35 VJET PS, Tiranë – Krenar për Partinë Socialiste
Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama:
Faleminderit shumë!
Tani nuk dua t’ju mbaj gjatë, e hoqa fjalimin dhe foltoren.
Jam këtu për të thënë disa fjalë dhe dua ta nis me frymëzimin që më dha dalja e Gramozit këtu, që më kujtoi një fjalë të legjendarit Fate Velaj, i cili kur u bë deputet i Partisë Socialiste, pas ca kohësh tha: – “Ore, tha, çfarë misteri është ky me këtë njeri? 35 vjet, tha, në majë, 35 vjet, tha, fytyrën e ngrysur”. I thashë unë: “Si e shpjegon ti?”. “Ky duhet të jetë një profesion më vete”, tha, “se ne u meruam duke qeshur, po nuk na ndjek njeri nga mbrapa siç ndjekin këtë”, tha.
Tani unë mendova që të shtoj edhe më shumë, se nuk është vetëm që është i ngrysur 35 vjet. Po 35 vjet; Facebook jo, Instagram jo, TikTok jo e jo, po që kur ka dalë telefoni celular, asnjë SMS s’ka bërë akoma deri tani që flasim, i punon telefoni vetëm në marrje SMS-sh. Tani, plus kësaj, 35 vjet intervista në media ka dhënë 3.5, tre e gjysmë domethënë. Si shpjegohet kjo? Në fakt, kjo e ka shpjegimin te telefoni, sepse askush nga ne nuk i ka në telefon të gjitha kontaktet që ka Gramozi, nga veriu në jug, nga ditët para themelimit, gjatë themelimit, mbas themelimit dhe askush nga ne nuk e ka arritur dhe nuk arrin dot atë që Gramozi ka bërë dhe vazhdon të bëjë edhe sot, që jo vetëm i përgjigjet çdo njeriu, jo me SMS, është kuadër i vjetër, thotë: – “Mos lër gjurmë”, po me telefon, një për një, ata shkruajnë, Gramozi përgjigjet. Jo vetëm kaq, po të mbledhësh rrugët e Gramozit për vaki, në radhë të parë për vaki, për ngushëllime, e për dasma, e për pagëzime, janë të panumërta. Pra, ajo që Fate Velaj nuk e kuptonte dot dhe që shumëkush nga ata që nuk e dinë se si funksionon Gramozi me fytyrën e tij të vrenjtur, është që në fakt Gramozi është kryepatronazhisti i Partisë Socialiste.
Unë e di tani që kjo do ta ngatërrojë prapë opozitën dhe do t’i ngatërrojë prapë të gjithë ata që e mendojnë sistemin e patronazhimit si një sistem agjenturor të Partisë Socialiste, se Gramozi, nga fytyra e ngrysur, ka dhe atë hijen e kryeagjentit. Por, nga Gramozi unë dua të kaloj tek ata që askush s’i përmendi, se të gjithë thonë socialistët kështu në tërësi, por që janë arsyeja bazë e të gjitha sukseseve tona elektorale, që janë patronazhistët e Partisë Socialiste.
Patronazhistët e Partisë Socialiste janë ata që bëjnë në fakt, e kanë bërë dhe e bëjnë atë që Gramozi bën me të gjithë familjen socialiste, por e bëjnë me atë numër të vogël njerëzish që kanë në kujdestarinë e tyre. Dhe e kam thënë përpara, e përsëris prapë sot, unë e çmoj punën e të gjithëve, por mbi të gjitha çmoj punën e patronazhistëve. E di shumë mirë çfarë do të thotë të jesh kryetar organizate, e di shumë mirë çfarë do të thotë të jesh anëtar organizate, por mund të jesh kryetar organizate dhe mund të mos kesh vlerën që ka një patronazhist. Mund të jesh anëtar organizate në letra, po s’e ke kurrë vlerën që ka një patronazhist. Patronazhistët janë anëtarët e kësaj familjeje që me punën e tyre derë më derë, me kontaktet e tyre me njerëzit që kanë në patronazh, garantojnë pikërisht atë që Gramozi kërkoi sot nga të gjithë: “Mos humbni lidhjet me njerëzit”.
