Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetari i PSSH në takimin me skuadrën e PS në Vlorë
Shumë faleminderit Bledi për këtë prezantim shterues sa i përket të gjithë individëve që e përbëjnë këtë skuadër, por unë besoj që përtej çdo individi në vetvete, kjo skuadër ka një cilësi që nuk e ka pasur asnjëherë më parë një skuadër e qarkut të Vlorës dhe besoj që është një cilësi që e reflektojnë edhe skuadrat e qarqeve të tjera, por këtu në Vlorë në mënyrë specifike besoj që ka një harmonizim të shkëlqyer midis ambicies sonë, qëllimeve tona dhe shoqërisë, shoqërisë së përbërë nga komunitete, prejardhje dhe patjetër edhe opinione jo gjithmonë të njëjta.
Unë besoj që ne me këtë skuadër i japim qarkut të Vlorës një ofertë që nuk ia kemi dhënë më parë me këtë lloj larmie dhe me kaq shumë mundësi për të zgjedhur dhe brenda për brenda skuadrës, duke i folur faktikisht, të gjithë komuniteteve dhe duke dhënë, përmes këtyre individëve, mesazhin e qartë që askush nuk duhet dhe nuk mund të ndjehet as i papërfaqësuar por mbi të gjitha as i papërfillur.
Në këtë sens besoj që harmonizimi i karaktereve, figurave dhe sfondeve të ndryshme të prejardhjes dhe eksperiencës është mëse i arrirë dhe këtu është, meqenëse ti fole me shkrim për të gjithë këta, unë nuk kam përgatitur me shkrim për ty, por këtu është, në radhë të parë, merita jote sepse në muajt që ke qëndruar që kur more drejtimin politik të Vlorës ke bërë një qëmtim shumë të kujdesshëm të realitetit dhe ajo që është më e rëndësishmja, ke arritur të kapërcesh barrierat tradicionale që ka vendosur Partia Socialiste e territorit këtu, duke e konsideruar këtë një territor që është vetvetiu me Partinë Socialiste dhe për këtë arsye duke mbyllur, faktikisht, dyer e jo duke hapur dyer.
Më vjen jashtëzakonisht mirë që në një skuadër ne kemi njëkohësisht edhe eksperiencën që patjetër përfaqësohet këtu nga Damiani, nga Vullneti, nga ti vetë, edhe risitë që vijnë, qoftë nga nivelet më të larta të drejtimit të Partisë Socialiste, kam parasysh Pirron këtu, por dhe nga vetë komuniteti që përfaqësohet këtu me socialistet 24 karatë, Brunën, Brisejdën, Evisin dhe nga disa vajza dhe gra që vijnë, qoftë nga ajo pjesë e shoqërisë që e mbështet, por jo sy mbyllur Partinë Socialiste, siç është Erjona, madje-madje me sytë më hapur sesa ç’duhet, i ka dhe të bardhë si dylbi pirati edhe siç është Ina ose siç është Tesi, megjithëse Tesi përgjithësisht është më risi në sensin e ardhjes nga një territory, jo vetëm fizikisht i ndarë prej shumë vitesh nga Shhqipëria dhe nga Vlora si rezultat i ikjes dhe studimeve në Shtetet e Bashkuara prej shumë vitesh, por edhe i ndarë me shumë skepticizën, me shumë paragjykime për Shqipërinë dhe Zamira që përfaqëson, më në fund, ashtu siç duhet, komunitetin e botës universitare të Vlorës, por nga ana tjetër, edhe dike, që faktikisht, në angazhimin e vet politik e ka parë Partinë Socialiste si një forcë për t’u kritikuar, për t’u kundërshtuar dhe në një periudhë kohore ka qenë më shumë e rreshtuar në anën tjetër të kampit politik, gjë që është vërtetë shumë pozitive për ne dhe është një mesazh që ne duhet ta përpunojmë dhe duhet ta thellojmë për t’ju thënë dhe atyre që vijnë nga prirje të ndryshme prej tonave fillimisht që ne jemi një hapësirë ku ka vend për të gjithë dhe Partia Socialiste nuk është një qëllim në vetvete i atyre që janë brenda saj, por është një mjet i atyre që janë brenda dhe i atyre që mund ta përdorin këtë mjet për qëllimet e përbashkëta me tonat që janë qëllimet e mëdha që ne ndajmë dhe këtu, ne ndajmë dy qëllime të mëdha faktikisht.
