Tepelena, dikur e braktisur e me potenciale të çuara dëm, ka hapur sot rrugët e zbulimit të mrekullive të krejt krahinës, falë punës së palodhur dhe drejtimit të duhur të bashkisë nga Tërmet Peçi, si dhe mbështetjes së qeverisë, për ta bërë sot Tepelenën një nga destinacionet turistike të Shqipërisë, që nga kalaja, krenaria e Tepelenes, deri lart në Kurvelesh e Nivicë, me mbi 15 mijë turistë e vizitorë të ardhur vitin e kaluar dhe me 90 % të infrastrukturës rrugore të ndërtuar nga themelet.
* * *
Kryetari I PSSH Edi Rama: Shumë faleminderit! Është kënaqësi e madhe sepse është një hapësirë shumë e bukur këtu, por është dhe një moment kur duke parë mbrapa, mund të shikojmë sesa shumë rrugë kemi bërë përpara në këtë zonë që ishte vërtet e braktisur totalisht.
Kur po vinim këtu, aty lart te bulevardi që ka bërë Tërmeti, takuam disa gjermane. Po bënin foto dhe e pashë që s’mu dukën si gratë këtu. Tha, “jemi nga Gjermania”. “Kur keni ardhur”? “Kemi ardhur sot”. “Po pse keni ardhur”? – “Do rrimë 4 ditë”.
Gjermani i fundit nga Tepelena kishte ikur në ’44 dhe këtu jo gjerman, po këtu më shpejt mund të vinin tigra dhe luanë sesa të vinin gjermanë e të vinin turistë ashtu siç ishte katandisur Tepelena ku, kush mundte ikte dhe ku njerëzit ktheheshin vetëm për vaki ose për dasma. Këtu s’donte të rrinte asnjë njeri s’e këtu s’kishte më asgjë. Besoj kjo ju kujtohet të gjithëve ju.
Sot, po ndodh ajo që unë ju kam thënë kur kam ardhur këtu t’iu kërkoj votën, Tepelena po bëhet një nga destinacionet turistike të Shqipërisë. Po bëhet Tepelena destinacion turistik nga këtu poshtë te kalaja që është krenaria e Tepelenës, por që është një krenari e madhe shqiptare dhe që ishte e mbuluar e gjitha me ferra, deri lart në Kurvelesh e Nivicë. Janë mbi 15 mijë turistë që kanë ardhur në Tepelenë vitin e shkuar dhe që kanë qendruar në këtë zonë. Janë mbi 50 mijë që kanë ndaluar për të ardhur pak këtu rrotull për të parë. Unë po ju them se nëse vitin e shkuar ishin mbi 15 mijë, ambicia ime është që Tepelena të bëhet vendi ku të vijnë 150 mijë dhe të rrinë këtu, të ndalojnë këtu, të hanë, të flenë dhe mos kujtoni se kjo është e pamundur. Ishte më e vështirë kjo që kemi bërë deri tani sesa ajo që do bëjmë më tutje. Janë 90% e të gjitha rrugëve të Tepelenës sot të ndërtuara. Ishin lënë komplet në llucë, gropa, pluhur dhe kush mundte hidhte ndonjë dorë zhavorr.
Tepelena vuante për ujë! Memaliaj vuante për ujë! Këlcyra vuante për ujë, Përmeti deri përpara disa vitesh s’kishte pikë uji! Ju e mbani mend shumë mirë.
Sot, gjithë zona ka ujë të pijshëm 24 orë dhe është fushata e parë që unë mbaj mend që nuk flasim për ujin e pijshëm si një gjë që do e bëjmë në të ardhmen. Ka akoma pika të caktuara që kanë nevojë po dhe në ato pika të caktuara, ose janë kantiere që po punohet për ujësjellësin, ose janë projektet gati që do punohet dhe janë shumë pak.
Sot ne mbulojmë me ujë të pijshëm më shumë banorë me çezme në shtëpi sesa mbulohej edhe në atë kohë më përpara, lërë me pastaj në kohën mbrapa të këtyre vulëhumburve që jo vetëm nuk shtruan 1 metër tub ujësjellës, po dhe ato tuba që ishin i morën me vete.