Përtej kësaj, unë dua të bëj edhe nja dy reflektime lidhur me çfarë u tha këtu dhe me çfarë është thënë gjatë këtyre takimeve dhe me çfarë thuhet apo nuk thuhet mjaftueshëm për Partinë Socialiste dhe dua të them që një nga arsyet, mbas patronazhistëve, që janë kryearsyeja të paktën e fitoreve që unë kam udhëhequr, një nga arsyet e fitoreve të Partisë Socialiste është aftësia për t’u hapur. Dhe aftësia për t’u hapur buron në kohë, është një nga ato shënimet në ADN-në e Partisë Socialiste, qysh nga momenti i lindjes së saj. Nga momenti i lindjes së saj, kur Partia Socialiste jo nuk ndërroi thjesht emrin, nuk kishte një ndërrim emri. Emri, ndërrimi i emrit, ishte gjëja më e drejtpërdrejtë, zyrtare dhe përfaqësuese në sytë e të tjerëve, por ishte me ndërrimin e emrit edhe ndërrimi i qasjes ndaj vetes, i qasjes ndaj shoqërisë, i qasjes ndaj të shkuarës, i qasjes ndaj historisë dhe ndaj të ardhmes.
Dhe këto nuk janë fjalë që tingëllojnë bukur, por këto janë fjalë që tregojnë çfarë ndodhi në atë moment ndarjeje. Partia Socialiste nuk doli si produkt i një krenarie për atë që linte pas, Partia Socialiste doli si produkt i një reflektimi lidhur me atë që vinte përpara dhe për këtë arsye asnjë parti tjetër e krijuar në Shqipëri, lëre ata “honxho-bonxhot” që medemek janë akoma kundërshtarët tanë, po asnjë parti tjetër e krijuar në Shqipëri, as partitë më të reja, nuk e kanë dot atë që ka Partia Socialiste në ADN-në e vet, që vjen nga ajo ditë, nga dita e ndarjes dhe e rilindjes, për t’u hapur, në sensin e të parit të vetvetes gjithmonë me një ndjenjë përgjegjësie për atë që ndodh, për atë që duhet të ndodhë dhe me një ndjenjë respekti, pavarësisht se në momente të caktuara mund të duket më shumë, mund të duket më pak, ndaj të tjerëve.
Diçka tjetër që Partia Socialiste bëri që në ditën e parë dhe që është e shënuar edhe kjo në ADN-në e kësaj familjeje, është vendosja e një raporti me të shkuarën që është një raport, raporti më i ekuilibruar me të shkuarën që mund të gjesh edhe sot e gjithë ditën në të gjitha forcat politike, që nga honxho-bonxhot deri tek këta më të rinjtë. Sepse, siç thashë, PS nuk lindi si një moment refuzimi për të pranuar se kishte diçka shumë të madhe që nuk shkonte më, por lindi pikërisht si një moment reflektimi mbi atë gjënë shumë të madhe që nuk shkonte më, që krijoi pastaj sensin e përgjegjësisë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve për të cilët fola dhe që ndërtoi një raport me të shkuarën ku PS ndau shumë qartë që në fillim dhe pastaj e konsolidoi hap pas hapi diktaturën dhe krimet e së shkuarës me Luftën Nacionalçlirimtare dhe me komunistët si njerëz të ndershëm që i shërbyen një kauze tek e cila besonin, por që nuk u përzien në ato krime.
Dhe këtu lind edhe raporti i drejtë me historinë i Partisë Socialiste. Është e vetmja parti që asnjëherë nuk është lëkundur në antifashizëm dhe madje PS është partia më antikomuniste e Shqipërisë në aspektin ideologjik. Dhe si një parti e së majtës progresiste, të qendrës evropiane, PS është një parti që është njëkohësisht antifashiste dhe antikomuniste. Është një parti anti-ideologjike që nuk e ka ngatërruar asnjëherë, siç thashë, njeriun e ndershëm, njeriun e drejtë, njeriun e punës, njeriun e kontributeve, qoftë ai edhe komunist, me diktaturën dhe me ata që mbartën mbi supet e tyre atë përgjegjësi për të cilën PS lindi duke u ndarë prej asaj që ata përfaqësonin dhe nuk ka ngatërruar asnjëherë në asnjë moment atë që pasoi pas Luftës Nacionalçlirimtare me faktin që ata që e vendosën Shqipërinë në anën e drejtë të historisë dhe ajo luftë që e vuri Shqipërinë në anën e fitimtarëve është një luftë që nuk preket, por vetëm reflektohet.
