35 vjet PS, Elbasan – Krenarë për Partinë Socialiste

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë:

 

(Ule atë, ule, ule, Bravo! Ju thashë ta ulni atë parullën, meqë te parulla kishin shkruar që: – “Çfarë ka Vlora, hajt t’ia bëjmë dhe ne fora”, se Vlora, në fakt, duke filluar nga ata që janë atje te zona e atij zhvillimi, janë të gjithë për atë zhvillim, kështu që nuk duhet me i ngatërruar këto gjëra.)

Shumë faleminderit për këtë mikpritje në këtë vapë e në këtë zhurmë. Është vërtet një provë respekti për familjen tonë politike dhe është një provë respekti edhe për të gjithë ata, të cilët u nderuan këtu sot me medaljen e mirënjohjes për çfarë bënë në kohët shumë të vështira kur i duhej dhënë jetë, i duhej dhënë forcë dhe i duhej dhënë kurajë Partisë Socialiste.

Por sot nuk ishin të gjithë të pranishëm këtu dhe natyrisht që kjo histori është një histori 35-vjeçare, ku edhe vitet kanë bërë të vetën. E unë nuk dua që ta lë pa u përmendur dikush që sot mungon, por pa të cilin Partia Socialiste e Elbasanit nuk do të ishte ajo që u bë dhe rreth të cilit punuan dhe bënë shumë beteja shumë prej atyre që këtu morën me plot legjitimitet medaljen. Dua një duartrokitje të fortë për Qazim Sejdinin.

Faleminderit! Faleminderit!

Edhe duke qenë se Lala ishte edhe besimtar, unë dua shumë të besoj që ai po na sheh nga lart sot.

Ndërkohë që, duke kujtuar të shkuarën, është shumë e vështirë sot dhe janë bërë shumë vite që t’u flitet atyre që janë këtu, gjenerata më e re, ata që erdhën dhe u bashkuan me veteranët në këtë tribunë si anëtarë të saporegjistruar të Partisë Socialiste, as nuk e kanë idenë se çfarë ishte koha, rruga dhe sfida e Partisë Socialiste në krijimin e saj dhe në vitet kur të ishe anëtar i Partisë Socialiste nuk ishte e lehtë dhe vinte me lloj-lloj kostosh personale, familjare, kosto profesionale, të karrierës; shumë e shumë socialistë nuk kishin të drejtën e një pune për shkak se ishin anëtarë të Partisë Socialiste.

Dhe mua më kujtohet kur kemi bërë një takim pikërisht këtu në Elbasan dhe kam marrë mesazh nga një mësuese, ne ishim në opozitë në atë kohë, nga një mësuese, e cila më shkruante se ishte votuese dhe ishte anëtare e Partisë Socialiste, e më kërkonte ndjesë që nuk vinte dot në miting, ashtu si edhe plot mësues të tjerë, pasi sot duket e pabesueshme, por kamerat dhe materialet filmike që publikoheshin në ekran merreshin dhe shikoheshin njerëzit një për një dhe, nëse ata që ishin të pranishëm në takimet tona ishin në punë të shtetit, largoheshin nga puna. Kështu ishte në atë kohë!

Sot kjo është e paimagjinueshme. Sot kemi të tjera sfida, por unë besoj se sfida e sfidave që kemi sot është që të mos humbim më kohën, që të mos humbim më kohën e Shqipërisë, që të mos humbim më shanset e Shqipërisë, që të mos humbim më trenat e historisë së këtij vendi, sepse kemi humbur shumë kohë, kemi humbur shumë mundësi, kemi humbur disa herë trenin e historisë dhe kemi mbetur pastaj jo në stacion, por kemi mbetur në buzë humnerash jashtëzakonisht të rrezikshme.

Sot ne jemi më afër se kurrë realizimit të një ëndrre shekullore të shqiptarëve.

