Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama në takimin me të rinjtë socialistë të Gjirokastrës

Faleminderit shumë. Shumë faleminderit të gjithëve dhe më vjen shumë mirë që jeni këtu sot, vetëm në Gjirokastër bëhet takim në këtë orë, se me këtë rast kurseni një vakt.

Ju falenderoj edhe për energjinë, edhe për mbështetjen, edhe për entuziamin dhe duke qenë i bindur se gjatë këtyre ditëve deri në 11 maj, mundësitë për të folur për gjërat që janë bërë deri në detaj dhe mundësitë për të folur për çfarë do të bëjmë, deri në detaje, do jenë të shumta.

Sot, unë dua të përqëndrohem vetëm tek vetëm një temë, që besoj është kryefjala për pse të gjithë së bashku ne si socialistë, si progresistë, por edhe si shqiptarë, duhet ta konsiderojmë 11 majin si një moment historik dhe si një shans për të marrë pjesë në bërjen e historisë. Në të gjitha këto vite, ne kemi bërë shumë zgjedhje, 9 palë zgjedhje me mua si kryetar i partisë, në qeveri dhe i kemi fituar të tëra. Kemi bërë zgjedhje ku kemi folur dhe kemi marrë zotime dhe kemi bërë bilance dhe besoj që kemi qoftë një bilanc shumë pozitiv, po qoftë dhe të gjitha arsyet për të qenë të pakënaqur me gjëra, të cilat duhet të bëhen më mirë dhe për të qenë ambiciozë për gjëra që duhen bërë më tutje.

Një ditë votimi të pazakonshëm, ku nuk bëhet fjalë thjeshtë se cila parti do fitojë, po ku bëhet fjalë se ku do të jetë Shqipëria në vitet e ardhshme, në vitet që përkojnë me mandatin tonë të 4.

Mund të kishte qëlluar që, kjo pyetje të mos shtrohej fare, mund të kishte qëlluar që procesi ynë i negociatave për anëtarësim në BE, të mos kishte zgjedhje në mes, mirëpo ka qëlluar që ka zgjedhje në mes dhe këto zgjedhje bëhen vetvetiu shumë të rëndësishme për ecurinë e negociatave për anëtarësim dhe për vetë anëtarësimin në BE sepse për herë të parë, qysh se ne kemi hyrë në këtë rrugë, pasi kemi dalë nga diktatura dhe qysh se ne kemi menduar dhe kemi punuar për të arritur një ditë të bëhemi anëtarë të BE, mundësia e futjes në BE, është reale dhe është aktuale për herë të parë, sepse për herë tëparë janë bashkuar ylli i fatit tonë me yllin e fatit të tyre dhe jo vetëm ne duam siç kemi dashur gjithmonë, që nga dita e parë që kemi dalë në rrugën e lirisë të bëhemi anëtar të BE, por edhe ata duan që të na kenë në BE sa më parë.

Dhe ky është një moment që nuk do të thotë që do të jetë i tillë në pafundësi.

Është një derë që është hapur tani për arsye që lidhen me ne, sepse kemi bërë detyrat tona, kemi fituar respekt, kemi një reputacion tjetër, na besojnë, por edhe për arsye që nuk lidhen me ne sepse BE është në një moment kur përballet me një botë të trazuar, përballet me një luftë në kufijtë e vet, qasja ndaj së cilës, siç e kemi parë ka ndryshuar në mënyrë dramatike për shkak të një qasjeje të re nga SHBA, përballet me sfida të tjera që janë shumë të mëdha dhe nuk kanë lidhje me ne dhe ndër të tjera, kërkon që në këtë moment t’i japë gjithë botës një mesazh, që BE po zgjerohet, po rritet me anëtarë të tjerë dhe po synon që të kthehet në një forcë e unifikimit të të gjithë Europës.

Kështu që, ne nuk mundet dot ta humbasim këtë shans sepse ka ndodhur në të shkuarën dhe nuk ka pse të mos ndodhë prapë, që këto dyer që hapen, mbyllen. Dhe ju dëgjoni shpesh që thonë; “po ça është ky muhabet tani? Ka dalë Edi Rama nëpër Shqipëri dhe thotë, duhet mandati i 4 patjetër se do fusë bashkë me PS, Shqipërinë në BE. Kur nuk e futi në 3 mandate, ça do ndryshojë në të 4?’’

