Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH, në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste, në Vlorë
* * *
Përshëndetje të gjithëve dhe shumë faleminderit që jeni këtu sot edhe pse është një ditë pushimi.
Më vjen shumë mirë që përpara se sa të vinim këtu, mu dha mundësia të vizitoja kantierin e aeroportit të ri ndërkombëtar të Vlorës dhe realisht është një punë shumë mbresëlënëse e bërë deri tani dhe padyshim që nëse gjithçka shkon sipas parashikimit dhe nëse ky ritëm i punimeve mbahet i lartë si deri tani, ne pa diskutim që do të kemi punimet të përfunduara brenda vitit të ardhshëm dhe menjëherë do të jemi të gatshëm të hyjmë në fazën e certifikimit për të filluar testimet dhe për të nisur nga fluturimet në aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, i cili siç e dini, do të jetë një aeroport që do të operohet nga aeroporti ndërkombëtar i Mynihut.
Ndërkohë që përveç planit të punës së bërë përpara nisjes së punimeve, tanimë kemi dhe dy mundësi të reja shumë të mira që do të jenë një vlerë e shtuar për aeroportin e ri ndërkombëtar të Vlorës. Nga njëra anë kompania është në prag të firmosjes së një marrëveshjeje me një ndër kompanitë më të mëdha europiane për mirëmbajtjen e avionëve dhe kështu do të kemi mundësinë që të krijojmë një sektor krejt të ri të aviacionit civil këtu në Shqipëri edhe për mirëmbajtjen e avionëve. Ndërkohë që nga ana tjetër, duke qenë se Shqipëria tanimë prej një periudhe prej thuajse një viti është në vendin e parë në klasifikimin e aviacionit civil europian për rritjen e numrit të pasagjerëve, agjencia europiane ICAO ka vendosur që në Shqipëri të hapet edhe akademia për kontrollorët ajrorë, që është një tjetër sektor i ri që krijohet këtu në Shqipëri por kjo do të jetë një akademi ndërkombëtare natyrisht dhe mendimi dhe vendimi ynë është që këtë akademi ta hapim këtu në Vlorë, pranë aeroporti të ri të Vlorës.
Në vazhdën e takimeve që kemi zhvilluar së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e Qarqeve që në këtë rast Sekretari i Përgjithshëm është edhe drejtues politik i qarkut të Vlorës, dëshiroj që të ndaj edhe këtu në këtë asamble të zgjeruar të qarkut të Vlorës, disa mendime lidhur me situatën aktuale që sipas meje është një situatë shumë pozitive në aspektin e të dhënave të ekonomisë dhe jo vetëm të ekonomisë dhe nga ana tjetër, patjetër edhe dy fjalë në fund, edhe për situatën politike.
Duke filluar nga ekonomia, dëshiroj të vë theksin tek disa të dhëna që janë të thjeshta dhe domethënëse. Duke filluar që nga fakti që Shqipëria këtë vit po shkon drejt shifrës 10 milionë turistë brenda vitit, e cila është një shifër shumë domethënëse, jo thjeshtë në vetvete, por edhe për të gjithë atë që kemi mundur të ngremë deri më sot, pasi rritja e turizmit nuk është thjesht e lidhur me natyrën, se natyra aty ka qenë edhe përpara por është e lidhur me një zinxhir sektorësh dhe faktorësh dhe pa diskutim që kjo shifër e këtij viti është domethënëse edhe për atë që vjen nesër.
Nëse deri përpara pak vitesh do të ishte e paimagjinueshme që ne të arrinim 10 milionë turistë në vitin 2023, po kaq e paimagjinueshme mund të duket sot, por të jeni të sigurt që po kaq e realizueshme do të jetë nesër nëse ne do të vazhdojmë t’i bëjmë gjërat si duhet, me këmbëngulje dhe me durim, që brenda vitit 2030 ne të arrijmë në 20 milionë turistë dhe në mos, më tepër akoma. Ama për të arritur në 20 milionë turistë, na duhet të bëjmë shumë më tepër akoma në të gjithë komponentët e këtij zinxhiri, të cilët shtrihen që nga investimet publike, tek ato private, por edhe tek të gjithë kapacitetet e tjera për rritjen e cilësisë së shërbimeve.
