Prezantohet projekti pilot për gazifikimin e Korçës, investim strategjik nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Azerbajxhanit

U prezantua sot Projekti pilot për gazifikimin e Korçës, një investim strategjik i mundësuar nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Azerbajxhanit Aljev dhe me garancinë e partnerit prestigjoz, kompanisë SOCAR.

Përmes këtij projekti, jo vetëm do të sigurohet energjia për ngrohje me çmim të përballueshëm për familjet e Korçës, por do t’i jepet zgjidhje një problemi të rëndësishëm mjedisor, duke siguruar mbrojtjen e pyjeve dhe shmangien e ndotjes së ajrit, veçanërisht në ditët e ftohta të dimrit.
Me këtë investim vendoset një gur i rëndësishëm themeli në zhvillimin ekonomik dhe të qëndrueshëm të qytetit të Korçës në të ardhmen.

Projekti u prezantua në një event të posaçëm me praninë e Kryeministrit Edi Rama, ZëvendësKryeministres dhe Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturs Belinda Balluku, Kryetarit të Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo, si dhe delegacionit qeveritar të Azerbajxhanit me pjesëmarrjen e drejtuesve të kompanisë SOCAR.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve dhe një mirëseardhje shumë të veçantë miqve tanë nga Azerbaxhani, ministrit të energjisë, i dashur Shahbazov dhe gjithë delegacionin që e shoqëron.

Është vërtetë një moment shumë domethënës dhe për mua personalisht, përveçse për ne të gjithë së bashku këtu në Korçë, pasi për ata që e dinë se çfarë përfaqëson Azerbajxhani dhe çfarë përfaqëson SOCAR-i, një kolos europian dhe për ata që mbase nuk e dinë deri sot, por që panë nga prezantimi se kush ka ardhur këtu në Korçë, është vërtetë një shenjë shumë kuptimplotë e një miqësie të posaçme, pasi kjo kompani ka kaq shumë projekte, kërkohet kaq shumë kudo dhe gjetja e kohës, marrja e mundimit për të ardhur, jo në Tiranë, por deri në Korçë me drejtuesin, CEO-n e kompanisë që na bëri një prezantim shterrues dhe me gjithë të tjerët në delegacionin e ministrit, është vërtetë një gjest kuptimplotë i një miqësie dhe një partneriteti strategjik me një vend shumë mik, me të cilin ne duam të forcojmë më tutje lidhjet tona.

Nga ana tjetër, dua të jap një detaj jo të parëndësishëm për mua të paktën, edhe besoj që ministri do të dëshmojë për mua, që ky emër i bukur NUR – dritë, është përzgjedhur posaçërisht nga presidenti i Azerbajxhanit.

Ka qënë ai që e ka pagëzur projektin me këtë emër dhe është ai që kujdeset posaçërisht për këtë projekt. Unë kam qenë dëshmitar kur i ka thënë ministrit dhe të pranishmëve, nga projekti në Shqipëri nuk duam fitime, e rëndësishme është të mos humbasim dhe të fitojnë qytetarët e atij vendi. Dhe patjetër që për SOCAR-in, ky projekt nuk është një projekt domethënës në aspektin financiar, por të kesh parasysh ça investimesh bën SOCAR-i, por për ne, është një projekt shumë domethënës, ashtu sikundër për miqësinë dhe marrëdhënien e veçantë me Azerbajxhanin është domethënës dhe patjetër që, nëse ashtu sikundër, la të kuptohet edhe drejtuesi i lartë i kompanisë, projekti që fillon me Korçën do të shtrihet hap pas hapi më tutje dhe më tej edhe me pjesëmarrjen e investitorëve të tjerë, por jam i bindur që dhe shteti shqiptar do të ketë një fuqi tjetë,r kur të vijë ajo ditë, të bëhet gazifikimi i Shqipërisë dhe TAP t’i shërbejë edhe shtrirjes së mëtejshme së bashku me projektin tjetër madhor që është Joniano-Adriatiku, atëherë sigurisht që kjo kthehet në një histori suksesi edhe financiar edhe për SOCAR-in, por për momentin nuk jemi tek ky fakt. Për momentin jemi te fakti që me partnerë prestigjiozë ndër më të mirët që mund të zgjidhen në botë sot, siç janë partnerët e SOCAR-it, ne jemi në nisje të zbatimit sepse projekti ka nisur siç e patë, kohë më parë për të ardhur deri këtu dhe falë mbështetjes nga Presidenti, falë garancisë që është profesionalizmi dhe kapaciteti i Socarit, brenda vitit 2026 , kjo punë e bukur për Korçën synohet të përfundojë dhe në 2027, korçarët të jenë të parët që do ndezin çelësin e ngrohjes me gaz.

