Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama me gratë dhe vajzat socialiste të Kamzës
Përshëndetje të gjithave! Përshëndetje të gjithave dhe është realisht e pabesueshme të mendosh se nga jemi nisur dhe të shikosh këtë lum vajzash dhe grash, që nuk i duket fundi.
Pikërisht këtu, në këtë bashki që ishte fortesa e burrave, e zhytur në llum ku sot është një bulevard i mbushur me gra dhe vajza dhe deri dje ishte një kanal, ku baballarët mbanin në krahë fëmijët për t’i çuar në shkollë dhe Elisa përmendi që bashkia e Kamzës ka sot 70% gra, por kur këtu ishte kanali, bashkia Kamëz kishte 90% burra.
Dhe nëse do të shohësh pse ka ndryshuar kaq shumë Kamza, mjafton të shikosh se si ka ndryshuar bashkia e Kamzës, administrata e bashkisë, falë një burri që e ka kuptuar qysh në krye të herës dhe në fakt unë nuk e di nëse Rakipi e mban mend, po unë e mbaj mend shumë mire, se kur Rakipi e ka prekur forcën e grave këtu në Kamëz. Ka qenë fushata e tij e parë fare, shumë vite më parë, kur ne tentuam t’i japim Kamzës një shans, t’i japim një mundësi të re,një rrugë te re, por nuk mjaftoi dhe në atë kohë, për shumë nga vajzat e reja që janë këtu mund të duket e pabesueshme, por nuk ishte para 100 vjetësh, ishte në vitin 2007, 2011, po.
Ishte në vitin 2011, domethënë një dekadë e pak dhe në disa qendra votimi ishte e pamundur të shkoje në komision sepse aty ligjin e bënin ca burra të dhunshëm dhe Rakipi më kujtohet kur kemi folur, më tha është problem- tha, janë disa pika që aty nuk ka votim, sepse janë disa njerëz të dhunshëm e të marrin me zor votën ose s’të lënë të votosh. Ato pika që ishin më të vështirat, në fakt dolën në fund pikat e vetme ku s’pati asnjë problem. E dini pse? Se Rakipi çoi atje gra në komision.
Kjo ka qenë një nga shumë provat e realitetit kur grave dhe vajzave ju jepet besim, ku gratë dhe vajzat ndihen të mbështetura, nuk ndihen të lëna vetëm, për të bërë atë që ato dinë të bëjnë dhe që për hir të së vërtetës,kur e bëjnë e bëjnë me shumë seriozitet, me shumë korrektesë edhe me shumë guxim e vendosmëri dhe sot ne jemi këtu në një qytet, që mund t’i thuhet qytet sot pa pasur frikë se dukesh qesharak sepse si mund t’i thoshe Kamzës qytet, atëherë, kur siç e tha këtu kandidatja juaj, i vinte turp njerëzve të thoshin që jam nga Bathorja, ndërkohë që të tjerët fjalën Bathore e përdornin për të fyer sepse ishte si të thoje kënetë.
Ti jeton në kënetë, ti je nga këneta dhe sot kjo është një e shkuar pikërisht sepse me guxim, Kamza zgjodhi rrugën e së ardhmes dhe parafytyrojeni pak sikur ta kishe zgjedhur këtë rrugë në 2011 se ku do ishte sot. Pra, Kamza është vendi, ku, kush nuk e kupton akoma se sa e rëndësishme është vota, mjafton të shohë Kamzën, kur vota shkon në drejtimin e duhur dhe kur vota hidhet në drejtimin e gabuar; kur vota shkon për të ardhmen dhe kur vota shkon për të shkuarën; kur vota shkon për punën që duhet mbaruar dhe kur vota shkon për ndeshjen e pakuptimtë që duhet fituar.
Dhe sot është një ditë shumë e bukur për PS, më besoni.