Natyrisht, Bashkimi Europian nuk ekzistonte kur rilindasit tanë donin ta drejtonin vështrimin e popullit dhe të kombit tonë nga Perëndimi, nga Europa, por Naim Frashëri e la të shkruar amanetin e tij për të gjithë brezat më pas, amanet që sot është në duart tona, po ndryshe nga brezat e mëparshëm, ne nuk kemi vetëm amanetin në duar, po kemi në duart tona mundësinë e madhe që me duart tona ta ngremë Shqipërinë në krah dhe ta vendosim në atë majë ku e donte Naim Frashëri, ku e donin rilindasit, ku e donin të gjithë ata që e deshën Shqipërinë të lirë, të pavarur, por atje, siç thotë Naimi, dielli lind ku perëndon, në sytë dhe me vështrimin nga Perëndimi dhe natyrisht që sot ne jemi më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Sot jemi më pranë se kurrë edhe një transformimi të ri. Një kapërcimi në një nivel tjetër për ekonominë tonë, në një nivel tjetër për shoqërinë tonë.

Jo vetëm falë futjes në Bashkimin Europian, ku vendet që hyjnë pastaj mikpriten nga ajo familje dhe mbështeten edhe financiarisht që të fillojnë të forcohen e të bëhen të barabarta edhe ekonomikisht me të tjerët, por edhe falë mundësisë së jashtëzakonshme që na ka dhënë natyra apo Zoti, që të kemi një vend që i ka të gjitha potencialet dhe asetet e nevojshme për të qenë një vend i pasur, duke e kthyer gjithë këtë pasuri natyrore në një motor të ekonomisë sonë, jo vetëm në një bukuri që e shijojmë duke e parë, por në një motor të ekonomisë sonë, siç kanë bërë të tjerët.

Dhe shikojeni rreth e rrotull fqinjët tanë, shikojeni Greqinë, se nuk po ju them Italinë, se Italia është një vend i madh, një nga shtatë vendet më të pasura të botës e të tjera e të tjera, me shumë histori dhe me shumë ndryshime në këtë drejtim. Po shikoni Greqinë, shikoni Greqinë në jug se çfarë ka bërë me turizmin dhe se sa shumë ka fituar prej turizmit.

Shikoni edhe Malin e Zi në veri. Një vend më i vogël se Shqipëria, një vend me 500-600 mijë banorë, një vend me një territor shumë më të vogël dhe me pasuri natyrore shumë më të pakta.

Është një vend, i cili prej vitesh tanimë është në krye të klasifikimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor për paga, për pensione, për mbështetje financiare e për ata më në nevojë. Është një vend, i cili nuk ka fabrika, një vend që nuk prodhon as makina, as traktorë, as anije dhe nuk ka as industri; është një vend që nuk ka bujqësi.

Në Malin e Zi një pjesë e konsiderueshme e produkteve bujqësore i marrin nga Shqipëria. E si ka mundësi që ka të ardhura për frymë më të larta edhe sesa vetë Serbia, që është vendi më i madh i rajonit dhe që ka dhe industri e ka dhe plot të tjera gjëra që Mali i Zi nuk i ka? Vetëm për një arsye: se Mali i Zi ka bërë atë që sot na ka ardhur radha ta bëjmë ne dhe për të cilën kanë dalë në protestë ata atje dhe për të cilën është krijuar gjithë kjo çorodi e madhe, duke ngatërruar lloj-lloj gjërash në një çorbë, duke ngatërruar pasionin për mjedisin, duke ngatërruar ndjenjat e dashurisë për natyrën dhe nevojën për të mos u prekur natyra me lloj-lloj axhendash të tjera dhe lloj-lloj qëllimesh të tjera.

