Partia Socialiste e Shqipërisë

Fjala e kryetarit të PSSH Edi Rama në takimin përmbyllës elektoral në Pukë:

Shumë faleminderit për këtë mikpritje këtu dhe kjo është dita e fundit e fushatës, të cilën vendosa ta bëjmë një ditë aktivitetesh në qarkun e Shkodrës dhe ta mbyllim në qendrën e Shkodrës dhe në qendrën e Durrësit, sepse janë dy qendra jashtëzakonisht të rëndësishme, strategjike për zhvillimit e vendit, dy qendra, të cilat janë njëkohësisht edhe dy pasqyra për të parë se cili është dallimi mes nesh dhe atyre që çuditërisht dhe me thënë të drejtën kërkojnë pafytyrësisht votë për të përsëritur për të bërë atë që kanë bërë gjithmonë sa herë e kanë marrë votën. Por këtu në Pukë, ju nuk keni nevojë dhe besoj askush që i ka sytë në ballë dhe që ka mendjen e kthjellët dhe që nuk shikon me sytë e maskave të faqes së zeze në Tiranë për të parë më tutje sesa vetë Puka.
Puka kur unë vetë kam ardhur në fillim ishte një vend dëshpërues, një realitet urban në zemër të një mrekullie të Zotit dhe të natyrës, ku faktikisht kishte vetëm arsye për të ikur dhe s’kishte asnjë arsyet për të ardhur e jo më për të qëndruar.
Dhe ka qenë vërtetë e dhimbshme por njëkohësisht edhe një arsye shumë e fortë për të synuar që ta fitonim këtë bashki dhe me kryetarin e bashkisë dhe me bashkinë në krye të punëve, të bënim një transformim.
Unë besoj që juve ju kujtohet që këtu ku jeni ulur kishte plehra, s’kishte mundësi jo të uleshe, por as të hidhje sytë sepse të vriteshin sytë nga plehrat dhe po këtu, kishte një vatër të tmerrshme infeksioni të mbetjeve spitalore të grumbulluar prej vitesh e vitesh, mbetje shumë të rrezikshme konsiderohen ato.
Dhe ky liqen që është këtu pas ishte një moçal, dhe këto rrugica të bukura që e përshkojnë këtë park, ishin shtigje me plehra dhe askush nuk e gëzonte ketë mrekulli këtu mu ngjitur me qendrën e qytetit dhe jo më pastaj të vinin në Pukë vizitorë e të vinin në Pukë turistë.
Sot më thanë që numri i tyre ka arritur ne 10 mijë, por për mua, 10 mijë janë vetëm dallëndyshet e para që lajmëron një pranverë që s’ka ardhur akoma në atë aspekt dhe ambicia ime është që turistët këtu t’i çojmë në 100 mijë. Po 100 mijë turistë nuk mund të vijnë këtu në 100 pallate që paska premtuar ai maska i faqes së zezë në Tiranë, do bëjë 100 pallate në Pukë, që kur thotë do të bëjë 100 pallate në Pukë, çdo pukian edhe ai më i djathti duhet t’i vërë vizën.
Jo vizën tek fleta e votimit largqoftë, po kryqin, kryqin si person. Ç‘është ky që thotë “do të bëj 100 pallate”?
Çfarë janë këta? A kuptoni se këta nuk meritojnë as minimumin e vëmendjes, jo më respekt?
Do bëjë 100 pallate? Po atë bandit, djalin e gjykatësit të larguar nga vettingu për korrupsion qe vjen këtu dhe nxjerr armë në Pukë, çfarë e kanë atë? Ndërtuesin e ardhshëm të pallateve?
Apo e kanë sjellë këtu për drejtor të planifikimit strategjik të zhvillimit virtual të Pukës?
Po këto hordhi që i lëshojnë natën rrugëve për të kërcënuar njerëz, çfarë i kanë këto?
Punëtoret që do të ndërtojnë 100 pallatete? Po si është e mundur që në vitin 2023 të vazhdojë ky avaz me njerëz që vijnë si hiena dhe turren rrugëve e shqetësojnë banorët e këtij vendi për t’i imponuar se çfarë të votojnë?
Po si është e mundur? Po i mund të pranojnë këtë dhe ata që i përkasin asaj që është e djathta?
