Kryetari i PSSH Edi Rama ishte sot në Librazhd për të vijuar ciklin e takimeve mbi bilancin e investimeve në çdo qark të vendit.
“Kur kam ardhur në Librazhd, ju kam thënë: Na jepni besim, na jepni mbështetje, do bëjmë për Librazhdin më shumë se ç’kanë bërë të gjithë tjerët marrë bashku dhe ja ku e kemi bërë.” – u shpreh kryetari i PSSH në takimin me banorët, teksa ndau shifra dhe fakte mbi investimet e realizuara.
Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Librazhd:
Mirëmëngjesi të gjithëve!
Ju kërkoj ndjesë për këto minuta vonese, por kam ardhur me shumë frikë sot.
Kam ardhur me shumë frikë dhe gati-gati isha duke u kthyer mbrapsht se ka dalë njëri këtej që do na hajë të gjallë. Edhe thashë, mirëpo nuk e shoh gjëkundi atë.
Sot kemi dhe një takim të madh përmbyllës në Elbasan edhe ju falënderoj shumë që jeni kaq shumë këtu se duke parë kaq shumë edhe mua më del pak frika. Më del pak frika se ai kur thotë “do hamë”, ai ha me gjithë mend, por sot këtu dua t’ju marr pak kohë për të bërë një pasqyrë të çfarë duhet mbajtur parasysh mbi Shqipërinë sot dhe çfarë kemi të gjithë arsyet të besojmë do të bëjmë në vijim për Shqipërinë nesër kështu që shpresoj dhe uroj durimin tuaj. Nuk po zgjatem.
Po hyj në temë, duke ju thënë në fillim që ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe është e domosdoshme që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet që çdo shqiptar, çdo shqiptare, çdo prind, çdo gjysh, çdo djalë, vajzë, çdokush që ka të drejtën e votës dhe pse akoma mund të jetë ngurues dhe pse mund të jetë krejt në anën tjetër, të bindet, që në 11 maj duhet të na bashkohet.
Sepse tanimë shumica e shqiptarëve e dinë shumë mirë se çfarë do bëjnë në 11 maj, shumica e shqiptarëve e dinë shumë mirë që vendi po shkon në drejtimin e duhur, shumica e shqiptarëve e dinë shumë mirë që ekonomia po përmirësohet vijimësisht dhe do jetë ende më mirë në vitet në vijim.
Shumica e shqiptareve e dinë shumë mirë që e gjitha kjo ka ardhur nga mbështetja për PS dhe të gjitha ato që presim dhe që duam do të vijnë, duke u mbështetur tek njeri-tjetri me PS.
Këtu janë disa të dhëna shumë të përmbledhura të ekonomisë dhe dua ta filloj nga prodhimi. Sa prodhon një vend?
Është një vlerë e matshme. Gjithë çka një vend prodhon, hyn në prodhimin e brendshëm kombëtar, prodhimi bruto që quhet dhe me këtë prodhim matet dhe pesha e një vendi, matet dhe kapaciteti i tij ekonomik dhe financiar.
Prodhimi, kur ne morëm detyrën ishte nën 10 miliardë euro i gjithi, gjithçka që prodhon Shqipëria.
Sot është mbi 25 miliardë euro dhe në Shqipërinë 2030 do të shkojë 35 miliardë euro. Pra, jemi dy herë e gjysmë më lartë seç ishim dhe për këtë na është dashur vetëm një dekadë.
Këtu jemi tek një e dhënë që tregon sesi jemi rritur ne, në raport me gjithë fqinjët tanë. Pra, si është rritur prodhimi i brendshëm i Shqipërisë dhe si është rritur prodhimi i brendshëm në vendet fqinje këtu në Ballkan. Shikoni sa e ka rritur Shqipëria prodhimin e brendshëm në këto mandate të qeverisjes sonë dhe kjo është mesatarja e vendeve të tjera të Ballkanit.
Këtu jemi tek të ardhurat për frymë.