Ne ndajmë qëllimin e madh që në këtë moment në histori ta shtyjmë deri në fund procesin e negociatave me Bashkimin Europian dhe ta bëjmë Shqipërinë anëtare të Bashkimin Europian dhe ndajmë qëllimin e madh që të rrisim më tej cilësinë e jetës dhe të nxisim më tej atraksionin e ofertës që ka Vlora, që ka Saranda, që ka Delvina, që ka Konispoli, që ka Fiqini, që ka Selenica për t’i dhënë një fuqi të shtuar vazhdimisht komuniteteve, ekonomisë vendore, jetës sociale dhe kështu me radhë.
Kështu që, besoj, shumë besoj që këtë herë ne do të marrim një rezultat edhe më të mirë, do të dalim përtej atij volumit me të cilin jemi mësuar, të mbështetjes dhe të votave, dhe do t’u japim mundësinë shumë qytetarëve që deri dje kanë qenë simpatizantë të punës që ne mund të kemi bërë në nivelin qëndror për Vlorën apo në nivelin vendor, por kanë qenë të ftohtë kur ka ardhur puna e zgjedhjeve për shkak të mospërmbushjes së kërkesës së tyre për ata që e përfaqësojnë Vlorën këtu.
Për hir të vërtetës, duhet ta them dhe dua ta them që ta dëgjojnë të gjithë që fakti që në të gjithë skuadrën e re të zgjedhjeve të 11 majit, ne kemi vetëm 1 deputet, i cili është aktualisht deputet, që është Vullneti. Kjo është, e para, sepse Vullneti nuk është një deputet si të gjithë të tjerët, për hir të vërtetës, por është një nga ata deputetë që unë do të uroja shumë që të ishin, jo një pjesë për t’u dalluar dhe për t’u lëvduar, por të ishin, faktikisht, shumica, një deputet i lidhur me zonën, i lidhur me njerëzit, një deputet që erdhi dhe më tha që “Këtu mbaron misioni im kryetar sepse besoj që kam bërë gjithçka kam mundur, por nga ana tjetër besoj që nuk e kam me tapi këtë punë dhe mbase duhet ta marrin në dorë të tjerët dhe që faktikisht në kërkesën tënde është këtu. Por përtej Vullnetit, ne na është dashur të bëjmë një ndryshim total të skuadrës.
Na është dashur të bëjmë një ndryshim total të skuadrës ekzaktësisht për t’i thënë Vlorës, për t’i thënë të gjithë qarkut që ne e kuptojmë se çfarë na ka munguar ne për të bërë ju një hap më tutje dhe për të na dhënë një mbështetje siç në fakt duhet ta synojmë këtu në Vlorë, kjo është e vërteta; deputet që përtej faktit nga pikëmpamja personale, unë i konsideroj miq, por që nuk ka rrezatuar asgjë, në raport me atë që duhet të rrezatonin këtu në Vlorë dhe mbi të gjitha, që nuk kanë krijuar dot me njerëzit dhe për njerëzit atë sinergji mes të qënit qytetarë që ndajnë të njëjtën hapësirë dhe të qënit përfaqëues të tyre, duke iu gjendur pranë duke i begenisur,duke i qarë hallin edhe kur nuk ia zgjidhin dot, e kështu me radhë dhe për këtë më vjen keq, sinqerisht e them për të gjithë vlonjatët këtë gjë në radhë të parë, sepse këtu, ça ndodh në këtë qytet, si sillemi ne në këtë qytet rrezaton pastaj edhe në teritoret e tjera dhe më vjen keq po ashtu për faktin që nuk kemi dhënë një shembull ashtu siç duhet, patjetër që nuk kam parasysh këtu Damianin se nuk është një deputet i zonës në kuptimin që buron si prurje territori thjesht, por është një deputet që është i angazhuar në Tiranë me shumë detyra, por kam parasysh përfaqësuesit e komunitetit këtu, ata që duhet të rrinë këtu dhe që duhet të gjenden këtu pranë njerëzve dhe dua të besoj, duke filluar nga ata që janë në listë të mbyllur, ky do të jetë rasti dhe këtu kam parasysh qoftë Erionën, qoftë Zamirën që dua të besoj se do të jenë pika referimi këtu në qytet për njerëzit dhe do të jenë gjithashtu ‘’dy shtriga’’ këmbëngulëse për të nxitur hapjen e PS.