Tani, jo me fjalë por me fakte, dhe jo me fakte që vijnë nga koha kur unë kam filluar të udhëheq PS me bekimin tuaj, por me fakte që vijnë nga më parë. PS ka mbajtur qëndrimin më korrekt ndaj të shkuarës edhe në aspektin e anës tjetër. Nuk i kanë respektuar me fakte të përndjekurit politikë forcat e honxho-bonxhove që u krijuan me demek për t’i përfaqësuar ata, sa i kanë respektuar socialistët përmes qeverive të tyre.
Kaq e vërtetë është kjo sa po ju jap vetëm një shembull, i cili lidhet me dëmshpërblimin e të gjallëve të dalë nga burgjet e komunizmit. Nëse nuk do të kishte ardhur Partia Socialiste në qeveri në 2013-ën, të burgosurit e vërtetë politikë të dalë nga burgjet dhe që ishin akoma gjallë do të kishin ikur në atë botë pa i marrë dëmshpërblimet, sepse honxho-bonxhot përpara nesh kishin prishur radhën dhe kishin shkuar tek të tretët pa mbaruar një herë me ata që ishin arsyeja pse të tretët quheshin të përndjekur.
Dhe jo vetëm kaq, por PS është partia që nuk e ka problem të ballafaqohet me të shkuarën dhe pikërisht se nuk e ka problem të ballafaqohet me të shkuarën, pasi e ka vënë të qartë distancën dhe i ka ndarë si duhet se çfarë ka e shkuara për t’u refuzuar si vazhdimësi dhe çfarë ka e shkuara për të mos u hedhur poshtë si pjesë e asaj që jo që ne jemi si forcë politike, por si pjesë e asaj që ne jemi si një popull në histori, nuk ka qenë forca e honxho-bonxhove. Ka qenë kjo parti përmes qeverisë dhe shumicës qeverisëse që ka bërë ligjin për dosjet dhe që ka mundësuar hapjen e dosjeve duke bërë institutin përkatës, agjencinë përkatëse, që ka bërë muze, jo për të glorifikuar diktaturën, por për ta treguar historinë e errët të diktaturës, sepse PS është një forcë që ka pikërisht fuqinë ta shohë në sy historinë, të shohë në sy veten, të shohë në sy këdo tjetër dhe të shohë në sy të ardhmen.
Asnjë tjetër nuk e ka këtë forcë. Dhe ata që shkojnë, shkonin se tani nuk e bëjnë më, dhe turreshin për të prishur bunkerë, që nuk simbolizonin glorifikimin e së shkuarës por ishin aty për t’u treguar të gjithëve dhe fëmijëve tanë, por edhe atyre që na vizitojnë, se nga çfarë ferri kishin dalë, ata në fakt janë ata që e shkatërruan PD-në dhe shkatërruan të djathtën shqiptare sepse nuk janë shëruar, vetëshëruar nga traumat dhe përkatësia te regjimi i kaluar, qoftë si shërbëtorë, qoftë si spiunë të atij regjimi.
Dhe nuk është rastësi që edhe rrugët me spiunët u ndanë. U ndanë në ata që hynë në rrugën e PS-së dhe në ata që vajtën në rrugën e PD-së. Gramozi mori socialistët, spiunët i morën shërbëtorët që kishte Gramozi para se të lindte PS.
Dhe bënë Partinë Demokratike. Nuk e di a ka qenë ky plani yt, Gramoz, që ta shkatërrosh opozitën duke çuar gjithë spiunët atje, por është e sigurt që ka funksionuar plani yt për PS-në, që është e çliruar tërësisht nga hijet e së shkuarës edhe në këtë aspekt.