Kjo që unë shoh tani para syve të mi, është një pamje shumë e bukur për PS, se ne për të ardhur deri këtu kemi bërë rrugë të gjatë me disa nga shoqet, zonjat që janë këtu, një rrugë shumë të gjatë. Kur hyje në organizatat e partisë së Kamzës edhe në të shumtën e herës nuk e gjeje asnjë grua, asnjë vajzë, fare, zero, vetëm disa burra të mbledhur si largqoftë në vaki sepse kur ka vetëm burra, diçka mungon, apo jo? Mungon diçka shumë e rëndësishme dhe hap pas hapi, po s’ishte vetëm këtu, ishte në shumë zona të tjera, hap pas hapi ne zgjeruam kufirin, perimetrin e PS, i hapëm dyert grave dhe vajzave, filluam t’i fuqizojmë, filluam të krijojmë shembujt, Lindita që ju keni deputete ishte një nga të parat gra që morën detyra dhe hynë vetë në gara si kandidate për njësinë bashkiake nr. 1 në Tiranë, tek Ali Demi.
Edhe shembuj të tjerë që filluan të shtohen e të shtohen dhe PS kur ne e nisëm këtë përpjekje kishte vetëm 12 % gra, e gjithë partia,imagjinoni. 12 % gra, ishte si bashkia e Kazmës. Dalëngadalë filloi të rritej dhe sot kemi arritur në 40% gra. Është shumë më mirë se sa 12 %, por nuk është mjaft dhe ju, dhe të gjitha gratë dhe vajzat socialiste dhe progresiste nuk duhet të ndaleni pa u bërë 50%. Madje, madje unë them që kjo punë do jetë e kryer, kur ju të jeni 50% dhe 0.1 plus mbi burrat, 0.1 të paktën.
Prandaj objektivi ynë është që sot kemi 39 mijë, rreth 39 mijë gra dhe vajza, duhet të bëhemi patjetër 50 mijë e 1. Dhe do bëhemi. Pa diskutim do bëhemi sepse tanimë të gjitha gratë dhe vajzat e kuptojnë, e ndjejnë dhe prandaj edhe në rang republike, i gjithë elektorati i grave dhe vajzave, 56 % e tyre votojnë PS. Ndërkohë që, ka zona kur kjo shkon edhe 65 %. Besoj që këtu në Kamëz, nuk e kemi matur si Kamëz, s’kemi matur bashkitë, kemi matur qarqet. Po besoj këtu në Kamzë duhet të jetë diçka të 60 %.
35.05 Ama për 11 majin, ju të dashura motra, shoqe nuk duhet të mjaftoheni me çfarë shihni, me çfarë kuptoni sot, po çdo ditë, çdo orë duhet të bëni çdo përpjekje që të shtoni radhët e votave të sigurta të Partisë Socialiste në radhë të parë nga gratë. Dhe duhet të punoni, bisedoni, bashkëpunoni me gratë demokratë, të cilat e kuptojnë shumë mirë, sepse e kanë shumë më të shpejtë kalimin nga politika në realitet, nuk e kanë si burrat. Burrat kur janë tifozë janë çyryk, nuk shofin, shofin ngjyrën e fanellës, ulen pinë raki, bëjnë politikë të madhe dhe nuk e kuptojnë që në fund të ditës politika nuk është një ndeshje futbolli, zgjedhjet nuk janë një stadium dhe vota nuk është një biletë për ta prerë dhe të shkosh të bërtasësh për skuadrën.
Kjo është një zgjedhje për si do shkojnë të gjitha punët e mira përpara dhe në rastin konkret për 11 majin kjo është një zgjidhje shumë më e madhe se sa si do shkojnë punët përpara, kjo është një zgjedhje shumë më e madhe sesa investime do bëhen, se sa çerdhe e kopshte do shtohet, e sa, e sa e sa. Sepse kjo është zgjedhje për historinë, na e ka sjell fati sot në dorë, që ne të mund të vendosim për historinë në 11 maj si shqiptar e si shqiptare.
Kur Gjergj Kastrioti, profeti i historisë tonë kombëtare i vuri gjoksin perëndimit, ai bëri zgjedhjen, bëri zgjedhje profetike për të gjithë ne që të shikojmë andej nga rilindasit, pastaj shkruan “dielli lind aty ku perëndon në Europë”. Nuk kishte Bashkim Europian atëherë, s’kishte Bashkim Europian as kur u ndamë nga perandoria dhe vendosëm të shohim nga Europa, s’kishte Bashkim Europian as më vonë dhe ne shqiptarët, ne populli, nuk e patëm kurrë mundësinë të bënim zgjedhjen tonë derisa ajo mundësi na erdhi me rënien e regjimit komunist.