Dua të besoj nga ana tjetër, që qoftë Bruna, qoftë Briseida, qoftë Evisi që janë pjesë e pandashme e PS prej shumë kohësh dhe që në pozicione të ndryshme kanë bërë atë që kanë mundur, do të jenë po ashtu bashkë me Zamirën dhe me Erionën, front i grave të Vlorës dhe i vajzave të Vlorës pavarësisht se a do të jenë apo s’do të jenë në Kuvendin e Shqipërisë.
Dua të besoj po ashtu që Tesi do të gjejë të gjitha arsyet edhe jashtë këtij momenti entuziazmi edhe pasioni për t’u bashkuar me PS që të vazhdojë edhe mbrapa të jetë pjesë e këtij fronti dhe patjetër dua të besoj, që Ina po ashtu, ia kam thënë dhe kur u takuam herën e parë në podkast që pavarësisht si do të jetë rezultati, do të marrë një detyrë me siguri për të përfaqësuar qarkun, për të përfaqësuar edhe komunitetin rom në nivelet e qeverisjes, në rast se nuk shkon në parlament kuptohet, do të jetë pjesë e këtij fronti dhe dua të besoj që dhe djemtë këtu që janë, sidomos dy djemtë që kemi këtu nga Vlora do të na ndihmojmë për ta reformuar realisht dhe për ta transformuar PS në një hapësirë, ku absolutisht nuk duhet të ndihet sikur nuk ka vend për të dhe nga ana tjetër për t’i thënë të tjerëve që nuk shkojnë deri në pikën që bashkohen me ne, respektin që meritojnë.
Dje Zamira më ka bërë një surprizë që besoj është një nga momentet më të veçanta të gjithë karrierës sime politike; më ka ftuar dhe ulur në tryezë me rreth 100 vajza dhe djem të forumit të PD dhe sinqerisht përtej të gjitha të tjerave, që nuk është këtu momenti dhe rasti për t’i thënë, por një ndjesi faji ndaj tyre nuk më është ndarë dhe nuk më ndahet edhe tani që po flas.
Ndjesia e fajit për faktin që, ata pavarësisht se janë të rinjtë e angazhuar në një forcë tjetër politike, pavarësisht se ça kemi ne me atë forcë politike, pavarësisht se ajo forcë politike në Tiranë ka një fytyrë, më saktë një surrat komplet pa lidhje me fytyrat e këtyre vajzave dhe djemve këtu, më kanë vënë në pozitë të vështirë kur vazhdonin më shprehnin se si sillen përfaqësuesit e PS me ata, që nuk i konsiderojnë pjesë të të njëjtës anë.
Këto janë gjëra realisht janë minimumi etik për një forcë politike si e jona dhe unë dua që së bashku ne të jemi në një mendje që pas 11 majit të vendosim tolerancën zero ndaj kujdo përfaqësuesi të PS në çdo nivel që nuk i jep respekt dhe që nuk i trajton në mënyrë të drejtë dhe të barabartë të gjithë anëtarët e këtij komuniteti aq më tepër për shkak të rreshtimit në një forcë tjetër politike.
U zgjata me këtë pjesë, atipike me këto prezantime pikërisht se unë jam shumë i lidhur me Vlorën sepse jam apo s’jam në listën e Vlorës, unë jam deputet i Vlorës dhe deri në fund, deri kur të mbyll sytë, Vlora për mua do të jetë ajo që kam mësuar notin, një vend ëndrrash dhe një vend ku fuqia e ëndrrave i çon përpara njerëzit dhe një vend i bekuar si gjithë Shqipëria, por me veçoritë e veta nga Zoti për t’u bërë ku s’ka asnjë arsye se kush jeton këtu, të mos jetë realisht, jo vetëm krenar, por edhe i kënaqur me mundësitë që i jep ky vend.
Prandaj u zgjata pak sepse e ndjej shumë thellë këtë borxhin, që e kemi në mënyrë të vazhdueshme dhe që e akumulojmë në mënyrë të vazhdueshme në nivelin vendor, në nivelin e partisë.
