35 vjet Partia Socialiste, Vlorë
Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë:
Faleminderit shumë, mirëmbrëma! Faleminderit shumë të gjithëve! Më vjen shumë mirë që jemi sot këtu në Vlorë, më vjen shumë mirë që ju shoh të gjithëve në një numër të pazakonshëm për një takim që nuk është një takim elektoral. Shumë mirë po ashtu që e ndjej se çfarë ju ka sjell në këtë shesh përveçse thjesht dhe vetëm ditës së lindjes së PS, por dua t’ju them që sot erdha këtu drejtpërdrejtë nga Tivati dhe gjatë gjithë kohës që kam qenë atje kam menduar sesi e ndryshon rrugën edhe të një vendi të tërë një moment dhe sesi një vendim i gabuar apo një sjellje e gabuar e atyre që vendosin mund të spostojë rrugën e të ardhmes nga një vend në një vend tjetër.
Ishte hera e parë që shkoja në atë vend, njerëz të familjes time, të afërm, shokë, miq kanë shkuar, më kanë ftuar dhe ata që janë andej, gjithmonë refuzoja të shkoja. Refuzoja të shkoja pikërisht se nuk doja të përjetoja atë që kam përjetuar dje dhe sot. Natyrisht që Tivati është një vend i bukur, por si Tivati, Vlora ka çdo gjë të saj dhe përpara sesa Tivati ishte një qytet me rreth 10 mijë banorë ku nuk shkonin turistë sepse ishte një bazë ushtarake e kohës së Jugosllavisë dhe të gjithë e konsideronin si një bregdet të nivelit të ulet. Erdhën në Shqipëri ata që e transformuan Tivatin në një vend që sot ka 5 milionë turistë në vit. Parafytyroni një vend me 10 mijë banorë tërësisht i braktisur nga shpresa e të ardhmes që papritur kthehet në vendin që pret 5 milionë turistë.
Erdhën në Shqipëri diku nga viti 2009-2010 duhet të ketë qenë, por në ato vite dhe gjetën këtu derën të mbyllur. Iu kërkuan pjesën, donin të bënin portin turistik të Durrësit. Një burrë vizionar nga Kanadaja, i cili pastaj u detyrua të largohej mbasi në mënyrë këmbëngulëse donte ta bënte në Durrës investimin e tij sepse dhe kishte shumë të drejtë, ishte i bindur që duke bashkuar portin turistik me amfiteatrin romak, amfiteatri më i madh që romakët kanë ndërtuar jashtë Romës do krijonte një atraksion që do transformonte jo Durrësin, por do transformonte Shqipërinë. Dhe nuk e beri dot në Shqipëri, e beri në Tivat. Dhe në atë vend, në zonën rreth portit, vlera e pronës nga 400 euro për metër katror kur nisi historia është 12 mijë euro për metër katror . Ndërkohë që vlera e pronës në qytezën e Tivatit dhe në rrethina është 4000 euro metri katror.
