Partia Socialiste e Shqipërisë

Prezantimi i kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë e Belshit, Arif Tafani

Fjala e Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan, Damian Gjiknuri:

Mirëdita!

Përshëndetje Belshi!

Fantastik ky takim në këtë vend të mrekullueshëm që patjetër natyra e ka bërë të bukur, por dhe njeriu ka vënë dorë; Dhe kur themi njeriu ka dorë besoj të gjithë qytetarët e Belshit e dinë.
Dora e qeverisjes socialiste e ka transformuar këtë vend. Ka bashkuar natyrën e bukur dhe atë ç’ka mund të bëjë njeriu të bukur. Në fakt këtu në Belsh ne kemi krenari, sepse shikojmë një qytet të transformuar, shikojmë një bashki të transformuar. Belshi është një nga vendet që i bën krenar të gjithë, aq më tepër ju që jeni nga ky vend.

Më 14 Maj ne kemi mundësinë që mesazhin tonë nëpërmjet votës, ti themi përpara dhe njëherë Arifit, i cili ka gjurmët e tij në këtë zhvillim të bashkisë, patjetër jo vetëm, bashkë me Edi Ramën se dhe ai i vetëm s’mund ti bënte këto.

Pse e them këtë dhe kush është arsyeja që ne e rikandiduam prapë Arifin. Unë e kam thënë dhe herë të tjera, Arifi është njeriu që di të punojë, di të respektojë njerëzit, por mbi të gjitha ka vizion për zhvillimin e Belshit. Nuk është rastësi që kjo bashki dhe ky kryetar bashkie, Arifi, ka qenë shtytësi më i madh i projekteve zhvillimore të Belshit, sepse ka ditur ti prezantojë ato, ka ditur të marrë vëmendjen e kryeministrit dhe patjetër ai meriton të marrë mbështetjen tonë.

Prandaj them që vota për Arifin dhe Partinë Socialiste është një votë për të ecur përpara për zhvillimin e Belshit. Alternativë tjetër këtu nuk ka. Alternativa që këtu kemi përballë ju e dini që ka qenë një ish-kryetar që e kanë nxjerrë tani si fosilet e historisë dhe po ua sjellin prapë qytetarëve të Belshit, që do të na çojë në atë kohën kur në Belsh të vinte turp të vije, sepse këtu ishte një gjol. Një gjol i rrethuar nga një grumbull godinash dhe që s’kishte as edhe një vlerë për t’u parë.

Pra gjithë kjo natyrë e bukur, shëmtuar nga dora njerëzore. Pikërisht ato duar njerëzore duan të na riciklojnë, pra fosilet e historisë të na i sjellin prapë. Pra ajo martesa e re me zakone të vjetra, edhe ky përfaqësuesi i tyre këtu, që kur vjen ju kërkon votën thotë unë jam djali juaj.

Kur i thoni ju kush të ka sjellë? Sali Berisha me Ilir Metën. Se në fletën e votimit Ilir Metën kanë ata, BF, Ilir Meta alias Bedriu. Praktikisht kjo është oferta që i sjellin Belshit. Po pse do kthehemi ne në atë kohë? Unë besoj se s’duhet të kthehemi më në atë kohë dhe jam i bindur që qytetarët e Belshit nuk kanë as arsyen më minimale që të kthehen në atë kohë, sepse zhvillimin e shohin me sy.

Nga ana tjetër dua t’ju them dhe dy gjëra përpara se t’ja jap fjalën kryetarit të bashkisë. Ne votojmë jo vetëm për kryetarin e bashkisë, nuk diskutohet që Arifi është i fituar, por votohet dhe për Këshillin Bashkiak. Jepini votat Partisë Socialiste për Këshillin Bashkiak. Jepini që ai të mos mbetet peng i vendimmarrjeve meskine të vogla të përfaqësuesve që vijnë edhe si kushërinj.

Dua t’ju them një episode me kushërinjtë, se dhe unë meqenëse nënën e kam nga Elbasani mu shtuan kushërinjtë gjithandej. Dilnin kushërinj. U thashë ore ku keni qenë kaq shumë se kur përcolla tim atë në botën tjetër nuk ishit kaq shumë?
Dua të them se kushërinjtë mendojnë në radhë të parë për interesin e tyre, kur ju kërkojnë votën e këshillit. Mendoni për interesin tuaj jo për interesin e tij të vogël. Prandaj votat çojini për Këshillin Bashkiak te Partia Socialiste që ky, Arifi, ti ketë krah. Dhe hallet dhe problemet tuaja qajini tek Partia Socialiste.

Në fund vota më 14 Maj ka dhe një mesazh të rëndësishëm për politikat e Qeverisë Rama, se e kemi këtu Kryeministrin dhe i themi mirë se erdhe, Belshi të respekton dhe vlerëson. Më 14 Maj ne votojmë edhe për atë politikë të mirë të majtë të Partisë Socialiste për rritjen e pagave të administratës dhe rritjen e pagës mesatare çdo shqiptari. Ky nuk është thjesht shpërblim për njerëzit, por investim për të ardhmen tonë për djemtë dhe vajzat e Belshit, të cilët mbarojnë shkollën dhe duan ta ndërtojnë jetën dhe të ardhmen këtu. Ku ka më bukur se ky vend. Pse duhet të shkojnë jashtë ato? Me një pagë dinjitoze, me një karrierë më të mirë, patjetër Belshi është vendi më i bukur në botë.

Më 14 Maj jam i bindur që politika e rritjes së pagave do të çojë në rritjen e kontributit në skemën e sigurimeve shoqërore. Ditë më të mira do të vijnë dhe për pensionistët, të cilët vërtet kanë qenë njerëzit që kanë sakrifikuar më shumë dhe më vjen mirë, që qeveria 6 muajt e fundit ka dhënë shpërblime të herëpashershme, por jam i bindur që rritja e pagës mesatare do të ndikojë edhe në rritjen e pensioneve.
Prandaj më 14 Maj të gjithë pensionistët të mendojnë dhe në këtë dimension dhe votën ta çojnë tek forca që i çon përpara. Arifi, Partia Socialiste, mbi të gjitha komandanti ynë, kryetari Edi Rama.
Suksese Arif, suksese Belshit!