Mali i Zi nuk do të ishte ky që është sot, të dashurit e mi, nëse projekti që hapi rrugën e transformimit të Malit të Zi do të ishte bërë këtu dhe nëse ai projekt do të ishte bërë këtu, këtu ku erdhi dhe trokiti së pari ai sipërmarrësi i famshëm kanadez, që pastaj iku në Mal të Zi se këtu i mbyllën derën ose, më saktë, këtu i kërkuan pjesën, atëherë Mali i Zi nuk do të ishte bërë aq shpejt ai që u bë dhe ne nuk do të ishim sot akoma këta që jemi, por do të ishim ne që do të kishim vendin e parë në këtë rajon edhe për paga, edhe për pensione, edhe për të ardhura të tjera, vetëm falë pikërisht asaj industrie të turizmit, asaj pjese të industrisë së turizmit që është turizmi i luksit.

Ata që thonë që ne nuk na duhet turizmi i luksit se ne nuk kemi lekë që të shkojmë në ato hotele.

Ne nuk kemi lekë që të futemi në ato resorte, ata nuk e dinë se në fakt ato resorte dhe ato hotele janë motor i ekonomisë së tyre, i ekonomisë së vendit ku janë, i ekonomisë së njerëzve që jetojnë në atë vend, sepse ato resorte, ato hotele nuk janë aty të shkëputura nga realiteti i vendit.

Ata njerëz që vijnë për të fjetur aty, ata njerëz që vijnë për të qëndruar aty me ditë të tëra, kanë nevojë për vendin, kanë nevojë për atë që prodhon vendi, kanë nevojë për shërbimet që ka vendi dhe kështu ata janë në fakt arsyeja pse fermerët mund të prodhojnë më shumë edhe mund të shesin edhe më mirë.

Ata janë arsyeja pse peshkatarët mund të nxjerrin më shumë prodhim dhe mund të shesin më mirë. Ata janë arsyeja pse të gjitha sistemet e shërbimit, dyqanet, taksitë, autobusët, furgonët mund të kenë shumë më tepër punë edhe mund të kenë shumë më tepër të ardhura dhe, në fund fare, ato resorte, ato hotele janë arsyeja pse shteti merr më shumë taksa, merr më shumë të ardhura nga gjithë ajo veprimtari ekonomike.

Ai Porto Montenegro, që në ndërkohë sipërmarrësi që e inicioi donte ta ndërtonte në Durrës, u vendos në një zonë që ishte zona më e prapambetur e Malit të Zi, në një zonë që nuk kishte turizëm, sepse ishte bazë ushtarake. Porti ishte porti i vjetër ushtarak i ish-Jugosllavisë. 10 mijë banorë, të ardhura shumë të ulëta. Rinia që ikte e ikte se s’kishte çfarë të bënte atje.

Sot Tivati pret 5 milionë turistë në vit vetëm për shkak të atij porti, të atyre hoteleve dhe të gjitha atyre që erdhën më pas. Por ama dyqanet e Tivatit janë ato që janë prej atij vendi. Shërbimet në Tivat i bëjnë njerëzit e atij vendi dhe aq shumë punë ka dhe aq shumë nevojë ka, sa natyrisht vijnë edhe të tjerë.

Ama për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Malit të Zi, siç unë i pashë, i takova vetë në punët e atij hoteli ku ishim ne së bashku me udhëheqësit e tjerë të Europës, ka një vend pune cilësor, ka një vend pune që nuk ka asnjë arsye për ta lënë, për të shkuar të kërkuar fatin jashtë vendit.

Tani më falni, po ne çfarë jemi? Ne jemi budallenj që do të vazhdojmë t’i shikojmë se si të tjerët i marrin mundësitë që ne i lejojmë të na rrëshqasin? Në ndërkohë që, falë gjithë transformimeve që kemi bërë, falë faktit që Shqipëria sot nuk është më vendi që përmendej vetëm për kriminelë, vetëm për trafiqe dhe vetëm për keq, por është një vend që përmendet nga të gjithë, në gjithë botën, si një vend turistik.

