Vlorë, në takimin përmbyllës për Shqipërinë 2030 drejt Bashkimit Europian
Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:
Shumë faleminderit të gjithëve!
Një shoku im nga Tirana kishte parë memorandumin e Kuçit dhe më shkroi, ‘’po si ka mundësi- tha, që mandatin e 9-të të Vlorës e vure me 50 %? I thashë, pse si ka mundësi?
Vlora –tha, mos nxjerrë 9 mandate për ty edhe për PS? Kjo s’ka mundësi! I thashë, ti nuk i njeh vlonjatët, i thashë, prandaj mendon që kjo punë është kaq e thjeshtë. Vlora- i thashë, mund të nxjerrë edhe 10 mandate. Problemi është – i thashë, si të nxjerrësh Vlorën nga shtëpia dhe unë dua ta nis duke thënë që çdo vlonjat dhe çdo vlonjate në 11 maj, duhet ta lërë për një moment të vërtetën e madhe që i di vetë më mirë të tëra edhe duhet të dalë nga shtëpia.
Duhet të dalë nga shtëpia se mua ma ha mendja që me tërë këto transformime që i janë bërë Vlorës e me këtë nam që i ka dalë Vlorës, anë e mbanë Shqipërisë e me tërë atë xhelozi që është krijuar për Vlorën për shkakun tim, nuk është mirë që Partia Socialiste të ngjitet në 80, e 80 e kusur mandate dhe Vlora të mbetet prapë te 8-ta. Kështu them unë, por unë e di që vlonjatët i dinë më mirë vetë të tëra dhe nuk këmbëngul që t’u them se e di unë më mirë. Ama dua t’i siguroj të tërë në Vlorë, në Selenicë, në Himarë se në Sarandë, Konispol e Finiq, e Delvinë ishim dhe folëm që nëse në këto vite është bërë për Vlorën sa ç’nuk është bërë në të tëra vitet e tjera të marra së bashku, në 4 vitet që vijnë ne do të vazhdojmë të bëjmë për Vlorën gjëra që sot mund të duken të pamundura dhe unë dua t’i them të gjithëve, se nëse do ishim sot në vitin 2030, këtu në Vlorë do të ishte një vend që tërë Europa, do ta mbante në gojë dhe në sy si një destinacion turistik i dorës së parë. Mbajini mend këto fjalë. Mbani mend këto fjalë se nuk janë fjalë fushate elektorale, janë fjalë që lidhen me çfarë ne kemi mbjellë akoma për Vlorën 2030, në Shqipërinë 2030. Mbani mend këto fjalë që në Vlorën e fundit të kësaj dekade do të kenë ardhur emrat më të mëdhenj, do të kenë ardhur firmat më të mëdha, do të kenë ardhur të gjitha ato gjëra të bukura që mblidhen rreth një vendi kur ai vend bëhet xhevahir i kurorës së turizmit mesdhetar dhe Vlora e 2030 do të jetë një nga emrat që do të shkëlqejë në atë kurorë, që është kurora më e bukur e turizmit mbarë botëror, nuk diskutohet, por jo vetëm kaq.
Në Vlorën 2030 do të ketë mundësi jo vetëm për çdo vlonjat e vlonjate që jeton sot këtu apo për këdo tjetër që jeton në këtë qark dhe as thjeshtë për këdo që jeton sot në Shqipëri, po për këdo që dëshiron të vijë dhe dëshiron të punojë në një vend ku ka punë, ku ka mundësi dhe ku ka jo vetëm punë dhe mundësi, po ku ka punë dhe mundësi për të jetuar me shumë dinjitet sepse industria e turizmit e cila tanimë ka dalë në sipërfaqe, këtu në Vlorë në 5 vitet e ardhshme do të hedhë shtat në një mënyrë që sot është e vështirë akoma që të parafytyrohet, por sepse në këto vite, është bërë një punë shumë e madhe dhe ndërkohë ne kemi mbjellë disa fara shumë, shumë të shëndetshme që do të rriten dhe do të bëjnë hije.
Nga ana tjetër, ne sot ulëm avionin e parë për të testuar fluturimet në pistën e Aeroportit të Vlorës. Është pista më e madhe e rajonit. Për një aeroport që nuk do të jetë një aeroport turistik, por do të jetë një aeroport ndërkombëtar, që nuk do të ulë dhe ngrejë avionë vetëm gjatë verës por gjatë gjithë vitit. Për një aeroport që do të jetë ‘’shtëpia’’ e kompanisë sonë të flamurit Air Albania-s, dhe që do të presë e do të përcjellë jo vetëm turistë edhe shqiptarë jo vetëm nga Europa por edhe nga SHBA dhe jo vetëm.