Kur u bëmë i vetmi popull i Europës komuniste, që pa na e thënë kush, e nxorëm nga shpirti, e duam “Shqipërinë si gjithë Europa” dhe shikoni sa shumë u vonuam.
Shikoni sa shumë u vonuam, njësoj si këtu në Kamzë, sa shumë, sa shumë, sa shumë u vonuam. Sa shumë u vonuan nëpër kanale e nëpër llum, duke rendur mbas berihajit.
Pashë bufin e kënetës kishte ardhur diku këtu në një shesh, në rrugë, edhe thoshte do t’iu marrim paratë qytetarëve dhe pastaj do ia japim prapë qytetarëve, se ne kemi një eksperiencë. Është e vërtetë, ka eksperiencë! E provuam njëherë, duke shkuar mbas bufit, ço para te Sudja për të marrë para, dhe pastaj morën Noc Rrokun, në mënyrën më të dhimbshme.
Kështu që, për bufin dhe për kënetën e tij, Kamza dhe Shqipëria në 11 maj do të kenë vetëm Noc Rrokun, jo votën. Sepse është e tmerrshme ta imagjinosh që në 11 maj, shqiptarët duhet akoma të vënë në diskutim se ç’a do zgjedhin, do zgjedhin mes interesit të një populli të tërë apo hallit të një bufi të vetëm. Do zgjedhin midis të mirës së përbashkët të të gjithë shqiptarëve, pa dallim, përtej të majtës, e djathtës, e bluzës, e rozës, apo do zgjedhin për interesin e një shpie të vetme? Do zgjedhin Shqipërinë me BE-në në Europë, apo do zgjedhin të shkojnë me bufin edhe me kënetën prapë në gropë?
Është e paimagjinueshme se si mund të vihet në diskutim dhe si mund të ketë fushatë për këtë punë, është e paimagjinueshme akoma sot.
Tërci, vërci 12 vjet nuk na çoi Edi Rama në BE tani thotë më jepni dhe një mandat tjetër, se tani do ju çoj në BE. Se nuk e kuptojnë, ose bëjnë sikur s’e kuptojnë, ose s’duan ta kuptojnë, ose janë pastaj çyryk fare që janë në të vërtetë një pjesë, burrat dhe nuk dinë fare se si zhvillohet kjo përpjekje.
Ne i kemi hapur negociatat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian vjet. E meqë që nga kjo histori e imja dhe Partisë Socialiste, atëherë pyetja është, po Mali i Zi, që i ka hapur negociatat në vitin 2012-ën përpara se ne të vinim në qeveri, pse nuk ka hyrë në Bashkimin Europian? Po Serbia, që i ka hapur negociatat në 2014-ën kur ne s’ishim bërë akoma vend kandidat, pse nuk ka hyrë në Bashkimin Europian? Po Maqedonia, që në 2005-ën, është bërë vend kandidat, pse s’i ka hap akoma negociatat? Sepse Bashkimi Europian nuk funksionon thjeshtë se çfarë bën ti, por edhe se çfarë interesi ka ai.
Dhe sot, pikërisht pse, çfarë kemi bërë, shumë kemi bërë dhe çfarë duam ne, shumë duam, jo sot, jo prej 30 vjetësh, po prej 500 vjetësh që të bëhemi pjesë e Europës, përputhet me atë që do Bashkimi Europian. Dhe prandaj, ne, Bashkimi Europian, na ka vënë në tavolinë.
(Po mirë, si ka mundësi tani? Po si është e mundur? Një tek pullë çun je këtu dhe fishkëllen, po ç’është kjo histori? A e kuptoni apo jo? E thonë pastaj ça ke ti me, me burrat. Ja pra, një është tek pullë, Rakipi dy, dy veta, njëri fishkëllen. Ça t’i thuash tani, keni pa ju ndonjë grua që fishkëllen, ja urdhëro.)
Tani, një gjë që kemi dashur ne s’na ka qenë e mundur, sepse dera e Bashkimit Europian nuk rri hapur, dera e Bashkimit Europian hapet dhe mbyllet. Hapet në një moment, mbyllet për një periudhë të gjatë.