Nuk flas për bashkinë këtu në këtë rast, në nivelin e përfaqëuesve politikë ndaj njerëzve dhe kjo gjë bën që edhe performanca e bashkisë së Vlorës të mos jetë në maksimum sepse në vend që ta mbështesin deri në fund, i vënë edhe stërkëmbësha edhe vetë bashkisë. Tani të kalojmë tek ajo, që është më e rëndësishmja dhe na ka dhënë ne edhe frymëzimin për të ndërtuar këtë skuadër në Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë; një skuadër të re, një skuadër me karakteristika, që nuk i ka pasur më parë, një skuadër që përtej ngjyrës, përtej asaj tërësisë së vlerave dhe parimeve nga pikëpamja politike që na bashkon, ka hapur një derë edhe për të tjerë që mund t’i kenë ngjyrat pak më ndryshe ose shumë më ndryshe por që përtej ngjyrës, besojnë në të njëjtën që që besojme dhe janë këtu me ne, për të qenë ne së bashku, shqiptarët dhe shqiptaret e bashkuar, siç duhen të jenë në të gjitha nivelet për të realizuar një ëndërr shekullore, ëndrrën shekullore të të qenit njerëz të lirë një herë e mirë dhe të të jetuarit në një vend, ku liria individuale dhe liria e zgjedhjes së njerëzve nuk vihet më në rrezik.
Nëse dikush mendon që liria individuale në Shqipëri mund të garantohet një herë e mirë dhe të mos kërcënohet nga askush dhe nga asgjë vetëm nëqoftëse Shqipëria hyn në familjen europiane dhe nëqoftëse ky popull bashkohet me të gjithë popujt e tjerë të BE nën ombrellën e BE ku bëhet e pamundur për këdo qoftë që udhëheq këtu që të devijojë rrugën e popullit shqiptar duke cenuar dhe kërcënuar lirinë individuale.
E nëse për lirinë individuale kjo është kështu, imagjinoni tani çfarë është kjo për barazinë para ligjit. Barazia para ligjit që për herë të parë në historinë tonë dhe këtë e them dhe duhet ta themi të gjithë me zë të lartë, me krenari, nuk mund të kompleksohemi ne nga disa injorantë, nga disa burime diabolizimi në politikën dhe në median shqiptare që çfarë po ndodh me luftën kundër korrupsionit të na i kthejë ne si arsye që ne të ndihemi fajtorë. Përkundrazi, unë jam krenar dhe duhet të jemi krenarë për atë që po ndodh si një lëvizje tektonike në themelet e shtetit shqiptar, përtej të gjitha boshllëqeve, të metave dhe përtej edhe lajthitjeve që mund të ketë në procesin e zhvillimit të kësaj lufte nga ana e institucioneve të reja të drejtësisë. Ne kemi institucione të reja të drejtësisë dhe ne kemi institucione të reja të drejtësisë që po luftojnë për barazinë para ligjit dhe kjo është panorama e përgjithshme. Duke qenë se ne jemi shumë afër zjarrit dhe duke qenë se politika ka atë oxhakun e vet me zjarr që të gjithë janë pranë edhe ndjehet shumë afër ajo që ndodh çdo ditë në të gjitha nivelet për çdo gjë dhe duke qenë se kjo është koha që ne jetojmë, e kemi të vështirë të distancohemi dhe ta shohim këtë gjë pak më ftohtë, por ju siguroj që kur kjo periudhë të shikohet si pjesë e një historie shqiptare të shtetit, do të shikohet qartësisht, shumë qartësisht, që ishte momenti, është momenti kur u hodh themeli i një ngrehine që nuk ka ekzistuar në Shqipëri, të barazisë para ligjit dhe për këtë merita është e jona dhe vetëm e jona. Nuk e ka askush tjetër këtë meritë dhe nuk ia japim askujt tjetër këtë meritë pavarësisht se të tjerët mund ta marrin ose mund ta marri nga ne dhe tua u hedhin amerikanëve, tua hedhin europianëve e tua u hedhin kujt të duan.