Natyrisht Tivati është burimi më i madh i të ardhurave të Malit të Zi, i të ardhurave të shtetit, i të ardhurave nga taksat, i të ardhurave nga sigurimet shoqërore. Dhe Mali i Zi është prej vitesh edhe pse vendi më i vogël i gjithë Ballkanit Perëndimor, vendi me pagat më të larta me shumë diferencë nga ne. Kur ne morëm detyrën hendeku ynë me Malin e Zi ishte mysybet dhe me diferencë nga gjithë të tjerët. Sot akoma Mali i Zi kryeson klasifikimin. Si ka mundësi? Si ka mundësi që disa të huaj erdhën në Mal të Zi ndërtuan portin e Montenegros, ndërtuan një sërë strukturash të tjera hoteliere me 5 yje, ndërtuan turizëm elitar në Mal të Zi, ndërtuan turizmin e të pasurve, ndërtuan turizmin e të huajve. Si ka mundësi që pa pasur bujqësi, Mali i Zi nuk ka prodhime bujqësore, shumë pak, s’ka bujqësi. Mali i Zi nuk ka fabrika, Mali i Zi nuk ka asgjë nga shumë gjëra që ne i kemi por ama Mali i Zi ka arritur që bukurinë e vet, është vend shumë i bukur, por mendoj që nuk krahasohet dot me Shqipërinë që ka dy dete, me Shqipërinë që ka 9 lumenj, me Shqipërinë që ka liqene të pafundme edhe pse prapë nuk është një vend i madh Shqipëria
Ka një mundësi sepse llogaria është shumë e thjeshtë. Nëse 100 turistë vijnë dhe lënë në ditë në këtë vend 30 euro, bëjnë 3000 euro. Nëse 10 turistë vijnë dhe lënë në këtë vend çdo ditë 3000 euro bëjnë 30 mijë euro dhe nëse 12 milionë turistët që vijnë në Shqipëri sjellin 5 miliardë, imagjinoni sesa sjellin jo 12 milionë por sesa sjellin nëse vijnë 100 mijë turistë që lënë në 24 orë shumë herë më tepër. Dhe prandaj ajo pyetja “çfarë ka këtu për mua, unë jam një qytetar i zakonshëm. Unë nuk shkoj dot me familjen time të hyj në një resort. Aty do hyjnë të huajte, aty do hyjnë të pasurit”, është pyetja që në dukje duket shumë e drejtë por që në thelb është shumë e gabuar.
Asnjë vend që bukurinë e vet e ka vënë në shërbim të turizmit masiv nuk ia ka dalë ta mundi prapambetja dhe nuk ia ka dalë që përmes zhvillimit ti ngrejë lartë njerëzit e vet me mirëqenie
Turqia ia doli të bëjë ndryshimin e madh jo kur filloi të hapi turizmin por kur fillojë të fusë pikërisht resortet luksoze. Pikërisht hotelet me 5 yje, pikërisht marinat dhe jahtet.
Natyrisht që njerëzit e thjeshte, njerëzit e zakonshëm nuk mund të hyjnë në një jaht, por është jahti që hyn në ekonominë e tyre, që hyn në ekonominë e qytetit, që hyn në ekonominë e vendit.
Tani, parafytyroni investimin në Porto Montenegro ka qenë 150 milionë euro pak a shumë kur është bërë. Përpara disa vitesh u shit tek të tjerët që e morën 700 e kusur milionë euro.
Tani, 4 miliardë euro investim në një zonë të Vlorës, merreni me mend vetë se çfarë prodhon nëse sipas të gjitha studimeve të bëra, 1 euro që hyn në një hotel apo në një resort luksoz, është e barabartë me 1.6- 2 euro që menjëherë hyn në ekonominë rreth e rrotull.
Unë di të them vetëm këtë që, ai investim duke u realizuar do të bëhet bekimi i madh i ekonomisë, jo të Vlorës, as të qarkut të Vlorës, por të të gjithë Shqipërisë. Dhe ai investim nuk do sjellë vetëm paratë, nuk do të ndërtojë vetëm vilat, hotelet; nuk do sjellë vetëm ata që do vijnë për pushime aty, por do sjellë një vlerë të shumëfishuar në të gjithë këta komponentë jashtëkufijve të tij, sepse është kjo që ndodh.
Është kjo që transformon me themel ekonomitë. Jo ëndrrat e varfëra, vendet nuk ngecin nga varfëria. Varfëria sulmohet, varfëria mundet, varfëria kapërcehet, vendet ngecin kur kanë, jo varfëri në lekë, por kur kanë varfëri në ëndrra. Popujt ngecin kur udhëhiqen nga njerëz që janë të varfër në ëndrra dhe që janë të pangopur në interesat e tyre.