Po si mund ta pranojë këtë dikush që mbase me siguri 33 vjet, as e ka votuar dhe as ka ndër mend ta votojë Partine Socialiste dhe kjo s’ka pikë rëndësie, po që ama nuk ka si të mos ketë respekt për veten e vet, nuk ka si të mos ketë respekt për familjen e vet, nuk ka si të mos ketë dhembshuri për fëmijët e vet? Po pse fëmijët e Pukës, do jenë më mirë, do kenë çerdhe e kopshte më të mira nëqoftëse këto hiena që dalin rrugëve të urdhëruara nga ai maska i faqes së zezë të Tiranës, do marrin pushtetin këtu? Po për çfarë e duan ata pushtetin? Për çfarë mund ta duan pushtetin njerëz që nxjerrin armët në zgjedhje? Për çfarë? përveçse se për të grabitur atë pak që këtu në fakt duhet shpenzuar me nikoqirllëkun më të madh, me kujdesin më të madh.
Dhe kur them unë që duhet ta çojmë në 100 mijë numrin e turistëve në gjithë këtë zonë, nuk flas kot sepse nuk ka Puka asnjë dallim në aspektin e potencialit, në aspektin e mundësive të veta krahasuar po themi me Belshin.
Belshi është një qytezë po kështu si Puka. Belshi ka liqene, ka fusha të bukura, ka kodra të ulëta, ka pyje të mrekullueshme, ka klimë të jashtëzakonshme, ka burime fantastike dhe natyrisht në se në Belsh çdo fundjavë shkojnë 3000 vetë, 3000 për një vakt dhe nëse në Belsh po kthehen njerëzit për të ndërtuar bujtina, për t’i kthyer shtëpitë e tyre në bujtina për të hapur restorante, për të hapur të tjera shërbime, atëherë dhe në Pukë nuk ka pse të mos ndodhë kjo gjë dhe kjo gjë do të ndodhë.
Dhe njerëzit këtu nuk kanë pse të mos e shikojnë të ardhmen e tyre si ata që jetojnë në Alpet e vendeve të Evropës, ata që jetojnë në zonat malore të Evropës. Me çfarë jetojnë ata?
Ata jetojnë me bujqësi, ata jetojnë me blegtori, ata jetojnë me shfrytëzimin e pyjeve, ata jetojnë me turizëm që është baza, me mikpritje, me shërbimet që i ofrojnë atyre që vijnë tek ata. Dhe natyrisht në kohën e re të teknologjisë kur nuk ka nevojë fare të lëvizësh nga vendi, mjafton të kesh një lidhje me internet dhe nëse është e nevojshme, ti mund të punësohesh në çdo vend të botës pa lëvizur nga Puka, ata jetojnë edhe më këtë së fundmi.
Pra, të gjitha këto, këtu i kemi dhe bazën e kemi vënë. Nuk jemi më duke folur që shikoni na jepni votën se ne do heqim plehrat. Plehra s’kam më këtu. Plehra janë vetëm ata, që dalin natën për të dhunuar njerëzit për votën, turp i madh. Se duket dhe si qesharake dhe është kaq e vërtetë dhe kaq e dhimbshme që dhunën këtu e bën opozita, jo pushteti, dhe kryetarët tanë të bashkive nga të katër anët i drejtohen policisë së shtetit, për çfarë mbështetjeje? Për të mbrojtur zgjedhjet, për të mbrojtur njerëzit nga dhuna e atyre që vijnë për të marrë, jo për të marrë pushtetin për ta shfrytëzuar për njerëzit, por për ta marrë pushtetin për të shfrytëzuar në funksion të asaj faqes së zezë atje në Tiranë.
Ju e dini shumë mirë, sot se çfarë problemi, – nuk kemi ne, – ka Shqipëria, ka vendi ynë, ka shoqëria jonë, ka shteti ynë, në raport me aleatët, me miqtë tanë të mëdhenj, të cilët na mbështesin, na besojnë, duan të na mbështesin edhe më shumë, të na besojnë dhe më shumë. Dhe na e thonë troç, ua thonë gjithë shqiptarëve: na hiqni këtë surrat se nuk duam ta shohim me sy, hiqeni! Kujt ia thonë. Ne na i thonë? Ne socialistët se kemi pasur ndonjëherë opsionin, përkundrazi sa herë na kanë dalë përpara, e kemi hequr. Problemi është, ata demokratët. Demokratët që janë në pikë të hallit, pa alternativë konkurruese. Ata duhet ta bëjnë këtë hap, që t’i hapin rrugë edhe rilindjes së asaj force. Ne do e bëjmë? Para se të vija këtu isha me një gazetar nga Kosova, Berat Buzhala më pyeste: po mirë nuk të duket ty që kjo punë nuk shkon se opozita …”, pse ne do ta bëjmë opozitën?
