Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama në takimin me gratë dhe vajzat socialiste të Kavajës:
Shumë faleminderit!
Më vjen shumë mirë që në këtë paradite herët me thënë të drejtën, ju e keni gjetur kohën dhe dëshirën dhe kohën për të qenë së bashku dhe për të na pritur me energjinë tuaj, entuziazmin tuaj.
E kam të pamundur që të mos kthehem pak mbrapa në kohë, kur unë sa isha bërë kryetar partie, edhe erdha për herë të parë të vizitoj degën e Partisë Socialiste të Kavajës.
Kishim lënë një takim te kinemaja mos gaboj dhe midis rrugës dhe kinemasë ishte bërë një mur i madh me burra, burra me dy gishta që na e bënë shumë vështirë për të hyrë brenda me polici, e historira që sot duken të paimagjinueshme, po kanë ndodhur këtu dhe nuk kanë ndodhur 100 vjet përpara. Dhe kur hymë brenda, ajo salla e kinemasë është modeste, është me më pak vende sesa kët, iIshte treçereku bosh. Ishte tre çereku bosh dhe kishte vetëm një grua, një tek.
Pastaj, ju e dini historinë e zhvillimeve politike në Kavajë se si ishte e pamundur për një periudhë të gjatë për veteranët që të lejoheshin të votonin. Se si në Partinë Socialiste prania e grave ishte minimale, gjë që nuk ndodhte vetëm Kavajë, po ndodhte në shumë zona të Shqipërisë. Ndërkohë që, ambicia ime, qëllimi ynë ishte të zgjeronim radhët dhe mbi të gjitha të hapnim derën dhe ta bënim të mundur që gratë dhe vajzat të uleshin si të barabarta në hapësirën e Partisë Socialiste. Sepse në atë kohë problemi ishte që edhe ato gra që ishin anëtare, se kishte gra anëtare Partia Socialiste padyshim, nuk merrnin pjesë në mbledhjet e organizatave.
E nisëm me 12 % në total gra në Partinë Socialiste dhe hap pas hapi kemi arritur sot në 40 % nga rreth 100 mijë anëtarë të regjistruar në Partinë Socialiste, kemi diku te 39 mijë gra. Por, unë besoj që as duhet të kënaqemi as duhet të ndalemi këtu, deri kur në Partinë Socialiste të bëhen 50 mijë gra dhe vajza dhe kur numri të jetë 50 me 50 %, por një vajzë dhe një grua më tepër.
Kjo është kaq e rëndësishme saqë mjafton të shikosh se çfarë fuqie ka marrë Partia Socialiste, mjafton të shikosh se sa shumë punë të mira janë bërë dhe mjafton të duash të kuptosh se një nga shkaqet kryesore, është fakti që kemi shumë më tepër gra dhe vajza në vendimmarrjen tonë.
Ka filluar një si sëkëlldi që shprehet sidomos në ato pasqyrat e kënetës në mbrëmje nëpër ekrane, për ata që kanë fatkeqësinë që vazhdojnë të shikojnë televizor, kur dalin këta të tërë nëpër këto pasqyrat edhe marrin nëpër gojë gjithë dynjanë, që Edi Rama po ofendon burrat. Unë nuk po ofendoj burrat absolutisht, unë thjesht konstatoj një fakt, që gjysma e burrave janë shumë në rregull, ka një gjysmë tjetër që janë çyryk dhe nga nisem unë për këtë. Nisem nga fakti që ka shumë burra, janë shumë që ndjehen mirë në kënetë, janë shumë burra që ndjehen mirë me atë qasjen e vjetër dhe me atë rrugën e vjetër që dihet ku të çon. Ndërkohë që, ne as jemi ndjerë dhe as ndihemi mirë deri kur ta vendosim plotësisht barazinë gjinore, jo vetëm si numra, por edhe si cilësi e bashkëjetesës sociale në këtë vend.
Sepse kemi bërë hapa të konsiderueshëm, por ajo që është e rëndësishme është që çka sot pasqyrohet me shumë domethënie në jetën publike, ku gratë në këshillat bashkiake janë 50%, ku gratë në parlament janë shumë më tepër se ç’ishin dikur, kur parlamenti dukej si një odë otomane.
