Fjala e Kryeministrit Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH në takimin me skuadrën e të rinjve në Tiranë
Kemi një mundësi historike, e cila është krijuar nga një përputhje e shumë mirëseardhur e rrethanave tona të brendshme me rrethanat e jashtme të Europës dhe për herë të parë në memorien time dëshira jonë për të hyrë në Bashkimin Europian si anëtarë me të drejta të plota përkon me dëshirën e tyre për të na pranuar si të tillë.
Kjo përputhje nuk ka qenë asnjëherë e tillë që nga rënia e komunizmit kur ata ishin më të hapur e ne ishin tërësisht të papërgatitur. Kur ne filluam të ishim më të përgatitur ata ishin më pak të hapur dhe faktikisht, procesi është marrë në njëfarë mënyre peng nga mospërputhja e këtyre të dyjave.
Sot, të dyja këto janë të përputhura dhe mundësia është e artë për ne, por në të njëjtën kohë është e kushtëzuar nga shfrytëzimi maksimal i kohës sepse ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë nesër dhe nëse do t’i referohemi eksperiencës dhe mësimit të historisë, ka më shumë gjasë që gjërat të kthehen siç ishin, pra, që ata të jenë më pak të interesuar po qe se ne nuk e shfrytëzojmë këtë mundësi dhe këtë hapësirë kohore relativisht të shkurtër prej pak vitesh.
Them të shkurtër prej pak vitesh sepse pak vite në gjithë këtë histori janë vërtetë një kohë e shkurtër, por edhe më shumë se kaq, pak vite janë jashtëzakonisht pak për sa shumë gjëra ne duhet të bëjmë në të njëjtën kohë.
Faktikisht, ne na është hapur rruga kohët e fundit në mënyrë shumë të jashtëzakonshme për mënyrën sesi funksionon Bashkimi Europian. Na është dhënë një kalendar që është shumë ambicioz për t’i mbyllur negociatat brenda 2027, duke pasur parasysh që ne negociatat i nisëm konkretisht dhe u ulëm konkretisht vetëm vjet, madje në gjysmën e dytë të vitit të shkuar, i bie që gjithë negociatat zgjasin vetëm 3 vjet. Kjo është e paparë dhe e pandodhur më parë për të tjerët. Kroacia ka marrë shumë më tepër kohë etj etj. Mali i Zi që është në të njëjtin pozicion me ne ka vite që negocion.
Janë volume të tëra pune që nuk mundet dot të bëhen nëse nuk shfrytëzohet çdo ditë.
Kështu që, çdo parafytyrim i një lëkundjeje është katastrofik për vendin tonë dhe një mbështetje masive për Partinë Socialiste, për qeverinë tonë është, në fakt, më shumë se një mbështetje për ne, është një mbështetje masive për të mos humbur trenin e historisë dhe për të arritur në stacion. Që ne të hymë në Bashkimin Europian duhet të mbyllim negociatat. Në momentin që ne mbyllim negociatat, ne kemi kryer punë. Pastaj është koha e ratifikimit nëpër parlamentet e tjera, por kjo është një çështje tjetër, nuk është më një problem që mund të merret dhe të kthehet në një instrument për çdo lloj-lloj agjendash të lloj-lloj lojtarëve që janë jashtë vullnetit tonë.
Pse është i rëndësishëm Bashkimi Europian? Nuk e kam menduar, me thënë të drejtë, që do të vinte momenti që do duhej të thosha dhe këtë sepse askush nuk e ka menduar, por sot në çfarë po shohim dhe me çfarë po ndodh, Bashkimi Europian është i rëndësishëm edhe për ekzistencën, për sigurinë, kështu siç po shkojnë gjërat dhe gjithë përpjekja që po bën sot Bashkimi Europian dhe që unë jam i bindur më herët se vonë do jetë përpjekje e gjithë kontinentit tonë,flas për të gjitha vendet demokratike që do të mblidhen në Tiranë në 16 maj, është një qasje komplet e re ndaj sigurisë, ndaj mbrojtjes dhe ndaj sensit të përbashkët të sigurisë.
Kjo është diçka e re, por është diçka urgjente e kohës dhe këtu na duhet lidership, na duhet qëndrueshmëri, na duhet stabilitet i plotë në këtë marrëdhënie, na duhen të gjitha ato që ne i kemi ndërtuar me kaq mund dhe me kaq durim në këto vite dhe nuk ka ardhur akoma koha që raporti ynë me Bashkimin Europian të jetë i pavarur nga kush qeveris në Shqipëri.