Dhe këta njerëz duhen informuar, duhet shpjeguar që mund të ishte dhe një mandat i 4, mund të ishte dhe mandat i 5, edhe i 6 dhe kjo mundësi mund të mos ishte aty. Dhe shembulli është shumë i thjeshtë; ne kemi filluar negociatat vjet, Mali i Zi që akoma nuk ka hyrë në BE dhe që kur ne morëm detyrën,ishte shumë,shumë para nesh. Ne ishim vrima e fundit e kavallit, as nuk na shikonin në sy kur flisnim, vetëm na takonin dhe na përcillnin si bezdi.

Mali i Zi i ka filluar negociatat në 2012, pra kur ne kemi marrë detyrën, ata i kishin filluar negociatat dhe ata akoma nuk janë në BE. Serbia i ka filluar negociatat në 2014. Ishte bashkë me Malin e Zi para nesh, sot ne e kemi lënë pas. Maqedonia është bërë kandidate për BE e para në 2005. Ka ndërruar dhe emër dhe sot akoma nuk i ka hapur negociatat, pra, kjo nuk ka lidhje me thjeshtë se çfarë bëjnë vendet, po kjo ka lidhje me sa gatishmëri ka BE për t’ i thënë një vendi; “bujrum, ulu në tavolinë, erdhi koha ta bëjmë krushqinë’’ dhe ka përkuar pikërisht tani. Dhe prandaj është themelore që çdokush, jo thjesht ju, jo thjeshtë anëtarët dhe simpatizantët tanë, që me BE apo pa BE, në këtë moment si mundësi kanë përsëri 1000 arsye të tjera për ta votuar PS, por çdo shqiptar, edhe ata që janë demokratë, duhet të bashkohen tek ajo kutiza jonë aty në fletën e votimit, është dhe mu në mes ajo, s’është as majtas, as djathtas. Është drejt, aty, sepse duhet që negociatat të mos ndërpriten asnjë sekondë, të mos luhatet procesi asnjë sekondë. Na është dhënë një kalendar ose kemi dakordësuar një kalendar 3 vjet, 3 vjet negociatat nuk i kanë zgjatur askujt. Kroacia që ka shkëlqyer me negociatat, i ka pasur 7-8 vjet. Ju thashë, Mali i Zi ka që në 2012, Serbia në 2014 dhe pritet se kur do t’i vijë dita që të ketë, këtë që kemi ne sot. Na është dhënë 2027. Mirëpo janë 250 mijë faqe me ligje, me vendime, me rregulla që duhen, jo lexuar, por duhen të gjitha marrë dhe adoptuar. Është punë e përditshme, janë 1000 vetë që çdo ditë shkojnë në zyrë për t’u marrë me negociatat, janë 40 skudara që negciojnë në të gjitha fushat dhe këta njerëz duhet të vazhdojnë. Në 12 maj ne do të numërojmë votat, ata duhet të vazhdojnë negociatat. Nuk duhet të ketë asnjë ndalim, asnjë frenim, asnjë luhatje, asnjë ndryshim të asnjë lloj forme, përveçse thellim i procesit të ndryshimit në tërësi dhe i negociatave në tërësi. Dhe një votë më e fortë sesa thjeshtë shumica e Partisë Socialiste është një mesazh për ata në Bruksel, që shqiptarët përtej të majtës e të djathtës, përtej partive, po na thonë me votën e tyre, që ne e kuptojmë mesazhin tuaj, ne e pranojmë sfidën që na keni bërë që të mbyllim negociatat në 2027 dhe ne të gjithë si popull mbështesim këtë proces dhe duam të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian.
Tani kjo është e para. Dhe natyrisht askush tjetër nuk mundet dot ta bëjë atë gjë që mund ta bëjmë ne sot. Ne jemi sot forca e duhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur dhe koha e duhur është kjo për shkak të asaj që thashë më parë: Që dhe ata duan, nuk duam vetëm ne. Se ne kemi qenë tre vjet rresht gati të hapim negociatat, Komisioni Europian që bën vlerësimin thoshte që Shqipëria i ka bërë detyrat dhe ju e dini, dilte Holanda e thoshte: Jo si ka bërë, pastaj Franca, pastaj tjetri, pastaj Greqia, sepse kështu funksion duhet të jenë të gjithë dakord dhe tani kanë rënë të gjithë dakord që Shqipërinë do ta marrim në BE.