Gratë në qeveri janë mbi 50%, ku gratë në sipërmarrje, në drejtimin e sipërmarrjeve kanë arritur në thuajse 30%, që është një shifër fantastike, duhet të shtrihet shumë më thellë në shoqëri për të garantuar çlirimin dhe barazimin mes gjinive në çdo familje. Dhuna ndaj grave ka qenë një fenomen shumë shqetësues, ka rënie, por rënie të pamjaftueshme. Shpërfillja, ose presioni, ose trajtimi jo i barabartë i vajzave ka rënie, por rënie të pamjaftueshme. Dhe ajo që na takon ne të bëjmë, ajo që i takon të gjitha grave dhe vajzave që janë të angazhuar në Partinë Socialiste është që këtë betejë të mos e bëjnë vetëm për vete, po ta bëjnë edhe për gratë e vajzave të tjera.
Dhe më vjen shumë mirë që ne sot kemi krijuar dy shembuj tërësisht të rinj në politikën shqiptare. E para futëm në parti risinë e bashkëdrejtimit të organizatave një burrë ose djalë dhe një grua ose një vajzë. Dhe sot kemi mbi 95% të organizatave që kanë bashkëkryetar, dhe kjo naka sjellë të mirën e madhe që më shumë gra dhe vajza janë afruar.
Nga ana tjetër, kemi sot në skuadrën tonë për Shqipërinë 2030 në skuadrën që është sot në fushë të kësaj gare të 11 majit, 71, gra dhe vajza, por më e bukura është që në listat e mbyllura kemi 52% gra e vajza.
Këtu nuk ka gjë më të bukur sesa gratë dhe vajzat të luftojnë për burrat që janë kandidatë sepse përfaqësueset e tyre i kanë deputete sot, edhe Elisën, edhe Ilvën.
Dua t’jua them juve dhe shpresoj që ju tua thoni të gjithëve që këtu në Kavajë ka ndodhur diçka që është shumë domethënëse për momentin politik të Shqipërisë, që është shumë domethënëse për përmbajtjen e dy palëve. Ne kemi sjellë këtu për këtë zonë 4 deputetë nga të cilët 2, e thashë, janë dy gra, dy nëna, dy personazhe që meritojnë shumë respekt njëra kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, tjetra një prurje e re në Partinë Socialiste, por me më shumë fëmijë se sa ajo e para.
Ajo që është e rëndësishme për të gjithë votuesit, zgjedhësit në këtë zonë është se me sa respekt dhe me sa dëshirë për ta rikthyer Kavajën në drejtimin e duhur bashkë me gjithë të tjerët, sepse është ndarë veç Kavaja, ne jemi investuar këtu sepse përveç dy deputeteve kemi sjellë këtu edhe Kryeministrin e Partisë Socialiste, kryeministër në kohë të vështira, në moshë të re edhe pse gjithmonë ka qenë i thinjur por sot është këtu për të thënë, ne nëpërmjet Pandit, se ne duam shumë seriozisht të investojmë shumë kredite politike tonat për Kavajën dhe për Rrogozhinën, padyshim, ku kemi një tjetër zonjë që është kandidate dhe bashkë me Pandin këtu kemi edhe Eldin, një djalë nga Kavaja.
Tani, kjo është oferta jonë, domethënë, oferta jonë në Kavajë është shumë e veçantë dhe e rrallë sepse Kavaja nuk është Tirana, Kavaja nuk është Kamza nga pikëpamja e numrit, peshës, por ka mundësinë një zgjedhës apo zgjedhëse këtu në Kavajë që me një votë të marrë 4 deputetë dhe shikoni tani se çfarë ndodh me ofertën tjetër, se është kulmi ky.
Kavaja demokrate besoi tek primaret, besoi tek thirrja e bufit të kënetës për të gjithë ata që kishim ambicie ta nxirrnin kokën mbi ujë dhe hiri i të vërtetës e do që të thuhet që Kavaja nxori në primare fituesin e gjithë qarkut të Tiranës, gjithë qarkun e Tiranës e fitoi kryetari i partisë së Kavajës. Ku është sot, e keni parë gjë?
E hëngri bufi, e hëngri bufi, siç hëngri të gjithë ata që u dalluan në primare, tamam sikur u tha “Nxirreni kokën t’ju shoh kush jeni ju që keni vërtetë mbështetje dhe që nesër në opozitë, se bufi nuk përgatitet për fitore, bufi përgatitet për opozitë për të vetmen mënyrë se si bufi di të bëjë opozitë, për të shkatërruar sa të mundet Shqipërinë, për të penguar sa të mundet shqiptarët, për t’i lodhur e për t’i mërzitur sa të mundet njerëzit që duan të shikojnë përpara, për këtë përgatitet bufi.