Ajo kohë vjen në momentin kur ne bëhemi anëtarë. Për sa kohë, ne nuk jemi anëtarë, ka shumë rëndësi se kush qeveris në Shqipëri dhe është bërë një investim shumë i madh në këto vite që ne të kemi këtë partneritet, të kemi këtë respekt reciprok dhe të kemi këtë besim tek Shqipëria.
Çdo lloj lëkundjeje dhe çdo lloj tangoje me Kujtim Gjuzin do krijonte një lëkundje të përgjithshme. Kujtim Gjuzi është lulja më e bukur në atë buqetë, lulja më e bukur, ma besoni. Është ku ma gjen.
Tjetra që ka shumë rëndësi është që na duhet Bashkimi Europian sot dhe na duhet të jemi anëtarë të Bashkimit Europian sa më parë për të marrë një fuqi të re financiare, troç, financiare përveç të gjitha të mirave të tjera që ka anëtarësimi sepse në momentin kur ne hyjmë në Bashkimin Europian hyjmë në kategorinë e shteteve që quhen përfituese.
Bashkimi Europian ka dy kategori; kontribues dhe përfitues.
Kontribuesit janë ata më të mëdhenjtë, më të fuqishmit, përfituesit janë ata më të vegjëlit dhe është një familje ku më të fortët ndihmojnë më të dobëtit, më të mëdhenjtë ndihmojnë më të vegjlit, më të zhvilluarit ndihmojnë ata që duhet të zhvillohen më shpejt.
Kjo do të thotë që krahas buxhetit që ne kemi nga të ardhurat e taksave do të kemi dhe një buxhet ekstra për të gjitha gjërat për të cilat kemi ende shumë nevojë. Edhe për rininë, për universitetet, për punësimin e të rinjve, për Garancinë Rinore që quhet në një fjalë të vetme, Bashkimi Europian është një game changer i jashtëzakonshëm, ndryshon komplet lojën.
Përtej kësaj, është një ngritje e jashtëzakonshme morale në aspektin e të qenit, jo vetëm të barabartë përpara Zotit dhe përpara pasqyrës sepse jemi njësoj njerëz, por të qenit të barabartë me vulë, njësoj, edhe në pashaportën tuaj në momentin që ne hyjmë në Bashkimin Europian nuk do të shkruhet vetëm “Republika e Shqipërisë” por do të shkruhet “Bashkimi Europian” dhe ajo pashaportë do t’ju japë juve të njëjtën vlerë në qytetërimin e organizuar europian e njësoj si francezët dhe gjermanët, nuk do të ketë më asnjë dallim. Të njëjta të drejta!
Çfarë do të thotë të njëjta të drejta? Sot një shqiptar nuk çohet dot në mëngjes dhe të niset dhe të arrijë në darkë në një vend të Bashkimit Europian dhe të thotë “Po e ndaloj makinën këtu dhe unë do jetoj këtu” ose “Po nisem për të shkuar atje sepse do shkoj të kërkoj një punë atje” ose, ose, ose.
Sot janë shumë të ngatërruara gjërat.
Në Bashkimin Europian menjëherë Shqipëria bëhet si, si ta themi, Pogradeci dhe Kroacia bëhet si Korça e më tutje Sllovenia bëhet si Vlora e pastaj më tutje akoma, Austria është si Tirana.
Pra, jemi një vend, kemi të njëjtat rregulla, kemi të njëjtat aksese, por sigurisht kemi institucionet e veçanta të vetëqeverisjes së brendshme, ndërkohë që kemi një qeverisje të përbashkët. Është komplet gjë tjetër dhe kjo garanton pakthyeshmërinë mbrapa që nuk është e garantuar asnjëherë përsa kohë ne nuk jemi aty.
Ne në Europë ishim edhe kur erdhi Sudja me Rrapushin, ishim mu në mes të Europës kur Sudja dhe Rrapushi erdhën dhe morën në dorë financat e Shqipërisë me bekimin e Kujtimit, Kujtim Gjuzit.
Ne në Europë ishim edhe kur kishim diktaturën.
Ne në Europë ishim dhe më pëprara kur Europa ishte në të tjera ujëra dhe ne ishim në të tjera ujëra komplet dhe gjëja që ne na garanton futja në Bashkimin Europian është që liria juaj individuale nuk mund të diskutohet më dhe nuk mund të cënohet më në asnjë formë nga askush këtu, barazia juaj përpara ligjit nuk mund të vihet më në dyshim dhe nuk mund të diskutohet më nga askush këtu se nuk diskutohet dhe në Europë që do jeni të barabartë përpara ligjit njësoj si të tjerët dhe askush nuk mund t’ju diskutojë atje meqë jeni shqiptarë, askush nuk mund t’ju thotë “Çohu, ik tani”.