Fakti që sot Shqipëria është një vend ku vitin e shkuar erdhën 12 milionë turistë, fakti që Shqipëria është në një pozicion gjeografik kaq strategjik në mes të Europës, me distanca nga vendet e tjera rreth e rrotull pothuajse të barabarta, fakti që Shqipëria është një vend tolerant, është një vend ku ka vend për të gjitha fetë, është një vend ku askujt nuk i thuhet “plaç”, këto janë gjëra që i kanë mësuar tanimë të huajt dhe prandaj investitorët, prandaj e gjithë bota janë të interesuar të shohin a mund të bëjnë në Shqipëri një biznes me ambicie shumë më të madhe dhe projekti, të cilit po i bëhet rezistencë në mënyrën më absurde, është një investim prej 4 miliardë eurosh dhe është investimi më i madh në Europë për turizmin që prej shumë e shumë vitesh dhe ne ta bëjmë si lopa, kur thotë populli, që e mbush kupën dhe pastaj i bie me shkelm në fund, duke i treguar botës një pamje krejt të ndryshme nga ajo që ne jemi; ta bëjmë si lopa duke shpërndarë në gjithë ata lumenj e kanale llumi të rrjeteve sociale lloj-lloj mesazhesh krejt të gabuara, ku shqiptarët thonë atë që s’e kanë thënë kurrë dhe që s’mund ta thonë kurrë: “Shqipëria është e shqiptarëve”.

Shqipëria nuk është e shqiptarëve, sepse shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut dhe këtë e thotë Kanuni.

Shqiptarët janë të zotët e shtëpisë këtu, por shtëpia është e hapur për të gjithë. “Shqipëria është e shqiptarëve” të kujton atë sloganin e tmerrshëm të Gjermanisë naziste.

“Gjermania është e gjermanëve!” Me Gjermaninë e gjermanëve, ata që e udhëhoqën atë popull shumë të madh, atë komb shumë të madh, atë vend shumë të madh, me atë slogan e katandisën në një zhele, e bënë delen e zezë të botës, e bënë një vend që sot e gjithë ditën ka alarmin për t’i qëndruar të shkuarës në mënyrë të palëkundur, duke e refuzuar atë teori.

Ajo është racizëm! Ajo është verbëri! Ajo është thikë pas shpine për të gjithë ata që, në fakt, Shqipërisë i kanë dhënë medaljen e artë në Luftën e Dytë Botërore. Në radhë të parë myslimanët, pastaj edhe të krishterët që u bënë shpëtimtarët e hebrenjve dhe e bënë Shqipërinë të vetmin vend ku nuk u dorëzua asnjë hebre gjatë luftës.

Kush flet sot për këtë, pështyn mbi varrin e tyre, pështyn në fytyrën e asaj Shqipërie që sot e admirojnë të gjithë. Të gjithë na shikojnë me çudi dhe na shikojnë me respekt kur dëgjojnë që ky vend i vogël ishte një vend ku kishte dritë, ndërkohë që në gjithë Europën kishte errësirë; ndërkohë që në gjithë Europën i merrnin hebrenjtë dhe i shisnin, madje edhe gjermanët nga frika, shqiptarët i morën dhe nuk patën frikë që të vinin veten e tyre në rrezik.

Si mundemi ne të katandisemi dhe të bëhemi pre e ca injorantëve, e ca delirantëve, e ca sharlatanëve që shkojnë me demek për të mbrojtur mjedisin dhe flasin për Shqipërinë e shqiptarëve, e flasin për të huajt që duhet t’i përzëmë nga Shqipëria, e flasin për pronat e pronarëve që duhen konfiskuar, e flasin për pronat e shtetit që nuk e di unë se çfarë duhet bërë? Çfarë është kjo?

Ky është një budallallëk i madh dhe pikërisht në këto momente, kur Shqipëria është duke u përballur me sfidën e vet më të madhe historike dhe kur kombi shqiptar është përballë realizimit të një momenti po aq historik sa Lidhja e Prizrenit, siç është futja në Bashkimin Europian, këto janë axhenda dhe këto janë lëvizje dhe këto janë marrëzira që shkojnë në drejtim të gabuar me sensin e historisë.

