The Socialist Party of Albania

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH Edi Rama në Asamblenë Kombëtare për procesin e rienergjizimit dhe organizimin e Kongresit Zgjedhor të PS

Kemi sot këtë mbledhje të Asamblesë Kombëtare që e zhvillojmë pjesërisht në platformën online me të gjithë anëtarët e Asamblesë Kombëtare.
I falënderoj të gjithë për praninë e tyre!
Arsyeja kryesore e kësaj mbledhjeje është që pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve për Kongresin, të miratojmë vendimin për thirrjen e Kongresit Zgjedhor të Partisë Socialiste në 20 korrik.
Aktualisht, mund të jemi të inkurajuar nga fakti që në këtë proces rienergjizimi të partisë kemi pasur një rritje domethënëse të anëtarësisë reale, që do të thotë të anëtarësisë aktive.
Ndërkohë që kemi pasur po ashtu edhe një pjesëmarrje domethënëse në zgjedhjet që u zhvilluan me parimin një anëtar, një votë për delegatët e Kongresit të ardhshëm të Partisë Socialiste.
Faktikisht, nga procesi i rienergjizimit dhe nga një riqëmtim total i të gjithë anëtarësisë së Partisë Socialiste, kemi 93 mijë anëtarë të regjistruar dhe të identifikuar si të tillë në territorin e Republikës së Shqipërisë, pa llogaritur 7 mijw të tjerë që i janë bashkangjitur Partisë Socialiste pas mbylljes së këtij regjistrimi në funksion të zgjedhjeve për delegatë të Kongresit dhe nga 93 mijë anëtarë të regjistruar dhe të identifikuar si anëtarë aktivë në territorin e Republikës së Shqipërisë, kemi pasur një proces me 79 350 zgjedhës, pra 78.6% e trupës së anëtarëve të regjistruar mori pjesë në zgjedhjen e delegatëve të Kongresit.
Është me të vërtetë shifra më e lartë e pjesëmarrjes që kemi pasur në këto lloj procesesh, por duhet të mbajmë parasysh që në rastin e anëtarësisë së partisë, nuk është e njëjta gjë si në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme politike për të gjithë qytetarët sepse duhet ta marrin të mirëqenë që çdo anëtar partie e ka detyrë që të jetë pjesëmarrës aktiv në proceset zgjedhore, në të cilat ai është i ftuar. Gjithsesi, rezultati i përgjithshëm është shumë pozitiv do thoja.
Janë shtuar 32 mijë anëtarë të rinj në të gjithë territorin.
Shifra inkurajuese ndër të tjera është që 11400 prej tyre janë të rinj dhe të reja nga mosha 18 deri në moshën 30 vjeç, ndërkohë që nga i gjithë procesi i zgjedhjeve për Kongresin e ri janë propozuar nga organizatat socialiste 10 mijë delegatë, prej të cilëve ka dalë numri i 1200 delegatëve të Kongresit, numri që kemi pasur dhe kemi edhe aktualisht, ku siç e dini, një pjesë e delegatëve janë delegatë “ex-officio” si kryetarë bashkish, anëtarë këshillash, e kështu me radhë, ndërkohë që 925 delegatë janë delegatë të zgjedhur drejtpërdrejtë nga anëtarësia, nga të cilët 76% janë për herë të parë në Kongresin e Partisë Socialiste.
Edhe këtu është arritur një objektiv shumë i rëndësishëm për të shkuar, në radhë të parë, përtej 50% të të rinjve, pra jo thjesht në moshë, por anëtarë të rinj të Kongresit dhe faktikisht, jemi në 76%.
I njëjti kriter dhe e njëjta ambicie duhet të karakterizojë edhe zgjedhjen e anëtarëve të Asamblesë së re Kombëtare të Partisë Socialiste. Përsa i përket këtyre të dytëve, dua të theksoj se janë faktikisht 156 anëtarë dhe anëtare të Asamblesë Kombëtare që do të zgjidhen nga Kongresi, ndërkohë që edhe në Asamblenë Kombëtare, siç e dini, një pjesë e anëtarëve janë anëtarë “ex-officio”, pra janë kryetarët e bashkive, kryetarët e partisë në çdo bashki, janë edhe deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, por 156 do të zgjidhen me votë të fshehtë në Kongresin e ardhshëm zgjedhor dhe ambicia e këtyre, në kriter, është që 3/4 e tyre duhet të jenë për herë të parë në Asamblenë Kombëtare.
