Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Tropojë, takim me njerëzit për punët e realizuara të bashkisë dhe perspektivën e zhvillimit të qytetit

Të reja

Tropojë, takim me njerëzit për punët e realizuara të bashkisë dhe perspektivën e zhvillimit të qytetit

04 Nov 2022    

Tropojë, takimi me njerëzit për punët e realizuara të bashkisë dhe perspektivën e zhvillimit të qytetit

Qytetarë të Tropojës, të rinj e të moshuar ishin sot së bashku me kryeministrin Rama në takimin e radhës mbi ç’ është bërë deri tani e çdo të bëhet më mirë në të ardhmen për Tropojën e zonat përreth.

 * * *

Mirë se ju gjeta dhe shumë faleminderit për praninë tuaj! Unë kam ardhur në vijimësi në Tropojë dhe sot mund t’ju them që sot jam vërtetë i inkurajuar nga ndryshimet që janë të dukshme dhe mbi të gjitha nga fakti që diçka që e ndjeva rrugës, ma konfirmoi  kryetari i bashkisë, që ka një rritje të vazhdueshme të ndërtimeve, të investimeve që njerëzit bëjnë për shtëpia të reja, të cilat janë vila në kuptimin e plotë të fjalës dhe ç’ka tregon se njerëzit e ndjejnë që gjërat po ndryshojnë dhe që potenciali i jashtëzakonshëm që ka kjo zonë po fillon pak po ndjeshëm që të zbërthehet në mundësi.

Nga ana tjetër, fakti që këtë vit numri i vizitorëve në Tropojë, vendas dhe të huaj, që kanë kaluar nga këtu, që kanë qëndruar gjatë ditës apo që edhe kanë fjetur këtu, ka shkuar në afro 150 mijë. 

150 mijë vizitorë të interesuar për bukurinë e kësaj natyre për traditën, për ushqimin, është diçka e pa imagjinueshme nëse kthejmë kokën pas dhe kujtojmë se çfarë situate ishte këtu kur ne kemi marrë detyrën. Ishte një vend, ku bukuria vriste në kuptimin e vërtetë të fjalës sepse natyra fantastike ka qenë këtu gjithmonë, por çdo gjë që kishte të bënte me jetën e njerëzve, ishte vërtetë dëshpëruese dhe nuk është se ne kemi bërë ndonjë mrekulli këtu, por kemi bërë hap pas hapi, disa ndërhyrje, të cilat më pas i kanë hapur rrugë ndërhyrjeve që kanë bërë vetë njerëzit dhe kështu që sot kemi një vend ku mund të flitet pa asnjë droje për një potencial të madh turistik, i cili siç e thashë, sapo ka filluar të zbërthehet, por ka një kapacitet të jashtëzakonshëm, ashtu sikundër, këtu kemi filluar të kemi edhe shembujt e parë domethënës të zhvillimit ekonomik, në lidhje me produktet bujqësore. Edhe në këtë aspekt, potenciali është shumë i madh dhe për këtë arsye, gjithçka që është bërë, nuk vlen për të thënë “shiko sa mirë’’, por vlen për të kuptuar që  sa mirë mund të bëhet pasi ndërhyrjet e bëra kanë sjellë me vete menjëherë një reagim të njerëzve në funksion të investimeve, në funksion të kthimit të syve pas për të parë se vlera e pronës, vlera e pasurisë këtu, të secilit është rritur, dhe do të vazhdojë të rritet, po unë nuk dua të ndalem më gjatë tek bashkia sepse kryetari i bashkisë e bëri prezantimin e vet.