Tani kush do të flasë me ata 2 vjet e gjysëm? Kush do të bëjë negociatat? Kush do të bëjë pjesën politike me ta? Bufi i kënetës do ta bëjë këtë punë? Kush? Mund ta bënte Luli? Po Luli na krijon problem se e zë gjumi. Edhe megjithëse e shikoni tani, e ngjalla. Tani i bie fyellit në një vrimë dhe duhet orientuar. Domethënë shkurt muhabeti këtë gjë, përtej shakave mund ta bëjmë vetëm ne dhe demokratët duhet t’i bien lapsit dhe ta bëjnë për interesin e tyre. Natyrisht ta bëjnë si patriotë për interesin kombëtar, ta kapërcejmë këtë problem që kanë, si pëlqen apo se duan Partinë Socialiste, se këtu nuk është çështja e Partisë Socialiste, këtu është çështja e mbështetjes së fuqisë qeverisë të Shqipërisë për të bërë negociatat dhe siç ishte PD-ja në ‘91-‘92 që nuk është se të gjithë u bënë anëtarë partie ose të gjithëve iu pëlqente çdo gjë atje, po vajtën votuan masivisht sepse ishte një votim historik për të ndarë një epokë nga një epokë tjetër. I njëjtë ekzakt është 11 maji një votim historik për të ndarë një epokë nga një epokë tjetër dhe për të bërë që Shqipëria më në fund, pas qindra vitesh të bëhet pjesë si e barabartë e një bashkësie vendesh, një bashkësie popujsh, që deri sot që flasim ne, i kemi parë gjithmonë nga poshtë-lart dhe na kanë parë nga lart-poshtë.

Duke u bërë anëtarë të Bashkimit Europain do të na shohin jo siç më shohin mua se unë jam i gjatë. Po do të na shohin drejtpërdrejtë, do t’i shohim drejtpërdrejtë dhe do të kemi të njëjtat të drejta, të njëjtat mundësi dhe do të gëzojmë të njëjtat favore dhe privilegje që kanë francezët, gjermanët, holandezët dhe të gjithë të tjerët. Dhe duke hyrë në Bashkimin Europian mos e harroni këtë gjë, gjithë Bashkimi Euopian bëhet i madh sa Shqipëria dhe Shqipëria bëhet e madhe sa Bashkimi Europain.

Tani pse na duhet Bashkimi Europain ne si komb, si shtet? Pastaj do tua them pse na duhet dhe si individ, si komb e si shtet pse na duhet Bashkimi Europian? Sepse pa Bashkimin Euopian ne nuk do ta kemi asnjëherë të sigurt që ky vend nuk do të kthehet mbrapsht.

Pa Bashkimin Europian, ne nuk do të kemi asnjëherë të sigurt që ky vend do të respektojë lirinë individuale të gjithësecilit.

Pa Bashkimin Europian ne s’do kemi asnjëherë garanci që lufta që ne kemi filluar, që Partia Socialiste ka filluar për të vendosur më në fund barazinë para ligjit, që nuk ka ekzistuar që nga 1912, do jetë një luftë që nuk do të kthehet mbrapsht në një luftë për të rikthyer drejtësinë aty ku ishte dhe e keni ju shumë thjeshtë shembullin.

Ne jemi vendosur me gjithë problemin dhe me gjithë kostot tona si forcë politike nga një drejtësi e pavarur që ia kemi dhënë ne shpatën që deri dje e mbante kryetari i qeverisë, qoftë mbreti, qoftë diktatori, qoftë presidenti i mbas rënies së diktaturës që futi në burg kundërshtarin e vet Fatos Nanon me atë shpatën, duke përdorur sistemin e drejtësisë si mashën e vet.

Ne e dorëzuam shpatën, ne nuk e kontrollojmë më drejtësinë dhe ne nuk mund të ndryshojmë më rrjedhën e drejtësisë. Përkundrazi, ne duam që në atë rrjedhë, drejtësia të forcohet, të rritet dhe të bëhet pushteti që garanton që të gjithë shqiptarët janë të barabartë para ligjit. Mirëpo, kjo kontraston me atë që thotë këneta. E keni dëgjuar bufin që thotë në 12 maj do të shkrijë SPAK-un. Natyrisht, në 12 maj bufi nuk do të shkrijë dot asgjë, por kjo për t’iu thënë që mbas x vitesh vjen dikush tjetër që ka mendje tjetër dhe pastaj vjen dikush tjetër që ka mendje tjetër. Sepse ne jemi ende një shtet i ti. Ne jemi ende një shtet që nuk i kemi traditat e institucioneve siç i kanë të tjerët.