Çfarë po i bëjmë ne opozitës, përveçse po e mundim sa herë na del përpara, pse çfarë t’i bëjmë? Por ama kush e ndjek pak ose kush e ka ndjek politikën, unë ua kam thënë që në 2013. Në 2013 unë dola në parlament për të prezantuar programin, ata kërkuan dorëheqjen e qeverisë, në ditën e parë, seancën e parë. Qeveria duhet të dorëhiqet. I thashë shikoni kështu, nëqoftëse ju do vazhdoni kështu, ju do jeni gjatë aty ku jeni se do shkoni keq e më keq. Merrni mor zotëri, nxirrni mësim pse u mundët. Po vazhduat që “ju fituat, po ne ia u morëm”, do humbni gjithmonë se nuk funksionon kështu. Ne do tua u nxjerrim mësimet atyre? Për ne le të rrinë atje se mirë janë. Çështja është në këtë rast te faqja e zezë. Këto nuk janë zgjedhje të thjeshta, se këtu nuk bëhet fjalë që Gjoni do të vazhdojë punën dhe i ka dalë përpara një kandidat që po na huton me programin edhe po na huton me aftësitë e veta dhe me karrierën e vet, edhe po na bën të mendohemi se kush do e bëjë punën më mirë. Jo, kjo është e njëjta gjë në gjithë Shqipërinë, me të mirat dhe me të metat e tyre se Gjoni nuk ka renë nga qielli, e di unë, Gjoni ka ato të vetat.
Patjetër, siç i kam unë, siç i ka Frani, siç i kanë të gjithë. Se del këtu Gjoni sikur është ndonjë burrë që s’ka të sharë. Jo Gjoni se ke dhe ti ato të tuat. Por problemi është që është një njeri që i rri punës mbi kokë dhe ka bërë gjithë këto punë. Ai tjetri çfarë është ai? Ai është një maskë.
Megjithatë, duhet të jemi shumë të qartë tani që mos të mendoni ju se unë se di që Gjoni ka ato të vetat, ta dini. Por këtu nuk kam ardhur t’ju them merrni Gjonin krushk. As po them shiko se Gjoni është gati, po kërkon për nuse. Gjoni duhet për punë dhe punën e bën më mirë se cilido tjetër. Për komshi nuk është aq i mirë, ta kesh pak më larg është më mirë, por në punë bën punën, mbaroi kjo.
Po ata çfarë janë ata? Ata janë maska. Maska që i kanë sjellë këtu. I kanë thënë ju do futeni aty, se çfarë bëni ju me lekët e njerëzve aty, puna juaj. Ne duam që një pjesë të lekëve ta vëmë në dispozicion të përmbysjes së regjimit dhe këtu punonjësit e gjelbërimit, pastrimit dhe të ndriçimit, e të gjithave të jenë gati sa herë vijnë autobusët të futën këtu, të nisen për Tiranë. “Rama ik, Rama Ik’.
Unë se kam hallin tim se ju e dini, sa më shumë vijnë ata thonë ik, aq më shumë unë vij këtu. Problemi është te ju. Tek ju që jetoni këtu, tek ju që keni fëmijët këtu, që puna të vazhdojë, që këtu të mos na futen në mes lloj-lloj xhagajdurësh që s’kanë lidhje fare me këtë punë. Ata të kthehen andej nga kanë ardhur të gjithë. Ai të marri atë patllaken e ta fusi andej nga e ka nxjerrë dhe të mos vijë më këtu, bashkë me atë gjykatësin ordiner që e ka nxjerrë vettingu jashtë si hajdut.
Kështu që, është shumë e thjeshtë mendoj në 14 maj. Ky shiu që filloi tani filloi ngaqë dëgjoi ato që thashë unë për Gjonin. Unë mendoj që është dhe bereqet, nuk ka nevojë t’i hapni çadrat për të ndenjur.
Shumë faleminderit, ju hengsha zemrën të gjithëve dhe 14 maj për Gjonin dhe për Franin, por nuk fola për Franin se Frani është engjëll dhe s’kam asnjë fjalë për të thënë. Është engjëll fare.
Kështu që jepini votën!