Unë nuk diskutoj këtu: kanë të drejtë, s’kanë të drejtë ata që janë të shqetësuar; a kanë të drejtë apo s’kanë të drejtë ata që duan të mos ndërtohet; a kanë të drejtë apo s’kanë të drejtë. Nuk është ky thelbi i çështjes. Gjithsekush ka të drejtë të ketë opinionin e vet, por nëse ti je i shqetësuar për flamingot, nëse ti je i shqetësuar për natyrën, nëse ti je i shqetësuar për mënyrën se si një zhvillim të mos e dëmtojë natyrën, po t’i ndihmojë Shqipërisë, ii je i pari që je i interesuar për faktet, jo për gënjeshtrat.

Ti je i pari që duhet t’i bësh jehonë të vërtetave, jo manipulimeve.

Ti je i pari që duhet të kërkosh të dëgjosh si është e vërteta, të verifikosh të vërtetën mbi bazën e fakteve edhe jo të bësh tangërllikun që ne s’duam të dëgjojmë, ne s’bëjmë negociata, ne duam dorëheqjen.

Dorëheqjen! Cilën dorëheqjen? Dorëheqjen nga çfarë?

Dorëheqjen nga misioni i Partisë Socialiste për të anëtarësuar Shqipërinë, Bashkimin Europian? Kush do shkojë ta përfaqësojë Shqipërinë atje? Kush do ulet atje për të negociuar me Bashkimin Europian? Kush do t’i dali për Zot Shqipërisë? Ata që kujtojnë se mjafton të vishesh si flamengo edhe je seksi edhe do të vijnë të tjerët nga mbrapa?

Në ndërkohë që ka dalë edhe teoria e tradhtarëve, “Shqipëria e shqiptarëve, pushteti i tradhtarëve”. Këto të gjitha janë marrëzira, të cilat vendet i kanë paguar shumë shtrenjtë, por nuk po shkoj deri te Gjermania se do më thonë pastaj që pse i ngatërrohen këta, se këta janë çuna të bukur, me nazistët. Nuk i ngarroj me nazistët!

Nazizmi triumfoi jo sepse ishin disa njerëz të këqij që morën përsipër ta çojnë Gjermaninë në atë rrugë, po se shumë njerëz të mirë shkuan mbas të këqijve. Triumfoi jo se ata të këqijtë ishin djalli vetë edhe gjithë populli ishte një popull djajsh, po pikërisht sepse ata të mirët që janë gjithmonë shumica, vajtën mbas berihait dhe prandaj unë nuk e kuptoj dot si mund të jesh ambientalist edhe të rrish në një shesh bashkë me lloj-lloj njerëzish që kanë në fjalorin e tyre 40 fjalë nga të cilat 20 i kanë një rrokshe; “ik”, “tq”, “qr”. Çfarë ambientalizmi është ky? Çfarë ambientalizmi është ky? Kjo është ndotja më e madhe akustike që mund t’i bëhet një shoqërie!

Dhe nga ana tjetër ajo që është më e rëndësishmja dhe që janë fakt, nëse unë dhe ju do ishim tradhtarët atëherë nuk do nuk do kishin pritur dot njerëzit 35 vjet që ta merrnin vesh.

Nëse unë dhe ju do ishim tradhtarët, atëherë nuk do kishin ardhur për të votuar për Partinë Socialiste 800 e kusur mijë njerëz, shqiptarë nga Shqipëria dhe shqiptarë nga diaspora.

Nëse unë dhe ju do ishim tradhtarët, atëherë të jeni të sigurt që nuk ka patronazhistë, nuk ka organizatë, nuk ka strukturë që mund ta përmbajë një popull që të shkojë në votim edhe t’i rrëzojë tradhtarët. Po ne nuk jemi tradhtarët, ne jemi shpëtimtarët!