Tani çfarë mund të them përveçse e ardhmja e Tepelenës ku unë fus edhe Memaliajn se janë binjakë, nuk ndahen dot njëri nga tjetri dhe i them atyre që janë në Memaliaj që kemi katër kompani që janë në garë për kontratën për rrugën Ballabanë- Berat, kështu që, mblidheni mendjen, mos na fusni në mes rrugës ferra dhe bashkojuni fuqimisht Tepelenës se Tepelena është si ata zogjtë lart që nuk e ngatërrojnë kurrë drejtimin se shohin nga shumë lart. Bashkojuni në mënyrë që t’i çojmë edhe më shpejt përpara punët. Kalaja është në punë sot që flasim. Unë po ju them që kur të vijmë këtu prap, kalaja do të jetë jo më një kantier, po do të jetë një motorr tjetër ekonomik për Tepelenën. Aty brenda do të ketë shërbime. Aty brenda do të ketë hoteleri të vogla. Aty brenda do të gëlojë nga turistët dhe kështu me radhë në të gjitha territoret. Tani më thoni një gjë, kujt i shkonte mendja ndonjëherë që tepelenasit vetë, ata që kanë emigruar dhe punojnë atje prej vitesh edhe rropaten atje e bëjnë sukses, do investonin 40 milion euro të tyret këtu në këtë bashki. Kujt i shkonte mendja? Kush imagjinonte të vinte të investonte në Tepelenë? 40 milion euro janë investuar, po ju them, 4 fishi i tyre do të investohet në vijim sepse e kanë parë të ardhmen. E kanë kuptuar që nëse me kursimet e tua andej nga Greqia, Italia, Anglia e ku janë kthehesh këtu apo i çon këtu dhe ormis shtëpinë e gjyshit dhe bën një bujtinë, bën një agroturizëm, fiton këtu shumë më tepër sesa duke vazhduar të punosh atje për grekë e për italianë e për këdo qoftë. E kanë parë që funksionon. Kanë filluar ta bëjnë dhe do ta bëjnë dhe më shumë më tutje. Ndërkohë që shikoni se çfarë ndodh me ekonominë.
Banka Botërore përpara disa javësh publikoi një raport që e thotë shumë qartë. Shqipëria ka krijuar ekonominë më të qëndrueshme në rajon. Më të qëndrueshme, do të thotë që i kemi bazat shumë të forta për të shkuar shumë më shpejt përpara. E qëndrueshme do të thotë që kemi krijuar mundësinë që të bëjmë rritjen më të lartë historike të pagave. Duke filluar nga prilli që lamë pas deri në prillin e ardhshëm do ta çojmë pagën mesatare nga 530 euro në 900 euro në sektorin publik dhe patjetër që kjo do shoqërohet edhe me rritje në sektorin privat. Patjetër që shqiptarët do ta shikojnë me shumë më tepër optimizëm dhe me një frymëmarrje shumë më të çliruar të nesërmen e tyre. Nuk ka diskutim fare kjo sepse më e keqja ka kaluar dhe më e mira është përpara.
Kur unë them do ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm në 2030, nuk kam parasysh vetëm bregun e detit. Kam parasysh dhe alpet e Shqipërisë, kam parasysh edhe Tepelenën, kam parasysh edhe trashëgiminë të madhe e kulturore të Beratit dhe Gjirokastrës, kam parasysh edhe Korçën, kam parasysh edhe Konispolin, kam parasysh edhe Kukësin. Tepelena do të jetë një nga motorët e rëndësishëm të lëvizjes përpara për tu bërë kampionë të Ballkanit në turizëm sepse sot vjen këtu, pi kafe dhe nisesh dhe për më pak se një orë je poshtë në bregun e Jonit, apo jo? Dhe anasjelltas, shkon bën pushime në bregun e Jonit dhe ngjitesh deri në Nivicë dhe vjen këtu shikon kalanë e Ali Pashës. Rrugës natyrisht, nuk ka ‘’qofte te daja’’. Rrugës, do futesh, do paguash ata që të mikpresin këtu dhe dyert këtu rreth e rrotull nuk do jenë më dyer që presin miq vetëm për vaki e për dasma, po do jenë dyer që presin miq që hyjnë aty dhe pastaj paguajnë dhe me ato të ardhura, këtu do të rritet edhe ekonomia familjare siç kurrë nuk mund të imagjinohej deri para ca viteve, kur të gjithë jetonin me kursime nga emigracioni ose kapnin ndonjë punë këtu në bashki.
