Partia Socialiste e Shqipërisë

Prononcim i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, pas takimit me Ambasadoren e ODHIR, znj.Audrey Glover

Sapo mbaruam takimin me Misionin e ODHIR, Ambasadoren Glover, ku natyrshëm si me gjithë kontaktet me partitë e tjera politike, ata janë të interesuar për ndjekjen e mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore. Komunikuan me PS në lidhje me pikëpamjet tona si po zhvillohet kjo fushatë, angazhimet ligjore dhe angazhimet politike që kemi marrë dhe njëkohësisht konstatimet e tyre paraprake. Më shumë ishte një mision i marrjes së opinionit në lidhje me disa çështje, që ata i konsideronin të rëndësishme sa i përket fushatës zgjedhore dhe që përgjithësisht janë ato çështje që besoj se edhe dihen, që i përkasin fushatës zgjedhore, si financimi, çështja e qetësisë, e mbarëvajtjes së fushatës, e aksesit të palëve në sistemin juridik shqiptar, aksesit në media dhe të gjitha çështjet që lidhen me fushatën zgjedhore.

Pyetje:Kishte ndonjë mesazh për PS në veçanti znj.Glover?
Damian Gjiknuri: Jo nuk kishte asnjë mesazh të veçantë, se ata nuk japin mesazhe. Ata janë të interesuar të dëgjojnë të gjitha pikëpamjet e partive politike për zgjedhjet dhe natyrshëm bëjnë pyetje në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me administrimin zgjedhor, çështjen e listave, çështjen e medias, çështjen e fushatës në përgjithësi, si dhe elementë që lidhen me zbatimin e legjislacionit zgjedhor dhe rekomandimet e ODHIR, që një pjesë e tyre fatkeqësisht nuk janë reflektuar në Kodin Zgjedhor.

Pyetje: Cili ishte shqetësimi kryesor i Ambasadores Glover për këto zgjedhje?
Damian Gjiknuri: Jo nuk është se paraqitën ndonjë shqetësim. Përgjithësisht zgjedhjet dhe konstatimi i tyre duket që nuk ka ndonjë situatë për t’u shqetësuar. Përgjithësisht dhe fushata ju e shikoni vetë, ka qenë përgjithësisht e qetë nuk ka pasur asnjë problem të karakterit të organizimit të zgjedhjeve, apo të fushatës. Kishin pyetje në lidhje me vendimmarrje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kishin pyetje në lidhje me listën e zgjedhësve, por lista e zgjedhësve është një metodologji e dakordësuar nga KQZ, e bërë nga KQZ, në dakordësinë e të gjithë palëve politike për të mos u ndarë familjet dhe për ti pasur zgjedhësit në një godinë, pra bëhet fjalë për ato qendra votimi, të cilat zakonisht janë mbi 1 mijë dhe ndahen në mes. Më përpara kjo sillte konfuzion. Por thashë janë gjëra teknike, administrative dhe nuk besoj se e vënë në pikëpyetje mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri.

Pyetje: Si e keni parë takimin e znj. Glover me z. Berisha?
Damian Gjiknuri: Se komentoj fare, nuk më intereson,. Në fund të fundit ata janë këtu për të biseduar me të gjitha palët që garojnë. Ne e dimë që Berisha dhe Meta garojnë së bashku. Ne nuk e mohojmë atë. Ne kemi thënë martesa e tyre është martesa e re, por me personazhe të vjetra, por po u del shqiptarëve si një ofertë e re politike. Janë ata që vendosin, por besoj se shqiptarët e kanë bërë mirë zgjedhjen e tyre tashmë.

Pyetje: Një tjetër rekomandim i OSBE/ODIHR ka të bëjë dhe me pastërtinë e figurës së kandidatit. Duke qenë që z. Ismailaj është kontestuar nga PD, kandidadura e tij, znj. Glover kishte një koment për këtë? E preku këtë temë?
Damian Gjiknuri: Nuk e preku znj. Glover këtë temë dhe kjo temë është nën shqyrtim të organeve ligjore shqiptare. Kështu që besoj se s’më mbetet gjë tjetër të komentoj, sepse ligji është nën veprim. Pra palët ankohen, organet japin vendimet e tyre. Gjithçka është transparente.

Pyetje: Ju thatë pak më parë që fushata zgjedhore është e qetë, por rasti i atentatit ndaj kryetarit të PD në Vaun e Dejës, por dhe vrasja e një biznesmeni në Lezhë duket se po jep element negative kësaj fushate elektorale. Keni një mesazh ju, sidomos për zonën e Veriut ku tashmë duket sikur nuk ka më qetësi?
Damian Gjiknuri: Nuk e di që këto vrasje të jenë të motivuara politikisht apo të lidhura me politikën. Tani personazhet mund të kenë lidhje me politikën në një mënyrë apo në tjetrën, por kjo si bën ata, as viktimën, as atentatorët apo porositësit e vrasjes të lidhur me politikën, do të ishte spekulim, që nga ana ime apo kujtdo force politike që ti vinte etiketime politike ngjarjeve kriminale. Ne shpresojmë që këto zgjedhje të zbardhen dhe pikërisht për të hequr çdo lloj misteri dhe spekulimi të kësaj natyre.

Pyetje: Një vendimmarje e KAS, ju e njihni shumë mirë Kodin Zgjedhor, përsa i përket emrit të koalicionti “Bashkë fitojmë”. Kemi një vendim nga komisioneri Celibashi, i cili e vendosi pa emër “Bashkë fitojmë”, ndërkohë kemi KAS që vendosi emrin. Ndërkohë do të shqyrtohet dhe nga Kolegji Zgjedhor. Duhet emri apo nuk duhet dhe pse ju e keni ankimuar në KAS?
Damian Gjiknuri: PS nuk e ka ankimuar në KAS e para, që të jemi korrekt. E ka ankimuar PD. PS nuk është as pro, as kundër, se nuk ka votë. Nuk janë partitë aty, është një komision i pavarur zgjedhor dhe unë nuk e kuptoj pse fshihen nga emrat, kur martesa është publike. E fsheh partneri partnerin? Nuk e kuptoj këtë gjë, anën politike të kësaj, por ata duhet të krenohen me emrin e Ilir Metës në fletën e votimit. Nuk e di pse mërziten këta të Foltores.

Pyetje: Ata propozuan dhe emrin e z. Berisha të vendoset, por nuk e pranuan?
Damian Gjiknuri: Tani ligji e ka përcaktuar, nuk është çështje të vendosim një emër, problem është që ligji ka përcaktuar që partia udhëheqëse e koalicionit dhe detyrimet ligjore, i përmbush partia udhëheqëse e koalicionit. Tani s’të pëlqen partneri që u martove politikisht, këtë se shpjegoj dot, duhet t’ia shpjegojnë ata anëtarësisë së tyre ose mbështetësve të tyre.