E kemi gjetur vendin me 3300 euro për frymë në vit, sot jemi në 10.324 euro dhe do të shkojmë në 15.000 në Shqipërinë 2030
Këtu jemi tek borxhi. Kemi gjetur një situatë shumë të rëndë, me shume borxhe dhe një situatë të rrezikshme. Nuk ndodhi hataja dhe prandaj edhe askush nuk e mban kokën mbrapa, por unë po ju them se kur shqiptarët u bënë bashkë për të na dhënë besimin dhe për të nxjerrë jashtë bufin me kënetën nga zyrat e shtetit në 2013-ën, e kanë kapur Shqipërinë në momentin e fundit në buzë të humnerës dhe e kanë tërhequr duke e shpëtuar nga tjetër kolaps si ai i piramidave.
Borxhi ka qenë 70% zyrtarisht, por shumë i lartë në fakt me gjithë borxhin e fshehur, që ne e gjetëm dhe e adresuam dhe sot ne e kemi ulur në 54% që është brenda normës dhe që do të thotë që financat tona, do të thotë se ekonomia jonë janë mbi themele të sigurta.
Nga ana tjetër, shikoni se çfarë ka ndodhur me kreditë e këqija. Në kohën e atij borxhi kur ne morëm detyrën, çereku i kredive nëpër banka ishin të këqija që do të thotë që bankat kishin dhënë kredi, klientët nuk i paguanin dot dhe kur shkon çereku, atëherë bankat fillojnë dhe lëkunden dhe aty është momenti kur mund të kalohet në kolaps. Se çfarë ndodhte? Këneta jepte tendera, me demek lidhte kontrata për të bërë rrugët. Këtu afër në anën tjetër, ju keni një rrugë që quhet Qukës-Qafë Plloçë për shembull. Më në fund për pak javë, në fund të verës edhe ajo do hapet dhe do përfundojë, por sa vite u deshën sepse ishte një katastrofë, një projekt skandaloz dhe kështu me shumë projekte të rrugëve po ajo që ishte më e rënda ishte që kompanive nuk i jepeshin lekët. I thuhej shkoni nëpër banka, merrni kredi, ne do tua japim dhe në fund kompanitë ndaluan, rrugët mbetën rrugëve, shteti nuk kishte lekë të paguante kompanitë. Kjo ka qenë situata. Dhe shikoni sot ku janë kreditë e këqija në 4% që është norma normale e çdo vendi.
Këtu jemi tek përqindja e popullsisë në rrezik për varfëri. Ka qenë shumë më lartë, e kemi zbritur në 2017 në 23, sot jemi nën 20% që jemi në një mesatare në shumë vendeve në rajon dhe në BE.
Këtu jemi tregu i punës. Kjo është papunësia. Kemi pasur një papunësi zyrtare 17.5%. Sot për herë të parë papunësia në Shqipëri është nën 10%, është një shifrore 8.8 dhe shumë njerëz thonë “del e ulët se kanë ikur njerëzit”. Nuk ka lidhje fare. Përqindja e papunësisë matet me forcat e punës, aty nuk maten pensionistet apo fëmijët. Sa forca janë në dispozicion, sa prej tyre janë në punë.
Këtu jemi tek të punësuarit dhe kjo vlen për të gjithë ata që duke përqeshur thonë “ku i keni 300 mijë vende pune”.
Në vitin kur ne morëm detyrën ishin 1 milionë e 23 mijë të punësuar. Këta janë 1 milionë e 23 mijë emra dhe mbiemra, njerëz të punësuar në regjistra të shtetit, të regjistruar që paguajnë detyrime shëndetësore dhe shoqërore.
Sot këta janë 1 milionë e 327 mijë. Tani nga 1 milionë e 23 mijë, në 1 milionë e 327 mijë sipas aritmetikës që kam mësuar unë në Lice artistik, më duket se janë 300 mijë e diçka më shumë apo jo? Pra ja ku janë 300 mijë vendet e punës ndërkohë që aritmetika është në hall të madh se ne menduam se e pamë hatanë më të madhe kur thoshte Luli 7×7=42 por tani doli bufi 7×7=6 milionë.
Ndërkohë që llogaria këtu është 304 mijë vende pune.
Këtu jemi tek të punësuarit. Shikoni sa ka qenë përqindja e njerëzve që merrnin më pak se 40 mijë lek, 60%. Shikoni sa ka rënë.