Ju e dini më mirë sa unë se çfarë ka bërë bashkia, çfarë duhet të bëjë më mirë, ashtu sikundër dini shumë mirë se çfarë duhet të bëjë ende qeveria për këtë zonë, por do të përpiqem të flas për situatën e përgjithshme sepse jemi pak në një moment delikat që lidhet me jetën e të gjithëve dhe që ka të bëjë me faktin se jemi pjesë e një bashkësie vendesh të përfshira në  një aleancë, ndaj së cilës është shpallur një luftë. Lufta në Ukrainë nuk është një luftë, e cila synon thjesht Ukrainën dhe projekti i Kremlinit nuk është thjesht që të aneksojë disa copa nga Ukraina lindore, por është që përmes luftës në Ukrainë, të gjunjëzojë të gjithë perëndimin e Rusisë, që do të thotë të gjitha vendet që janë pjesë e kësaj bashkësie së cilës edhe ne i përkasim.

Bombat , shkatërrimet, vrasjet, plagët e mëdha hapen në Ukrainë, por lufta na ka prekur të gjithëve sepse edhe kthimi i energjisë në armë për të sulmuar shtetet e për të sulmuar popujt, edhe inflacioni i luftës janë të dyja të menduara shumë mirë për të trazuar vendet e perëndimit dhe për të prekur sa më thellë njerëzit në këto vende. Inflacionin nuk e kemi sjellë ne, nuk e ka sjellë ndonjë aktivitet i brendshëm i vendit tonë apo ndonjë pasojë e zhvillimit apo moszhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit, por e ka sjellë lufta.  Dhe inflacioni i luftës është një koncept i njohur që ne sot po e shikojmë se si po prek në të gjithë hartën e Evropës dhe përtej Evropës. Ashtu sikundër rritja stratosferike e çmimit të energjisë synon pikërisht qe të krijojë një ‘’koktej vrastar’’ bashkë me inflacionin. Kjo është arsyeja pse ne qysh në fillim kur sapo u dukën shenjat e krizës së çmimit të energjisë pa filluar lufta, mbase ndonjërit mund t’i kujtohet se unë kam dalë dhe e kam paralajmëruar këtë gjë dhe atëherë reagimi i atyre që kanë një mikrofon apo kanë një mundësi të komunikojnë me publikun, ishte që kjo është një sajesë, s’ka krizë, kjo është thjeshtë dhe vetëm një përpjekje e Edi Ramës që të shpikë një tjetër krizë sepse ai vetëm në kriza di se çfarë duhet të bëjë etj. Në fakt, kriza ishte paralajmërim i asaj që erdhi me pas dhe kriza është ulur sot këmbëkryq në të gjithë Evropën ku çmimet e energjisë kanë shkuar në stratosferë dhe ne vendosëm që atëherë që të ngremë menjëherë një mburojë financiare për të gjitha familjet dhe për të gjithë biznesin e vogël që të mos preken nga kriza e çmimit të energjisë.

Dhe sot e gjithë ditën , faturat e energjisë elektrike në shtëpitë tuaja vijnë  me çmimin qe ishte para krizës dhe në ato fatura ju vazhdoni të paguani çmimin e para krizës, duke paguar vetëm 20% të faturës.  80%  të faturës së energjisë në faturat tuaja i paguan shteti përmes buxhetit dhe mbi vendimin e marrë nga qeveria  për t’i mbrojtur konsumatorët familjarë.

Ashtu sikundër, edhe bizneset e vogla vazhdojnë e paguajnë energjinë, njësoj siç e paguanin përpara krizës dhe gjithë diferencën e paguan shteti. Është 450 milionë euro kostoja e kësaj mburoje për familjet dhe biznesin e vogël.

Por ama, duke mbrojtur edhe biznesin e vogël, ne kemi bërë të mundur që rritja e çmimit të mos reflektohet tek faturat e produkteve që njerëzit blejnë nëpër dyqane. Kështu, inflacioni i luftës, i cili është i pa shmangshëm totalisht, në Shqipëri është më i ulët sesa në vendet e tjera të rajonit dhe ne duam të vazhdojmë ta mbajmë më ulët sesa vendet e tjera të rajonit,  duke vazhduar të kompensojmë për çmimin e energjisë. Tani shumëkush thotë ne s’kemi lidhje me luftën, sepse ne nuk kemi lidhje me Rusinë, ne nuk kemi gaz, ne nuk ngrohemi me gaz dhe ndërkohë ne energjinë elektrike e kemi nga lumenjtë.