Ne jemi shpëtimtarët e një vendi që kur ne e morëm detyrën ishte i zhytur në llum. Ne jemi shpëtimtarët e një vendi ku vriteshin me çifte flamengot për qejf e ku vriteshin zogjtë, e vriteshin kafshët e pyllit si në Harados kur i thonë fjalës. Ne jemi shpëtimtarët e faunës së Shqipërisë sepse e vumë 10 vjet moratorium kundër gjuetisë dhe faktet, faktet jo fjalët. Regjistrat, regjistrat ku janë të regjistruar ajo që quhet popullsia e shpendëve dhe e kafshëve të Shqipërisë tregojnë se si janë rritur, se si janë rritur dhe si janë shtuar gjatë qeverisjes sonë.

Flamengot nuk vinin fare, nuk vinin fare mor fare, nuk vinin sepse ata janë zogj shtegtarë. Ata shkojnë nga një vend i qetë, në një vend të qetë, në një vend të qetë, sepse i priste çiftja, i priste pushka, i prisnin horrat, të cilët kishin liri që të bënin masakër në çdo vend ku kishte shpend e në çdo vend ku kishte kafshë. Horrat që e kishin mbushur detin, e kishin mbushur liqenet me tela korrenti që i vrisnin peshqit me tela korrenti, prandaj nëse flamengot do kishin gojë të flisnin, nuk diskutohet që edhe ngjyrën nuk e kanë rastësisht ngjyrën e Partisë Socialiste. Ne nuk jemi tradhtarë.

Na tregojnë këta korrupsionin. Na e tregojnë korrupsionin blogerat që nuk lënë para pa mbledhur duke treguar të gjitha anët e trupit që unë i kam treguar pa lekë kur isha i ri, po, edhe që nuk i japin 1 euro taksë shtetit dhe popullit shqiptar. 1 euro taksë nuk paguajnë ata, blogera, influencera. Na tregojnë ne, na tregojnë ne tradhëtarët, disa analistë e gazetar që paguhen me lekë nën dorë, nuk deklarojnë pagat e tyre, shkojnë atje te “Green Coast”, bëjnë pushime në mes betonit edhe vijnë këtej edhe ju qajnë hallin flamingove. Pse shkojnë atje? Ne nuk kemi asnjë problem. Të shkojnë ku të duan, por moral mua dhe Partisë Socialiste të matet mirë çdokush që i bën, sepse ne nuk jemi të përsosur. Ne nuk jemi pa gabime, po moral nga Mustafa Nano, i cili erdhi në zyrën time u shtri atje në kulluk e më tha, “nuk kam më fuqi të merrem me këtë vend, dua të shkoj ambasador.”

Po mirë, i thashë, të shohim si mund të bëjmë për këtë se helbete, hajde. Kemi pasur shkrimtar e poetë ambasador, Muçi i shkretë nuk është Faik Konica. Po thashë Muçi shkoi ambasador në Zvicër, nuk mbajti dot një zyrë ku ishte vetëm me veten e vet dhe me një sekretare, nuk bëri dot një punë për vendin, e la në mes detyrën dhe kthehet mbrapsh, e tregon tani se si duhet ta bëj unë detyrën dhe se si duhet ta bëjmë ne detyrën. Tregon Muçi detyrën. Tregon Muçi që oligarkët hyjnë në mëngjes, në drekë e në darkë në zyrën time. Po ti mër’ Muç ç’a je spiuni i Sigurimit je? Ku e di ti se kush hyn në zyrën time? Ku i ke parë ti? Se ti ke qenë dhe demokrat denbabaden. Po kur e bën këtë, kur e bën Muçi këtë, llogarisni të tjerët.