Pagat sot janë jo të mjaftueshme, por janë shumë më të larta seç ishin.
Kjo është rritja e pagave, këtu jemi tek paga minimale. E kishim 157, sot e kemi 400 euro, në janar të 2026 do të bëhet 500 euro dhe brenda mandatit të 4 do të jetë 650 euro minimalja, të paktën.
Këtu jemi tek rritja e pagave në tërësi dhe ja ku është paga mesatare, 848 euro është paga mesatare e bashkuar, sektori publik me sektorin privat.
Kjo është paga mesatare në sektorin publik, 1000 euro, ndërkohë që ka qenë 370 euro.
Këtu jemi tek pensioni mesatar me vite të plota pune, që e kemi 300 euro, por ajo që ne e dimë shumë mirë që është problemi kryesor është numri i madh i pensionistëve me një pension shumë të ulët dhe objektivi ynë është që brenda mandatit të 4 të realizojmë që në Shqipërinë 2030 të mos ketë më asnjë pension nën 200 euro.
Këtu kemi një shifër që e kam sjellë për herë të parë këtu në Librazhd, janë 300 milionë euro në vit, që jepen për kompensime të tjera për pensionistët, janë 80 milionë euro për kompensime të ndryshme mujore, janë 161 milionë euro për bonuse të njëhershme, janë 57 milionë euro për rimbursim barnash.
Këtu vijmë tek taksat. Kemi bërë një ndryshim si dita me natën me taksat, kemi hequr taksën mbi pagën për 57% të të punësuarve që nuk paguajnë asnjë taksë mbi pagën, ndërkohë që paguanin të gjithë nga 10% më parë dhe sot 93% e të punësuarve paguajnë më pak se 10% dhe nga kjo i kemi kursyer njerëzve që punojnë 145 milionë euro në vit që më parë i merrte qeveria si taksë, ndërkohë ne ia kemi lënë arkës së familjes së tyre dhe në 10 vjet ato bëjnë 1 miliardë e 450 milionë euro, që nuk i ka marrë qeveria, por ja ka lënë njerëzve.
Këtu jemi tek një raport, që për ne, për Partinë Socialiste, për mua është shumë i rëndësishëm, pabarazia gjinore, pabarazia mes burrave dhe grave. Kemi qenë të 83-t në klasifikimin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, sot jemi në vendin e 23-të sepse kemi shumë më tepër pjesëmarrje të grave në jetën publike, në jetën aktive ekonomike dhe po të ecim pak më tutje kemi shkallën e papunësisë për gratë e cila ka rënë dhe ajo nën 10%.
Kemi pjesëmarrjen e grave në forcën e punës. Kur ne morëm detyrën, vetëm 50% e grave të afta për punë merrnin pjesë në forcën e punës, sot janë gati 70%.
Këtu jemi tek paga mesatare e grave, edhe ajo ka shkuar lart, është pak fare më e ulët se e burrave.
Këto janë investimet e huaja, edhe këtu në raport me rajonin kemi një rritje shumë të konsiderueshme të investimeve të huaja.
Këtu jemi tek eksportet. Këneta dhe ato kukumjaçkat e mbrëmjes nëpër pasqyrat e moçaleve televizive përsërisin e përsërisin që në Shqipëri nuk prodhohet asgjë, në fakt, eksportet janë një tregues i drejtpërdrejtë se sa prodhohet dhe si prodhohet. Ne kur morëm detyrën kishim një Shqipëri që eksportonte më pak se 3 miliardë euro, sot eksporton më shumë se 9 miliardë euro, është 3-fishi.