Dhe nuk diskutohet fare që kjo punë bëhet sepse këtu në Tepelenë ne kemi një kryetar bashkie që bën fitore publicitare dhe që nuk i ndahet punës.
Dhe është kollaj, kur i ke fondet, ke projektet dhe ke njerëzit si Tërmeti, edhe si Gjoleka, po ndryshimi mes Tërmetit dhe Gjolekës qështë që Tërmeti ka kala, ky s’e ka kalanë.
E dyta, Tërmeti ka edhe fjalë sa të duash ti, ky s’ka shumë fjalë dhe e treta, Tërmeti është këtu pak më lart, ai është pak më poshtë, ama si këta, që në fund të ditës pavarësisht natyrave të ndryshme, i rrinë punës mbi kokë, bëhen këto punë. Se me kë do bëhen këto punë?
Dhe unë nuk e kuptoj dot njëherë që ku e gjejnë ata pafytyrësinë që të vënë kandidat këtu? S’duhet të kishin vënë kandidat fare, fare.
Ku e gjejnë? Dhe për çfarë? Për çfarë i vënë kandidatët këtu, që të vijnë të sjellin prapë plehrat? Ju kujtohet si ishte Tepelena, si rrinin plehrat rrugëve? Nuk i mblidhte njeri. Vije këtu dhe futeshe aty te kthesa e të vinin plehrat, i merrte era e të vinin te xhami i makinës. Si zogj te xhami i makinës të vinin plehrat. Përplaseshin nga era.
Sot, nuk shikon një copë letër në rrugë sepse janë bashkuar edhe kujdesi i bashkisë, kryetarit të bashkisë, edhe komunitetit.
Sot jemi në një epokë tjetër se ky lumi këtu nuk është më ai që ishte. Ky lumi këtu tani ka marrë status të veçantë në Europë. Europa e njeh si Parkun Kombëtar të të vetmit lumë të egër në trupin e saj.
Dhe kjo nuk është vetëm çështje statusi për siç është statusi i Golikut që do të bëhet qytetar nderi po është edhe çështje të ardhmeje ekonomike sepse numri i turistëve do të shumëfishohet vit pas viti për të ardhur këtu për të parë këtë bukuri dhe aty pastaj do të shumëfishohen edhe aktivitetet sepse turizmi quhet eksport dhe është një nga eksportet më të mëdha, sepse ti nuk i mer produktet t’i fusësh në kamion për jashtë shtetit, por të vijnë ata nga jashtë shteti që t’i hanë produktet e tua, që t’i blejnë produktet e tua, që t’i konsumojnë shëbimet e tua dhe Tepelena, Memaliaj, gjithë ky qark brenda një dekade do të lulëzojnë nga turizmi, do të lulëzojnë falë të ardhurave të turizmit.
Nuk do të ketë më, jo një njeri që do të dojë të ikë nga këtu po masivisht njerëz që do të duan të vijnë këtu për të investuar ,për të punuar për të jetuar dhe kështu në të gjithë Shqipërinë.
E ardhmja e Shqipërisë sot mund të shikohet për të gjithë ata që nuk i kanë sytë mbyllur nga ajo damka nongrata, për të gjithë ata që nuk i kanë sytë të mbyllur nga balta dhe nga errësira e atij çifti që ka dalë vërdallë sot, çifti i Salikes. Salikja quhet ai çift, një emër kanë, Salike Nongrata. Salike Nongrata nuk kanë shans më për t’jua dhënë shqiptarët. Asgjë nuk mund t’i japin më shqiptarët. Ata duhet t’i japin llogari shqiptarëve përpara drejtësisë për të gjithë ato borxhe që i kanë shqiptarëve, që nga borxhet e gjakut atje në Bulevard, deri tek borxhet e hidrocentraleve të grabitura. E mos keni asnjë dyshim. Drejtësia vonon, por çdo ditë e më shumë ka gjithmonë e më pak shanse të harrojë.