Ama, nëse ne hyjmë në Bashkimin Europian, askush këtu nuk ndryshon dot asgjë që prek parimet themelore të asaj familje të madhe, ku liria individuale, barazia para ligjit dhe standardet e bashkëjetesës janë të panegociueshme dhe të paprekshme. Prandaj, nga pikëpamja kombëtare hyrja në Bashkimin Europian është rruga për t’i garantuar në vazhdimësi këtij populli, që fëmijët që lindin në këtë vend janë të barabartë para ligjit dhe që asnjë i fortë nuk mund të shkelë dot një më të vogël, duke përdorur drejtësinë dhe liria individuale e gjithsecilit është e paprekshme nga askush që mund të ketë një pushtet të caktuar.

Në aspektin tjetër është edhe kombëtar edhe personal. Është që hyrja në Bashkimin Europian na fuqizon. Na fuqizon sepse vjen bashkë me një buxhet plus dhe të gjitha ato që ne flasim, të gjitha ato që ne duam të bëjmë, bëhen të mundura më shpejt sepse nuk do kemi vetëm të ardhurat që marrim nga taksat këtu të shqiptarëve apo paratë që marrim nga kreditë, po do kemi edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të Bashkimit Europian. Dhe po ju jap dy shembuj të thjeshtë fare. Në 10 vitet e fundit Bashkimi Europian e ka mbështetur Shqipërinë në totalin e vet me rreth 1 miliardë euro në programe të ndryshme. Në momentin që ne bëhemi anëtar të Bashkimit Europian, Bashkimi Europian na jep çdo vit 1 miliardë euro. Në gjithë këto vite Bashkimi Europian e ka mbështetur Shqipërinë për bujqësinë me më pak se 200 milion euro që kanë qenë shumë për ne, por më pak se 200 milionë. Në momentin që ne bëhemi anëtar të Bashkimit Europian, Bashkimi Europian na jep 300 milion euro në vit për bujqësinë.

Vijmë tek personalja fare, interesi puro personal. Mund të jesh një prind demokrat tani që shikon këtë shfaqje këtu në televizor tek Qafa e Pazarit dhe thua ‘Këta maskarenjtë, prapë duan pushtetin këta, po çfarë duan me këta?’ Mirëpo ka një llogari tjetër që duhet të bësh, nuk je i detyruar të më pëlqesh as mua, as Mirelën, as Tërmetin jo e jo se nuk ke çfarë i pëlqen fare, nuk je i detyruar të pëlqesh askënd këtu, nuk je i detyruar fare të pëlqesh Partinë Socialiste por duhet të bësh një llogari fare të thjeshtë, që ne këtu që nuk të pëlqejmë jemi ata që mund ta fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe askush tjetër nuk e fut dot sepse duhet ta shohësh në pozitën e interesit tënd si prind për fëmijën tënd që bufi i kënetës mund të të bëjë të shpresosh kot se po mundemi ne por nuk të bën atë që ty të duhet, që fëmijës tënd që sot është 14 vjeç, pas 4 vjetësh kur të bëhet 18 dhe do të shkojë jashtë për të studiuar, ti t’i japësh pashaportën e Bashkimit Europian dhe duke i dhënë pashaportën e Bashkimit Europian fëmijës tënd, fëmija yt nuk është më siç janë sot të gjithë fëmijët që studiojnë në Europë, ‘i huaj’ apo ‘e huaj’ atje, pra nuk trajtohet si student i huaj me kuota dhe me tarifa që janë ndryshe po trajtohet njësoj si studentët europianë dhe nuk ka absolutisht asnjë dallim dhe i ka të gjitha favoret që i bëhen në Francë francezëve, në Spanjë spanjollëve, në Hollandë hollandezëve dhe kështu me radhë.
Mund të ketë shumë gjirokastritë që janë në Greqi që janë kundër nesh, në kuptimin nuk janë me ne politikisht ose janë indiferentë ose ka nga ata që thonë “Ik more se këta janë të gjithë njësoj”. Ne nuk jemi të gjithë njësoj sepse po të ishim të gjithë njësoj, ne nuk futeshim kurrë në Bashkimin Europian. Ne jemi shumë ndryshe pikërisht sepse jemi ne këtu që Shqipërinë do ta fusim në BE dhe janë ata të tjerët që Shqipërinë mund ta fusin vetëm në gropë siç e kanë futur sa herë u është dhënë mundësia, kështu që ne nuk jemi njësoj.
Përtej kësaj, ata atje duhet të mendojnë një gjë shumë të thjeshtë që ankohen vazhdimisht me të drejtë që nuk kanë akoma dokumentet, një pjesë e tyre nuk kanë dokumentet greke. Në momentin që ne futemi në Bashkimin Europian, ata marrin pasaportën shqiptare të BE-së dhe që nga ai moment nuk kanë nevojë fare për dokumente greke sepse mund të rrinë në Athinë me atë pashaportë dhe kanë të gjitha liritë dhe të drejtat njësoj si grekët, një për një, madje në momentin që marrin pashaportën e Bashkimit Europian nuk kemi më nevojë ne të negociojmë me Greqinë as pensionet sepse çdo vend anëtar i Bashkimit Europian të gjithë pensionistët e vet i ka në të njëjtin sistem dhe njohja e pensioneve për punën e bërë në një vend tjetër është automatike, transferimi i pensionit nga një vend në një vend tjetër bëhet automatik kështu që ky është interes i drejtpërdrejtë, nuk ka lidhje me çfarë ngjyre ka macja se unë i them dhe them që sot të gjithë shqiptarët që votojnë në 11 maj nuk duhet të shohin fare çfarë ngjyre kemi ne, duhet të ndjekin atë porosinë e Deng Xiaoping që ndryshoi Kinën kur tha ‘Mua nuk më intereson fare se çfarë ngjyre ka macja, mua më intereson që macja të kapë minjtë’ dhe minjtë në këtë vend i kapim vetëm ne. Madje jemi aq të zotë sa kapim dhe minjtë tanë, jo vetëm të komshiut dhe këtë ne, këta na e këndojmë si një gjë për të cilën ne duhet të ulim kokën.