Po kur më thonë mua “mos u nxeh, mbaje veten, merre me qetësi”. Po unë të kisha tipin që t’i merrja gjërat me qetësi, nuk i hyja detit në këmbë. Se disave këtu i kujtohet Çim Hysës, kur më vunë kandidat këta për bashkinë e Tiranës edhe nxorri ndjesë pastë PD-ja, nxori një farë Besnik Mustafai, shkrimtar edhe ai si puna e Muçit edhe tha “shikoni, ai është i çmendur, ai s’është normal”, tha, – “ju keni nevojë për një njeri normal”. I thashë unë edhe unë i thashë qartë, e thosha vazhdimisht nëpër takime se s’kishte Facebook atëherë, po ç’ju duhet ju një njeri normal a e bën dot një njeri normal gjithë këtë punë që ka nevojë Tirana? Këtu duhet një i çmendur edhe jalla… apo jo?

Ajo që unë dua të them është… . Tani ju mos merrni kurajë meqë unë thashë që po të jesh i çmendur, je në rregull se varet se për çfarë. Jo i çmendur të thyesh karrige në stadium. I çmendur që të bësh aty ku është një hale, të bësh një stadium që të bëhet finale europiane dhe do isha më i qetë unë po të isha tradhtar.

Tradhtarët janë të qetë përgjithësisht se kam parë dhe unë ca tradhtarë bashkë me Çim Hysën, edhe me Gimin dhe i kemi parë. Tradhtarët janë të qetë, janë të verdhë, po t’i shihni, nuk kanë shkëlqim në sy. E dini si janë tradhtarët? Si ai deputeti juaj, si e ka ai? Ai që tha do t’u thyejmë kokën, si e ka ai? Janë si ai, Alizoti. Tani krahasoni Alizotin me mua. Largqoftë!

Kështu që miqtë e mi ne do shkojmë përpara. Moral nga ata që, se ne po thosha nuk jemi që t’i shkojmë njerëzve nga mbrapa. Po patë sot që s’ka shumë blogera atje, e dini pse? Se janë në Palasë të gjithë sot se kanë qenë sot edhe kthehen vonë e do dalin prapë atje se do na mbrojnë Shqipërinë këta nga ne. Do mbrojnë Shqipërinë këta nga unë. Do mbrojnë Shqipërinë këta nga një forcë që Shqipërinë e gjeti në llum dhe po e nxjerr në dritë. Nga një forcë që Shqipërinë e mori në krah kur të tjerët e konsideronin një dele të zezë e kur nuk i hapej asnjë derë dhe e bëri Shqipërinë që asnjë shqiptar kudo në botë jo mos ketë turp të thotë, “jam shqiptar”, po ta thotë me krenari edhe të fillojë të dëgjojë se kur do vijë tjetri me pushime.

Do mbrojnë këta nga ne Shqipërinë?! A kuptoni apo jo?! Do mbrojnë ata nga ne Shqipërinë. Ca personazhe që nuk i kanë thënë punës mirëmëngjesi. Nuk i kanë thënë punës mirëmëngjesi.

E patë Fevziun! Po Fevziun e patë? “Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje”, tha. Fevziu sa herë del ndonjë aty në Bulevard do zgjedhje! Zgjedhjet tha janë e vetmja zgjidhje tha! “Edhe Rama të konfirmohet, tha, “edhe këta tha ta nxjerrin dufin”! Po pse mo çfarë është Shqipëria? Çfarë është Shqipëria? Shtëpi publike që kush do me nxjerrë dufin shkon i futi palë zgjedhje!

Zgjedhjet janë në 2029 dhe në ndërkohë ka dy gjëra të tjera përpara.

Ndërkohë janë zgjedhjet vendore vitin e ardhshëm se këta edhe nuk i dinë rregullat, me shku në zgjedhje sot i mori në qafë Fevziu, se duhet tre muaj me kriju parti. Ku e krijojnë dot për tre muaj, se tre muaj duhet me rregulla, me letra. Kësht  që me i çu në zgjedhje ne po marrim nja 100 mandate e pastaj çfarë, do presim? Do presim të na vijë ndonjë lloj zogu tjetër të na thotë duam zgjedhje prapë?