Në fakt, dritat nuk i ndezin lumenjtë, dritat ndizen nga fakti që kemi një sistem që nga hidrocentralet e bie energjinë tek çelësi. Nëse hidrocentralet nuk janë plot me ujë, në kushtet kur siç e shihni tani, - sot filloi të ketë disa re, por prej ditësh ka shkëlqyer dielli - atëherë ne jemi të detyruar që të dalim ta blejmë jashtë dhe në momentin që ne dalim jashtë, ne jemi të varur nga çmimi i energjisë elektrike që ka treguar ndërkombëtar, i cili është ai çmimi i tmerrshëm që pastaj reflektohet tek buxheti për të kompensuar faturën tuaj që të mos vijë tek ju. Dhe Shqipëria ende nuk e prodhon të gjithë energjinë për të cilën kemi nevojë, por në kushtet kur ka reshje dhe kur ka hidrocentralet plot prodhonin vetëm 75%.

25 % ne duhet ta blejmë jashtë. Kur nuk janë reshjet e nevojshme, edhe më shumë. Për këtë arsye, ne po përpiqemi të kemi një rritje të burimeve të prodhimit të energjisë me parkun e ri me energji diellore që ka filluar të ndërtohet në zonën e Karavastasë; me parkun tjetër që së shpejti do të jetë në ndërtim mbasi janë kaluar të gjitha proceset në zonën e Spitallës; me procesin që kemi hapur bashkë me Bankën Europiane për energjinë e erës; me Skavicën për të cilën vazhdojmë punën me kompaninë e madhe amerikane; me terminalin e gazit të lëngshëm në Vlorë dhe kështu me radhë. Dhe të gjitha këto, ne do të kemi 2 faza zhvillimi. Deri në 2025-n do mund të kemi 100% të kapacitetit prodhues për të përballuar nevojat tona, për rastet, për vitet kur kemi reshje të mjaftueshme. Ndërsa për vitet kur s’kemi reshje të mjaftueshme, për ta përmbushur gjithë kapacitetin do të jetë viti 2029. Pastaj Shqipëria do jetë totalisht sovrane, nuk do ketë më asnjë lloj problemi dhe asnjë lloj lidhje me tregjet ndërkombëtare. Nuk do duhet më të blejë energji, por thjeshtë dhe vetëm do ta shesë energjinë jashtë, pasi të ketë plotësuar nevojat e veta. Ky është një hap historik shumë i rëndësishëm për të cilin ne po punojmë dhe do vazhdojmë të punojmë derisa ta realizojmë plotësisht.

Pjesa tjetër e kësaj situate është mbështetja për njerëzit mbështetja për ata që janë më në nevojë në radhë të parë dhe pastaj mbështetja për të gjithë sepse inflacioni i luftës i ka prekur të gjithë dhe të gjithëve u duhet dhënë një mbështetje.