Dhe edhe diçka tjetër, nuk rri dot pa e thënë, se edhe kjo është e shkruar, është e shënuar në ADN-në e PS-së dhe këtë dua ta përsëris sepse është diçka që u vlen shumë socialistëve, që jo se nuk e respektojnë historinë e fëmijës tonë, por e harrojnë. Jo se nuk kanë të drejtë kur revoltohen dhe kur në momente të caktuara, sidomos ngrenë zërin kundër meje, kundër nesh për padrejtësinë që vazhdon dhe për drejtësinë që nuk vihet në vend. Se nuk diskutohet që çdokush, jo që ka qenë në bulevard kur u vranë katër njerëz, por që ka qenë shpirtërisht me atë boulevard, atë ditë, e ka shumë të vështirë ta gëlltisë, sidomos në momentet kur arrin ngjarja që s’ka akoma drejtësi, por mos harroni, Partia Socialiste u ballafaqua pas lindjes së saj në një hapësirë lirie, jo demokratike, ishte liri, secili mund të bënte çfarë të donte, mund të krijonte edhe parit, mund të pushtonte edhe parkun Rinia ,mund të rrëmbente edhe vajza për t’i çuar në Itali, por nuk ishte demokraci dhe Partia Socialiste u ballafaqua me më të keqen që mund të ballafaqohet një opozitë, që është legalisht e regjistruar si e tillë dhe që praktikisht nuk funksionon dot si e tillë sepse lëri rrahjet edhe të gjitha ato që i tregoi Musai, në këtë rast, por kryetarin e vet, e pati në burg për disa vite politikisht të dënuar. Dhe Fatos Nano ka një kontribut të jashtëzakonshëm në faktin që me sensin e tij të lidershipit dhe me sensin e tij të përgjegjësisë ndaj demokracisë si një ndërtim që kur fillon nga aty ku filloi, është një ndërtim brezash, nuk doli nga burgu duke kërkuar hakmarrje, por doli nga burgu duke kërkuar shtet.
Shumë herë e kam dëgjuar që ne socialistët jemi të butë, shumë herë e kam dëgjuar që ne socialistët nuk jemi si ata, që ata nuk të falin për sojin e tyre, ndërsa ne sojit tonë nuk i dalim për zot. Shumë herë e kam dëgjuar këtë. Por e dini ça ndryshimi është ky? Ndryshimi midis mos daljes së sojit tënd për zot duke mos u bërë ti drejtësia dhe daljes së sojit tënd për zot, duke qenë ti vetëgjyqësia është ndryshimi midis Europës dhe Mesjetës. Është ndryshimi midis sensit të përgjegjësisë për çfarë duam t’i lëmë pas fëmijëve tanë dhe sensit të papërgjegjshmërisë për çfarë e ka lënë Shqipërinë për kaq dekada e kaq shekuj një vend ku s’ka të ardhme për fëmijët e saj. Dhe më besoni që nuk ka qeveri, nuk ka forcë politike që hyn në histori se ndërtoi rrugë. Nuk ka. Të gjithë ndërtojnë rrugë. Ca ndërtojnë më shumë, ca ndërtojnë më pak.
Një forcë politike hyn në histori për sa ka kapacitet të ndërtojë shtet dhe ta bëjë shtetin të funksionojë, mirëpo kujdes këtu sepse kapaciteti për të ndërtuar shtet në kushtet tona, është kapaciteti për të ‘’lënë lëkurën tonë’’ në duart e të tjerëve dhe ajo që ka nisur me Fatos Nanon si zëdhënës i sensit të arsyes demokratike kundër vetëgjyqësisë, është filli që pastaj ka vazhduar duke u zgjatur fillimisht me shumë vështirësi, pastaj dalëngadalë më shpejt, i Reformës në Drejtësi dhe i përpjekjes për ta bërë drejtësinë të pavarur dhe i dhënies pavarësi të drejtësisë dhe, edhe i faktit që sot ne jemi këtu në 35-vjetorin e PS të Tiranës dhe sot ne, pikërisht se nuk jemi as ata të tjerët, e pikërisht pse nuk jemi si asnjë nga të tjerët, nuk jemi duke kërkuar liri për të burgosurin politik Erion Veliaj, sepse kjo nuk është çështja jonë; sepse në Shqipëri nuk ka të burgosur politikë dhe sepse sado e dhimbshme të jetë mungesa e tij, sado e padrejtë të na duket ne, sado e padrejtë të na duket ne, ne pikërisht pse jemi këtu për të bërë histori dhe për t’i lënë fëmijëve tanë një Shqipëri tjetër, kemi vetëm një detyrë jashtëzakonisht të vështirë; detyrën që Fatos Nano e kreu më së miri duke, jo vetëm përballuar burgun dhe duke dalë me dorën e shtrirë ndaj burgosësit të tij, por dhe duke përballuar poshtërime të tjera, por pa lëshuar asnjëherë, pa i hapur asnjëherë portat ‘’detit’’ të socialistëve për “ta përmbytur” Shqipërinë nga e para, por duke krijuar kushtet që hap pas hapi ne të vijmë këtu ku jemi.
