Selia e Partisë Socialiste të Shqipërisë, deklarata për mediat, Bora Muzhaqi:
Dëgjuam reagimin e komisionerit Celibashi për “qeverinë ku bën pjesë zonja”, por nuk dëgjuam ndjesën e tij drejtuar mijëra zgjedhësve, të cilët në më shumë se 500 qëndra votimi, u penguan të votojnë pasi pajisjet elektronike të KQZ-së nuk funksionuan.
Arsyet e mosfunksionimit të tyre ishin nga më absurdet, (deri edhe për moskarikim të baterisë), por kjo meriton një analizë të veçantë pas zgjedhjeve, sepse “qeveria ku bën pjesë zonja” e ka financuar masivisht KQZ-në për pajisjet e identifikimit elektronik, por edhe për ato të votimit elektronik.
Prandaj edhe nuk ka se si të mos na vijë tmerrsisht keq për mosdhënien e shërbimit të identifikimit elektronik, duke penguar mijëra zgjedhës për disa orë, teksa KQZ-ja nuk merrte dot as vendimin elementar të nisjes së votimit në çdo qendër, pa i mbajtur njerëzit me orë në pritje, përtej orarit zyrtar të fillimit të zgjedhjeve.
Por këtu jam përsëri për apelin e Partisë Socialiste, drejtuar të gjithë atyre që s’mundën të votojnë në orët e para të mëngjesit:
Ju lutemi rikthehuni gjatë ditës dhe kryeni detyrën tuaj qytetare, duke votuar! Po ashtu, Partia Socialiste u bën apel edhe të gjithë zgjedhësve të tjerë që nuk janë drejtuar akoma në qendrat e votimit dhe ende nuk e kanë ushtruar të drejtën e votës: Ju lutemi bëjeni këtë në orët në vijim!
E përsëris, kushdo prej nesh që voton, voton edhe për ata që nuk e kanë të mundur të votojnë, sepse janë larg apo sepse janë ende fëmijë, por duan dhe meritojnë një Shqipëri akoma më të mirë.
Vota vlen shumë! Vota vendos shumë! Vota përcakton më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen tonë të përbashkët!
Prandaj thirrja e Partisë Socialiste është votoni, votoni, votoni!