Ne faktikisht kemi rritur pagat e të gjithëve këtë vit, pa asnjë përjashtim. Disave më shumë, disave më pak, por pagat e të gjithëve janë rritur. Ashtu sikundër, pensionet janë indeksuar dy herë, gjë që nuk ka ndodhur në asnjë vit tjetër, por ky është një vit shumë i veçantë për nga barra për shkak të inflacionit të luftës. Kemi një rritje mesatare të pensioneve me 10 %. Pas gjithë vështirësive, ne përsëri e kemi garantuar që pensionistët në fillim të muajit dhjetor do marrin edhe një bonus mbështetje prej 50 mijë lekësh dhe me buxhetin e ri kemi garantuar që edhe vitin e ardhshëm të mbështesim përsëri, qoftë me rritje pagash, qoftë me rritje pensionesh, qoftë me rritje të ndihmës ekonomike, qoftë me rritje të mbështetjes veçanërisht për nënat me dy fëmijë dhe për nënat me tre fëmijë, kryefamiljare dhe patjetër edhe për të vazhduar të gjitha ato punë dhe të gjitha ato investime, të cilat na sjellin më shumë të ardhura me të cilat pastaj përsëri do të mbështesim. Një nga gjërat qe kemi parashikuar është taksa e jashtëzakonshme mbi prodhuesit e mëdhenj të energjisë. Shqipëria ka tre prodhues të mëdhenj të energjisë, të cilët kanë fitime marramendëse e në këto kushte, e shesin energjinë jashtë dhe fitojnë jashtëzakonisht shumë, natyrisht ky nuk është faj. Fati e solli që për ta, ky mallkim për Europën, ky mallkim për gjithë pjesën tjetër, të jetë një bekim. Por ne nuk mundet dot që ndërkohë që këtu nevoja për të mbështetur ata që janë më ne nevojë, kam parasysh në radhe të parë të moshuarit të mbetet e pa adresuar si duhet sepse disa të tjerë kanë fitime marramendëse. Kështu që, një pjesë të atyre fitimeve ne do t’i marrim me një taksë të jashtëzakonshme dhe direkt siç do t’i marrim do tua japim, në radhë të parë pensionistëve dhe pastaj të gjithë të tjerëve sipas mundësisë. Tjetra është nevoja për të vazhduar të ecim me gjithë procesin e mbështetjes së të rinjve, të fëmijëve tuaj, të nxënësve, të nxënëseve, në 9 vjeçare, në gjimnaze, në universitete me të gjitha programet e reja, që ne kemi konceptuar dhe besoj që të gjithë prindërit do ta ndiejnë shumë shpejt që për fëmijët e tyre do të rriten mundësitë për të pasur aktivitet jashtëshkollor dhe aktivitet të dobishëm, aktivitet të shëndetshëm, aktivitetet fizik, aktivitet intelektual dhe patjetër aktivitet për të mësuar sa më shumë gjuhën e teknologjisë. Në fund fare dua të shtoj se, për fat të keq, ne jetojmë në një situatë që nuk e kemi zgjedhur, por na ka zgjedhur. Është e treta radhazi, por është edhe më problematikja nga të treja sepse tërmeti ishte një fatkeqësi e madhe, mori për fat të keq jetën e disa dhjetëra njerëzve, shkatërroi gjithçka për disa mijëra familje, por nuk preku pjesën tjetër. Natyrisht preku projekte, preku investime të cilat u detyruam t’i ndryshojmë si kohë për të marrë një pjesë të fondeve, për t’i çuar për rindërtimin e shtëpive, por e gjitha kjo ndodhi në kushtet e një solidariteti të madh nga pjesa tjetër. Pandemia i kërcënoi të gjithë, por nuk i preku të gjithë, preku një pjesë. Ashtu sikundër erdhi për të bërë dëm por megjithatë, pandemisë mjafton të mos i dilje përpara dhe i shpëtoje.

Inflacioni i luftës nuk të lë pa të prekur kudo të jesh sepse sa herë që do fusësh dorën në xhep për të blerë çfarëdo qoftë, inflacioni i luftës të vjen të kap dorën dhe të thotë, “dua pjesën time”. Ne dhe asnjë qeveri, asnjë shtet nuk e eliminon dot. Ajo që një qeveri mund të bëjë dhe ajo që po përpiqen qeveritë të bëjnë është ta zbusin, por për ta eliminuar, nuk e eliminojnë dot.

Në këto kushte, ne kemi dhe një problem tjetër. Ne kemi një mjedis publik ku Kremlini ka përfaqësuesit e vet dhe ky është një problem shumë i madh sepse në këto kushte nuk bëhet fjalë që ne të bashkohemi të gjithë në një parti, as që të gjithë të biem dakord me mënyrën sesi qeveria, partia në pushtet i zgjidh problemet sepse për këto mund të bëhet debat, “duhet bërë kështu, duhet bërë ashtu, i duhet dhënë më shumë këtyre apo më shumë atyre, duhen ndërprerë ky investim”, të gjitha debate totalisht legjitime.