Në fakt, ne duhet ta mbajmë kokën edhe më lart sesa ç’e kemi mbajtur zakonisht edhe për këtë arsye, që për hir të historisë që po shkruajmë së bashku, për hir të Shqipërisë anëtare në Bashkimin Europian, për hir të dhënies të një pashaporte të BE-së në dorën e çdo shqiptari dhe për këta fëmijë është krenari që kjo që bëjmë ne sot, edhe me kostot që kemi, që nesër këto histori të jenë thjeshtë histori, ndërkohë që e përditshmja e këtyre fëmijëve të jetë e përditshme, ku gjithsekush në këtë vend, pavarësisht se si e ka mbiemrin, pavarësisht se sa të ardhura ka në shtëpi familja, pavarësisht se nga e ka prejardhjen, pavarësisht se flet me një dialekt apo me një dialekt tjetër, pavarësisht, pavarësisht, pavarësisht të ndjehet dhe të jetë i garantuar si qytetar i barabartë përpara ligjit dhe të mos ketë asnjë frikë se të drejtën e vet do t’ia marrë dikush tjetër për shkak të mungesës së drejtësisë.
Kjo është arsyeja se pse ne luftojmë dhe për këtë unë jam shumë krenar me çfarë po bëhet dhe nga ana tjetër, edhe për këtë ne duhet të jemi shumë të bashkuar që në 11 maj asgjë të mos kthehet mbrapa, por përkundrazi, të gjitha punët të vazhdojnë dhe Shqipëria të shkojë vetëm përpara.
Në mbyllje të kësaj fjale që jua thashë, doja që të përqendrohej vetëm këtu sepse është shumë e rëndësishme, dua të theksoj dhe diçka që me pasaportën e Bashkimit Europian ndryshon diçka themelore. Ne kemi lirinë e lëvizjes, por ne nuk kemi lirinë e ndalimit, ne nuk ndalojmë dot. Për të ndaluar, ne ndalojmë vetëm këtu. Kudo ku shkojmë ne nuk rrimë dot sepse nuk na lë njeri ose duhet të kërkojmë azil, për të kërkuar një mundësi pune duhet të bëjmë sikur jemi të persekutuar ose duhet të fshihemi dhe të punojmë në të zezë ose më të rinjtë duke qenë se mezi e gjejnë rrugën që të shkojnë diku në Europë bien pre edhe e krimit sepse nuk mund të kthehen dot sepse kanë harxhuar për të shkuar atje dhe kjo ndihet qëkur shkon në aeroport.
E kemi parë të gjithë, e keni parë të gjithë, e shihni të gjithë sa herë shkoni në aeroport thonë ‘Dil pak këtej’ ndërkohë që ata të tjerët që janë me atë pasaportën që po flasim, e ngrenë kështu dhe ne jemi rehat thonë. Na del polici përpara, ku po shkon, a lekë ke, kush të ka ftuar, ke ndonjë rezervim hoteli. Po kur do ikësh? S’besoj se ju ka rastisu kund tjetër përveçse në portat e BE që kur shkon të trokasësh diku të të pyesin, po kur do ikësh? Sepse nuk qëndrojmë dot. Me pasaportën e BE nuk të pyet askush as ku po shkon, as sa do rrish, as kur do ikësh dhe ti mund të shkosh kudo brenda atij perimetri për të kërkuar punë, për të ndenjur, për të studiuar dhe ke të njëjtat të drejta absolutisht si të gjithë punëtoret në BE, si të gjithë profesionistët në BE. Madje në rast se ke nevojë për kujdes shëndetësor ke të njëjtat të drejta sepse bashkë me pasaportën e BE çdo qytetar i BE merr një kartë që është karta e shëndetit dhe me atë kartë trajtohet në çdo derë të sistemeve shëndetësore të Europës njësoj si banorët aty dhe rimbursohet njësoj si banorët aty. Ky është ndryshimi i madh që ndodh dhe kjo është mundësia historike që kemi sot.