Ky projekt vjen në një moment goxha domethënës për sektorin e energjisë në Shqipëri, vjen në një moment kur ne po investojmë shumë dhe diversifikojmë portofolin e energjisë, vjen në një moment, kur sot Shqipëria është prodhuesi më i madh i energjisë diellore në rajon dhe kur një sërë investimesh të tjera në proces apo të parashikuara, na vendosin në parashikimin shumë optimist, por të mbështetur në shifra dhe në fakte, që brenda 2030, 30% e energjisë sonë të vijë nga dielli.

Nga ana tjetër, ky projekt vjen në momentin kur ka filluar puna, pra ka filluar puna në tavolinë pas firmosjes së marrëveshjes për lidhjen me Italinë, nëpërmjet bashkëpunimit trelateral mes qeverisë se Republikës së Shqipërisë, Republikës italiane dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara që do të na japë ne një pozicion shumë të favorshëm strategjik në aspekt të transmetimit të energjisë dhe të gjitha këto bashkë ndodhin në një proces kur Shqipëria vendosmërisht hedh hapa domethënës për t’u bërë një vend sovran nga pikëpamja energjitike brenda vitit 2028 dhe pastaj Shqipëria 2030, për të qenë një vend eksportues neto i energjisë.

Para se të vinim këtu ishim së bashku me Belindën, me Nikon në Maliq, ku folëm edhe për një projekt tjetër të jashtëzakonshëm i cili ka filluar dhe ai, është në procesin pra të projektimit, projekti i ashtuquajtur Pumping system i Statkraftit, një kolos tjetër europian, i cili do të investojë 1.8 miliardë euro për të zgjeruar kapacitetet e Devollit, hidrocentralit dhe për të krijuar një sistem ripërdorimi të ujit në funksion të rritjes së kapacitetit.

Janë burime të reja, janë fuqi e shtuar për sektorin energjitik dhe për ekonominë tonë dhe nuk mund të jemi dot më të kënaqur, sinqerisht, për pjesëmarrjen e SOCAR dhe qeverisë së Azerbajxhanit në këtë rrugëtim tonin.

Azerbajxhani është një vend me një histori sa të dhimbshme, aq edhe heroike, një vend shumë krenar, i cili sot po njeh një transformim të jashtëzakonshëm falë lidershipit vizionar dhe shumë të vendosur të Presidentit. Është një vend, nga i cili ka shumë për të mësuar dhe fatmirësisht, ne kemi dyert e hapura për çdo gjë që ne kemi nevojë të mësojmë nga miqtë tanë dhe jam shumë mirënjohës ndaj presidetit Aljev, sinqerisht.

Belinda dhe Niko e thanë, duhet mbase sikur është e ekzagjeruar, por nuk është aspak, është realisht një mik i madh i Shqipërisë, një mik i madh i shqiptarëve dhe unë e konsideroj nder që ta konsideroj mik dhe të më kosnsiderojë mik.

Shumë faleminderit edhe një herë miqve tanë që janë këtu të pranishëm, e përsëris, qeshi pak drejtuesi i SOCAR kur dëgjoi që thashë që nuk kanë ardhur në Tiranë, kanë ardhur deri në Korçë dhe nuk besoj që i ka shkuar ndonjëherë ndërmend që do vijë deri në Korçë në drejtimin e një kolosi si SOCAR, por jeta është ajo që të ndodh kur je duke bërë plane të tjera, drejtor.

Kështu që, më vjen mirë që e ke marrë me me një buzëqeshje të madhe vëllazërore këtë detyrë që për ty, e di që është një detyrë më shumë në shumë detyrat që ke.

Unë jam i bindur që falë edhe mbështetjes tënde dhe të skuadrës tënde, edhe me mbështetjen e padiskutueshme të kryeministrit që është i gatshëm gjithmonë, ne do të të sjellim edhe njëherë në Korçë, drejtor. Do të të sjellim edhe minimalisht njëherë kur së bashku të hapim çelësin për të lëshuar gazin në të gjitha shtëpitë e korçarëve.

Unë u nisa nga fjala jote, fundi i 2026, dhe në këtë pikë unë dhe presidenti yt jemi njësoj, tek afatet jemi njerëz në hall të madh dhe më mirë mos të bëhesh objekt i hallit tonë.

Shumë faleminderit!