Këtu çështja është që ne po pengohemi dhe kur them ne, jo qeveria, por ne si vend po pengohemi nga një përfaqësi politike e shndërruar në një aleancë, sot dhe formalisht, për t’u marrë vesh për faktin se jemi nën presionin e një lufte, një lufte që vjen nga një agresion armiqësor, jo thjesht ndaj një vendi që është larg nesh ku për fat të keq që u bien bombat mbi kokë, por ndaj nesh, ndaj bashkësisë sonë, ndaj përkatësinë sonë në këtë bashkësi, ndaj të qenit tonë në një aleancë strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europian dhe në këtë pikë, ne nuk mund të kemi diskutime që është e vërtetë apo nuk është e vërtetë, në këtë pikë nuk mundet dot që mjedisi ynë publik dhe politik të ndahet mes atyre që flasin me gjuhën e gjithë Europës dhe atyre që flasin me gjuhën e Kremlinit.

Ne jemi shumë të shqetësuar sepse kjo e folur me gjuhën e Kremlinit nuk është thjesht çështje marrëzie, as çështje verbimi nga etja për pushtet që “Na erdhi momenti tani që situata ekonomike është vështirësuar e hajde t’i ngremë njerëzit”! Jo, nuk është vetëm kaq. Është dhe kjo pjesë, por e keqja është që brenda janë dhe rublat, janë dhe paratë ruse.

Ndërkohë që, ajo që ne na shqetëson është se sot ne nuk kemi një hamendje, por sot ne kemi një fakt, një fakt të cilin e mësuam disa vite përpara por as vetë ne nuk donim ta besonin që ishte më shumë sesa një lajthitje. Kur doli ai fakt, ne na u tha dhe juve ju tha dhe gjithë njerëzve iu tha që është një sajesë e Soros-it dhe e Edvinit mirëpo që ja përpara pak kohe, raporti i CIA-s doli dhe në raportin e CIA-s u shkruajt, e zeza mbi të bardhë, që Partia Demokratike është financuar me gjysmë milioni dollarë për të rrëzuar qeverinë Socialiste. 

Tani, për çfarë arsyeje duhet të paguajnë rusët një parti shqiptare? Për çfarë, për inat personal me mua? Për një kunjë me Partinë Socialiste? Për të sjellë në Shqipëri një forcë tjetër që do të përmirësojë liritë dhe të drejtat e njerëzve? Për çfarë?

Kur shtetet e tjera, shtete të tjera fusin hundët dhe paguajnë, gjithmonë ka një interes. Ndërkohë që, kur një fuqi si Rusia derdh para për një parti politike, natyrisht që këtë e bën për të pasur një bedel të vetin dhe për të futur influencën e vet, kjo është një gjë botërisht e njohur dhe rusët këtë gjë e bëjnë kudo.

Në momentin kur ti shikon që këtu janë paguar gjysmë milioni për të sjellë Partinë Demokratike në pushtet, i bën pyetjen vetes jo vetëm “Pse?” sepse pse-ja është e qartë por “Prej sa kohësh?” se kjo doli por çfarë tjetër nuk ka dalë? Kthehesh mbrapa dhe kujton e shikon që “Ore kjo gjëja këtu që Partia Demokratike në qeveri, përmes përfaqësuesve të vet bashkon qëndrimin, bashkon dhe votën me delegacionin rus, të partisë së Putinit në Këshillin e Europës për të votuar një rezolutë në Këshillin e Europës, ku akuzohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës si një bandë trafikantësh të organeve njerëzore dhe akuzohet Shqipëria si vendi ku bëhej ky trafik organesh. Si bëhet kjo, si ndodh kjo? Sepse në qoftë se atë do ta kishin bërë të gjithë, do ta kishim bërë dhe ne. Edhe ne ishim atje, ishim në opozitë, kishim përfaqësuesin tonë atje dhe nuk e votoi. Si mund të votohet një rezolutë e tillë, kundër vendit tënd me rusët? Ishte dhe Shpëtim Idrizi që në atë kohë ishte ndarë nga ne, kishte krijuar partinë e vet, nuk e votoi. Si ndodh kjo? Ndërkohë, sot duhet menduar që, çfarë e detyron aleatin tonë më të madh strategjik, Shtetet e Bashkuara që të shpallë  non grata një person që ka qenë president i këtij vendi dhe me të cilin Shtetet e Bashkuara kanë pasur bashkëpunim, që ka qenë kryeministër i këtij vendi dhe me të cilin Shtetet e Bashkuara kanë pasur bashkëpunim?

