Partia Socialiste e Shqipërisë

Në Rrogozhinë vijoi sot mbjellja e pemëve të reja që do të shtojë hapësirat e gjelbëruara dhe oksigjenin në rrugëtimin drejt 14 majit. Në një Rrogozhinë krejt tjetër, të shndërruar falë punës dhe angazhimit të Kryetarit të Bashkisë, si dhe zhvillimit të një sërë projekteve të rëndësishme të qeverisë, Kryeministri Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH prezantoi për banorët Kandidatin për Kryetar Bashkie Edison Memolla.

* * *
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Është nder për mua që ju jeni këtu edhe pse është ditë pushimi, ditë e bukur dhe më vjen shumë mirë që më vjen mundësia të ndajmë një moment së bashku.
Këtu ku jemi mbledhur sot, kur kemi ardhur në fillim të përpjekjes sonë të përbashkët për ta rilindur dhe Rrogozhinën, këtu në mos gabohem, kanë qenë disa magazina, plehra, ferra dhe ndërkohë i gjithë qyteti ishte i harruar plotësisht, asnjë lloj angazhimi, asnjë lloj investimi, asnjë lloj përkujdesje.
Sot, realiteti në Rrogozhinë është krejt tjetër; është krejt tjetër sepse janë bashkuar dy faktorë, është bashkuar vota për kryetarin e bashkisë me votën për qeverinë dhe kryetari i bashkisë e ka mendjen të punojë, të bëjë projekte, të kërkojë financime edhe të marrë sa më shumë mbështetje nga qeveria dhe qeveria e ka mendjen që të bëjë sa më shumë, së bashku me kryetarin e bashkisë, për të mirën e qytetarëve.
Kjo ndodh kur njerëzit votojnë me mendje, jo me tifozllëk. Të votosh me mendje do të thotë të ndash tifozllëkun nga interesi. Të votosh me tifozllëk do të thotë t’i biesh me shkelm interesit për tifozllëkun, a thua vota është biletë për të shkuar në stadium për dy orë, për Egnatian. Jo, siç bashkon Egnatia të majtë e të djathtë sepse janë ngjyrat e qytetit, duhet të bashkojë dhe bashkia të majtë e të djathtë sepse është shërbëtorja e qytetit.
Këtu në Rrogozhinë nuk është vështirë për t’u shpjeguar. Atje në Kavajë është pak më e ngatërruar sepse atje në Kavajë prapë u shkon mendja të kthehen mbrapsht, prapë tifozllëk.
Ndodhi, nuk po them që do ndodhë këtë herë, por ndodhi, e kishim Kavajën komplet në rrugën e duhur, ishte një xhep falco që vetëm dy gishta gjeje aty, atje vetëm dy gishta gjeje, ha dy gishta, pi dy gishta, ulu mbi dy gishta, çohu mbi dy gishta, ec me dy gishta, fol me dy gishta, dëgjo me dy gishta. Nuk kishte gjë tjetër në Kavajë; mes plehrave, pa ujë, pa drita, pa asnjë lloj shenje që aty ka qytet. Ishte katandisur Kavaja një katund i harruar.
Sot është diçka krejt tjetër, por në mes të rrugës prapë u kthyen mbrapa dhe po ju them; unë kam qenë në këtë punë edhe kur ata shkonin përpara edhe kur u kthyen mbrapa.
Kur shkonin përpara, unë problemin me kryetarët e bashkisë së Kavajës, edhe me atë përpara edhe me tjetrin që është sot, e kisha dhe e kam “Kryeministër duam këtë, kryeministër duam atë, kryeministër na duhet ajo, kryeministër na duhet kjo, kryeministër kemi këtë projektin, kryeministër kemi dhe atë projektin, kryeministër është kjo lagja këtu, kryeministër është dhe ajo lagja aty”, domethënë për sa më shumë gjëra për qytetin.
Kur u kthen mbrapa me atë palo kryetar që vunë atje, se ashtu i kanë të gjithë se nuk është se kanë vetëm njërin, të gjithë njësoj i kanë, i vetmi problem me Kavajën ishte “Kryeministër u dha një tjetër leje në rërë, kryeministër do pritet prapë pylli në Golem, kryeministër u ndërtua mbi ujësjellës, kryeministër u prish kjo”. Asnjë punë! Zero! Kanë arritur kanë dhënë leje për të prerë pyllin me firmë të Sekretarit të Këshillit të Bashkisë, domethënë akoma në kohën e Haxhi Qamilit. Edhe atë po i thoja, madje bëra dhe një gabim atje, se fyeva qentë, ofendova qentë pa dashje sepse qeni është kafshë e rrallë, por hiena, dhe po i thoja “Kur thonë Sovrani zgjedh”, kjo ka një shpjegim shumë të thjeshtë; çfarë zgjedh Sovrani? Çfarë zgjedh mbreti? Zgjedh shërbëtorët, kush ma bën më mirë këtë punë? Dhe i thashë, edhe këtu e fortë është kjo se shihni sa është ky, i thashë, me gjithë këta gomerë për të ngarkuar drutë, ju shkoni ja ngarkoni drutë qenve.