Aeroporti do të bëjë testet dhe shumë shpejt në muajt e ardhshëm, do të presë dhe të ulë avionët e vegjël të biznesit për t’u bërë gati për të hapur dyert në vjeshtë për të gjithë fluturimet dhe për të gjithë pasagjerët, por ndërkohë në aeroport, do të punësohen mbi 1000 njerëz, mbi 1000 vajza e djem që jo thjesht do të gjejnë një punë, por që do të kenë një punë të mirëpaguar dhe procesi ka filluar. Njerëzit kanë filluar të punësohen ndërkohë që ai do te jetë një aeroport që s’do të ketë vetëm avionë pasagjerësh që venë dhe vijnë, por do të ketë dhe avionë të ngarkesave cargo, që do të çojnë e do të sjellin mallra, që do të çojnë e do të sjellin pako të të gjitha përmasave siç ndodh me cargo-t në të gjithë botën.
Po nuk mjafton ende, sepse Aeroporti Ndërkomëbtar i Vlorës, do të ketë njëkohësisht përveç çargos, edhe pjesën e tij të tretë që do të jetë qendra për riparimin dhe mirëmbajtjen e avionëve, jo për riparimin dhe mirëmbajtjen e avionëve që ulen e ngrihen nga këtu, por për riparimin dhe mirëmbajtjen e avionëve të disa prej kompanive më të mëdha europiane. Është një kontratë e bërë dhe do të fillojë të zbatohet hap pas hapi, por përsëri nuk mbaron këtu sepse aeroporti i Vlorës do të jetë edhe baza për Akademinë e Aviacionit Civil, një akademi që do të formojë kuadrot e Aviacionit Civil, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë.
Një akademi e cila do të ngrihet jo thjesht me financimin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare, por dhe me financimin dhe mbështetjen e rrjetit europian të aviacionit që ka zgjedhur Vlorën për të ngritur akademinë dhe për të formuar punonjësit e Aviacionit Civil Europian, por nuk mbaron këtu. Ndërkohë ne kemi firmosur një marrëveshje dhe po në Vlorë do të kemi dhe akademinë e Forcave Ajrore të ushtrisë sonë e cila do të përgatisë pilotë shqiptarë, por do të jetë njëkohësisht një derë e hapur për të përgatitur edhe pilotët e rinj nga vendet e tjera të NATO-s apo nga vende të tjera aleate apo mike me Shqipërinë. Kjo është vetëm njëra anë që lidhet drejtpërdrejtë me aviacionin.
Ndërkohë që Vlora në vite që vijnë do të ketë një nga portet më të bukur të jahteve në Mesdhe dhe më në fund porti i Vlorë do të jetë një port turistik ashtu sikundër në anën tjetër Triporti do të jetë një port i vërtetë, serioz për anijet që çojnë dhe sjellin mallra si dhe për të gjitha anijet e peshkimit që më në fund do gjejnë strehën e tyre dinjitoze sipas të gjitha standardeve europiane.
Nga ana tjetër, ka filluar të ngrihet zinxhiri i ri i hoteleve. Ka filluar të kuptohet që nuk mundet dot ta zhvillojmë turizmin ashtu siç duhet dhe ti japim fuqinë që i nevojitet duke ndërtuar apartamente dhe vila për të shitur.
Hotelet kanë filluar t’i hapin dyert njëri pas tjetrit, por në këto 5 vite Vlora do të bëhet territori ku do të vijnë firmat më prestigjioze te hotelerisë. Ky qark do të ketë një gjerdan plot me emra dhe me dyer ku turistë nga gjithë bota do të gjejnë vend dhe me vështirësi do të gjejnë vend në fakt, pasi ju siguroj se bregdeti i Vlorës do bëhet një prej destinacioneve më të kërkuara, jo të Shqipërisë, por të Mesdheut.
Natyrisht, turizmi është një fuqi e madhe, një fuqi e re për Vlorën dhe pa diskutim që në këtë proces, në këtë program të madh ambicioz, në këtë plan që askush nuk do imagjinonte deri disa vite përpara, se ju e mbani mend shumë mirë si ishte Vlora. Këtu jetohet, por nuk ndalohej. Këtu të gjithë kalonin për të ikur në anën tjetër, por Lungomare nuk ekzistonte ndërkohë që rruga ishte vetëm një rrugë kalimi dhe të gjitha këto kanë ndodhur dhe janë bërë të mundura në këto vite të cilat na kanë dhënë mundësinë që të mund të shohim të ardhmen me sy tjetër.
Shumë shpejt gjithë kjo Lungomare që tashmë është bërë me nam, do të ketë një konkurrente vërtetë të të njëjtit nivel në anën tjetër në Radhimë dhe gjithë bregu i gjirit të Vlorës do të ketë rrugën e vet, trotuarin e vet të këmbësoreve dhe ma ha mendja që Vlora do jetë qyteti me Lungomaren më të gjatë në të gjithë Mesdheun ku njerëzit do mund të ecin apo të përdorin biçikletën në një distancë me kilometra të tëra dhe patjetër që ky qark dhe ky qytet nuk janë vetëm deti, por janë edhe territoret brenda, territoret e lumit të Vlorës ku tanimë ka filluar të zgjohet një jetë e re me turizëm, me agroturizëm dhe të jeni të sigurtë që agroturizmi dhe agropërpunimi do vazhdojnë të zhvillohen në brendësi të këtij territori që nga Selenica deri poshtë e deri lart në Kuç e me radhë.