Ne jemi sot në një udhëkryq, jo Partia Socialiste, Shqipëria, në një udhëkryq midis të shkuarës dhe të ardhmes. Fiks sot, midis Shqipërisë që kemi pasur për kaq shumë vite dhe Shqipërisë që ne i kemi misionin që t’i lëmë fëmijëve tanë që ta kenë pastaj në Bashkimin Evropian. Dhe ajo Shqipëria në BE, kërkon sakrifica, sakrifica të të gjitha llojeve dhe drejtësia është e vetmja sakrificë reale që politikanët bëjnë, kur kanë fuqi sepse lëshojnë pushtet, dorëzojnë një shpatë me rrezikun që ajo shpatë të vejë tek koka e tyre. Dhe ajo shpatë mund t’u vejë tek koka e tyre me të drejtë e pa të drejtë, por ama, këtu ndahet dhembja për të vazhduar që ajo ngrehinë e brishtë të ndërtohet pa kthim me pafuqinë për të përballuar dhembjen, por njëkohësisht edhe me kthimin prapa në histori. Prandaj Partia Socialiste nuk ka asnjë mundësi të kthehet prapa se nuk ka asnjë shans që t’i tradhtojë fëmijët e këtij vendi, por nuk ka edhe asnjë shans që t’i tradhtojë të gjithë ata të cilët i dhanë këtij vendi në të gjitha mënyrat e tyre, qoftë si rilindas, dëshmorë apo martirë të komunizmit, qoftë edhe si punonjës të thjeshtë hekurudhash; apo bujq të thjeshtë kooperativash sepse në një mënyrë ose në një tjetër, të gjithë ata për arsye të ndryshme, kishin një fiksim në kokë; Shqipëria të bëhet më mirë dhe një gjë dua t’ju them të gjithë atyre socialistëve, që në emër të partisë, në emër të punës që bëjnë, në emër të kontributeve, kërkojnë favore për hesap të asaj që kanë bërë dhe për këtë partia duhet t’ju rregullojë dhëndrin në punë. Cili hero dhe dëshmor i Luftës Nacional Çlirimtare do ta kërkonte këtë favor në emër të gjakut të tij? Cili? Përkundrazi! Çdo hero dhe dëshmor që është atje tek Varrezat, çdo socialist që jetoi këtë periudhë si një pensionist veteran dhe që sot është në botën tjetër, ndihet i poshtëruar nga përdorimi i kontributit për të ‘’rregulluar dhëndrin’’ dhe arsyeja pse ne jemi akoma sot këtu, në mandatin e katërt, nuk është se ne nuk kemi bërë nga këto. Kemi bërë shumë nga këto, por ama përsëri njerëzit e dinë shumë mirë që gjithsesi ne jemi të vetmit që një kufi moral të kësaj natyre me njerëzit e këtij e njohim dhe e respektojmë dhe kur ai kufi shkelet, e refuzojmë!
