë fryrë sikur në Elbasan ka garë, por e vërteta është, nga dialogu që bëjmë me njerëzit, që qytetarët e Elbasanit e kuptojnë përditë kush është e vërteta, çfarë është të ecësh përpara dhe çfarë është të kthehesh mbrapa.
Kjo duket në çdo takim, në çdo energji njerëzore që transmetohet gjatë bashkëbisedimit tonë.
Të them të drejtën këtu konkurrojnë dy modele që tashmë shqiptarët i njohin. Njërin model po e prekim përditë, modeli i ndryshimit. Ato projekte që tha Gledi, projekte të cilat, duhet thënë e vërteta, nuk mund ti bëjë vetë bashkia. Ju vjen inat disave, s’ju pëlqen kur themi që binomi bashki – qeveri është jashtëzakonisht i domosdoshëm për zhvillimin e Bashkisë së Elbasanit dhe çdo bashkie në Republikën e Shqipërisë. Bashkia nuk ka mundësi që me fondet e veta, me taksat e qytetarëve të mund të përballojë të gjithë zhvillimet kryesore të Elbasanit.
Patjetër detyra e kryetarit të bashkisë është të mirëadministrojë të ardhurat e bashkisë, po nga ana tjetër është mbështetja e qeverisë shqiptare për projektet e mëdha, për ato që tha Gledi, të cilat ne, me votën e 14 Majit, duhet ti hapim dritën jeshile. Elbasani, përveç atyre projekteve të mëdha që u thanë këtu, meriton që kjo lagje e Kalasë, një simbol historik dhe kulturor i Elbasanit, të rehabilitohet dhe të kthehet në një destinacion turistik.
Kjo do të bëhet e mundur me projektet e Gledit dhe me mbështetjen e Qeverisë Rama. Ashtu siç gjithë ato vepra të tjera infrastrukturore, ku pak më parë ishim edhe tek Auto Moto Parku dhe shëtitorja më e madhe që do të krijohet në Elbasan, që do ti japë një identitet ndërkombëtar këtij qyteti dhe realisht do të kthehet një nga vendet më të vizituara dhe nga turistët e huaj. Kjo është ti japësh identitet Elbasanit. Kjo është të punosh për qytetarët e Elbasanit, ky është zinxhiri ekonomik që krijohet nga këto vepra.
Prandaj them që të gjithë ata që janë skeptikë ndonjëherë për votën, mendoni nëse doni të ardhmen e zhvillimit të Elbasanit dhe Qeverinë e Edi Ramës nga pas për ta mbështetur projektin “Elbasani 2030”, vota duhet të shkojë për Gledin dhe Partinë Socialiste.
Nga ana tjetër modelet që na shfaqen përballë, modeli i Tiranës, “martesa” e re Berisha – Meta, unë nuk dua të flas më shumë, po që kur kanë turp të nxjerrin se kush e kryeson koalicionin e tyre apo “martesën e re”, tregojnë se duan të fshihen nga të vërtetat që i di gjithkush. Kjo është e vërteta. Njëherë thonë s’duam Ilirin, njëherë thotë ai tjetri duhet të isha unë në fletë, por më bënë nder që s’më vunë. Pra, ti ç’ke që e fsheh partnerin tënd? Kush tha ta fshehësh partnerin tënd? Në qoftë se ke bërë aleancë me të, partneri duhet të jetë aty dhe ti duhet të jesh i nderuar. Kjo tregon krizën e identitetit politik që ata kanë.
Këtu në Elbasan na kanë sjellë një të deleguar të tyrin. Se është i zgjedhuri i tyre ai. Lëre çfarë thotë jam qytetar i Elbasanit si gjithë të tjerët. Natyrshëm qytetar, se dhe ky qytetar Elbasani është. Kanë dalë këtu do shpëtojmë Elbasanin nga zgjedha rilindase. Pse të huaj janë këta? Pushtues janë këta? Qoftë edhe Edi Rama që është kryeministëri dhe punon për Elbasanin është pushtues? Pushtues është të investosh gjithë këto para’ për qytetin e Elbasanit? E pra, atyre ju vret syrin e bukura dhe ju than fytin. Nuk kanë më fjalë, sepse kudo që shkojnë tek njerëzit ju kujtojnë të shkuarën e tyre. Të shkuar që e njohim mirë të gjithë.