Korrupsioni ok, po mjafton për të shpallur non grata një personalitet të një vendi aleat? Minimi i demokracisë, po si? Intimidimi i drejtësisë, dakord!

E pra miqtë e mi, unë po ju them që në dritën e çfarë po ndodh sot, duhet lexuar deri në fund edhe ai qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe në dritën e çfarë po ndodh sot duhet të kujtoheni pak edhe për fushatën e 2021, kur unë i thosha Lulit, Lul, ndahu nga ata të dy. Mua nëpër të gjitha këto klubet e natës televizive më ktheheshin e më thoshin “po ç ‘punë kanë ata të dy. Njëri është një burrë i vjetër, në pension, në punë të vetë. Tjetri s’ka lidhje fare se është president”. Po tani që Luli s’është dhe ata të dy na qenkan? Prandaj i them të gjithë atyre që e shikojnë këtë çështje si çështje politike të brendshme. Kjo nuk është çështje politike të brendshme. Të gjithë atyre që e shohin këtë çështje si çështje PS, PD kjo nuk është çështje PS, PD. Të gjithë atyre që e shohin këtë çështje si pushtet-opozitë, kjo nuk është çështje pushtet-opozitë! Kjo është më shumë se kaq. Kjo është një çështje mirëfilli shqiptare dhe kjo është me cilën anë Shqipëria është, me kë? Ku rreshtohet Shqipëria në këtë situatë? Rreshtohet me aleancën në të cilën jemi me fjalë dhe me vepra apo rreshtohet si një vend ku me fjalë jemi në atë aleancë se nuk guxon njeri të thotë s’jemi, po me vepra bëhemi një anëtar i gjymtuar i kësaj aleance. Është shumë e thjeshtë. Aq sa e pamundur duket, aq e vërtetë është.

Çfarë kërkon Putini? Putini kërkon që në vendet e NATO-s të ketë rrëmujë. Çfarë po kërkojnë këta? Rrëmujë! Rrëmujë! Sepse zgjedhjet janë në maj. Çfarë do me thënë kjo “ne do vijmë do marrim zyrën, do marrim çatinë, ballkonin, hajdeni njerëz çohuni”. Çfarë do me thënë kjo?! Mendoni që është pa lidhje? Jo, ka shumë lidhje se për të marrë do marrin “noc rrokun”. Problemi është që Shqipërisë i bëjnë një dëm të madh dhe duke e çarë gjithë pjesën që është e angazhuar apo e interesuar për politikën, në këtë formë angazhojnë për hesap të Kremlinit një pjesë të shqiptarëve që në mënyrë krejt të pavetëdijshme dhe absolutisht të paqëllimshme bëhen vegla të pikërisht këtyre veglave, po me një ndryshim. Këto vegla paguhen për ta bërë këtë punë. I morën gjysmë milionë dollarë për të ngritur sherrin e shamatanë dhe për të rrëzuar Partinë Socialiste. Na del që çadra financohej me para ruse. Kështu del, për çfarë i morën lekët? Çadra financohej me para ruse. Historia vazhdon. E si mund të bëhesh vegël e këtyre, si mund të pranosh njëherë që të shkosh mbas një partie për të cilën aleatët më të mëdhenj të thonë: Shiko, me partinë s’kemi gjë, po për sa kohë kjo parti është në duart e kësaj vegle, as me këtë parti s’kemi punë. Ti si shkon?! Çfarë do të thotë kjo që ne jemi sovranë, ne kemi të drejtën?!