Standardet demokratike të bashkëjetesës, liria për punë, e drejta për punë, e drejta këtu, e drejta aty, të gjitha të garantuara. Këto gjëra nuk i kanë afganët, nuk i kanë irakianët, nuk i kanë të tjerët që kanë dalë nga diktaturat dhe janë përpjekur të bëjnë demokraci e prapë kanë rënë nëpër situata të tmerrshme se gjysmë të tmerrshme ose gjysmë-autokratike, sepse nuk e kanë Bashkimin Europian.
Bashkimi Europian është projekti më i jashtëzakonshëm politik i njerëzimit. Nuk diskutohet që është një projekt i papërfunduar dhe prandaj ka probleme dhe dobësi etj, por nuk ka një gjë tjetër dhe në një botë ku Europa nuk është më fuqia që ishte nga pikëpamja e peshës në ekonominë e përgjithshme botërore, Bashkimi Europian është përgjigja.
Fuqizimi, zgjerimi, krijimi i Shteteve të Bashkuara të Europës është përgjigja.
Do kërkojë kohën e vet, por ne duhet të jemi brenda dhe ky është momenti, kjo është më e bukura tani. Ne të gjitha këto i kemi folur, por asnjëherë ne nuk e kemi parë momentin siç shohim këtu këtë hapësirën dhe ky është 11 maji dhe për të gjithë të tjerat, për vazhdimësinë e të gjitha gjërave të tjera që unë nuk dua tani t’ju lodh kokën ju “Kemi bërë këtë e kemi bërë atë e kemi bërë atë” sepse në një këndvështrim kemi bërë jashtëzakonisht shumë e në një këndvështrim tjetër ka akoma shumë për të bërë, por kjo është përtej këtyre.
Kjo që po flas është përtej rrugëve, është përtej hekurudhave, është përtej infrastrukturave, përtej e përtej përtej të gjithave, pemëve që mbjellim etj. Kjo është ekzistenciale për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar.
Ky është 11 maji.
-Pyetje: Unë quhem Eris Xhanaj. Kam mbaruar studimet e larta në Universitetin publik La Sapienza në Romë, Itali. Çka dua të them unë është që të gjitha arritjet për rininë sot mbajnë siglën e Partisë Sodialiste, por dhe firmën Edi Rama. Konkretisht, unë dua t’ju pyes, ku buron gjithë kjo energjia juaj?
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Përsa i përket energjisë, kjo është një çështje pak më personale. Për mua politika nuk është profesion, nuk është punë, nuk është zanat jo e jo, nuk është karrierë në kuptimin që i jepet karrierës. Është pasion dhe është mision dhe për hir të vërtetës, nga mënyra sesi ka ndodhur me mua, por po të shikosh momentet kyçe që më kanë bërë të merrem me këtë punë, ka qenë në njëfarë mënyrë fat dhe lojë e fatit më saktë sepse nuk kanë qenë vendimmarrje të menduara gjatë etj, por kanë qenë rrethana dhe e fundit ka të bëjë dhe me historinë. Domethënë, në moshën tuaj unë jetoja në një regjim tjetër, nuk kishte lidhje me këtë sot dhe ishte një betejë për liri personale, nuk kishte lidhje me zgjedhje e me alternativa, ishte betejë për liri personale dhe rrethanat e kanë sjellë që të ngec në këtë valle. Kjo është gjëja.
Un i them “Zjarr i brendshëm”. Në qoftë se kur njeriu, unë të paktën sepse nuk them njeriu sepse njerëzit janë lloj-lloj, por përsa kohë kam këtë zjarrin e brendshëm nuk kam nevojë të mendoj se ku t’i gjej energjitë. Pastaj, nëse zjarri fillon dhe shuhet atëherë do jetë e vështirë për t’i gjetur edhe energjitë dhe kaq. Në këtë gjë më mban ajo që ju thashë, fakti që ne mund ta mbarojmë këtë; Ne, unë se Ogerta me ju do vazhdoni, por fakti që mund ta përmbyllim këtë fazë historike, duke u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe në njëfarë mënyre është dhe një lloj hakmarrjeje për gjithçka që ka ndodhur në të shkuarën, në të gjitha nivelet. Kjo është pak a shumë përgjigja që unë do jepja.
Shumë faleminderit. Ishte kënaqësi!