E keni parë ju listën e mbyllur të Tiranës apo jo? Hyseni juaj këtu meriton çmimin Nobel në krahasim më ata që janë aty në listën e mbyllur të Tiranës, çmimin Nobel meriton për shkencë. E pastaj thonë pse u thua çyrykë. Po çfarë t’i them? Si ti them? E morën e zhdukën kryetarin e partisë. Pse? Çfarë faji ka ai? Vetëm se fitoi primaret.
Atij mirë t’i bëhet xhanëm se mua nuk më vjen keq për Hysenin, por ajo çfarë u them demokratëve të Kavajës është që në këto zgjedhje kanë mundësinë e madhe që të bëjnë disa punë me një herë, jo një por disa.
E para njëherë, këto zgjedhje ndryshe nga shumë zgjedhje të tjera që janë “Do zgjedhim kush do qeverisë, kush do shkojë në opozitë, kush do bëjë këtë e atë” janë zgjedhje për të zgjedhur se ku do jetë Shqipëria në 2030. Ku do jetë Shqipëria në 2030, në Bashkimin Europian apo do shkojë në gropë prapë? Se që 2 herë që ja ka besuar Shqipëria ose që i ka rënë në dorë bufit të kënetës ky vend, herën e parë përfundoi me 4000 të vdekur dhe herën e dytë u kap në buzë të humnerës së borxheve që mund ta çonin komplet në kolaps nga e para dhe tani bufi ka dalë bashkë me një tufë qorrash dhe shurdhësh që i ka futur nëpër listat e mbyllura që ta tërheqin Shqipërinë prej hunde për hallin e vet krejt personal, se vetëm ai halli i madh personal e bën një burrë 80 e kusur vjeç të vijë vërdallë, edhe t’i fiket llamba 3 herë në ditë kur merr fjalën.
Duke votuar për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, siç votuan shumica e shqiptarëve Partinë Demokratike në ’92-shin, në mars, kur nuk ishin të gjithë me Partinë Demokratike, por e votuan sepse donin të ndanin përfundimisht historinë e Shqipërisë mes të shkuarës, të mbyllnin përfundimisht kapakun e sistemit të të shkuarës dhe të ardhmes, duke përqafuar masivisht sistemin e të ardhmes, kështu edhe në 11 maj shqiptarët do të duhet të votojnë masivisht për të vendosur që ky vend të mos ndalet asnjë ditë në vazhdimin intensiv të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian që mund t’i mbyllim brenda 2027 siç kemi rënë dakord dhe të futemi në BE.
Nga ana tjetër, për demokratët, këta të Kavajës me të cilët u tall bufi i kënetës, duke bërë këtë për veten e tyre, për familjen e tyre se pasaportën europiane do ta marrin të gjithë, s’është për socialistët, e kuqe është se kështu është flamuri jonë, nuk është blu, por ama ka brenda dhe flamurin blu të BE dhe nga ana tjetër i japim një mesazh shumë të qartë bufit dhe kënetës. Duke vendosur një gur për të rindërtuar atë parti që sot sështë më parti, çfarë partie është? Prandaj unë them kush shkon atje, kush mendon që midis Europes dhe kënetës do të rrijë në kënete, është çyryk. Mund të jetë shumë në rregull në gjithë gjërat e tjera, por politikisht është komplet çyryk, për çfarë? Kur ne sot na ka ardhur zogu i fatit europian të këtij kombi dhe të këtij vendi në dorë se janë përputhur ylli i fatit tonë me yllin e fatit të BE se ne kemi bërë patjetër detyrat tona dhe kemi bërë punën tonë që të gjendemi gati, por ama ata sot janë në një pikë ku e kanë hapur derën, jo se ne jemi më të bukurit, por sepse ata kanë nevojë për të shtuar radhët dhe për të dhëne mesazh për gjithë botën që BE po zgjerohet dhe po forcohet dhe këtu janë përputhur të dyja.
E kjo dera e hapur siç ka treguar historia e zgjerimit të BE nuk është një derë që do rri hapur atje do presë ne, që të zgjidhim ne dilemën e madhe me Europën apo me gropën, me BE apo me bufin.
