Kryetari i PSSH Edi Rama në takimin me banorë të Patosit
Shumë faleminderit nga zemra për këtë mikpritje! Patosi nuk na e ka kursyer kurrë asnjëherë mbështetjen, por asnjëherë si këtë herë, gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë e Patosit nuk janë mbledhur kaq të shumtë në këtë shesh për të na pritur, për të na mbështetur dhe për të na mbushur me energji, që deri në 11 maj të krijojmë shumicën më të madhe që Partia Socialiste ka pasur ndonjëherë, qysh se ne kemi nisur së bashku këtë rrugëtim, i cili më shumë sesa një rrugëtim për të ndryshuar gjërat këtu në Shqipëri, është një rrugëtim për të ndryshuar përfundimisht pozicionin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në zemrën e kontinentit europian.
Mjaft më si qytetarë të dorës së dytë të Europës, mjaft më si një popull i trajtuar si popull të huajsh në mes të Europës.
Është koha që Shqipëria dhe shqiptarët të hyjnë në shtëpinë e familjes së bashkuar europiane njëherë e mirë.
Të dashur miq, shokë, të dashura motra, të dashur vëllezër që jeni mbledhur këtu sot, kijeni mirë parasysh se këtë kohë e kemi sjellë me shumë përpjekje por këtë kohë e ka sjellë dhe fati europian i shqiptarëve pasi për herë të parë qysh se ne kemi dalë nga diktatura nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë në Bashkimin Europian, por është dhe Bashkimi Europian që do që Shqipëria të hyjë në shtëpinë e tij.
Për këtë arsye, 11 maji nuk është dita e zgjedhjeve të radhës.
Çdo zgjedhje ka shumë rëndësi për një vend, çdo zgjedhje luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e një vendi, e një komuniteti, e një shoqërie, por nganjëherë ndodh që zgjedhjet të mos jenë thjesht një ballafaqim mes forcash politike dhe një vendim i shumicës se cilën forcë duhet të mbështesë, por të jenë siç janë këto të 11 majit një takim me historinë sepse në 11 maj Shqipëria nuk do të zgjedhë mes forcash politike, por do të zgjedhë mes vendit të saj në Bashkimin Europian dhe alternativës tjetër të kthimit mbrapa përsëri, do zgjedhë mes të mirës së përbashkët të një populli të tërë dhe interesit të një 80 e kusur vjeçari, që përsëri do të bëjë çorap Shqipërinë megjithëse më shumë nuk e di se çfarë thotë sesa di çfarë flet.
Unë kam shumë besim që shqiptarët në këto ditë do ta ndjejnë peshën e përgjegjësisë të 11 majit, shqiptarët në këto ditë nuk do ta harrojnë se kur Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri barrikadën për të mbajtur anën e Europës nuk kishte Bashkim Europian, por ama ai, si profeti i historisë sonë kombëtare, na e përcaktoi fatin dhe vendin tonë me Europën dhe jo me Azinë, me Perëndimin dhe jo me Lindjen.
Atë përcaktim të profetit të historisë sonë, rilindasit tanë na e lanë të shkruar si amanet, amanet që nuk duhet ta harrojë askush “Për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon” dhe pastaj në gjithë këto vite shqiptarët u munduan që t’i bashkoheshin Europës, duke shkuar në Europë dhe ashtu si shumë shqiptarë të Europës sot, janë integruar atje dhe janë imponuar me punën dhe me karakterin e tyre, është koha që Shqipëria e tëra të bëjë të njëjtën gjë, është koha që çdo shqiptar brenda ose jashtë kufijve, çdo prind brenda ose jashtë kufijve, çdo vajzë dhe djalë nga votuesit e parë që janë këtu sot, të marrë përsipër në 11 maj fatin europian të Shqipërisë dhe duke bërë zgjedhjen e duhur të vendosë që secili dhe secila të kenë pasaportën europiane, pasaportën që nuk është një dokument tjetër udhëtimi, por është statusi i ri i shqiptarëve si qytetarë dhe qytetare të barabartë me të gjithë bashkëqytetarët dhe bashkëqytetaret europianë, një status i barabartë që i jep fund dhe e mbyll njëherë e përgjithmonë atë korridorin e veçantë ku na fusin kur dalim jashtë për të hyrë në Bashkimin Europian dhe ku na mbajnë në radhë dhe na kontrollojnë me policë pasaportën duke na bërë lloj-lloj pyetjesh ndërkohë që me pasaportën europiane të Shqipërisë ne do të hyjmë në Europë njësoj siç ju nga Patosi hyni në Tiranë.