Ai kandidati përballë që na del, na flet nëpër studio ju e njihni shumë mirë. Ai ka qenë kryetar i Partisë Demokratike për shumë vite. Ju e dini shumë mirë sesi e ka bërë politikën e kuadrit këtu kur ishte drejtues i Partisë Demokratike. E dini shumë mirë që ka konkurruar njëherë në vitin 2007 dhe humbi zgjedhjet përballëQazim Sejdinit. Kjo është e vërteta, e dimë të gjithë. Tani u kujtua pas 15-16 vitesh të rikandidojë përsëri me gënjeshtra të reja. Çfarë thotë tani, ngaqë ka mungesë ideje dhe programi ka filluar të hapë thesin e mashtrimeve.
Si ka vajtur fushata e tyre në tre hapa. Do ta quaja në tre cikle. Cili i parë ishte njëherë fillimi i fushatës ku thanë: “Elbasanin e kanë shitur, Gledi s’do të jetë, Elbasani do t’i lihet opozitës”. Ky qe hapi i parë i mashtrimit përpara fushatës. Besoj se jeni të gjithë dëshmitarë, këto u hapën në Elbasan.
Tani kaluan tek faza e dytë. Faza e dytë e pasigurisë është rritja e dozës së mashtrimi dhe e premtimit. Çfarë bëjnë, natën takojnë njerëz tek e tek dhe u thonë: Ty do të fus në punë, ty do të bëj drejtor.
Nuk e thonë dot publikisht se kur bën llogaritë dikush do të dalë që s’ka shumë vende për drejtor, por i thonë tek e tek për të gënjyer njerëz. Pastaj në publik dalin me premtime amatoreske, madje nga ato që të bëjnë dhe qesharak. Siç dëgjuam nga kandidati kundërshtar që po na shpaloste të ardhmen e Elbasanit në përmjet ca fantazive që do ti kishte zili edhe sikur të ringjallej Zhyl Verni. Pse? Tha atje do të ndërtoj një Disneyland në Elbasan. Pra do bëj parkun më të madh të Disneyland, pavarësisht se dy janë në të gjithë botën, të tretin do e bëjë zotëria në Elbasan. Dhe tha e shoh Elbasanin si shesh xhirimi, gjoja për të bërë Kinostudion e Re. Sheshi i xhirimit ku ai filloi të projektojë filmin e tij të mashtrimit. Një film që mendon se elbasanllinjtë do ia blejnë. Filloi të bëjë skenarin e tij dhe e pa Elbasanin si sheshi i xhirimit të filmit të tij.
Dhe si e filloi filmin, e filloi me një mashtrim, me një marrëveshje, me një barez që gjoja ishte firmë e madhe, por që ishte e fjetur në Londër. Pra një firmë që nuk figuronte, e vdekur dhe tha do sjellë 400 mln euro investime me atë personazhin, një personazh të vdekur. Pra kandidati i ardhëm me një kompani të vdekur nënshkroi për filmin dhe të ardhmen e Elbasanit. Pra ky është Luçiano Boçi dhe kjo është në përgjithësi partia që ai përfaqëson dhe gjithë opozita që ata përfaqësojnë. Janë bosh, bosh, bosh. Dinë vetëm të gënjejnë. Të premtojnë, por populli ka memorie. Populli e di se ç’farë bënë kur ishin në qeverisje, populli e di se si u sollën me qytetarët kur ata administronin qytetin. Jam i bindur që qytetarët e Elbasanit do t’ia japin çmimin ashtu siç duhet dhe notën ashtu siç duhet.