Një tjetër shifër shumë domethënëse për pasqyrën aktuale të situatës ekonomike është borxhi publik. Ne për shkak të tërmetit, ,për shkak të pandemisë dhe të thellësisë së këtyre krizave, u gjendëm në kushtet kur na u desh të rrisim borxhi në mënyrë shumë të konsiderueshme, deri afro 75%. Me buxhetin e vitit 2024, për të cilin do t’ju them disa gjëra kryesore, ne njëkohësisht kemi një ulje të borxhit në rreth 60%, që do të thotë, rreth 15 pikë më poshtë. Rritja e investimeve nga njëra anë dhe ulja e borxhit nga ana tjetër, janë një tregues shumë kuptimplotë i një situate ekonomike për të cilën FMN ka theksuar se ekonomia shqiptare është nga më rezistentet në rajon dhe kjo rezistencë e ekonomisë shikohet edhe në komponentë të tjerë por unë dua të sjell këtu në vëmendje inflacionin.
Ne kemi pasur si të gjitha vendet e tjera rritje çmimesh, por kemi pasur qysh në krye të herës dhe deri më sot inflacionin më të ulët në rajonin tonë dhe një inflacion nën mesataren e inflacionit në bashkimin europian. Nga ana tjetër, inflacioni tanimë është futur në një rrugë progresive uljeje dhe besojmë që vitin e ardhshëm do të kthehet në normën e tij të zakonshme midis 2% dhe 4% ndërkohë që kemi një monedhë shumë të fortë, pikërisht si rezultat i forcimit të ekonomisë. Shumë thjeshtë, ne e kemi rritur pagën minimale në 400 mijë lekë të vjetra, por sot, për shkak pikërisht të monedhës së fortë dhe të një ekonomie rezistente, ne kemi një pagë minimale që nuk është thjesht 400 mijë lekë, por është 400 euro, çka nuk ishte rasti deri pak vite më parë. Njehsimi i lekut me euron e ka rritur edhe në këtë drejtim vlerën e pagave. Paga të cilat vitin e ardhshëm do të kenë një rritje të re domethënëse për të dytin vitin radhazi dhe për të cilat ne kemi vendosur 400 milionë euro në buxhet, për të rritur më tutje pagat për mjekët e përgjithshëm, për infermierët, për mësuesit, për punonjësit e rendit, për Forcat e Armatosura dhe për të gjithë punonjësit në administratën shtetërore. Kjo rritje domethënëse e pagave do të bëjë që paga mesatare në mesin e vitit të ardhshëm, të jetë 900 euro dhe një pagë mesatare 900 euro në sektorin publik, e para, deri pak vite më parë do të dukej si diçka thjesht dhe vetëm për konsum elektoral. E dyta, ne e kemi thënë që do ta mbërrijmë, por parashikimi ynë ishte për pak më vonë. Fakti që mund ta mbërrijmë pak më shpejt se sa parashikimi, është një tjetër fakt domethënës për situatën e përmirësuar ekonomike.
Nga ana tjetër, një pagë mesatare 900 euro në sektorin publik do të sjellë një tjetër rritje pagash të rëndësishme në sektorin privat, siç ndodhi me rritjen e pagave të këtij viti, që solli menjëherë një rritje pagash në sektorin privat. Kjo rritje do të jetë dhe më e ndjeshëm në vitin ku po hyjmë dhe praktikisht në sektorë të caktuar, si për shembull në turizëm, pagat do të pësojnë një rritje shumë domethënëse edhe për shkak të nevojës në rritje për të pasur krah pune në industrinë e re të turizmit dhe për të pasur krah të kualifikuar pune. Kjo është ana tjetër e kësaj sfide.