Ne shqiptarët e kemi pasur trenin e historisë përpara dhe ose kemi marrë trenin e gabuar ose na ka ikur treni se kemi menduar që nuk është ky treni që na çon aty ku duhet. Ndërkohë që këtë tren që ka ndaluar para nesh ne duhet ta marrim me patjetër dhe 11 maji është bileta. Parafytyrojeni sesa shumë kemi dëshiruar që të jemi pjesë e këtij kontinenti pa u ndjerë aq të vegjël sa të mund të na gëlltisin, pa u ndjerë aq të dobët sa mund të na shkelin me këmbë, pa u ndjerë aq të largët sa kur na shohin bëjnë sikur s’na njohin, që nga Skënderbeu!
S’kishte Bashkim Europian atëherë por kishte Europë dhe Skënderbeu zgjodhi të mbante anën e Europës. Pastaj rilindasit, s’kishte BE por përsëri thoshin “dielli lind andej nga perëndon”. Pastaj të gjithë ata që dolën kundër regjimit, studentët, populli thanë ‘Ne e duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Në asnjë vend tjetër, se kjo është shumë interesante, ku janë bërë revolucionet që përmbysën komunizmin nuk është përdorur kjo parullë, sepse për ne të jesh pjesë e Europës është pikërisht kjo, të jesh i garantuar që je me shokë shumë dhe nuk je i vetëm, i humbur në mes të pyllit që mund të të hajë ujku, siç ka ndodhur në të shkuarën.
Kështu që, besoj duhet insistuar me këtë mesazh dhe gjithë deputetet duhet të mos harrojnë asnjëherë dhe të mos humbasin durimin që tua u shpjegojnë njerëzve që këtu nuk është çështja sa të pëlqen njëri, sa të pëlqen tjetri. Këtu është çështja që sot kjo është e vetmja zgjidhje dhe zgjedhje: Partia Socialiste! Mbasi të hyjmë në BE, pastaj ka kohë, do jetë tharë dhe këneta dhe me ndihmën e Zotit do lulëzojë ndonjë gjë edhe në krahët e tjerë se deri tani është vetëm ferra dhe britma zogjsh të kënetës. Gjë tjetër unë nuk shoh, mbase ju shihni, unë nuk shoh.

Dje pashë një bretkosë të vogël që thoshte “ja se do ndryshojë tavolina juaj në 12 maj”. Nuk e di a e keni parë. Programi ishte një tavolinë që pastaj mbushej plot me ushqim. Muhabet bretkosash domethënë.

Ju falënderoj shumë!

Siç tha edhe shoku Tërmet, zgjedhja për çdo deputet është e lirë, por ama zgjedhja për çdo deputet kalon nga vendosja e shenjës tek numri 5, pastaj poshtë kush do, zgjedh dhe një deputet ose një deputete sipas dëshirës, por tek numri 5 duhet të jemi të gjithë të përqendruar sepse me atë numrin 5 ne do të arrijmë të bëjmë historinë për të cilën jemi bërë të gjithë bashkë!