Natyrisht, hyrja në atë shtëpi, përveçse një status i ri i Shqipërisë, është një fuqi e re për Shqipërinë, është një fuqi e re morale, është një fuqi e re politike, por është dhe një fuqi e re ekonomike.
Me hyrjen në atë shtëpi, Shqipëria do të përfitojë çdo vit një buxhet të ri, përveç buxhetit që gjeneron nga ekonomia e brendshme do ketë dhe buxhetin e shtëpisë së përbashkët. Që ta dini të tërë, nëse deri sot në këto vite Europa, Bashkimi Europian na ka mbështetur me thuajse 1 miliardë e disa qindra milionë, me hyrjen në atë shtëpi, 1 miliardë e disa qindra milionë do të na vijnë çdo vit për infrastrukturën, do të na vijnë çdo vit për arsimin, do të na vijnë çdo vit për shëndetësinë dhe mbi të gjitha do të na vijnë çdo vit për fshatin, për bujqësinë, për njerëzit që duan të jetojnë me tokën me dinjitet dhe si të barabartë.
Miqtë e mi, nuk dua t’ju lodh me një fjalim të gjatë, por dua t’ju them që çdonjëri nga ne, me një votë në qendër të fletës së votimit aty ku ndodhet numri 5, do t’ia bëjë “qepalla” Europës dhe ndërkohë do të lërë pas njëherë e mirë të gjitha hijet e të shkuarës që nuk na janë ndarë për dekada e për shekuj.
Nga ana tjetër, hyrja në Bashkimin Europian do t’i japë shqiptarëve garancinë përfundimtare se përpjekja jonë, përpjekja e madhe e Partisë Socialiste, shumicës sonë për të vendosur në këtë vend për herë të parë barazinë para ligjit do të jetë e pakthyeshme, përgjithmonë.
Kështu që deri në 11 maj, bëni çmos që së bashku me kë të mundeni, të derdheni lumë në kutitë e votimit; bëni çmos që të bindni ata që ende kanë dyshime; bëni çmos që të bindni edhe demokratët, se 11 maji është i ngjashëm me 22 marsin e shumë, shumë viteve më parë kur shumica dërrmuese e shqiptarëve votuan PD, jo se ishin të tërë me PD, por se në ato zgjedhje duhej marrë një vendim për të mbyllur një histori dhe për të hapur një histori të re.
E njëjta gjë është në 11 maj, ne nuk mund ta humbim trenin e historisë që na ka ndaluar përpara syve, ne nuk mund ta lëmë derën e hapur të BE të na mbyllet para syve, ne duhet të vendosim të gjithë besimin, të gjithë kurajon dhe të gjithë vendosmërinë tonë që Shqipëria e vitit 2030, të jetë një Shqipëri e re dhe ky flamur i mrekullueshëm, më i bukuri në botë, flamuri i Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, të ngjitet në majën ku qëndron ajo ‘’shtëpi’’ dhe të mbetet aty në oborrin e asaj familje.
Shumë faleminderit të gjithëve!
Me shumë mirënjohje dhe le të vendosim së bashku që në 11 maj do të marrim një fitore rekord, këtu në qarkun e Fierit, në kryeqytetin e socialistëve.
Shumë faleminderit!