Po ashtu në buxhetin e vitit të ardhshëm ne kemi vendosur 250 milionë euro të tjera, për pensionistët. Natyrisht që do të donim që kjo shumë të ishte edhe më e madhe, por ndërkohë kemi më shumë se sa asnjëherë më parë dhe asnjëherë nuk duhet harrua që e para, numri i pensionistëve krahasuar me gjithë të tjerët është shumë i lartë. E dyta, gropa e madhe e dekadave të tëra e krijuar nga mospagimi i sigurimeve shoqërore është praktikisht e vetmja gropë ende e pambyllur ,ndër të gjithë gropat që ne trashëguam nga qeveria e mëparshme kur morëm detyrën dhe kjo sigurisht që e bën më të vështirë realizimin e ambicieve dhe dëshirës sonë për të pasur një rritje më të ndjeshme të pensioneve, por ama qoftë pagat, qoftë për pensionet pikërisht pse kemi krijuar më shumë mundësi përmes rritjes përmes rritjes dhe fuqizimit të ekonomisë, do të kemi 650 milionë euro të dedikuara në buxhetin e vitit 2024.
Edhe diçka të fundit që dua të them për këtë pjesë; shpesh herë njerëzit flasin dhe thonë që Partia Socialiste nuk është e majtë, duhet të bëjë më shumë për shtresat në nevojë etj. Por e gjitha kjo rrëzohet duke parë se çfarë përqindjeje zë në të gjithë buxhetin e shtetit mbrojtja sociale. Në gjithë buxhetin e vitit 2024, 33% e të gjithës shkon për kujdes social, që nga pensionistët për të cilët përveç rritjes së pensioneve, përmes ri indeksimit të vazhdueshëm të tyre, është i përcaktuar dhe bonusi i pensionistit. Bonus që do ta japim përsëri tani në prag të festave, por ndryshe nga vitet e tjera, pikërisht për shkak se kemi një situatë financiare më të mirë sesa çdo vit tjetër, do të fillojmë ta japim menjëherë, pra brenda disa ditësh do të fillojë shpërndarja e bonusit të pensionistëve për festat e Vitit të Ri. Ashtu siç u bë edhe vitin e kaluar dhe siç është bërë dhe vitet e kaluara, por jo më në fund të vitit, por më përpara.
Tjetra, ne me këtë buxhet praktikisht kemi përmbushur edhe objektivin e vendosur në NATO mes të gjithë vendeve të NATO-s për të arritur që 2% e shpenzimeve të buxhetit, të shkojnë për mbrojtjen.
Dhe kështu për herë të parë në vitin e ardhshëm, do të kemi 2% të shpenzimeve të buxhetit për mbrojtjen. Thënë të gjitha këto, mendoj që është shumë e rëndësishme që askujt, asnjërit të mos i krijohet ideja që unë apo ne që jemi në qeveri apo në shumicën qeverisëse në Parlament, jemi të lumtur dhe mendojmë që kemi bërë ndonjë mrekulli. Unë personalisht, madje jo që nuk jam i lumtur, por jam i pakënaqur sepse mendoj që ka shumë për të bërë akoma, e para. E dyta, mendoj që po, ekonomia sot është më mirë se sa ç’ka qenë ndonjëherë më parë, por nuk është aq mirë sa duhet të jetë nesër dhe sigurisht që ne i paguajmë jo si qeveri, por si vend, si shoqëri një kosto të madhe shumë gjërave që janë bërë mbrapsht në periudhat përpara se sa ne të merrnim detyrën dhe mjafton të mendojmë për një moment sikur te gjitha këto që janë bërë reformat, ndryshime, korrektime, të ishin bërë 25 vjet më parë, se çfarë bisedash do bënim sot. Pra, të gjithë duhet ta dinë që ne jemi shumë të vetëdijshëm që duhet shumë më tepër dhe nëse ekonomia sot është më mirë se dje, nesër duhet të jetë shumë më mirë se sot dhe për këtë ne punojmë dhe kjo është gjëja që mua më mban zgjuar sepse jam i bindur që potenciali shumë i madh i vendit ka filluar të çlirohet, por ama mundësitë që nga ky potencial ne të përfitojmë shumë më tepër, janë të jashtëzakonshme dhe për këtë duhet të bëjmë një punë shumë më të madhe të gjithë së bashku, në të gjitha nivelet që këtë potencial ta çlirojmë më shpejt. Çlirimi më shpejt i këtij potenciali të sjellë shumë më tepër të ardhura në ekonominë familjare të çdo familjeje shqiptare dhe natyrisht në buxhetin tonë të përgjithshëm.