Patjetër jemi sovranë, patjetër kemi të drejtën tonë, por ama ne nuk mund ta përdorim as sovranitetin, as të drejtën tonë për të imponuar këtu një qëndrim që bie ndesh me interesat kombëtare dhe strategjike të Shqipërisë. Kjo është e thjeshtë. Mund të kesh 1001 arsye që të mos duash ta shohësh fare me sy Partinë Socialiste, qeverinë e Partisë Socialiste, mua po e po se jam dhe i gjatë e nuk shihem me sy, çështja është që asnjë nga këto arsye nuk të justifikon që të shkosh mbas veglave të Kremlinit e të zhytesh në çorbën e parave ruse. Nuk të justifikon, aq më tepër që paratë ata i mbajnë për vete e nuk i ndajnë me askënd. E ju dalin lakrat më vonë, por këtë herë nëse lakrat mund të dalin më vonë, mund të jetë shumë vonë.

Unë nuk kam asnjë dyshim që asgjë nga këto nuk kërcënon shumicën, sepse shumica nuk është as qeveria, as grupi parlamentar, as vetë struktura e Partisë Socialiste. Shumica janë njerëzit në shumicë që nuk i hanë këto lloj lojërash. Përtej kësaj, kjo kërcënon dinjitetin tonë si komb, si popull, si vend. Ne nuk mund të jemi një popull që të marrim një pamje karagjozësh, ku qoftë edhe 20% e jo më 30% t’i shkojnë mbrapa veglave të çorbës ruse. Njerëzve të verbër që janë gati të kthehen jo me Rusinë, po me djallin vetë për pushtetin e tyre, për t’i ikur drejtësisë e për 1001 arsye personale për të cilat torolisin një popull të tërë. Tërheqin për hunde gjithfarë njerëzish që janë të mërzitur, të dëshpëruar, të inatosur që kanë të gjitha të drejtat e tyre të jenë të tillë. Po si mund të shkosh mbas tyre. Si mundet ne të dalim kundër interesave tona kombëtare. Për çfarë dinjiteti, respekti për vete, krenarie flasim ne në rast se ne arrijmë të kapim këtë majë karagjozllëku që t’i bëjmë karshillëk aleatit tonë më të madh strategjik duke folur broçkulla. Kjo është e vërteta e kjo është diçka që duhet ta evitojmë me çdo kusht e për këtë duhet të flasim me të gjithë ata njerëz që mendojnë e thonë të kundërtën.

Bujrum, hajde bëjmë debat sa të duam për çështjet e brendshme, po ne nuk mund të debatojmë a ka luftë a s’ka luftë. Ne nuk mund të debatojmë a është inflacioni i luftës, apo është pasoja e qeverisë. Ne nuk mund të debatojmë gjëra që janë si drita e diellit. As nuk mund të debatojmë që në këto kushte duhet bashkim, duhet unitet. Jo për tu bashkuar partitë, po për një ide bazë që ky vend është pjesë e një aleance strategjike e cila është e kërcënuar drejtpërdrejt nga gjunjëzimi, e gjunjëzimi nuk vjen me avion sipër. Gjunjëzimi vjen pikërisht në këtë formë. Mjafton të bësh rrëmujë, e të bësh konflikt e të ndezësh zjarret e vjetra për të çuar në një ndarje e cila nuk premton asgjë të mirë dhe nuk është çështja, e thashë, e marrjes së pushtetit, se s’kanë ça marrin, siç kanë marrë më parë kanë për ta marrë prapë, nocin domethënë, por këtu është fjala për të mbajtur në ekuilibër vendin, për të mbajtur në ekuilibër kombin, për të mbajtur në ekuilibër veten tonë, për të mbajtur në ekuilibër dinjitetin tonë.

Ju falënderoj shumë!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm