Fjala e Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan, Damian Gjiknuri
Përshëndetje Librazhdi!
Pritje fantastike siç i ka hije kësaj zone me këto kostume të larmishme, që tregon dhe karakterin tuaj të larmishëm dhe këtë popull që realisht, zakonet tuaja gjithkush do ti kishte zili.
Më vjen mirë që jemi këtu sot për të prezantuar kandidatin tonë Mariglen Dishën, djalin tuaj, shembullin e mirë të qytetarit që kudo që shkon, në çdo punë që ka bërë kokën e ka pasur pas nga Librazhdi. Ja ku erdhi dita të vijë këtu, të kontribuojë për qytetin e tij, duke e çuar në një stad më të lartë zhvillimi.
Marigleni ka gjetur një pritje të mirë tek njerëzit e thjeshtë, sepse ai u ka shërbyer ndër vite dhe ju e dini se çfarë di të bëjë ai. Ai vërtet punon pak, por punon shumë.
Ne e zgjodhëm për punën, nuk e zgjodhëm për fjalë. Për fjalë kemi ata të tjerët ne, ne na duhen njerëzit e punës. Nga ana tjetër këtu dua të bëj dhe një përshëndetje për Kaçin, kryetarin aktual të bashkisë, shokun tonë, pjesëtarin e ekipit tonë politik, i cili natyrshëm mbasi kreu dy mandate shumë të suksesshme, si çdo socialist i mirë tha mund të ketë kohë edhe për të tjerë. Por prapë ky është pjesë e ekipit tonë dhe ne jemi të gjithë të bashkuar në një. Siç është tradita e Partisë Socialiste, të gjithë bashkë për fitoren e madhe. Përballë ne kemi një kundërshtar që ju e njihni, një ish-kryetar bashkie që s’ka lënë asnjë gjurmë në Librazhd, njësoj si ato fosilet e Tiranës që ricikluan vetëveten, martesa e re Berisha – Meta. Ilir Floriri me Sali “non gratën” futën dorën në koshin e historisë dhe nxorrën të njëjtin njeri që kishin, atë që kanë pasur përherë.
Po pse ky është drejtimi që do ndjekë Librazhdi? Qytetarët e Librazhdit e kanë shumë të qartë, vota për kundërshtarin është votë për të kaluarën. Le që këtu s’do marrin votë fare këta njëherë, këtu nuk duhet të marrin asnjë votë, sepse ato punë që s’kanë bërë flasin vetë. Zbrastia e tyre flet vetë për modelin, të cilin ata i paraqesin njerëzve. Prandaj them vota është e sigurtë më 14 Maj për Mariglenin edhe për zhvillimin dhe librazhdiotët do të japin një votë masive, një fitore fantastike, jo thjesht për Mariglenin dhe Partinë Socialiste, por me emrin e Mariglenit dhe të Partisë Socialiste është i lidhur zhvillimi i Librazhdit.
Shihe këtë park, shihe këtë lulishte të mrekullueshme, shiheni këtë shëtitore buzë lumit. A ishin këto para ca vitesh? Jo! Si u bënë të mundura këto? Falë punës së bashkiakëve të Partisë Socialiste dhe mbështetjes së qeverisë shqiptare. Dhe këto punë s’kanë mbaruar, por do të vazhdojnë me Mariglenin. Këto janë shembujt që ne i kemi në çdo bashki ku shkojmë dhe na e bëjnë dhe të thjeshtë komunikimin me njerëzit, sepse janë vepra dhe punë konkrete. Fjalët ua lëmë atyre, punët flasin më mirë se çdo gjë tjetër.
Së fundi, më 14 Maj kemi dhe votën për Këshillin Bashkiak. Vota duhet të shkojë për Partinë Socialiste, lërini kushërinjtë dhe farefisin. Votën çojeni për Partinë Socialiste, sepse Marigleni ka nevojë për mbështetjen e Këshillit Bashkiak për vendimmarrje në dobi dhe zhvillim të Librazhdit. Më 14 Maj populli i Librazhdit, i gjithë populli shqiptar, ka mundësi të japë dhe mesazhe për përkrahjen e politikave të Kryeministrit Rama që unë i uroj mirëseardhjen këtu, i shpreh mirënjohjen dhe respektin e këtij populli të mrekullueshëm, sepse me politikat e tij zhvillimore tashmë ne po bëjmë të mundur të rrisim pagat për administratën shtetërore.
Të rrisim pagat mesatare, të rrisim pagën minimale. Natyrshëm rritja e pagave në administratën shtetërore do të rrisë dhe pagat në sektorin privat. Ne do të kemi punonjës më të mirëpaguar. Mbi të gjitha kjo nuk bëhet thjesht për të investuar dhe për të rritur një standard jetese, por ky është një investim më i mirë për të ardhmen e të rinjve dhe të rejave tanë. Pse? Të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri. Shumë profesionistë, ju jeni njerëz që ndiqni shkolla punoni kudo, me paga më të mira edhe Librazhdi patjetër ka të ardhme. Shumë djem dhe vajza që pavarësisht se kanë shkuar në vende të ndryshme do të kthejnë kokën nga Librazhdi dhe do ta ndërtojnë jetën e tyre këtu.
Së fundi më 14 Maj do të japim dhe mesazhin për pensionistët. Rritja e pagave do të rrisë kontributin për sigurimet shoqërore dhe fondin e pensioneve. Kjo do të sjellë automatikisht dhe një rritje të pensioneve dhe vëmendje më të madhe për pensionistët.
Prandaj më 14 Maj të gjithë pensionistët kur të shkojnë të votojnë të kenë dhe këtë gjë në mendje. Rruga e 14 Majit është rruga përpara, rruga drejt zhvillimit për pensione më të mira, për rroga më të larta, për mirëqenie më të madhe. Por mbi të gjitha një bashki, ky binom i rëndësishëm bashki e drejtuar nga Partia Socialiste dhe qeveri e drejtuar nga Partia Socialiste, le ta çimentojmë këtë marrëdhënie.
Atyre s’u vjen mirë, normal që s’iu vjen mirë se nuk kanë projekte dhe e dinë shumë mirë që një bashkiak i atyre fosileve nuk ka çfarë të bëjë këtu, pa përkrahjen e qeverisë shqiptare dhe duke shmangur ato politikat e bunkerizimit siç e bëjnë ata sa herë marrin ndonjë bashki dhe unë jam i bindur që kësaj radhe asnjë bashki s’do të marrin.
Atëherë le t’ia bëjmë të qartë qytetarëve. Le të çimentojmë këtë marrëdhënie. Bashkia e drejtuar nga Partia Socialiste dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare, Librazhdi do të ketë mbështetjen e qeverisë shqiptare për të gjitha investimet që patjetër Marigleni i ka shpalosur në dialogun me ju. Por që vetëm nuk i bën dot pa mbështetjen e Kryeministrit Rama.
Unë nuk dua ta zgjas. Dua t’ja jap fjalën kryetarit të ri të bashkisë dhe gjithë ekipit të Partisë Socialiste i uroj suksese. Librazhdi do të jetë kampioni i Qarkut të Elbasanit.
Mariglen suksese!