Dhe dua t’ju them në mbyllje se u zgjata dhe unë si Musai, dua t’ju them në mbyllje, Musa nuk the diçka tjetër ti, ti the pesë gjëra po duhet të thoshe edhe një tjetër. Ti ke një meritë Musa që ti nuk e do sot, por që ty do të mbetet. Ti ma ke dhënë mua kartën e Partisë Socialiste pa lejen e Fatos Nanos. Unë të thashë ku është organizata Musa ti qeshe: “Ha, ha, ha po ç’të duhet organizata, se me ata merrem unë”, se i kishim ndarë detyrat. I tha kisha thënë Musait: – “Musa me Tiranën merrem unë, me ata merru ti mos mi afro ata këtu, unë do të sjell të rinj”. I thashë Musa: Ku është keni ju një zyrë atje, një gjë atje te lagja ime? Unë jetoja me qera te rruga e Elbasanit në një dhomë e një kuzhinë atje, s’po e them për kështu, po ashtu ishte e vërteta, edhe flija kështu në diagonal. Edhe Musai më tha, “kemi”! –“Okej i thashë hape se do vij do futem në parti”. – Po leje tha tashi tha se s’futesh ti në parti”. – “O Musa do futem në parti”. – “Po leje tani tha nuk i bëhet mirë as ty as partisë tha”. -“O Musa i thashë hap zyrën”. Edhe shkuam atje Musai s’dinte çfarë e priste. Futemi atje, Ishte Kismet Meta. Kismet Meta U bë kismeti i Partisë Socialiste për Shqipërinë 2030 që atëherë, edhe Kismeti, emri: Edi! – Edvin tha: -“Jo”, – “i thashë e kam ndërruar, Edi. Emrin që më kanë vënë nuk e kam pranuar, e kam ndërruar”. Sot më thoshte dikush, “pse nuk ndërron edhe emrin e Partisë Socialiste”. I thashë, Partinë Socialiste do ta keni këmba këmbës. Kështu që i thashë jo që s’do ndërrojmë emrin e Partisë Socialiste, po në qoftë se doni të shpëtoni nga Partia Socialiste futuni në Partinë Socialiste që të ndjeheni pjesë e fitoreve. “Mbiemrin”? – Rama, Ok! Më dha atë kartën. Musai akoma e kuptonte që diçka nuk shkonte, kur dalë unë atje them “do kandidoj për kryetari i partisë, do shpëtojë partinë”. Musait i humbi pin-i kur thonë, po kishte puk-un pastaj dhe e zgjidhi. Kështu Musa atë e ke meritë, mos e moho.
Tani kam bërë një listë fjalësh dhe meqë Taulanti me Ogertën këtu ishin si moderatorët e Festivalit të Këngës edhe ju shkonte shumë ajo. Seriozisht ju shkonte shumë domethënë mbas karrierës politike po e mbajtët këtë formë e keni një punë te Radio Televizioni Shqiptar.
Unë do bëj një “quiz”, nëse merr çdo shqiptar madje dhe ata që janë me “honxho-bonxhot”, po që mos ta dinë se kush po i pyet dhe thua: Ke dy parti në Shqipëri, Partinë socialiste, ka dhe disa të tjera, por ato s’quhen, Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike. Tani unë do të them fjalën, ti më thuaj kë parti të kujton fjala e do fillosh.
Revansh? PD-ja, ata që janë me “honxho-bonxho” do thonë: “Ne more vëlla jemi” revansh patjetër.
Drejtësi? PS-ja.
Përçarje? PD-ja.
Njerëzillëk – PS-ja.
Se nuk e vura bashkim se do duket si fjalë e madhe, po njerëzillëk po njëherë, madje madje qahen shumë patronazhit se s’kanë faj: – “Jeni më të njerëzishëm thonë me ata, se ç’jeni të njerëzishëm me ne”. Po kjo është temë tjetër.
Shkatërrimi është kështu si kusur.
Ndërtim – PS-ja.
Rrëmujë kuptohet.
Rregull? PS-ja.
Pisllëk? PD-ja
Pastërti? PS-ja
Tani jo se s’ka probleme me kazanët, se na i tregon Erjoni vazhdimisht, Braçja e kam fjalën. Po çështja është që mundohemi të pastrojmë të paktën, nuk jemi të lumtur me pisllëkun.
Dhuna? Kuptohet është monopol, është licencë, është hipotekuar nga PD-ja.
Vetëpërmbajtja, jemi ne të shkretët, Gramoz. Vetëpërmbajtja jemi ne!