Të thuash ‘’Shqipëria e shqiptarëve’’ do të thotë t’i bësh thirrje pjesës më të errët të mendjes së njerëzve. Shqipëria vetëm e shqiptarëve, ishte kur u bë bunker dhe e dimë shumë mirë si mbaroi ajo histori. Shqipëria nuk kishte të huaj. Vlora nuk kishte të huaj kur populli në fund, mori detet e mori malet i rreckosur dhe i bërë kockë e lëkurë.
Jo! Shqiptarët për Shqipërinë, jo “Shqipëria e shqiptarëve”!
Shqipëria e shqiptarëve është njësoj si të thuash shtëpia ime është vetëm e imja dhe dera ime nuk hapet. Çfarë do bësh në shtëpinë tënde nëse dera jote nuk i hapet askujt? Do izolohesh, nuk do të zërë më dielli, nuk do mundesh dot më të zhvillohesh nga mendja e kokës se do flasësh me vete.
Nuk është kjo fare ajo që ka nevojë sot Shqipëria, po Shqipëria ka nevojë për respekt edhe për zërin e hoxhës, edhe për zërin e priftit dhe për zërin, për gjuhën, për ngjyrën e kujtdo që Zoti ka zgjedhur ta vendosë në Vlorë, në Shqipëri, në Europë, në Amerikë, në Kinë, në Arabi, në Izrael, në Brazil. Kjo është Shqipëria. Mbaroi hoxha tani!
Janë ca të rinj këtu që s’e kanë dëgjuar ndonjëherë hoxhën. Thonë ‘’vazhdo se mbaroi’’. Nuk mbaron jo! Se unë jam i pafe që i njoh të gjitha fetë. Ok, tani po.
Po kur thonë që kur thonë që ‘’do na vijnë indianët, do na vijnë pakistanezët, do na vijnë malazezët jo malazezët, malazezët nuk vijnë, po malazezët do na marrin punën nëpër hotele, do na marrin punën nëpër restorante, do na marrin punën që është e jona’’.
A thua se këta që i thonë këto, mbetën në dyert e hoteleve e të restoranteve për të kërkuar punë.
Në ndërkohë që, këto broçkulla ia thonë paturpësisht edhe të gjithë atyre të huajve që janë turrur nga Shqipëria për të marrë e për të përcjellë gjithandej gjithëfarë lajmesh. E për t’i përcjellë gjithfarë lajmesh, jo vetëm se një pjesë janë armiq siç janë iranianët, jo vetëm se një pjesë tjetër janë konkurrentë, siç janë fqinjët që i shpërndajnë gjithandej gjithë llojet e falsiteteve. Po një pjesë tjetër, ka një hall tjetër. Nuk e ka fare as me pelikanët, nuk e ka fare as me flamingot, nuk e fare as me Vlorën, nuk e kanë ditur ku bie Vlora deri dje, por e kanë me babain dhe vjehrrin e atyre që duan të bëjnë investimin në Shqipëri.
Luftën që kanë atje, e ushqejmë ne, me këta delirantët dhe sharlatanët tanë që hypin nëpër foltore, lidhin një flamur kuq e zi në qafë, merren me librin e shtëpisë sime, dhe thonë Shqipëria është e shqiptarëve dhe thonë po na i marrin punën të huajt dhe i thonë atyre që këto resortet, do sjellin të huaj, që ndër ata, iu përmendin dhe ngjyrën e lëkurës, sepse duan që t’i paguajnë për një copë bukë.
Ndërkohë që, jo në atë resort, po në hotelet e Vlorës, sot që flasim, në restorantet e Vlorës, sot që flasim, pagat janë njësoj ose pak më shumë se sa në Greqi në bregdetin Jon, nga Dhërmiu deri në Ksamil, në hotele, në restorante, pagat janë njësoj ose pak më shumë sesa në Greqi dhe natyrisht nuk po i krahasoj me resortet luksoze,po i krahasoj me normalitetin. Por ajo që dua të them është që, ndërkohë që ata flasin për pronat, ‘po shitet Shqipëria’, në çfarë forme? Shqipëria është “përdhunuar” shumë kohë përpara sesa ju të më jepnit mua besimin për të drejtuar Partinë Socialiste.