Tani i kërkoj falje të gjithë qenve në Kavajë, Rrogozhinë dhe në gjithë Shqipërinë se i kam ofenduar, por hienave, mund t’i japësh hienave punë e t’u thuash “Hajdeni se më duheni për të ngarkuar drutë deri në mal atje?” Nuk ka shans! Kjo është njësoj si t’u japësh hienave të të ruajnë shtëpinë, të të ruajnë nga problemet dhe fatkeqësitë.
Imagjinoni ç’do të kishte ndodhur sikur tërmeti, larg qoftë, të na kishte gjetur siç na e lanë ata këtë vend apo pandemia të na kishte gjetur me spitale siç ishin spitalet në kohën e tyre!
Sot ju e dini mirë se çfarë do kishte ndodhur; nuk janë në gjendje të bëjnë asgjë tjetër përveçse të prishin. Kur e them këtë, pres të dalë njëri, kush të dojë, të dalë dhe të thotë “Jo e ke gabim, sepse filan vend, në filan bashki të Shqipërisë, në filan komunë, në filan vit e kanë pasur ata dhe e kanë bërë punët që mund t’i shohësh sot”. Nuk ka një bashki!
Juve nuk ju bie rruga për të shkuar në Tropojë. Po ju them se u desh një kryetar bashkie socialist atje që Tropoja sot të jetë krejt ndryshe nga Tropoja që ishte pasi votën e çonte vetëm e vetëm për hienat. Do ta ktheni Tropojën prapa? Ça do bëjnë? Do mundin PS? Ne futboll? Jo? Thjesht do kthejnë prapa gjithë punët dhe do kthejnë prapa gjithë rrugën për veten e vet, jo për PS. Ça rëndësie ka në fund të ditës ngjyra e partive? Në fund të ditës rëndësi ka ore, kush ma bën punën.
Unë nuk i kuptoj ca demokratë, se këta demokratët kanë probleme, sinqerisht. Se demokrat mund të jesh po demokrat me ne, jo demokrat me ata. Ç’demokratë janë ata?
Ata që të shalojnë me rrena gjithë ditën e ditës. Ata që një herë të thonë, ky është e ardhmja pastaj të thonë ky është pengu. Ça demokratë janë ata? Ata sot kanë probleme që nuk i zgjidhin dot për veten e vet. Do zgjidhin problemet e të tjerëve?
Si do t’i zgjidhin? Po ca demokratë unë s’i kuptoj se mund ta mbajnë për tifozllëk, për qejf mund ta mbajnë atë, se s’di ça quhet më ajo. Pashë fletën e votimit, s’kishin as emër. Nuk dinë kush është i pari. I fshihen njëri-tjetrit. Nuk vënë emrin. Se normalisht aty në fletë, ‘’bashkë fitojmë’’, thonë. Po me kë?
Aty thuhet, PS me Edi Ramën, Partia Agrare me Gon Dukën, partia x më Shpëtimin, tjetri me Çlirimin, tjetri me Agimin, këta jo. Jo, s’ka.
Po mirë, vulën ata kishin kohë që e kishin humbur, problemi është që ka humbur emri, s’kanë emër. Ça të vënë? Njëri është ‘’Non gratta’’ për Amerikën, tjetri është “Non Gratta’’ për demokratët, po të vënë emrin e këtij tjetri do thonë, po pse me këtë do shkojmë ne prapë të votojmë e?