Kështu që nuk po zgjatem me raportin me interesin kombëtar, po dua të them këtë. Që nga dita e parë deri më sot kjo parti ka bërë shumë gabime. Nuk ka bërë asnjë të zezë, të zeza këtij vendi nuk i ka bërë asnjë, “honxho-bonxhot”, madje, madje “honxho-bonxhot”, tani që po i përmend më duket e bardhë këmisha ime. Po gabime dhe faje sa të doni, ama nga dita e parë deri më sot, kjo parti kurrë – kurrë nuk është lëkundur në vijën e drejtë, të mbrojtjes së interesit kombëtar, kurrë. Dhe nuk është e rastësishme, sepse shpeshherë ndodh dhe sidomos në këtë kohën e re të Tik -Tok-ut, po gjithmonë në histori, që kush ka ëndrra të mëdha, kush ka ambicie të madhe, kush ka vullnet të madh, kush ka një mision të madh, është i detyruar që të bëjë ndryshime të të gjitha natyrave. Është i detyruar që të bëjë ndryshime si ai ndryshimi i 12 qershorit ‘91-shin, duket kështu sot, po ndryshim shumë dramatik për shumë kënd dhe patjetër që është i detyruar pastaj të mbajë mbi supe dhe mbi fytyrë qamete.
Dritëro Agolli këtu tha atë që të tjerët pastaj e thonin në kor mbas disa muajsh, po kur e tha këtu ishte tradhtari dhe Partia Socialiste, qeveritë e Partisë Socialiste janë akuzuar shpesh për tradhti dhe kulmi akuzës për tradhti ka qenë tradhtia ndaj kauzës kombëtare, çështjes kombëtare. Po unë po ju them një gjë: Nëse Shqipëria ka një arkiv për të gjithë kontributorët e çështjes kombëtare dhe nëse rilindasit tanë janë në krye të asaj arkive, duhet ta dini shumë mirë të gjithë që kush është socialist, ka 1001 arsye për të thënë: “të dhjefsha partinë”, por ka një arsye të madhe për të qenë krenar, sepse në atë listë është Partia Socialiste e Shqipërisë si kontributore.
Tani ju do thoni si mund të bashkosh Rilindjen me Partinë Socialiste për çështje kombëtare? E bashkoj që ç’ke me atë punë, sepse që nga ajo fytyra e ngrysur atje kur socialistët dolën nga ferri i asaj që s’ishte opozitë, ishte përndjekje dhe morën pushtetin, tek ai që nuk jeton më, por që ishte kryetari i Partisë Socialiste, tek kryeministri tjetër i PS, Pandeli Majko, tek një rreth njerëzish rreth tyre, nuk kanë lënë gur pa lëvizur. Gur që mund të duken sot gur që do ti nxjerri lumi i historisë nesër për të çliruar Kosovën.
Dini gurët që janë vënë në rresht të murit të shkruar, dini se si u mbështet gjithmonë UÇK-ja me fjalë, sesi u mbështet UÇK me vepra, por të jeni të sigurt që historia ka ende shumë gurë për të nxjerrë dhe aty do të shikoni që faktori shqiptar në këtë rajon është një faktor që mori formë, mori guxim dhe doli hapur falë mbështetjes që gjeti në Tiranë dhe nuk e gjeti te honxho-bonxhot, por e gjeti tek këta burra. Mbështetje po ju them edhe me shtet por edhe me patronazhista të një lloji tjetër.
Dhe kush e akuzonte Partinë Socialiste për tradhti? Kush i thoshte PS-së ju jeni të Beogradit? Kush i thoshte PS-së ju jeni të shitur? Kush ia thoshte këto? Ata që ditën qanin për Kosovën dhe natën çonin naftën te Sllobodan Milloshevici dhe merrnin para. Dhe kjo është një dhe ka shumë të tjera, por xhevahiri më i madh i kurorës se kësaj historie të shpëtimit të Shqipërisë është ai që Partia Socialiste ka misionin të vendosë në kurorën e Europës. Në atë kurorë ku janë gjithë gurët e shteteve anëtare dhe ku vendosja e gurit të Shqipërisë në atë kurorë do ta bëjë Partinë Socialiste forcën që do ketë respektin e historisë njësoj si rilindësit tanë. Besojeni këtë gjë!