Duke u kthyer tek një arritje shumë e madhe që është turizmi dhe duke qenë se këtu në këtë qark turizmi ka një nga bazat kryesore si një industri që sapo ka filluar të marrë formë, dua të them që duhet të jemi të vetëdijshëm se nga njëra anë kjo arritje ka ardhur si rezultat i një zinxhiri faktorësh, që nga investimet e bëra, sepse Vlora këtu ishte dhe para disa vitesh por nuk ishte një vend i dëshiruar për turistët siç e dini. Ndërkohë që nëse këtë vit, Vlora realisht u bë një ndër vendet më të dëshiruara për turistët në këtë panoramë të përgjithshme rritjeje, mundësia dhe potenciali i Vlorës janë shumë e shumëfish më tepër dhe nëse kjo sot është rezultat i investimeve që kemi bërë, i investimeve që ka bërë sipërmarrja private dhe këtu flas për të gjithë qarkun e Vlorës, është edhe rezultat i një ndryshimi shumë të madh që ka ndodhur në aspektin e sigurisë, në aspektin e qetësisë në përgjithësi në Shqipëri, por nëse duam ta çlirojmë shumë më shpejt potencialin, duhet të kuptojmë se ka disa gjëra për të cilat duhet të punojmë që të gjithë dhe duhet të jemi që të gjithë të vetëdijshëm dhe kur them që të gjithë, nuk kam parasysh vetëm qeverinë, as vetëm bashkitë, por kam parasysh edhe sipërmarrjen, kam parasysh edhe shoqërinë, edhe familjen. Për shembull, ne na duhen shumë më tepër punonjës sot se ç’na duheshin dje, pra kemi sot shumë më tepër vende pune se ç’kishim dje dhe po marr industrinë e turizmit, ku sot me këtë infrastrukturë pa llogaritur të gjitha investimet e reja që po bëhen nga sipërmarrja, pa llogaritur hotelet e reja që po ndërtohen, resortet e reja që po ndërtohen, portet turistike që do duan shumë punonjës, po flas sot, të gjithë kanë nevojë për punonjës dhe ajo që është domethënëse është se sot, nuk shtrohet më pyetja se sa do pagë, por shtrohet pyetja se sa njerëz janë në dispozicion për të ardhur dhe për të punuar dhe për të marrë pagë? Dhe natyrisht te njerëzit në dispozicion nuk është çështje frymorësh, por është çështje aftësish, e prandaj ne na duhet një shtytje shumë më madhe në arsimin profesional.
Na duhet një shtytje për arsimin profesional në të gjitha strukturat e arsimit profesional dhe me struktura të reja, sepse nuk mund të luajmë në Champion League me lojtarë amatorë dhe nuk mund të jemi në Champion League e turizmit, aty ky kemi hyrë këtë vit, po nga ku mund të dalim po kaq shpejt sa hymë, në rast se nuk kemi shërbim cilësor, në të gjitha nivelet dhe na duhet arsim profesional, jo vetëm për shërbimin cilësor në strukturat e mikpritjes në hotele, restorante dhe shërbime të tjera, por na duhet arsimi profesional edhe në të gjitha strukturat mbështetëse të zinxhirit, që nga pika ku prodhohet, sepse industria e turizmit sjell me vete nevojën për shumë më tepër prodhim dhe për shumë më tepër larmi prodhimi.
Këtë vit, nuk është aspak e rastit që po të shikosh raportin e eksporteve bujqësore me konsumin e brendshëm të prodhimit, konsumi i brendshëm është rritur dhe do të rritet edhe më shumë, siç do të rritet edhe më shumë nevoja, pasi do të rritet edhe më shumë numri i konsumatorëve. Tani do ta përsëris edhe këtu. Shumë prindër duhet ta kuptojnë se është gjynah, është realisht gjynah nëse fëmijët e tyre nuk janë të prirur që të studiojnë shumë, nuk janë të prirur që të shkojnë në universitet dhe të marrin një diplomë të vërtetë, por kanë rezultate jo të larta në 9-vjeccare apo në fillim të gjimnazit. Është gjynah që të rrinë akoma në gjimnaz dhe të harxhohet kohë e jetës së tyre, të harxhohen të ardhura të familjes për të nxjerrë një fëmijë nga gjimnazi që s’di të bëjë asgjë. Ashtu sikundër, është gjynah edhe për të shkuar në universitet kur nuk je në nivelin e lartë dhe për të përfunduar një universitet pa mësuar asgjë në kuptimin asgjë që vlen për tregun e punës.