Shqipëria është “përdhunuar” kur titujt e pronësisë i morën honxho-bonxhot i nxorrën nga kutitë metalike që ishin të ruajtura akull, dhe ai regjimi tjetër i ruajti akull titujt e pronësisë jo se i shkonte mendja se do vinin ndonjëherë pronarët, por i ruajti akull sepse në ato tituj pronësie ishte e shënuar dhe e vulosur dhe prejardhja e të gjitha pronave të shqiptarëve që të mos i vinin një ditë të bukur e të mos i thoshin “prit pak se këtu ju s’keni letra” dhe ato tituj pronësie janë mbyllur në kutitë metalike sepse i ndjeri dhe i paharruari Eqerem Çabej i shkoi Enver Hoxhës dhe i tha “mos i prek, mos i prek pronat, futi kyçin, por mos i prek se aty janë rrënjët e shqiptarëve”, po erdhën ca shqiptarë të tjerë, – se ne ua u lëmë të tëra pushtuesve dhe të huajve, – por erdhën ca shqiptarë të tjerë, ata shqiptarët e ’91-shit dhe ’92-shit, ata që i morën dhe i bënë fije-fije letrat e pronave. Ata që nuk lanë gjë pa bërë për ta bërë aq të madh çorapin, saqë sot e gjithë ditën shumëkush i paguan pasojat e atij çorapi, por ama natyrisht që ne nuk mund të themi se e ç’kokolepsëm gjithë atë çorap, por ama është e sigurtë që mund të themi se kemi bërë jashtëzakonisht shumë për të vënë rregull hap pas hapi dhe mbi të gjitha, të zeza si ato të zeza që sot e gjithë ditën dalin mbi ujë, mbi pronat, ne s’kemi bërë kurrë! Kurrë!
Po të ishim ne, ata që shisnim Shqipërinë do ishte privatizuar Sazani. Sazanin ka dashur dhe me të drejtë, ta bëjnë destinacion turistik edhe udhëheqësit e tjerë, por unë dhe ne nuk po bëjmë atë që tentuan të bëjnë ata të tjerët që e ofruan Sazanin për ta privatizuar.
Këto janë gjëra që dihen dhe që do dalin një ditë.
Ne, pavarësisht se ata që na erdhën dhe me të cilët po bashkëpunojnë janë shumë herë më të fuqishëm sesa ata të mëparshmit, kemi thënë: Sazani është tokë dhe pronë e popullit shqiptar dhe në Sazan ju jeni të mirëpritur të investoni. Natyrisht, çdo shtëpi dhe çdo tullë që do vini është e juaja, por ishulli është i shqiptarëve. Po është i shqiptarëve, jo i atyre të tribunave të bulevardit atje, ku edhe akoma sot kanë mbetur dhe ca nga ata tanët atje. Ju ka humbur pin-i dhe ca nga atyre tanëve. Po siç po e shihni, ditë për ditë po e gjejnë puk-un e do kthehen te pin-i. Se vetëm një pin ka kodi i të ardhmes. Partia Socialiste e Shqipërisë!
Kodet e tjera, kodet e tjera të lënë pa numerator telefoni fare. Fare dhe jo e shqiptarëve që e kishin shqiptarët edhe kur s’kishte të huaj këtu, po as nuk shkonin dot atje.