Të tërë të tjerët kanë meritën, rolin e tyre, por pa Partinë Socialiste, pa vizionin, pa kokëfortësinë dhe pa këmbënguljen dhe durimin tonë kjo nuk ndodhte. Që të jemi shumë të qartë, nuk ndodhte, nuk kishte shans të ndodhte. Mjafton që ne mos ta kishim këtë shtysë të brendshme dhe mos ta kishim këtë vullnet dhe nuk kishte Amerikë dhe nuk kishte Europë dhe nuk kishte shans që të vihej në lëvizje gjithë ky mekanizëm dhe të vinte dita që pavarësisht e ti je shumë pranë pushtetit politik ose e përfaqëson pushtetin politik në qeveri ose në opozitë, një prokuror i pavarur të të thërrasë e të fillojë të të pyes, apo të shkosh përpara një gjykatësi të pavarur dhe të vijë puna që edhe të dënohesh. Kjo është diçka që nuk ka ndodhur në historinë e shtetit shqiptar, kjo është e vërteta. Nuk e thotë, ja Arditi është i arkivave këtu se këta që nuk kanë haberin e historisë nuk më kanë kundërshtuar dot por nëqoftëse Arditi ka ndonjë rast le të ma thotë, kur që nga 1912 një prokuror apo një gjykatës i pavarur ka marrë një ministër apo ka marrë një ish president, apo një ish kryeministër apo një ish zëvendës kryeministër edhe i ka thënë: “hajde këtu, po, ti je subjekti im”. Nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhte nëse nuk do ishim ne. Dhe nëse sot ne jemi në ballë të gjithë procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duke e pas nisur nga vrima e fundit e kavallit dhe nga një pozicion ku nuk na hidhnin sytë po ju them. Nuk na hidhnin sytë fare! Na shikonin me sytë ulur: vazhdo, vazhdo dhe keni shumë punë për të bërë. Kjo ka ndodhur si rezultat pikërisht i vizionit dhe vullnetit tonë, përfshirë dhe këtë që po flas. Dhe këtë barazi para ligjit që ne sot po e synojmë, ju e shikoni shumë qartë sot që flasim përpara një fushate forcat e tjera thonë: në 11 maj na jepni votën, në 12 maj ne do shkrijmë SPAK-un. Domethënë do ta kthejmë historinë nga e para. Dhe kjo sot garantohet prej nesh, nesër edhe këtu brenda nesh, mbas një numri vitesh nuk e dimë sesi do zhvillohen dinamikat kur të jeni ju të rinjtë këtu që do ta keni në dorë këtë punë dhe mund të kthehet mbrapsht çdo gjë.
Ajo që e bën të pakthyeshme këtë rrugë dhe që adreson dhe ato probleme që sot ne i shohim që janë problem në sjelljen e institucioneve të reja, është vetëm qenia brenda BE. Vetëm qenia pjesë e asaj familje dhe çdo shqiptar, çdo shqiptare, çdo prind në radhë të parë që është sot në këtë vend duhet ta kuptojë që vota e 11 majit është e lidhur drejtpërdrejtë me garantimin e një rruge që në përfundimin e vet mbyll përfundimisht filmin e lodrave me liritë individuale të shqiptarëve. Skënderbeu kur vuri barrikadën këtu nuk e vuri për të çuar Shqipërinë në BE apo për të mbrojtur BE se s’kishte BE atëherë, por ama e vuri për lirinë dhe duke u bërë pararojë këtu e Europës.
Rilindasit nuk e donin Shqipërinë europiane se do e fusnin në BE se nuk ekzistonte BE por e donin Shqipërinë europiane sepse donin që shqiptarët të kishin zgjedhjen e tyre, të kishin lirinë e tyre dhe më pas kjo ishte një histori e cila u devijua pikërisht sepse ne s’ishim atje. S’ishim me ta dhe historikisht kemi rënë pre e lloj – lloj regjimeve, perandorive, historive që na kanë penguar pikërisht në këto gjëra, në përcaktimin e lirë të zgjedhjes tonë dhe në barazinë para ligjit.
Me 11 majin ne futemi në fazën e fundit, uroj dhe shpresoj dhe them uroj dhe shpresoj sepse na është hapur një derë. Na është hapur dera që anëtarësimi në BE mos të jetë një perspektivë por të jetë një aktualitet. Nuk ka qenë deri dje. Sigurisht që na thoshin: juve do jeni një ditë atje, juve e keni vendin këtu me, vazhdoni punën. Nuk ka qenë sepse zgjerimi nuk ka qenë në rendin e ditës dhe këtyre analistëve të rrjeteve sociale iu them që kur thoni “po pse nuk e futët 12 vjet në BE Shqipërinë e do na e fusni në këto 4 vite”, nuk dini çfarë flisni dhe ju falet se nuk jeni ju që duhet të dini deri në fund këtë punë. Janë ata që juve ju përfaqësojnë që duhet tua u shpjegojnë. Sepse mirë dakord ne nuk e futëm dot Shqipërinë në BE 12 vjet se e kishim fajin ne. Po pse nuk u fut në BE askush tjetër?