Ndërkohë që, nëse këta fëmijë drejtohen nga arsimi profesional, marrin një zanat e para nuk është e thënë që mos ta bëjnë shkollën e lartë, sepse edhe nga shkolla e mesme profesionale mund të shkosh në shkollë të lartë, por e dyta janë menjëherë të gatshëm të përfshihen në tregun e punës, janë menjëherë të gatshëm të bëhen të aftë për të sjellë, për të marrë një rrogë për vetën e tyre dhe për të sjellë një pagë në shtëpi. Dhe sa më shumë kalon koha, aq më e vështirë do të bëhet jashtë vendit, sepse koha kur të rinjtë niseshin nga Shqipëria dhe diferenca midis asaj që fitonin atje dhe asaj që mund të bënin këtu ishte shumë herë më e madhe, ka ikur.
Sot, të gjithë ata që bëjnë një punë të zakonshme në Gjermani e ku të doni ju në Europë, nuk kanë më asgjë në fund të muajit, duhet të rifillojnë nga e para. Nuk u mbetet gjë në fund të muajit. Dëgjoj herë pas here edhe këtu që bëjnë kronika nëpër televizione që: – “Një i ri me një punë të zakonshme nuk merr dot një shtëpi”. Po ku e merr një shtëpi? Një i ri që bën një punë të zakonshme ku e merr një shtëpi, e merr në Itali, apo e merr në Gjermani? Nuk ndodh! Pra është vërtet koha kur me një zanat në një Shqipëri që ndryshon përditë dhe në një vend që do të ketë gjithnjë e më shumë nevojë për punonjës të kualifikuar, të mund të bësh një zgjedhje që të jetë një siguri. Dhe tjetra, në të gjitha vendet e Europës që kanë biznes të vogël e të mesëm të zhvilluar, baza e biznesit të vogël e të mesëm të zhvilluar janë sipërmarrësit e vegjël që krijohen nga rruga e arsimit profesional. Sepse nëse mbaron një shkollë profesionale me një zanat x, mund të jesh menjëherë në dispozicion të një kompanie, por pak nga pak mund të krijosh kompaninë tënde. Dhe kjo është ajo që ndodh. Shkencëtarët nuk bëhen sipërmarrës. Unë nuk e di kush është ky djali që ka bërë këtu këtë fabrikë të mrekullueshme, nuk e kam takuar ndonjëherë, i bëj komplimente, por jam i bindur që nuk është shkencëtar, sepse janë të ndara rrugët, janë të ndara talentet dhe janë të ndara punët.
Këtë vit, besoj që ka pasur edhe një arsye tjetër shumë të rëndësishme për t’u ndjerë të inkurajuar, për t’u ndjerë të motivuar dhe për t’u ndjerë besimplotë që kjo, jo vetëm është rruga, por që çdo vit e më mirë do bëhet dhe këtu në Vlorë besoj që, jo vetëm ju që jeni këtu, por të gjithë e dinë mirë se për çfarë po flas.
Këtë vit në Shqipëri ka rënë njëherë e përgjithmonë miti i paprekshmërisë së politikanëve. Dhe është provuar se reforma në drejtësi që Partia Socialiste e dëshironte qysh kur ishte në opozitë dhe që pastaj e mori përsipër për ta çuar përpara kur erdhi në qeveri, jo vetëm që ka hapur një rrugë të re për vendin, por edhe ka dhënë provën e vet më domethënëse, duke treguar se askush nuk është dot më mbi ligjin dhe askush nuk është dot më i paprekshëm në vendin tonë.