Sot ata na kanë vënë në tryezë planin që deri në 2027-ën për tre vjet, nuk ka ndodhur kurrë që të bëhen negociata nga asnjë vend ish-komunist për 3 vjet për t’u bërë anëtar të Bashkimit Europian, po ndodh me Shqipërinë. Atëhere mund ta humbim ne këtë shans, mund ta lëmë ne këtë mundësi që të iki, mund ta lëmë ne derën e hapur të historisë të mbyllet, se do merremi “e lagu, se lagu mustaqen e Kujtim Gjuzit”. Kjo nuk mund të ndodhi, ky është momenti kur ne duhet të bëjmë atë që bën shqiptarët në ‘92.
Në 92 Partia Demokratike në atë kohë s’ishte bërë kënetë akoma, po i dukej se ça rrugë e kishte marrë, megjithatë, mori mbështetjen e shumicës dërrmuese të popullit shqiptar.Nuk ishin me Partinë Demokratike të gjithë ata që votuan. Përkundrazi, aq e vërtetë është kjo sa në verë, kur u bën zgjedhje lokale, shumica dërrmuese e votoi kundër Partisë Demokratike.
Por në 92, shqiptarët morën vendimin e duhur.
Ishte vendi dhe koha e duhur në mars për ta ndarë përfundimisht rrugën me të shkuarën dhe për ta mbyllur përfundimisht kapitullin e një sistemi që populli e rrëzoi dhe që pastaj me votë e vulosi. Dhe pastaj vazhdoi jeta…
Në 11 maj është e njëjta gjë. Është koha e duhur dhe është vendi i duhur dhe ka vetëm një forcë ku shqiptarët mund ta bashkojnë votën jo për mua, as për qeverinë, as për disa deputetë, as për thjeshtë një shumicë aritmetike që ne patjetër do ta arrijmë por për diçka shumë më të madhe. Për të bërë një shumicë që të garantojë që negociatat e anëtarësimit nuk merren dot nga asnjë buf, nga asnjë kukumjaçkë, nga asnjë zhapik, nga asnjë lloj insekti.
Dhe për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë vendeve të BE, të cilat po e ndjekin fushatën tonë, po i ndjekin zgjedhjet dhe presin rezultatin për të parë, shqiptarët kanë një shumicë më të madhe se shumica e një partie që e do BE, po patjetër janë 90 e kusur shqiptarë që duan të shkojnë në Europë. Po unë i them atyre që akoma rrinë tek këneta. Po çfarë kërkoni atje? Nuk e doni PS? Shumë mirë, jeni në të drejtën tuaj. Po si mund të rrini atje? A e kuptoni që duke ndenjur atje e para një herë i ktheni kurrizin historisë që shkruhet në 11 maj, e dyta nuk krijoni kushtet që ajo partia juaj të rilindë sepse e mbani ashtu kënete duke i dhënë iluzionin që ekziston si alternativë, ndërkohë që ka shumë e shumë kohë që nuk është më alternativë e shqiptarëve. Nuk është më. Është vetëm një mbetje që vazhdon në inerci. Nëse nuk e merr një ndëshkim nga vet ata që e mbështesin atëherë ata që e mbështesin do vazhdojnë të humbin e të humbin.
Shikoni çfarë ndodhi me primaret e famshme. U tha, hajde se është garë e hapur këneta, u bë deti kos futuni, a thua se u tha nxirreni kokën një herë, kush vërtete ka mbështetje? Kush vërtete ka vota, ka simpati? Dhe të tërë atyre që dolën nga primaret ia u prenë kokën. E dini kush i fitoi primarët në Tiranë? Kryetari i PD të Kavajë. Dini gjë që ku është, e keni parë në ndonjë listë? Jo. E dini ku ndodhet? Në barkun e bufit, e hëngri. Po se mos vetëm atë. I hëngri të tërë dhe të tëra, as në lista nuk janë, as nishani nuk iu shihet.
Tani, sigurisht që unë nuk jam i shqetësuar për të ardhmen e PD, nuk më intereson fare. Sigurisht që unë nuk jam këtu për t’i treguar sesi rregullohet ajo parti por kjo është thjeshtë dhe vetëm e vërteta në këtë moment. Dhe nëse demokratëve u kërkoj që të mbështesin rrugën e BE duke mbështetur ne, iu kam borxh tu them dhe një të vërtetë. Vetëm duke mbështetur ne, mund të ndihmojnë dhe ringritjen e partisë së tyre nesër, pasnesër, kur të jetë. Ndryshe do shkojnë nga humbja në humbje, do të zhyten thellë e më thellë dhe ma mbani mend këtu në 11 maj do të marrin humbjen më të madhe që nga 1997-ta. Më të madhen!