Prandaj them ata le të flasin, ky dhe ne të tjerët punojnë. Ky vërtet mbase nuk flet aq bukur si profesori, se profesori ka mbaruar për Letërsi. I kemi thënë, i kemi rezervuar vendin në universitet, le të japë aty mësim pas humbjes së kësaj gare. Ne duam një njeri që flet pak dhe punon shumë. Gledi është si ju, një qytetar si ju, një djalë që është rritur me hallet e qytetit dhe e di shumë mirë problematikën e këtij qyteti.
Por Gledi dhe e kam thënë në çdo takim. Gledi nuk është vetëm. Se s’ju pëlqen kjo shprehja ime, ç’është kjo Gledi e kemi garë lokale thonë, ç’punë kanë këta të tjerët, çdo Gjiknuri që vjen këtu.
Ne jemi ekip politik. Kur themi Gledi nuk është vetëm, angazhimi që merr Gledi janë angazhime politike. Sepse vetëm fjalët i merr era, por kur ka një ekip politik që shoqëron kandidatin dhe ka garanci nga Qeveria e Edi Ramës që ato që thuhen do të bëhen, këto janë angazhimet dhe kontrata me qytetarët. Unë kështu e kuptoj. Prandaj vota për 14 Majin është dhe votë për ekipin politik të Elbasanit, është votë për t’i dhënë kurajo politike këtij kandidati, këtij kryetari bashkie që të kërkojë mbështetje nga qeveria, sepse është i respektuar dhe i vlerësuar nga qytetarët e Elbasanit në votë. Ashtu siç edhe PS. Dhe kur themi ekip, është shumë rëndësi që ndonjëherë se brenda një familje të madhe, dhe njerëzit kanë divergjencat e tyre. Por troket te Gledi, dëgjon dhe Damiani, troket te Damiani është dhe Evisi, kjo është të jesh ekip politik. Jo njerëz që vijnë natën, të premtojnë sy më sy, të gënjejnë bukur dhe nesër hajde kapi targën pas zgjedhjeve. Jo nuk duhen këta lloj njerëzish. Ne na duhet një organizatë politike, një kandidat që përfaqëson njerëzit dhe një njeri që nuk punon vetëm, por punon me shokë, me ekip dhe kjo është garancia më e madhe për suksesin.
Sëfundmi me votën tuaj më 14 Maj do të vlerësoni edhe ato politike zhvillimore të qeverisjes sonë; E kësaj partie. Vërtet që ka kaluar momente të vështira, por ju e shikoni që këtë periudhë të fundit qeverisja është afruar shumë më afër njerëzve. Vetëm të merrni pensionistët që kanë përfituar mbi 16 mijë lekë, vetëm këto muajt e fundit dhe s’do të jetë e fundit, sepse qeveria e Edi Ramës dhe dua ta vlerësoj dhe ta respektoj këtu para jush, ka menduar dhe po mendon për këto shtresa më të goditura dhe kjo është ana humane që na bën krenar si socialist. Ne do të vazhdojmë këtë rrugë, ashtu siç edhe rritja e rrogave. Rritja e rrogave do të rrisë cilësinë e administratës, do të mbajë të rinjtë dhe të rejat këtu në këtë vend dhe natyrshëm patjetër do t’i rritet kërkesa e llogarisë administratës. Kemi nevojë dhe për këtë. Ka dhe të papërgjegjshëm në administratë, do t’iu kërkojmë llogari. Siç dimë të shpërblejmë më mirë dhe llogaria do të kërkohet më shumë dhe qytetarët do të dinë të vlerësojnë kush është forca e vërtetë, kush janë njerëzit e vërtetë.
Prandaj më 14 Maj bëni elbasanlliun e mirë. Unë e them, e kam si shprehje. Nëna ime, një elbasanllie ka qenë mësuese matematike në Elbasan. Më thoshin shumë shokë e miq këtu që e kanë pasur mësuese: -Kur ta vinte notën Liria dhe 10-ën dhe 4-ën, t’i vinte me buzëqeshje. Elbasanllinjtë me buzëqeshje do të dinë t’iu japin notën atyre që janë më të zotë, qeverisjes së Edi Ramës dhe Gledianit me Partinë Socialiste.
Suksese të gjithëve! Suksese Elbasani!