Dhe mos harroni që sot ky flamur është më i respektuar se kurrë ndonëjherë më parë në sytë e botës. Mos harroni që sot Shqipëria ulet në çdo tryezë, me aleatë, me partnerë, me shtete të tjera dhe respektohet siç nuk është respektuar kurrë më parë si e barabartë mes të barabartëve.
Mos harroni që sot, tani që flasim, këto kohë që flasim, Shqipëria është e ulur me këtë flamur në tavolinën e Këshilit të Sigurimit të OKB, me 15-16 vende të tjera në kryesinë e tërë shteteve. Mos harroni që Shqipëria u bë vendi që mikpriti Bashkimin Europian që u ngrit i tëri, doli për herë të parë nga kufitjë e tij dhe u ul në Tiranë për të bërë samitin e vet.
Mos harroni që Shqipëria sot përgatitet të presë Samitin e Procesit të Berlinit. Kancelari i Gjermanisë e plotë të tjerë do të vijnë në Shqipëri për Procesin e Berlinit.
Mos harroni që Shqipëria drejton prej pak kohe OSBE-në, një organizatë gjigande me shtete qe marrin pjesë nga Kanadaja deri në Rusi.
E pse ndodhën të gjitha këto? Se u bëmë ne superfuqi? Jo. Se u bëmë më të mëdhenj se ç’jemi ? Jo. Se u bëmë më të pasur? As kjo nuk është e vërtetë. Kjo ndodhi sepse ne i kemi bërë vend vetes dhe sepse ata aleatë dhe ata partnerë e besojnë dhe e mbështesin Shqipërinë më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër.
Tani si është e mundur që ky flamur të harrohet dhe mbi këtë flamur të vendoset damka e nongrattës, Të votosh për Salike nongratën do të thotë të votosh për një damkë me të cilën ky flamur nuk ka asnjë lidhje. Të votosh për një idivid, të cilët ata që na mbështesin dhe na besojnë dhe na kanë dhënë mundësinë ta ngremë këtë flamur më lart se çdo herë tjetër, e kanë shkruar e zeza mbi të bardhë dhe e thonë çdo ditë: Janë të padëshiruar. Cfarë jemi ne, çfarë është Shqipëria, çfarë është politika shqiptare? Strehë për të padëshiruarit e partnerëve dhe aleatëve tanë? Çfarë janë zgjedhjet në Shqipëri, një mundësi për t’u dhënë oksigjen atyre që aleatët tanë i konsiderojnë individë problematikë, në kundërshtim me interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve? Si mund të votohet për ta?
Dhe pastaj në 14 maj kush është prind, do dalë të votojë së kë do marrë në punë bashkë me të tjerët që kopshti, shkolla , çerdhja për fëmijët e tij të jenë dinjitoze dhe fëmijët të shërbehen si duhet. A nuk kanë mjaftuar gjithë këto vite për ta pasur shumë të qartë se kush i bën këto shkolla dhe kush shkollat i shkatërron? se kush i bën kopshtet për fëmijët siç duhet të jenë dhe kush kopshtet i pushton?
Unë besoj që kanë mjaftuar dhe kush është prind duhet të shkojë në 14 maj dhe të thotë “me këtë votë kë do marr në punë që të kujdeset për hapësirat ku dalin, ulen, luajnë, flasin pleqtë e shtëpisë”? Apo doni t’ju kthehen prapë ferrat e t’iu kthehen prapë plehrat e kështu me radhë.