Nuk kanë shkuar ndonjëherë shqiptarët atje, se ishte bazë ushtarake apo jo, por e popullit shqiptar, e shtetit shqiptar. Shteti shqiptar në atë zhvillim do jetë ortak dhe nëse unë do isha “tradhtari” që po shisja Shqipërinë, nuk kisha pse të vija gjithë përfaqësuesit e shtetit që të bënin gjithë këto kohë negociata me ata të fuqishmit për si do ndahet puna, sa do investoni ju dhe sa përqind do marrin shqiptarët. S’kisha fare. “Shqipërinë 1 euro” nuk e shpika unë. Aty është akoma ligji. Më tregojnë mua këta Honxho Bonxhot investime strategjike e më thonë po prishet Shqipëria, investime strategjike. Po s’kishte investime strategjike Vlora kur erdhëm ne në detyrë. Mbani mend si ishte apo jo? E mbani mend që ktheheshe te pusi i Mezinit dhe mund të dilje pa pritur pa kujtuar të mbyteshe në lumin e Vlorës dhe mos ta gjeje dot ku ishte Vlora? Po gropat në Lungomare e të tjera, e të tjera s’kishte investime strategjike dhe më e bukura, e dini kush është? Më e bukura është që te Zvërneci, ata s’kanë kërkuar fare statusin e investitorit strategjik. Mund ta kërkojnë më vonë, nuk e kanë kërkuar.
Tjetra thonë Paketa e Maleve duhet të anullohet. Ou?! Po pse ata që kanë trashëguar tokat edhe thuajua e thuajua, e thuajua “more janë trashëgimtarë të tokave”, janë trashëgimtarë të tokave në veri, ka trashëgimtarë të tokave në zona të thella të jugut që nuk kanë pasur ata sherre për prona, nuk kanë hyrë ata në 7501 e AMTP-ra, ata e dinë deri këtu ka qenë gjyshi im, deri atje ka qenë gjyshi jot.
Mirëpo duke mos pasur nga ato i kanë braktisur ato bukuri atje sepse nuk bëjnë dot asnjë investim. I bënin dikur pa leje, tani s’i bëjnë dot as pa leje. S’kanë pronë, duan të bëjnë një fermë, nuk marrin dot subvencion, nuk marrin dot asgjë sepse s’kanë pronë. Dhe çfarë bën Paketa Maleve? I thotë, “Hajdeni, hajdeni te toka që është e gjyshit, që s’keni letra, sillni planin e investimit, jo investitorin strategjik, planin tuaj të investimit, shkoni në Këshillin Bashkiak, afishoni emrin një muaj, po erdhën të tjerë të kërkojnë për pronën që juve po kërkoni, ju nuk e merrni dot investimin.
Po s’pati kontestime, prona është e juaja. Investoni dhe jo bëni pallate, po bëni agroturizëm, bëni bujtina, bëni ferma, bëni agropërpunim, krijoni ato realitete që i kanë krijuar ata që nuk janë më të mençur se ne, nuk janë më të zotë se shqiptarët, se shqiptarët tani janë shpërndarë dhe ju punojnë atje nëpër malet e tyre, por kanë qenë të udhëhequr nga njerëz më të mençur sesa hajvanët që kemi pasur ne në krye dhe s’keni pse vazhdoni punoni për të tjerët andej. Jo thonë këta anulloje këtë. Po pse ta anullojmë këtë? Anulloje.
Po shyqyr zotit kanë pesë kushte, kushti i parë është “jep dorëheqjen” që do të thotë ik ti, pastaj bëj këto të katër të tjerat. S’ka as logjikë.
Shikojnë gardhin atje, – gardhin që pika që su bie atyre që e vunë atë gardh me tela me gjëmba, po kjo është histori tjetër – me atë “kufiri i Izraelit” dhe shkojnë pas Berihajit, “do sjelli Edi Rama palestinezët këtu me Netanjahun”.
Ne, në fund të 2027-s do të mbyllim negociat me Bashkimin Europian. Ne brenda 2030-s duhet të hyjmë në Bashkimin Europian. Ne kemi bërë sa kemi mundur për Vlorën dhe për Shqipërinë me ato që kemi mundur. Tani është koha që këtu të vijë para shumë më e madhe që të kemi të shpërndajmë më shumë.