Po pse Mali i zi që i ka hapur negociatat në 2012 nuk u fut në BE? Apo Malin e Zi nuk e la narko shtetit. Po pse Serbia që ka hapur negociatat në 2014 nuk u fut? Apo se edhe atje ishte dora ime dhe dora jonë që e pengoi. Po pse Maqedonia e Veriut është bërë kandidate kur kishte një emër tjetër në 2005 nuk është sot në BE? Dhe si ka mundësi që Mali i Zi ka që në 2012 që negocion ne kemi që vjet që negociojmë ne jemi sot barabar dhe na thonë duam të fusim Shqipërinë dhe Malin e Zi në Bashkimin Europian dhe duam ta bëjmë tani dhe duam që Shqipëria ti mbylli negociatat 2027. Si mund që të na japin ne ata një kornizë negociatash tre vjeçare, kur Kroacia që ka qenë një nga shembujt më të shkëlqyer kanë marrë 7 vjet a 8 vjet në mos më shumë. Sepse janë bashkuar yjet. Është bashkuar ylli i fatit tonë me yllin e fatit të Europën në një moment në histori kur ata përtej faktit se çfarë kemi bërë ne, që i kemi bërë shumë mirë detyrat tona në raport me ata nuk diskutohet, se po nuk bërë detyrat ata nuk të qasin. Për tej kësaj ata duam, duan të zgjerojnë BE-në dhe duan të marrin anëtare të rinj në BE dhe duan ti marrin tani. Si mund ta humbim ne këtë shans? Si mund ta lemë ne trenin e historisë që na ka ndaluar para syve, pa e marrë se kemi ca probleme me kanalizimet në Vlorë, ose se kemi ca probleme “kush jam unë e kush je ti në Sarandë”. Ose nuk e di të gjitha llojet e problemeve që janë shumë reale të vërteta, serioze që dhe ato po nuk i zgjidhem ne, nuk i zgjidh njeri tjetër, por ama janë hiç asgjë në krahasim me këtë oportunitet që na është dhënë nga fati i përbashkët që është bërë një tani dhe të diskutosh tani këtu për kë do të votosh dhe pse? Sepse sot jemi ne këtu në kohën e duhur, vendin e duhur. Ne mendojmë që jemi forcë, edhe ne, edhe forca e duhur për të gjithë, por një pjesë mendojnë që nuk jemi ne, forca e duhur. Ama, në vendin e duhur, në kohën e duhur, gjendemi ne sot, siç gjendej Partia Demokratike në ‘91-‘92, që pavarësisht se në vetvete mund të kishte 1001 gjëra që nuk duhej marrë seriozisht, ishte e vetmja adresë ku shqiptarët mund të hidhnin votën për të bërë një ndarje të qartë gjeopolitike me të shkuar sot është e njëjta gjë. Të votosh sot për Partinë Socialiste nuk do të thotë fare që të jesh mbështetës i Partisë Socialiste domosdoshmërisht, apo që të jesh dakord me çdo gjë që ka bërë Partia Socialiste, ose me qoftë edhe me asgjë. Të votosh sot Partinë Socialiste do të thotë që këtë kohë të ngushtë që na është dhënë ta garantosh, duke mos i lëkundur për asnjë minutë negociatat. Janë 1000 veta që punojnë me negociatat, 1000 që shkojnë nëpër zyrat e shtetit, 40 skuadra, sipas gjithë sektorëve, çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë. Mbi dy ministret tona, kryenegociatorja dhe zëvëndës kryenegociatorja, çdo javë ulen përballë BE-së edhe japin llogari për çfarë është bërë, jo çfarë është bërë vjet, po çfarë është bërë javën e kaluar. Çdo javë, çdo javë, çdo javë, sepse duhet ti mbyllim negociatatat deri në 2027. Tani imagjino të hidhet një votë dhe të dalë nga kutia diçka e zbehtë për Partinë Socialiste, çfarë mesazhi i japim ne si shqiptarë Brukselit? Sepse ata e dinë që këtu fushata jonë është me flamurin e Bashkimit Europian është për të futur Shqipërinë në Bashkimin Europian, që do të thotë që ata janë të interesuar të shohin çfarë përgjigje ka populli shqiptar ndaj kësaj oferte. Duan të vijnë në Bashkimin Europian, e kanë seriozisht? Ndërkohë që të tjerët nuk e di se, as nuk e kuptoj se çfarë kanë parasysh me atë madhështore.