Eshtë e hapur si një mundësi tani, siç ka ndodhur në të shkuarën. Dera e BE është hapur, janë futur vende, është mbyllur prapë. Dhe kujt iu thotë “po ç’është kjo punë me Edi Ramën që ka dalë rrugëve dhe thotë më jepni mandatin e katërt t’ju fut në BE, s’kishte mundësi dhe nuk i dolën tre mandate?”, duhet t’i thoni “po mirë dakord Edi Ramës nuk i dolën tre mandate se e paska fajin Edi Rama, po Mali i Zi pse nuk është në BE që i ka filluar negociatat përpara se Edi Rama të bëhej kryeministër, në 2012, pse s’është në BE? Po Serbia që i ka filluar negociatat në 2024 pse s’është në BE? Dhe sot, ne që i shikonim Malin e Zi dhe Serbinë nga larg, jemi në të njëjtën pozicion me Malin e Zi te pragu i derës dhe Serbinë e kemi lënë mbrapa.
Po Maqedonia që u bë kandidatë për BE në 2005? Këtu mund të ketë vajza që s’kishin lindur akoma në 2005. Sot ku është, s’ka hapur akoma negociatat sepse historia e zgjerimit është kjo.Ata e hapin derën kur kanë dhe ata interesin e tyre jo thjeshtë kur je ti.
Ne gati kemi qenë për të hapur negociata, ka 4-5 vjet. Por ju e mbani mend, KE thoshte këta janë gati se KE e bën vlerësimin. Mblidheshin politikanët dhe thoshin jo. Dilte Holanda, dilte një vend tjetër ndërkohë ata kishin hallet e tyre, kishin interesat e tyre normal fare se në atë shtëpi nuk futesh dot nëqoftëse vetëm njëri thotë jo, se dua, duhet të jenë të gjithë dakord. Sot e kanë hapur derën sepse bota është në turbullirë. Sot BE po flet për riarmatosje, sot BE po flet për siguri. Si do rrimë ne? Do rrimë jashtë kësaj historie ne, ndërkohë që na ka ardhur në dorë kjo punë. E kemi ne në dorë, shqiptarët dhe prandaj them që njësoj siç bën shqiptarët me PD në 92-in që e votuan masivisht në mars po sa e vërtetë është kjo sa nuk ishin të gjithë me të sa në gusht a kur ishte në fund të verës kur u bënë zgjedhjet vendore, shumica e votuan kundër, por ama e kishin bërë zgjedhjen historike, e kishin mbyllur raportin me historinë.
Po kështu në 11 maj, është koha e duhur, është vendi i duhur dhe është PS, është PS në kohën dhe në vendin e duhur.
Më vjen keq se më erdhi një mesazh këtu tani dhe më vjen shumë keq! Ka ndërruar jetë Ati i Shenjtë Papa Francesku, një njeri i jashtëzakonshëm. Unë kam pasur një raport personal me të.Më çonte vazhdimisht mesazhe me Arqipeshkvin dhe më vjen jashtëzakonisht keq! Ai zgjodhi ta vizitonte Shqipërinë të parin vend jashtë Vatikanit që vizitoi, pasi u zgjodh Papë. Pas një takimi që patëm së bashku një takim të paharrueshëm, në Shqipëri kaloi një ditë që ai vetë e konsideronte të paharrueshme. Tha dhe atë fjalën e paharrueshme që “Shqipëria nuk ka harmoni fetare, por ka vëllazëri fetare”. Ishte një Papë ndryshe nga të tjerët dhe besoj që kam mirëkuptimin tuaj ta nderojmë me një minutë heshtje dhe ta mbyllim këtu takimin.
U prehtë në paqe!
Më kujtohet që në takimin e dytë, – jemi takuar disa here, në Vatikan, në audiencë me të kam qenë dy here, – por në takimin e dytë e pyes i them “At i Shenjtë më duket se shumë armiq ke bërë, duke thënë gjëra që nuk i ka thënë kurrë një Papë”. Dhe se harroj kurrë, më tha “kryeministër, nëse nuk i them ato që kam për të thënë tani që kam kohën me njerëzit, kur do t’i them dhe kujt do ia them, krimbave kur të shkoj në varr”?
Shumë faleminderit!