Do dalin të shpartalluar, ashtu siç e meritojnë. Por ajo që meritojnë në fakt është që shpartallimi t’iu vijë edhe nga demokratët. Demokratëve iu them nuk e keni kaq shumë merak që nuk e votoni dot, disa se disa do ta bëjnë, nuk e votoni dot PS. Thuajani shoqeve tuaja, komshieve, të afërmeve, thajuani ke merak. Po keni plot emra aty në listë, mos e votoni fare PS. Mos shkruani aty asgjë tek pesa por zbrisni poshtë pesës. Nën pesën aty keni emra vajzash, grash, djemsh, burrash, por një nuk e gjeni një që të jetë tamam? Po krahasoni pra këto dy vajza që kemi këtu ne, kemi dhe një burrë se Lindita është deputete. Elisa është deputete. I kemi në listë. Krahasojini pak me ata kukumjaçkat e kënetës, nuk krahasohen. Çyryk komplet. Çyryk! Nuk mbushin fare, hiç, nuk mbushin. E më thuaj pastaj pse i shan ti burrat. Unë nuk shaj burrat, se jam vet burë. Por ama unë bëj pesë tek ata bura dhe besoj që janë gjysma, të paktën gjysma e shqiptarëve që e dinë shumë mirë që forca e grave dhe e vajzave jo vetëm është e pamohueshme, por nëse ti nuk ke në krahë gratë dhe vajzat je gjysmak, je çyryk domethënë. Shumë e thjeshtë. Dhe ndërkohë historia e këtyre viteve tregon se sa shumë arritëm dhe unë jam i bindur që nëse nuk do kishim bërë dhe këtë revolucion gjinor brenda për brenda partisë dhe nuk do kishim imponuar edhe në këshillat bashkiak, edhe në listat për deputetë dhe për të tjerët, nuk do kishim bërë kaq shumë.
Ne negociojmë sot anëtarësimin në BE. Janë 1000 vetë nga ana jonë sepse negociatat shtrihen që nga ekonomia tek drejtësia, deri tek zogjtë e te peshqit, te ujërat e te pyjet e të gjitha. 1000 vetë, shumica janë gra dhe vajza. Dhe dy drejtueset e negociatave, krye negociatorja e Shqipërisë, zëvendës krye negociatorja e Shqipërisë janë njëra grua, tjetra vajzë.
Tani duan, s’duan burrat, Kamza është grua. Çfarë t’i bëjmë, si ta zgjidhim këtë? Është grua. Pikë. Dhe fitorja spektakolare e Rakipit herën e kaluar themelin e kishte tek gratë. Se tani ne e dimë si funksionon, ka burra që e pranojnë si puna ime, ka burra që se pranojnë e bëhen qesharakë. Por tani jashtë shtëpisë ne mund të themi çfarë të duam por kur shkojmë atje në shtëpi, aty pastaj ka një tjetër situatë apo jo, nuk është aq kollaj. Dhe sa më të fortë të bëjnë jashtë shtëpisë dhe sa më shumë të bëjnë sikur s’pyesin për gratë, aq më shumë atje në shtëpi, pastaj bërtasin, ulërasin që tregojnë dobësinë e vet.
Kështu që, ju lutem merreni në dorë këtë punë deri në fund deri në 11 maj. Një gjë të fundit. E di që mërziten shumë ata të kënetës, por unë skam çfarë bëj, e kam me gocat që kam këtu se thoshin që Edi Rama skandaloz, iu thotë vajzave të reja socialiste që ndajini të dashurit demokrat. Unë nuk e kam thënë tamam kështu. Por po e përsëris që e kam thënë dhe po e them që kështu duhet të jetë. Nëse ka, se ka këtu vajza që kanë simpatizantë demokrat që iu afrohen duhet t’i bëjnë provën e karakterit, për në Europë apo për në kënete. Nëqoftëse ai thotë unë të dua shumë, hajde me mua në kënete, si i thua ati? Mirë shpirti, po vij me ty të mbytem. Jo, ti e kupton që ai s’është mirë. I thua hajde se po të marr nesër dhe nuk ia hap më telefonin, të shkojë të mbytet vetë.