Përtej të gjitha këtyre ka dhe një interes shumë praktik, shumë të drejtpërdrejtë për të votuar për këtë ofertë në 11 maj, që është interesi i çdokujt individualisht personalisht për t’u futur në komunitetin e popujve të BE-së, duke marrë pasaportën e BE-së. Ka ca që vazhdojnë, insistojnë, është çudi e madhe. Ne e kemi pasaportën, ne shkojmë ku të duam. Ne shkojmë ku të duam, po nuk ndalojmë dot askund ku duam, përveçse në Shqipëri. Ne kemi të drejtën të lëvizim po skemi të drejtën për të ndaluar. Ça do të thotë kjo? Kjo do të thotë që ne mund të nisemi sot dhe të shkojmë në një vend të BE-së, por duhet të kthehemi këtu. Nëse na lind ideja të qëndrojmë atje për një arsye, ne duhet të kërkojmë azil, se ne nuk qëndrojmë dot atje, këtë do të thotë. Do të thotë që sot, megjithëse ne kemi drejtën e lëvizjes në aeroport, fillojnë pyetjet dhe mbaron, mbarojnë pyetjet me pyetjen kur do ikësh? Domethënë, nuk je i mirëpritur këtu të rrish. Ti mund të hysh, mund të bësh një xhiro, po duhet të ikësh. Dhe kjo do të thotë që të gjithë shqiptarët që janë, meqë ne kemi dhe vendin e diasporës këtë herë që janë në Greqi, për shembull, që kërkojnë dokumentat prej shumë vitesh, kërkojnë pensionet prej shumë vitesh, një pjesë kanë marrë dokumentat, ka një pjesë të madhe që nuk i kanë akoma dokumentat me votën për ne marri pasaportën e BE-së edhe ja, edhe rrinë në Greqi si qytetarë të barabartë, pa pas nevojë për pasaportën greke, sepse të gjitha pasaportat dhe vendet BE-së i bënë njësoj ajo pjesa tjetër që shkruhet aty, Bashkimi Europian.
Dhe me pasaportën e BE-së drejtpërdrejt kanë njohjen e pensioneve dhe drejtpërdrejt bëjnë transferimin e pensioneve nga këtu atje, etj, s’kanë nevojë më fare as për të negociuar me qeverinë greke, as për të marrë nga qeveria greke aprovimin që ne po e bëjmë, dhe qeveria greke është e hapur për ta diskutuar, për të mund të marrë vite kjo punë. Ne me Italinë na mori gjithë atë kohë ratifikimi në parlament, ndërkohë që me pasaportën e BE-së nuk ka më probleme të tilla. Me pasaportën e BE-së, futesh në sistemin e sigurive shëndetësore të BE-së. Ke kartën, kartën e BE-së dhe me atë kartë që është karta e sistemit të sigurimeve shëndetësore BE-së, ti shkon në çdo spital, ndalon në çdo ambulancë kur ke nevojë dhe trajtohesh si qytetar i atij vendi ku je, si spanjoll në Spanjë, si francez në Francë dhe në fund merr po ato të drejtë, gëzon po ato të drejta rimbursimi, si ata që janë atje.
Tani, këto ose prindërit që kanë sot fëmijët 14 vjeç, po çfarë rëndësie ka? Janë me kënetën, a me kë janë nga pikëpamja politike? Fëmijët 14 vjeç, mbas 4 vjetësh bëjnë 18 dhe mund të dëshirojnë të shkojnë në studiojnë jashtë, nëse ne arrimë të mbyllim negociatën dhe arrimë ta fusim Shqipërinë në BE dhe në 2030 të jemi anëtarë, pasi mbas negociatave kemi marrë edhe miratimin në gjithë parlamentet. Fëmija që është sot 14 vjeç shkon atje si student BE-së, jo si student i huaj. Që do të thotë, nuk ka tarifa ekstra, nuk ka kuota e të tjera të tjerë, po përkundrazi, është njësoj si të tjerët. Të gjitha këto besoj që janë të mjaftueshme për këdo që të kuptojë që ky nuk është momenti për të diskutuar këta apo ata. Ky është momenti për të diskutuar këtu apo atje, me BE-në komshinj apo brenda në BE. Kjo është vota. Nuk po zgjatem më tutje.