Keni parasysh atë Xhaferrin. Kështu që si i bëhet me këta? Kurse këta unë them e kanë kollaj. Unë them këta mund ta mbajnë atë. Duan ta mbajnë televizorin duke parë gjithë ditën ata? Ta mbajnë. S’ka problem. S’na shohin dot ne me sy, e kanë kollaj fare. Fike televizorin e hajt shëndet. Po punën jepja gomarit, jo hijenës. Shihe gjithë ky këtu. Shihe! Sepse përtej shakasë që nuk është në fakt dhe shumë shaka, të kesh votën, të jesh prind i këtyre kalamajve e të shkosh për të votuar, edhe të harrosh që ti po voton për çerdhen e këtyre, nuk po voton ti për hallin e hjenave. Ti po voton për çerdhen e këtyre, po voton për kopshtin e këtyre, po voton për parkun e këtyre, po voton që kur këta të shkojnë në shkollë , trotuari të mos jetë me gropa, mos ‘’ta kanë ngrënë hijenat’’ trotuarin, po voton që rruga të jetë në rregull, po voton që këto projektet e turizmit të vazhdojnë të zhvillohen, që përmes turizmit të rritet punësimi këtu, këtu të rritet ekonomia, të fillojnë turistët të vijnë pasdite këtu e të pijnë kafe. Ti po voton për këto.
E të shkosh t’ia çosh votën atyre që nuk i do më asnjë t’i shohi sy? Po kur thonë se futën Shqipërinë në NATO, e keni dëgjuar këtë? E futën këta? Jo, mor vëlla, në NATO të fut Amerika, nuk të fut dot askush tjetër. Tani Amerika që na futi në NATO ata nuk i do. “Jo, ska gjë”, thonë, “edhe pa Amerikën”.
Po pse mo, kemi luajtur mendsh ne? Le të rrimë pa lulishte, pa ndriçim, pa pastrim, pa çerdhe, pa kopshte, pa Amerikën edhe pastaj të mbajmë “Non gratta”-n në krye atje që të flasë ato budallallëqe.
Pa hë njëherë, provojeni. Ecni e shkoni në shtëpi mbrapsht. Hajde me mua. Ku do shkojmë? Sa mund të vazhdojmë kështu?
Hajde. Jepini. Ik në shtëpi mbrapsht. E gjen dot shtëpinë mbrapsht? Vallaj zor e ke, por edhe po e gjete, nuk ka shans të arrish edhe pa u rrëzuar rrugës, nuk ka shans. Kështu që prapa në asnjë mënyrë. Ne do të vazhdojmë punët. Sot këtu prapë do mbjellim pemë. Pse me e marrë e me e lodh miletin; “hajdeni o burra të gjithë shkojmë të mblidhemi, miting i madh”. Ju nuk na keni dëgjuar? Nuk na keni parë? Nuk na dini? Po për çfarë duhet të mbushet Rrogozhina me postera të këtij? Nuk e njihni këtë?
Po pse duhet të harxhojmë lekë ne të mbushim me flamuj të PS qytetin? Për çfarë? Të gjitha këto i kursejmë, blejmë pemë, ia dhurojmë Rrogozhinës edhe e lëmë prapa një gjë; mbaron fushata, pemët janë aty, rriten. Pse? Edhe për t’u marrë vesh kështu, merremi kollaj. Do bëjmë edhe nga ato të mëdhajat në fund se i duan. Janë ca nga këta tanët që i duan ato tribunat. Po tani të kishim vënë një tribunë këtu duke qenë nga 2 metra, tani edhe lali duket më i gjatë se nuk është kaq i gjatë, duke ndenjur me ne. Duke vënë një tribunë këtu, me atë tribunë që se vumë, janë 5-6 pemë. Edhe më shumë, varet nga lloji i pemëve. Do vinim dhe një ekran prapa t’ju tregonim juve Rrogozhinën. Po Rrogozhinën e shikoni ju përditë. Për ça duhet ekrani? Po ai ekrani janë edhe nja 20 pemë të tjera.
E pra, i kemi hequr këto. Bëjmë një fushatë të thjeshtë. Sot unë takova gjithë këta njerëz. Po të ishte me tribunë e me dreq e me shejtan, do kisha ardhur këtu me roje, shty njerëzit, hip në tribunë, mbaj fjalimin e ik. Ça kuptimi ka? Mendoj që është më mirë kështu. Si thoni ju?
E di që në këtë zonë, është edhe zonë me shumë besimtarë. T’ju pranohet agjërimi të gjithëve edhe mos e harroni kurrë, ka thënë shumë fjalë Profeti, Paqja e Zotit qoftë mbi të, po një nga më të bukurat është ajo për pemët: “Edhe sikur dita e qametit të ketë ardhur, edhe sikur s’ke më asnjë gjë tjetër ça mund të bësh, mos ik pa e mbjellë një pemë” .
Shumë faleminderit!
Tani burrat tek lopatat, gratë të shohin burrat kur punojnë, se nuk vazhdohet gjithmonë gratë punojnë e burrat shohin gratë.