Unë sinqerisht po ju them, unë nuk e kuptoj dot si mundet një njeri normal nga trutë të çohet në mëngjes, të vishet, të zbukurohet e të ikë të mbajë radhë për të hedhur votën në kënetë. Unë nuk e kuptoj. Maksimumi që mund të kuptoj unë është të mos shkojë fare, hiç. Të rrijë në shtëpi. Ose të rri te kafja këtu e të presë sa do jetë diferenca. Po të shkosh të votosh kënetën, po si? Si mundet, unë nuk e kuptoj. Ndoshta jam unë i kufizuar por nuk e kuptoj. Dhe për këtë arsye ju them edhe juve, që është mision human, është human t’i ndihmosh ata që janë akoma të çoroditur ose janë akoma të verbër që të hapin sytë dhe të shohin që nuk mundet dot kjo punë të shkojë kështu.
Kjo pasaporta nuk është një dokument tjetër udhëtimi sepse janë disa që thonë “Po çfarë është ky muhabet pasaporte? Ne e kemi pasaportën”. Çfarë pasaporte keni ju, për të udhëtuar, për të lëvizur? Po. Po për të ndaluar e keni? Jo, sepse kudo ku shkon të thonë “Kur do ikësh?” atje në aeroport, “ Ku po shkon, sa lekë ke, kush të ka ftuar, ke rezervim hoteli, po sa do rrish?” E pastaj ti nuk ke hyrë akoma, ata të thonë “Kur do ikësh” se nuk të mban dot sepse nuk je europian me atë pasaportën që kemi ne, je i huaj në Europë.
Ndërkohë që, me këtë je njësoj. Ky është status dinjiteti europian që më në fund, më në fund këtë popull mos ta shohë dot askush jo vetëm me zakon por as me ligj si popull të dorës së dytë.
Tani, të jesh prind sot dhe të jesh sa të duash me kënetën për arsye historie, të jesh prind sot, të kesh fëmijët e vegjël dhe të mos shkosh ta investosh atë votë për t’i dhënë fëmijës tënd pasaportën që nesër të shkojë të studiojë në Europë si europian që të mos i thonë “Je student i huaj, nuk ka vend. Je student i huaj, duhet të paguash tarifën kaq. Je student i huaj, nuk të pranojmë në konvikt. Je student i huaj, nuk ke sigurime shëndetësore”. Si e bën njeri këtë? Nuk e di, nuk e di por bëni çmos të shpëtoni sa më shumë njerëz nga ata, bëni çmos të nxirrni sa më shumë njerëz nga këta nga kthetrat e bufit të kënetës, e bufit të kënetës dhe të atyre moçaleve të tjera se janë dhe disa shitësa qilimash që vijnë vërdallë “voto për mua të të hipi në qilim e të fluturosh”. Kanë fluturuar njëherë shqiptarët me qilimin e bufit, kanë fluturuar.
Nuk ka më kohë për këto dhe nuk ka pse humbim energji për këto. Ne duhet të fokusohemi që të mbyllim negociatat në 2027 dhe në 2030 Shqipëria të jetë zonjë në sallonin kryesor të familjes europiane.
Na duhet ky mesazh shumë i fortë. Në datën 11 ne votojmë, në datën 16 maj vjen këtu e gjithë Europa, jo Bashkimi Europian, por e gjithë Europa, në datë 16 maj zbresin aty tek Skënderbeu të gjithë udhëheqësit e kontinentit, jo vetëm të BE-së, të kontinentit, nga Britania e Madhe në Turqi, në Azerbajxhan, në Ukrainë dhe të gjithë patjetër Bashkimi Europian, bashkë me NATO-n, Sekretarin e NATO-s, presidentin e Këshillit Europian, presidenten e Komisionit Europian, Presidentët e Bankave Europiane të Zhvillimit dhe Investimeve vijnë këtu. Në datën 16 ata kur zbresin këtu duhet ta ndjejnë, duhet ta kuptojnë, duhet ta lexojnë qartësisht tek vota e 11 majit që një popull i tërë është bashkë dhe ju thotë atyre “Boll më, ne duhet të jemi pjesë e familjes së bashkuar europiane”!
Shumë faleminderit të gjithave, shumë faleminderit me shumë respekt, me shumë mirënjohje. Çfarë po bëni ju për Kamzën është histori. Shumë faleminderit!