Të tjerat nuk diskutohet që në nivelin e fushatës, në nivelin e komunikimit ju do t’i trajtoni të gjitha investimet, shërbimet. Për disa ditë ne do të bëjmë edhe publikimin e objektivave të programit tonë qeverisës, se ne kemi program qeverisës, nuk kemi program elektoral; program elektoral në kuptimin që i jepet sot kur na thuhet ne ‘Ju nuk keni program’ janë për ata që nuk kanë gjë në dorë. Bën një program elektoral dhe thua ‘Do t’i bëjmë pensionet 500 Euro’, i bën nuk diskutohet, se nuk ke gjë në dorë dhe nuk do të të vijë radha që të të thonë ‘Pse nuk i bërë?’ se nuk do kesh gjë në dorë ndërkohë që ne kemi qeverinë, do kemi qeverinë dhe çfarë do themi, çfarë themi ne duhet dhe do ta bëjmë.
Shumë faleminderit dhe meqenëse e nisa me një trajtim ekskluziv të Vlorës ndryshe nga prezantimet e tjera, do dëshiroja që të mos ta mbyllnim kështu por të bënim një fotografi të përbashkët me vajzat dhe me gratë që janë këtu. Do më falni, do më falësh o Vaso se unë me gratë dhe vajzat e kam, burrat vijnë gjithmonë mbrapa, e di Damiani dhe nuk është dakord me mua me këtë sepse ky është nga bregu dhe është kokfortë megjithëse dhe andej nga bregu gratë e mbanin turrën e druve në kurriz, nuk e mbanin burrat.
Ky është ansambli më improbabël që mund të mendohej në Vlorë ,se këtu janë dhe koka të forta shumë, nuk është problem vetëm i bindjeve. Ansambli më improbabël nga një shtyllë e Partisë Socialiste tek një dritare e Partisë Demokratike, nga një socialiste e çmendur, tek një përfaqësuese e çmendur e shoqërisë civile, nga një vlonjate që kur flet, flet si mitraloz e ikur dhe e kthyer tek një vlonjate që nuk ka ikur kurrë dhe nuk ka ndërmend të ikë, edhe deri tek qershia mbi tortë, përfaqësuese e komunitetit rom, por kush e dëgjon dhe kush bisedon me të është vërtetë krenar që i jepet mundësia të flasë.
Ky është ansambli politik në anën e gjinisë më të bukur. Gjinia më pak e bukur, hajdeni këtu tani. Gjinia më pak e bukur ka që nga çami e deri tek greku, që nga bregasi deri tek parketi i basketbollit, që nga një lab me kokën e madhe, siç e shikoni, dhe me durimin heroik, është një nga lebërit e paktë që njoh që është i durueshëm, Vullneti e deri tek një tjetër lojtar i perspektivës që kemi këtu nga komuniteti çam këtu në Vlorë dhe tek Pirro. Po ti nga je more? Ky është i përzier, i ka të tëra por në fund del tek Vlora dhe unë pastaj që jam që mos qofsha.
Shumë faleminderit të tërëve dhe dëgjoni të gjithë ju vlonjatët këtu. Jeni me PS-në a jeni me kë të doni, në 11 maj ju duhet të jeni me historinë e këtij vendi që kur vjen puna tek historia nuk gabon kurrë.
Në 11 maj futini një qepalla këtu njëri-tjetrit që të futemi në Bashkimin Europian pastaj u futëm në Bashkimin Europian? Ndahuni prapë, zihuni prapë se këtë punë keni ju.
Harrova dikë! Ky është ç’ është. Ky është një social si puna e Brunës, denbabaden por ky e ka kokën që ju them unë juve që nëse vë shkëmbin atje dhe ky i bie, shkëmbi thotë ‘Më dhëmbi’.