Dhe padiskutim që kjo kërkon shumë durim. 21 janari nuk ka ndodhur dje, ka ndodhur përpara tanimë shumë vitesh dhe të gjithë ne e dimë se sa e rëndë është që të vijë 21 janari tjetër, dhe tjetri, dhe tjetri, dhe ata të cilët duhet të përgjigjen për atë krim, të vazhdojnë të përqeshin e të përqeshin e të përqeshin viktimat e 21 janarit. Por nga ana tjetër, askush nuk duhet ta harrojë sepse çuditërisht ka njerëz që e harrojnë që në këtë sistem që kemi zgjedhur, drejtësinë, – lavdi Zotit – nuk e bën as partia, nuk e bën as qeveria, nuk e bën as kryeministria.
Drejtësinë e bën drejtësia dhe vetëm drejtësia.
E nëse sot ka një arsye për t’u ndjerë të disi të lehtësuar në raport me 21 janarin, për të cilin ne kemi pasur qysh në krye të herës barrën që t’i hapim rrugë drejtësisë, është se sot, edhe pse do të kërkojë ende kohë që ta shohim drejtësinë të bërë për 21 janarin, e shikojmë që, e para, rruga e drejtësisë është hapur, dhe e dyta, sot është shumë e qartë që drejtësia për 21 janarin vërtet mund të vonojë edhe pak, por nuk ka për të munguar.
Ajo që ndodhi në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut është historike dhe kush e ka lexuar vendimin e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut për 21 janarin, ka parë që Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka formuluar ekzaktësisht atë që unë dhe të tjerë kemi thënë qysh në krye të herës: 21 janari është një krim shtetëror dhe për krimin shtetëror duhet të përgjigjen, jo vetëm ata, që tërhoqën këmbëzën e pushkës, por në radhë të parë ata, që urdhëruan hapjen e zjarrit me plumba të vërtetë mbi njerëz të pafajshëm mes bulevardit.
Dhe si e hapëm ne rrugën e drejtësisë? E hapëm, duke bërë reformën në drejtësi sepse kjo është e vetmja gjë që mund të bëjë një forcë politike për drejtësinë në një vend demokratik. Të bëjë të mundur që drejtësia të vihet në kushtet ku mund të bëjë drejtësi dhe ne e hapëm rrugën, duke pranuar të bëjmë diçka që asnjë pushtet nuk e ka bërë dot për 1001 arsye të ndryshme, nga viti 1912, duke pranuar që të heqim duart e pushtetit ekzekutiv apo të pushtetit legjislativ nga drejtësia dhe duke pranuar që në Shqipëri të ketë një trupë të pavarur që ushtron detyrat dhe të drejtat e saj kushtetuese për të garantuar që të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
Po të shikosh gjykimin e Strasburgut dhe të kesh parasysh atë që thashë, që është e njëjta gjë që kemi thënë ne, shyqyr që Gjykata është në Srasburg dhe nuk thonë dot që dhe atë e ka kapur Edi Rama siç thonë për çdo gjë që ndodh këtu dhe nuk iu vjen për shtat, por e vërteta është, sepse e vërteta është që ne s’kemi kapur asgjë. Thjesht dhe vetëm ne qëndrojmë në anën parimore të kësaj historie dhe i rrimë drejt atyre që kemi marrë përsipër.
Pra, kemi marrë përsipër të bëjmë të mundur që në Shqipëri të lindë një drejtësi që nuk sheh majtas-djathtas, por që i trajton të gjithë si të barabartë përpara ligjit dhe që godet pavarësisht se sa lart je dhe sa i lidhur je me një pushtet apo me një tjetër dhe është kjo që po ndodh.