Zgjedhjet ne i kemi fituar për të futur Shqipërinë në Bashkimin Europian!

Zogu, zgjedhjet ne i kemi fituar për të mbyllur negociatat me Bashkimin Europian në fund të 2027!

Zogu, zgjedhjet ne i kemi fituar, po kur thonë s’ka transparencë, ne e kemi thënë publikisht, do ta fusim Shqipërinë në 2030-n në Ligën e kampionëve të turizmit botëror!

Zogu, ne do bëjmë jo vetëm turizmin e destinacioneve fantastike, duke filluar nga Zvërneci dhe jo vetëm atë që kam nisur me Vlorën, kur në Vlorë thoshin vlonjatët, se vlonjatët janë të mëdhenj, thoshin “natën nuk kalohet nëpër Lungomare, atje buzë detit, se të merr gropa elektrikut edhe nuk të gjen dot as gruaja”. E morëm ashtu Vlorën ne dhe deri në 2030 falë atij investimi Vlora do bëhet bebja e syrit e turizmit mesdhetar!

Ti e thua me emër vëlla, po gjyshja ime thoshte: “mos e zë me gojë se vjen erë”. Ai thoshte, “do ta bëjmë Shqipërinë si Zvicrën”, atëhere. Dhe normalisht si njeri që ishte lindur e rritur nëpër male do duhet të kishte për malet aq respekt edhe aq besim sa të paktën të bënte një rrugë të vetme, një rrugë të vetme për të shkuar në mrekullinë e Valbonës. U desh të vinim ne që t’i bënim edhe ato male me rrugë edhe që njerëzit shqiptar e të huaj të zbulonin malet e Shqipërisë. Por nuk mjafton me kaq, se që ta bëjmë Shqipërinë si Zvicrën e si Austrinë nëpër male, duhet të bëjmë edhe atje, duhet të vendosim edhe atje pikat e turizmit që vjen me shumë para dhe që i lë shumë para vendit. Kështu që ne kemi shumë për të punë për të bërë zogu.

Prandaj i kemi ndarë punët. Influencerat aty tek… . Si është ajo?

Blogerat të kapin ndonjë, të kapin njëri-tjetrin; njëri të vishet si flamengo, tjetri të vishet si unë edhe të luftojnë kush fiton.

Këta të tjerët që si hienat po i përpunojnë e po i ngatërrojnë e po i bëjnë sallat, do e nxjerrin kokën një nga një. Po që kur e nxori kokën ai që thotë rrethi është katror, u pa puna, tani do dalin dhe ca patriotë të tjerë, jam i bindur unë. Po ata patriotët duhet ta kenë parasysh një gjë, që kanë bërë shumë para të padeklaruara me kauzat patriotike. Jo se është punën dreqi politika!

Kështu që zogu, Loro Boriçi i madhi i thoshte: “shiu ka punën e vet, ne e kemi punën tonë”. Puna jonë është ta bëjmë Shqipërinë një vend ku të gjithë ata të rinjtë atje të mos kenë më nevojë kurrë që të mendojnë se duhet të iki nga Shqipëria se nuk ka zgjedhje këtu. Po të kenë gjithmonë dy zgjedhje; kush do të rrijë, të rrijë dhe ta ketë mundësinë siç e kanë ata të tjerët në Europë, kush do të iki, të iki sepse nuk jemi më në bunkerin e Enver Hoxhës, apo jo? Se në qoftë se çohen italianët, e thonë,  “Italia është e italianëve”, e në qoftë se çohen grekët e thonë, “Greqia është e grekëve”, sa shqiptarë janë andej që i marrin, i ngrenë edhe i sjellin këtej?

Jo mor jo! Jo! Shqipëria është e Europës, shqiptarët janë të Shqipërisë!

Shumë faleminderit!

Rroftë Partia Socialiste!