Nga ana tjetër, ka pasur një zhvillim pozitiv domethënës edhe me organizim e Partisë Socialiste në emigracion. Kemi zhvilluar 2 takimet e para të turit të dakordësuar për të takuar shqiptarët e Europës dhe jo vetëm dhe në Greqi dhe në Itali, takimi nuk ka qenë thjesht një qëllim në vetvete, as thjesht një takim pa vazhdim, por ka qenë njëkohësisht edhe një trokitje në derën e shqiptarëve të Europës, përtej mureve të sallës ku ka filluar një punë domethënëse për të rienergjizuar tërësisht rrjetin e anëtarësisë dhe të simpatizantëve të Partisë Socialiste.
Turi do të vazhdojë në shtator, duke qenë se për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Londër u bë një problem më vete marrja e sallës që kishim prenotuar më parë dhe me të drejtë sepse në një situatë zgjedhore është normale që edhe ne të shmangnim një takim që pavarësisht se nuk është një takim partiak apo pavarësisht se s’ka të bëjë drejtpërdrejtë me zgjedhjet në Britaninë e Madhe, sidoqoftë është një takim politik.
Po kështu duke qenë se parashikimi apo përgatitja për të bërë takimin tjetër të Dyseldorfit në një moment shumë afër me ndeshjen e skuadrës tonë kombëtare, nuk do donim që të krijohej një ide e një përzierje të dy gjërave edhe pse takimi ishte i organizuar pavarësisht nga. Prandaj në shtator do të rimarrim përsëri turin edhe do të zhvillojmë takimet e Gjermanisë dhe të Britanisë së Madhe, ndërkohë që do të përgatisim dhe një takim në Shtetet e Bashkuara. Kjo, për sa i përket organizimit në raport me 20 korrikun, që është data e Kongresit që do të miratojmë sot.
Dy fjalë të tjera për përmbajtjen e Kongresit, i cili është një Kongres zgjedhor, por përtej zgjedhjes së Asamblesë Kombëtare, Kongresi do të duhet të trajtojë edhe një pasqyrë të gjendjes së përgjithshme në vend duke projektuar punën për programin e mandatit të katërt në funksion të vizionit “Shqipëria 2030”. Për këtë do të angazhohet një grup i veçantë por në kongres do të bëhet një përmbledhje, një pasqyrë përmbledhëse e gjendjes në raport me “Shqipërinë 2030”, pra ku jemi dhe ku do të mbërrijmë.
E treta, në Kongres do të paraqesim dhe platformën e re të përzgjedhjes së deputetëve dhe deputeteve të PS duke u nisur nga eksperienca e zgjedhjeve të shkuara ku siç ju kujtohet ne krijuam për herë të parë një platformë digjitale të quajtur “Deputeti që duam” dhe mblodhëm një numër jo të vogël për hir të së vërtetës shprehjesh interesi për tu bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes së deputetëve të PS.
Disa nga të rinjtë që u paraqitën në atë platformë u bënë dhe pjesë e listave tona zgjedhore, por në përzgjedhjet e ardhshme platforma do të jetë më e gjerë dhe do të parashohë një proces disi më të artikuluar dhe për këtë arsye është mirë që t’i japim vetes kohën e nevojshme nga Kongresi zgjedhor deri në momentin kur do të bëhet dhe përzgjedhja përfundimtare e listës së deputetëve dhe deputeteve të Partisë Socialiste.
Këto ishin pikat kryesore që unë dëshiroja të ndaja me të gjithë anëtarësinë e Asamblesë Kombëtare dhe duke falënderuar mediat për vëmendjen, po ia kaloj fjalën Sekretarit të Përgjithshëm për të kaluar një nga një pikat e rendit të ditës.