Këtu jemi tek biznesi i vogël dhe dua ta përsëris atë që kemi thënë, kur ne morëm detyrën, qoftë ai lokali aty, qoftë 15 katëshi në Tiranë paguanin 15%, një gjë shumë e padrejtë. Ne e ndryshuam dhe ai lokali aty paguan 0 taksë, paguan edhe 0 TVSH nëse ka më pak se 100 mijë euro xhiro në vit, ndërsa nëse ka deri në 140 mijë euro xhiro në vit paguan 0 taksë dhe paguan TVSH dhe shikoni se si kanë ndryshuar normat e fitimit për biznesin e vogël. Këto janë para që shteti i merrte për veten e vet çdo vit nga biznesi i vogël, ne i kemi lënë në arkën e familjeve të atyre që merren me biznes të vogël dhe siç kam thënë, sot jemi vetëm në 11% të bizneseve në total në Shqipëri, që paguajnë tatim-fitimi dhe deri në 2029 të gjitha bizneset e vogla do ta kenë 0 taksën, siç e kanë, nuk do kenë taksë mbi fitimin e tyre sepse ne duam që ata të vazhdojnë të forcohen dhe të kalojnë në nivel tjetër më pas.
Këtu jemi tek pagat e mjekëve. Ka shkuar 1670 euro paga mesatare e mjekëve dhe do shkojë 2000 euro në Shqipërinë 2030.
Këtu jemi tek programet sociale. Ne kemi angazhuar shumë në programet sociale, janë afro çerek miliardë euro që janë angazhuar në programet sociale. Sot Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka një buxhet prej 1 miliardë dhe shumë programe sociale dhe shumë përgjegjësi dhe mbështetje për bashkitë që tanimë janë motor i këtyre programeve. Këto janë, nuk po i marr të gjitha me radhë, por janë shërbime për të moshuarit, shërbime për persona me nevoja të veçanta, janë shërbime për fëmijët, për viktimat e dhunës, shërbime për grupet në nevojë.
Ky është një program i veçantë për nënat e papuna me 3 ose më shumë fëmijë për të cilat prej disa vitesh tanimë, qeveria jep 25 milionë euro në vit për t’i paguar sigurimet shëndetësore dhe shoqërore që në momentin kur ato të dalin në pension të mos mbeten pa pension për shkak se nuk ka punuar dot se kanë pasur shumë fëmijë, por të kenë një pension dinjitoz.
Ky është bonusi i bebes. Ne kemi dhënë për 227 mijë fëmijë të porsalindur bonusin 400 euro për fëmijën e parë, 800 euro për të dytin dhe 1200 euro për të tretin dhe duke filluar nga viti i ardhshëm do të ndryshojmë sistemin dhe nuk do të japim më çekun direkt në maternitet, por do japim çdo muaj për fëmijën e porsalindur një mbështetje për nënën.
Këtu jemi tek mësuesit. Sot paga mesatare e mësuesve ka shkuar 950 euro, do shkojë 1250 në Shqipërinë 2030.
Këtu jemi tek mbrojtja. Është shumë e rëndësishme sepse dhe kohërat që po kalojmë nuk janë të lehta dhe shikoni sa e kemi rritur buxhetin e mbrojtjes, nga 28 milionë në 280 milionë euro dhe më pas do të shikoni se sa kemi rritur mbështetjen për ushtarakët. Paga mesatare për ushtarakët sot është 1550 euro dhe do vazhdojë të rritet. Kemi pasur ushtrinë më të keqpaguar dhe më të keqpajisur të rajonit, sot kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajon përfshirë dhe ushtrinë e Serbisë dhe do vazhdojmë t’i rrisim. Ambicia jonë është që ushtarakët shqiptarë të kenë një pagë mesatare sa mesatarja e ushtrive të NATO-s në Shqipërinë 2030.
Këtu kam sjellë edhe një pasqyrë, edhe pak durim, për investimet në qarkun e Elbasanit dhe këto pasqyra besoj se janë të rëndësishme për njerëzit që t’i shohin sepse është shumë e vështirë ta marrësh vesh sot se çfarë ndodh në Shqipëri në jetën e përditshme të punës së përditshme.
Nëse i referohesh ekraneve, kanaleve, portaleve aty se merr vesh i pari të dytin dhe aty duket sikur në Shqipëri ka vetëm keq, ka vetëm ngjarje dhe vetëm probleme, dhe “në Shqipëri nuk punon njeri”, “në Shqipëri s’ka ujë”, “në Shqipëri s’ka drita”, “në Shqipëri s’ka bukë”, nga Shqipëria ikin të gjithë”, “vdesin njerëzit rrugëve”, “varrezat janë plot s’kanë ku varrosin njerëzit”. Kjo është situata e asaj Shqipërie që kanë në kokë ata farë burrash që shtrihen çdo natë në ato berberhanet që quhen debate politike televizive, edhe komentojnë çfarë ju sajon mendja në mëngjes, e komentojnë në darkë si fakt.