Vota e 14 majit është votë për interesin e familjes lidhur me gjithçka që anëtarët e familjes kanë kur dalin nga shtëpia. Çfarë doni, politikisht, diplomatikisht, ndërkombëtarisht por edhe lokalisht, praktikisht vota për ata është një votë për t’i kthyer kazanët e plehrave që mbulohen nga plehrat dhe rrinë me ditë të tëra që qelbin dynjanë, siç janë atje në Shkodër, që qysh nga ’92-shi pushtetin e kanë ata dhe Shkodra, që është zona me potencialin më të madh dhe që është një qytet i bekuar nga Zoti si askush tjetër sepse nuk ka në Shqipëri, por unë nuk di a ka në Europë, një qytet me lumë, me liqen, me det, me mal dhe me Alpet mbi kokë. E pse nuk bën prokopi Shkodra? Çfarë i mungon? Ja pra, i mungon kjo, që kur njerëzit dalin nga shtëpia e shkojnë atje për të votuar, nuk mendojnë se kë do marrin në punë që tu shërbejë, por mendojnë se si do vazhdojnë t’i hapin punë Shqipërisë, duke i hapur punë tërë dynjasë dhe për të çuar sherrin në Tiranë.
Për çfarë i duan bashkitë ata? Ata i duan bashkitë, ku të kapin ndonjë bashki, të fusin ndonjë nga këta xhagajdurët, kukulla pa asnjë identitet, kukulla pa asnjë personalitet, kukulla që pa pikën e përgjegjshmërisë i japin fytyrën, i japin zërin, i japin emrin e familjes së tyre Sa-Likes. Dhe pastaj aty brenda në bashki të bëjnë atë tarafin e tyre siç kanë bërë gjithmonë, të marrin ca nga ato fondet e taksat tuaja se projekte nuk dinë të bëjnë ata, fonde nga qeveria nuk dinë të marrin ata, e t’i çojnë nëpër shtëpia e pastaj me ato që mbetet të mbushin autobusët me punëtorët e komunales që në vend se të rrinë këtu e të ujisin barin, të mbajnë dritat ndezur çdo natë e të pastrojnë plehrat, të vijnë në Tiranë atje më dy gishta “Rama ik”. Ja për këtë i duan bashkitë ata.
Unë nuk e kam hallin se erdhën ata e ika unë se ju e shikoni, ata “Ik” e unë eja, por problemi është që nga kjo humbasin komunitetet, humbasin të tërë.
Tani ju do më falni mua që unë po i them këto gjëra këtu se këtu nuk ka diskutim, por nga këtu na dëgjojnë dhe të tjerët që duhet ta dinë që në Tepelenë kjo nuk është fare në diskutim, hiç fare, por unë mendoj që edhe aq pak sa janë ata, duhet punuar për t’i kthyer në rrugë të mbarë.
Prandaj dhe unë i drejtohem grave të Tepelenës këtu, që çfarë kanë shoqe, gjitone, kushërira, krushka, të njohura që i kanë burrat me cen në kokë për politikë t’i thonë dhe t’i ndihmojnë madje që të shkojnë bashkë tek burri dhe t’i thonë “je në terezi ti? Na duhet vota për Tepelenën, nuk na duhet votë për sherr” dhe ata burra që nuk mbushin, t’i mbyllin nëpër shtëpia në datë 14. T’i mbyllin nëpër shtëpia të lajnë xhamat, të bëjnë gjellën, të venë përparësen dhe të presin gruan të vijë pasi të ketë votuar për Tërmetin.
Kështu duhet të ndodhë se nuk është lojë Shqipëria, nuk është lojë flamuri kuq e zi, nuk janë lojë interesat e njerëzve, nuk është lojë kjo që bëjmë, se ju thashë, jo 30 vjet, por edhe në kohët e mëparshme mezi mbushej uji këtu. Sot e kemi. Pse akoma me këto do merremi? Kemi shumë gjëra për të bërë. Ju thashë, 15 mijë turistë vjet, 150 mijë duhet t’i bëjmë turistët përndryshe nuk kemi bërë detyrën.
Po si do i bëjmë turistët? Do vijnë turistët dhe të presin autobusët e non grata që nisen me dy gishta pas Berihait?
Nuk bëhen turistët ashtu. Atyre i duhen bërë kënde në qytet dhe të futen aty brenda e të bëjnë me dy gishta që t’i shohin turistët, ashtu po, me biletë, por jo me votë. Shumë faleminderit!