Megjithatë të gjitha këto janë pjese e asaj që ne do bëjmë së bashku sepse ju e dini besoj, siç e di dhe unë fare mirë që kjo fushatë dhe kjo rrugë drejt 11 majit nuk është një përpjekje për aritmetiken elektorale, nuk është një përpjekje për 71 mandatet që i duhen Partisë Socialiste për të qeverisur e vetme në një mandat të katërt. Kjo është shumë më tepër se kaq, se këto zgjedhje janë shumë më tepër se kaq. Këto zgjedhje janë shumë më tepër se infrastruktura, janë shumë më tepër sesa aeroporti. Janë shumë më tepër sesa portet turistike, janë shumë më tepër sesa zhvillimi i mëtejshëm i komuniteteve, janë shumë më tepër sesa investimet që pa diskutim ne do t’i bëjmë.
Këto zgjedhje janë një takim me historinë në kuptimin më të vërtetë të fjalës dhe Vlora nuk mund, nuk duhet dhe unë kam shumë besim që nuk do mungojë në këtë takim me historinë.
Vlora unë kam shumë besim që do t’i qaset 11 majit më e bashkuar se asnjëherë duke i kapërcyer hendeqet e përgjithshme të shqiptarëve që janë hendeqe politike, që janë hendeqe krahinore, që janë hendeqe partiake duke kapërcyer dhe hendekun karakteristik, tradicional të Vlorës që është hendeku i inatit kush jam unë e kush je ti dhe duke u bërë bashkë për t’i dhënë Partisë Socialiste një fuqi të re, jo për veten, jo për PS as për deputetet e PS, as për karriget e ministrave të PS, as për mua jo e jo, por një fuqi të re për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda vitit 2027 dhe për ta ulur Shqipërinë në sallonin kryesor të shtëpisë së Europës së bashkuar brenda kësaj dekade.
Ky është takimi me historinë, ky është mesazhi që duhet të jap Vlora si një vend ku historia ka kaluar jo një herë dhe unë nuk besoj se rastësisht ka zgjedhur Vlorën. Historia zgjodhi Vlorën për të ngritur flamurin e pavarësisë, këtë flamur që unë do t’ju lutesha shumë të çoheni të tërë në këmbë dhe ta valëvisni që ta shohë e gjithë Shqipëria.
Historia zgjodhi Vlorën për të marrë shumë gjak këtu të pastër shqiptari në Luftën Nacional Çlirimtare. Historia e ka zgjedhur Vlorë përsëri dhe unë dua shumë të besoj që vlonjatët dhe vlonjatet nuk do mungojnë në takimin me historinë dhe ky është momenti për t’ju thënë që ky takim, ky rreth këtu ka një veçori. Bashkë me ne, bashkë me ju socialistët dhe socialistet janë dhe disa të tjerë vajza dhe djem që kanë ardhur nga ana tjetër, nga forumi i rinisë demokratike të Vlorës dhe janë këtu sot si një shprehje e vullnetit për Vlorën përtej të majtës dhe të djathtës, për Vlorën përtej ngjyrave të partive dhe përtej ndasive të vjetra, për Vlorën e vajzave, e djemve, e burrave dhe e grave që duhet ta marrin përsipër përgjegjësinë, duhet ta marrin përsipër detyrën, duhet ta marrin përsipër misionin që të ngrihen mbi veten dhe të bëhen një grusht i vetëm, duke e mbledhur këtë dorë, për të mos e lëshuar fatin europian të Shqipërisë. Dhe për t’i dhënë një mesazh shumë të fortë Europës, për t’i dhënë një mesazh shumë të fortë të gjithë Bashkimit Europian që ne populli Vlorës të bashkuar, ne populli i Shqipërisë të bashkuar, ne vlonjatët, vlonjatet, shqiptarët, shqiptaret duam që Shqipëria të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, tani, nuk duam të presim më.
Vlora në 11 maj duhet ta meritojë buzëqeshjen e nënës Shqipëri. Duhet që nëna Shqipëri të buzëqesh dhe nëna Shqipëri të mund të recitojë nëse do kishte gojë Vlorën edhe Vlorën thelb e kam në zemër, ditën e kam dritë, natën e kam ëndërr.
Kam një surprizë për ju. Edhe dua që së bashku. Ku është ky more? Se s’është nga Vlora, vjen me vonesë, se është nga Shqipëria e Mesme, ku është? Hajde, Noizy-i këtu hajde. Hajde Noizy këtu.
Është surprizë, jo se është hera e parë që del këtu, por se sot unë dua që Noizy-i, unë dhe ju të këndojmë së bashku, duke i mbajtur lart flamujt, duke i mbajtur lart flamujt, këngën e jashtëzakonshme që Noizy ka shkruar me gjithë zemër për këtë rrugëtim fantastik drejt 11 majit. Muzikë!
Rroftë Vlora, rroftë Himara, rroftë Selenica, rroftë edhe Saranda, Delvina, Konispoli, Finiqi!
Rrofshin të gjithë qytetaret e qytetarët e këtij qarku dhe në 11 maj, ditën e diel, të gjithë të bashkuar për të nxjerrë nga kutitë e votimit një det kuq e zi!