Në ndërkohë që, kur sheh se çfarë ka ndodhur, jo thjeshtë, se juve shihni çfarë ka ndodhur këtu në Librazhd, por është e rëndësishme që të gjithë të shohin edhe çfarë ka ndodhur përtej në të gjithë qarkun dhe çfarë ndodh pastaj në të gjithë Shqipërinë.
Dhe këtu jam me këtë pasqyrë të qarkut të Elbasanit dhe ja infrastruktura rrugore. Shikojeni se çfarë ka ndodhur me infrastrukturën rrugore dhe të gjitha këto damarë që shikoni me jeshile e me të verdha janë të gjitha rrugë të brendshme të qarkut, qoftë të asfaltuara, qoftë rrugë të bardha dhe janë 295 kilometra, 350 projekte, 1 miliardë euro investim vetëm për infrastrukturën rrugore të qarkut të Elbasanit.
Këtu jemi tek investimet në automotive 13.2 milionë euro.
Këtu vijmë tek rigjenerimi urban, ku hyn edhe çfarë është bërë këtu në Librazhd 95 projekte, 20.4 milionë euro.
Për turizmin dhe mjedisin në qarkun e Elbasanit, kemi investuar në 27 projekte, 3.4 milionë euro.
Ja dhe ujësjellës-kanalizimet, legjenda e madhe urbane e kanaleve dhe portaleve të Tiranës, që në Shqipëri s’ka ujë dhe që ne s’kemi bërë asgjë për ujin, në ndërkohë që kjo është vetëm për qarkun e Elbasanit, 122 projekte ujësjellës-kanalizimesh për 135 milionë euro.
Këtu jemi tek infrastruktura energjetike, rritja e cilësisë së shpërndarjes së energjisë elektrike në të gjitha shtëpitë, 138 milionë euro, 56 projekte.
Dhe këtu jemi tek bujqësia, 132 projekte, 44 milionë euro mbështetje nga qeveria për bujqësinë.
Këtu jemi tek arsimi, shkolla, kopshte, çerdhe, palestra, 41 milionë euro, 95 projekte.
Këtu jemi tek sporti, investimet për sportin, 12 milionë euro, 25 projekte.
Kultura 20 projekte, 3.1 milionë euro.
Dhe shëndetësia, qendra shëndetësore, spitali i Elbasanit, patjetër 23 milionë euro, 83 projekte.
Dhe në totalin e vet në mandatet tona, ne kemi angazhuar vetëm për qarkun e Elbasanit 1.5 miliardë euro.
Këto shifra, motra dhe vëllezër, për t’i bërë bashkë në krahasim me ç’kanë bërë të tjerët, duhet me shkuar shumë vite larg.
Kur kam ardhur në Librazhd, ju kam thënë: Na jepni besim, na jepni mbështetje, do bëjmë për Librazhdin më shumë se ç’kanë bërë të gjithë tjerët marrë bashku dhe ja ku e kemi bërë.
Sot ju them kini besim të vazhdojmë përpara, sepse tani kemi edhe mundësinë historike që Shqipërinë ta bëjmë pjesë të Familjes Bashkuar Europiane dhe ta fusim në shtëpinë e përbashkët të Europës dhe për të bërë këtë, na duhet që në 11 maj të jemi sa më të shumtë që të krijojmë një fuqi vendimmarrëse sa më të madhe në Tiranë për të mbyllur negociatat për anëtarësim Bashkimi Europian brenda 2027-ës.
Dhe me Shqipërinë, me BE-në në Europë, besojeni, do të bëjmë për Librazhdin dhe për Elbasanin shumë më tepër se sa gjithçka kemi bërë ne dhe ata përpara nesh së bashku deri më sot.
Shumë faleminderit, shumë faleminderit dhe shumë respekt për ju.