Edhe më vjen për të qeshur kur thonë shyqyr që erdhi SPAK-u sepse po të ishte për këta, janë të gjithë njësoj. Por po të ishim ne të gjithë njësoj, SPAK-u nuk vinte kurrë, sepse SPAK-un, gjykatën speciale dhe të gjithë forcën e re që ka lindur në Shqipëri si një forcë e një drejtësie të pavarur e ka bërë të mundur vizioni, ambicia dhe vullneti i Partisë Socialiste për të hequr dorë nga kontrolli i drejtësisë. E sollën amerikanët. Si e sollën amerikanët? Me avion apo me anije?! Se amerikanët kanë qenë këtu që në ’91-shin, edhe europianët. Edhe avionët i kanë pasur që në ’91-shin, edhe anijet. Nuk ka amerikan dhe nuk ka europian që sjell një reformë në drejtësi nëse në atë vend nuk ka një forcë që ka ambicien për ta bërë këtë dhe vullnetin për ta bërë këtë dhe pastaj sigurisht merr dhe mbështetjen e aleatëve, pa të cilët do të ishte e pamundur, patjetër. Po do të ishte e pamundur vetëm për një arsye, sepse ne donim të bënim një reformë në drejtësi, e cila kërkonte një shumicë në parlament, e cila ishte më e madhe se shumica e Partisë Socialiste, dhe ata, të tjerët, që ishin pjesë e parlamentit, por jo pjesë e Partisë Socialiste ishin te gjithë kundër dhe mbështetja e aleatëve kishte një vlerë shumë të madhe për faktin se edhe ata që ishin kundër, erdhën dhe bënë votimin më unikal që unë kam parë në atë parlament. Se njeriu kur ngre kartonin jeshil, e mban dhe kokën lart. Vetëm ata kam parë unë atë ditë, që kokën e kishin poshtë dhe kartonin e kishin lart, si rezultat i aleatëve patjetër, por ama të gjithë duhet ta ndiejmë veten dhe nëse ka një arsye kryesore për ta ndier veten krenar për këtë periudhë të jetës së Partisë Socialiste është kjo, që kjo parti, në këtë fazë të historisë së shtetit shqiptar, i dha këtij shteti mundësinë që të ketë një strukturë të pavarur nga pushteti për të bërë drejtësi.
Dhe në mbyllje, dua të them diçka për partinë e Vlorës, Vlorës, jo të qarkut Vlorë sepse më vjen dhe për të qeshur dhe për të qarë në fakt kur marr disa mesazhe anonime. E kishit harruar këtë stil disa kohë, s’di pse filluat prapë dhe kam vënë që arsyeja e këtyre mesazheve anonime është pse Ermali është i hapur për të marrë në ekipin e tij edhe demokratë. Unë nuk i di kush janë dhe si janë, por unë di vetëm një gjë, që Ermali ka të drejtë dhe kush i bën këto mesazhe e ka gabim, në parim flas. Ermalit dhe çdo kryetari bashkie ne t’i kërkojmë llogari për punën. Se kë marrin punë është e drejta dhe detyra e tyre, e para.
E dyta, kush është socialist, socialist dhe kush i beson vërtetë ato që themi, që ne jemi të hapur për të gjithë, jo që s’duhet të mërzitet pse demokratët merren në punë kur janë të zotë, patjetër. Tani kanë votuar për atë, po për atë do votonin pra se ishin demokrat. Fakti që nuk votojnë më për atë është merita jonë apo jo? Dhe për këtë arsye është shumë e vjetër dhe është shumë e pakuptimtë që të merremi me këtë pjesë. Ndërkohë që ana tjetër është që për hir të së vërtetës pas kaq vitesh në qeveri dhe në qeverisje këtu në Vlorë, nuk besoj se ka mbetur njeri pa i dhënë hakun. Sigurisht ka pasur njerëz dhe mund të ketë akoma që nuk e kanë merituar me punën e tyre atë besim që iu është dhënë, kjo patjetër dhe këta njerëz duhet të vihen përpara përgjegjësisë, por këto ndarje socialistë dhe demokratë kur vjen puna te kontributi që gjithsecili mund të japë, si profesionist, si qytetar në një bashki, askush nuk duhet ta bëjë. Përkundrazi, ne nuk jemi thjesht një parti e një ane më. Për 1001 arsye ne jemi partia e të gjitha anëve sepse ne jemi e vetmja parti që qysh në lindje të saj nuk është lëkundur asnjëherë në mbrojtje të interesit kombëtar, mos e harroni kurrë. Dhe për shkak të gjithë zhvillimeve në jetën e vendit dhe për shkak të rritjes së saj e ka jo vetëm të drejtën, por dhe detyrën që të jetë një parti ku çdo shqiptar, pavarësisht se nga ç’rrugë vjen që do të kontribuojë në këtë vend, të ndihet në shtëpinë e vet.