“Jo nuk i duam të huajt ne”! “Nuk i duam të huajt ne”! Po me çfarë do t’i shtoni ju investimet?! Ndërsa ata që kanë merakun e mjedisit edhe ata që janë akoma të mjegullt që: Çfarë do ndodhi? Si do ndodhi? Ata unë i respektoj, i respektoj, po deri në një farë kohe se në qoftëse ta thonë një herë, ta thonë dy herë, ta thonë tre herë, ta thonë katër, ta thonë pesë, që për Zvërnecin është krijuar skuadra nga nuk e di ku mund të ketë qenë në ndonjë zhvillim tjetër një skuadër me arkitektë nga më të mirët e botës, me inxhinierë mjedisi nga më të mirët e botës, me konsulent për oponencën mjedisore nga më të mirët e botës dhe ti vazhdon: -“anulo projektin”, ti thuhet: -“ore prit se s’ka ardhur projekti”, “ta shikojmë projektin”, se çfarë kanë ardhur kemi thënë kthehuni, bëni, këtu, aty s’ka ardhur projekti, ata po punojnë, një tufë njerëzish dhe jua tregoj unë kompaninë – superfuqi në lindjen e Mesme, bëjnë investime në gjithë botën.
Mirëpo, mos harroni një gjë në momentin që bëhet investim në Zvërnec, unë nuk e ekzagjeroj fare, -Vlora bëhet pika ku s’ka nevojë më të kuturistësh e të ikësh shumë larg, vjen në Vlorë, në mes të Europës dhe je sikur je në një botë tjetër. Vjen në Vlorë mes të Europës dhe ke natyrën, ke flamingot, ke gjithçka, ashtu siç janë në ato resorte që shqiptarët i shohin me dylbi apo jo? Se janë shumë larg dhe ata që kanë mundësi të shkojnë.
Nuk dua të zgjatem më shumë se mund të flas gjatë siç e dini, po dua të ndalem këtu edhe duhet të them dy gjëra.
E para, ne kemi kontratën me 800 e kusur mijë njerëz dhe unë dua që brenda kësaj dekade ne të bëjmë investimin. S’kemi kohë të presim e të humbasim! Ata të vazhdojnë të kërkojnë “Shqipërinë e shqiptarëve”, ne duam shqiptarët për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë ku nëse deri më sot, thonë: “o Shqipëria”, “o Shqipëria”, nesër thonë: – “ ti je në Shqipëri”. Nga Vlora je? Ky është borxhi që unë ndjej për të mbyllur kapitullin e punëve të mia me Vlorën.
E dyta, dua që t’i falënderoj sinqerisht të gjithë ata që këtu në Vlorë dhe në gjithë qarkun më kanë besuar dhe më besojnë dhe më mbështesin.
Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë ata patronazhistët e qarkut të Vlorës, se unë me ata e kam kryesore dhe kush thotë: – “ja ky, ky kujton se do na dali ne përballë me patronazhistë” dhe sa herë që do thonë: – “do dalim lum në Tiranë, do dalim lum në Shqipëri”, duhet vetëm të bëjnë një llogari: Partia Socialiste nuk është lumë. Partia Socialiste është jo një, po është dy dete bashkë. Kështu që ka lumenj, po ka dhe dete. Ka dete, po ka dhe dallgë. Prandaj secili të shohi punën e vetë. Atje në skelë ishim bashkë me Brunën dhe me Çuçin me pronarët me pronarët që pretendojnë që është prona e tyre, s’kishin dalë ata nëpër protesta, se ata kanë hallin e pronës. Folëm si njerëz, u sqaruam, të vazhdojmë punë me gjykatën, po ju dha gjykata të drejtë ato paratë e ngrira të atij tjetrit që thotë jam unë pronari, do t’i marrim, do t’i japim të tjerëve, është shumë e thjeshtë. Por ama nuk ka: – “ndaloni ju punën sa të merremi vesh ne me njëri – tjetrin”. Jo, nuk ka! Puna për ta bërë Vlorën, beben e syrit, të turizmit, të Mesdheut nuk ka për t’u ndalur.
Shumë faleminderit!