Besojeni këtë gjë! Mos dëgjoni çfarë thonë ata që s’duan, mos dëgjoni se çfarë flasin ata që s’dinë çfarë thonë e s’dinë çfarë duan, ose më saktë duan vetëm të rrezojnë PS-në, ,por besojeni këtë gjë. Dhe sa herë Partia Socialiste ju vjen në maj të hundës sepse ua sjell në majë të hundës dikush që është aty afër, ua u sjell në majë të hundës administratori i lagjes, ua u sjell në maj të hundës kryeplaku, ua u sjell në maj të hundës deputeti, ua u sjell në maj të hundës ministri, ua u sjell në maj të hundës dreqi dhe i biri, shtrëngoni dhembet, bëni atë që do të duhet të bëni brenda për brenda, por mos hiqni mendjen nga një fiksim që duhet ta ketë çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot që ta çojmë në Shqipërinë në Bashkimin Europian me patjetër tani që është hapur dera.
Nuk është një luftë me armë. Nuk i kërkohet njeriut të japi jetën, nuk i kërkohet njeriu të shesë pasurinë për kauzën, gjëra që i kanë bërë rilindasit tanë, gjëra që i kanë bërë heronjtë, dëshmorët tanë. Nuk i kërkohet njeriut të zhytet në ilegalitet. Nuk i kërkohet njeriu të bëjë faktikisht asgjë më shumë se qytetarin e mirë patriot dhe të kuptojë që sot, të shtrëngosh radhën e Partisë Socialiste dhe të rreshtohesh me Partinë Socialiste nuk është të rreshtohesh me një logo partie, është të rreshtohesh me fuqinë e shqiptarëve për ta çuar Shqipërinë krenare aty ku Shqipëria është parë gjithmonë si një vend njerëzish më bisht dhe mos e harroni kurrë që çdo gjë që nuk shkon me këtë betejë sado e vogël, është një gjë që i shërben atyre që nuk e duan Shqipërinë ne Bashkimin Europian dhe mos kujtoni se të gjithë e duan Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Në çdo shtet të Europës ka forca që nuk e duan Shqipërinë në BE, në çdo shtet. Këtu në Shqipëri ka forca që punojnë kundër Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nuk është histori filmash e spiunësh e agjenturash, është shumë më e thjeshtë sot dhe prandaj ne të parët, duhet ta kemi shumë të qartë që po na rrëshqiti ky moment, po nuk ishim në lartësinë e kësaj sfide, po nuk shtrënguam dhembet jo për t’i mbuluar gabimet, jo për t’i fshehur të metat, jo për të mos dalë dhe për të mos treguar kazanët me plehra çdo ditë, por për të mbajtur sytë atje të horizonti dhe për të thënë “ne do ta kalojmë edhe këtë det të fundit”, njësoj siç i mbajnë sytë tek horizonti ata notarët që kalojnë detin me not. Nuk do jetë e lehtë. Do jetë gjithmonë e më e vështirë sepse maja është gjithmonë e më afër dhe e dini shumë mirë se çfarë janë hapat e fundit drejt majës
Profesor Et’hemi tha: “mos e lodhni Edi Ramën”. Profesor ditën që këta do më lodhin mua, unë s’jam më këtu. Këta s’më lodhin dot mua akoma se unë zgjohem përpara gjithë këtyre dhe fle mbrapa gjithë këtyre se për këtë më kanë vënë në krye. Dhe më keni vënë në krye që të zgjohem përpara të gjithëve, të fle mbas të gjithëve dhe kur jam zgjuar të mos ju tradhtoj kurrë dhe kur fle, të mos shoh kurrë ëndrra sesi të përfitoj në kurrizin e kujtdo prej jush.
Çfarë nuk keni dëgjuar e çfarë nuk do dëgjoni! Mbase nuk e keni dëgjuar akoma që unë ha fëmijë. Po, ha fëmijë. S’ju ka ardhur akoma lajmi, do tua u thonë dhe këtë por dëgjojini të gjitha si Gramozi, të gjitha i dëgjon por fytyrën e ngrysur tek objektivi.
Rrofshi dhe ishte dyfishi i fjalës së Musait, por ishte edhe sepse unë jam edhe deputeti juaj!
Rrofshin patronazhistët! Rrofshin socialistët!
Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!
Rroftë Shqipëria në Bashkimin Europian!