Ne do shkojmë në kongresin e partisë në 8 dhjetor dhe do t’i diskutojmë konkluzionet e gjithë këtyre takimeve, jo thjeshtë këto që bëj unë me Sekretin e Përgjithshëm, por të gjithë takimet që janë bërë përpara dhe ka gjëra që ne duhet t’i shikojmë në sy sepse ne nuk mund të presim që të humbasim për tu përmirësuar. Se ne nuk humbasim dhe fakti që nuk humbasim çfarë do të thotë? Që nuk mund të përmirësohemi? Absolutisht jo. Fakti që kemi fituar 8 zgjedhje resht lidhet ndër të tjera dhe me faktin që pas çdo fitore zgjedhjeje ne kemi filluar të nesërmen punën për të parë se çfarë duhet të përmirësojmë. Zakonisht partitë në demokraci fitojnë zgjedhjet dhe pastaj presin që të vijnë t’i nxjerrin nga zyra që të fillojnë prapë të ri organizohen. Ka dhe si ato që shikoni sot, që kanë 10 vjet që nuk gjejnë rrugën. Kurse ne jo. Ne duhet të rishikojmë çdo gjë tek vetja përsëri dhe tani që kemi një dekadë që jemi në krye të vendit, që kemi gjithë këtë eksperiencë, që kemi patur mundësinë t’i vëmë në provë të gjithë njerëzit, ne kemi detyrën të ndërtojmë një Parti Socialiste për dekadën tjetër dhe ka plot gjëra që duhet të shohim.
Iu thashë dhe atyre në Asamblenë e Tiranës dhe po ju them dhe juve. Ne na duhet një parti me forume shumë më të hapura dhe pyetja ime është: pse duhet të jesh dhe drejtor dhe anëtar i një forumi të lartë partie? Për çfarë arsye? Mund t’i bëjnë dy njerëz këto të dyja pse duhet t’i bëjë vetëm njëri? Dhe si kjo ka dhe të tjera gjëra që ne duhet t’i shikojmë që ta bëjmë Partinë Socialiste më të fortë, më të re në mënyrën e funksionimit duke i bashkuar të gjitha gjeneratat, duke i bashkuar të gjitha eksperiencat dhe duke bashkuar shumë të tjerë demokratë patjetër. Pse çdo t’i bëni demokratëve në Vlorë, do t’i lini rrugëve, dhe nuk flas për atë 5 sharrëxhinj që janë në krye, flas për qytetarë.
Kjo parti këtu në Vlorë i ka të gjitha mundësitë që të bëhet një shembull i ri edhe në këtë drejtim, sepse është një nga partitë më të mira që kemi në Shqipëri, sepse edhe në këto zgjedhje, e tregoi forcën e vet, por ama edhe sepse ka një detyrë tjetër kjo parti nga të gjitha partitë e tjera, sepse unë mendoj që këtu në Vlorë, Partia Socialiste duhet të marri rezultatin më të lartë në Shqipëri, sepse këtu në Vlorë, qeverisja jonë ka bërë një nga gjërat më domethënëse në Shqipëri dhe besoj që këto të dyja duhet të shkojnë bashkë me njëra -tjetrën dhe nëse ka një arsye ndër të tjera pse ne nuk marrim rezultatin më të lartë në Shqipëri dhe rezultatin e merituar nuk është absolutisht as shefi i kabinetit të Ermalit, nuk është as qeveria në Tiranë pa diskutim, por është aftësia dhe respekti që gëzon lidershipi i Partisë Socialiste Vlorë, i gjithë grupi drejtues këtu, në raport me publikun, që duhet të jetë edhe më i madh. Duhet të jetë edhe më i madh dhe duhet të jetë edhe më bindës.
Ju falënderoj shumë për ardhjen deri këtu! Dua ta falënderoj edhe zotërinë apo zonjën, zotëri apo zonjë është që ka këtë? Zotërinë që ka këtë fabrikë të bukur për mikpritjen dhe për punën e jashtëzakonshme që ka bërë. Tani e pashë nga larg duket që nuk është shkencëtar. Faleminderit!