Kryetari i PSSH Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Shumë faleminderit për këtë mikpritje dhe për këtë mbështetje shumë domethënëse që ju i jepni Festës dhe unë dua shumë të besoj që në 14 maj me mbështetjen tuaj Festa do të marrë drejtimin e Bashkisë dhe dua shumë të besoj se gratë e Bulqizës pavarësisht se çfarë bindjesh politike kanë, do të bashkohen për të çuar në bashki një grua. Një grua siç janë ato, një grua, e cila nuk ka marrë asgjë dhuratë në jetë, e ka kaluar rrugën e jetës me shumë mund, me shumë sakrifica dhe me dinjitet të madh dhe që meriton absolutisht mbështetjen e të gjitha grave, e të gjitha nënave dhe patjetër dhe mbështetjen e të gjithë burrave, por burrat janë pak më problem sepse kur e kanë kokën mbrapsht e kanë mbrapsht dhe është shumë e vështirë tua kthesh përpara, por unë kam shumë besim që nëqoftëse gratë e tyre do tua tërheqin kokën në drejtimin e duhur, ata do të jenë më të shumtë që do të votojnë.
Ndërsa atyre që janë mbrapsht fare, gratë bëjnë mirë t’i mbyllin nëpër shtëpi në datën 14 që t’i shpëtojnë nga një turp shumë i madh sepse të jesh i djathtë nuk është turp, përkundrazi është një qëndrim legjitim siç është dhe të jesh i majtë. Të jesh i djathtë sepse në të kaluarën familja jote ka qenë e persekutuar, nuk është turp, por është qëndrim legjitim, të jesh i djathtë se gjyshja, stërgjyshi ka qenë me Zogun, apo me Ballin Kombëtar a ku di unë se me kë tjetër, nuk është turp, është qëndrim legjitim, por pikërisht për të gjitha ato arsye, pikërisht për nderin e stërgjyshërve dhe të gjyshërve që janë rreshtuar djathtas në histori, pikërisht për nderin e atyre plagëve që ato familje kanë marrë për shkak të regjimit komunist dhe pikërisht për nderin e këtij komuniteti dhe të kësaj zone shumë të vuajtur që sapo ka filluar ta ngrejë kokën për të dalë nga gropa e thellë e varfërisë, nuk duhet në asnjë mënyrë që vota e atyre që i kanë të gjitha këto në mendje të shkojë për Like Floririn dhe për të tjerë bashkë me të dhe për një çift ku ai më i madhi i çiftit është i shpallur i padëshirueshëm jo nga unë, as nga Partia Socialiste, por nga aleati ynë më i madh strategjik, nga SHBA dhe është i padëshirueshëm për të gjithë Europën.
Tani ata gjyshërit dhe stërgjyshërit që ishin kundër komunizmit, ata kurrë nuk e vinin në diskutim aleancën, partneritetin dhe besnikërinë ndaj Perëndimit, ndaj Amerikës, ndaj Britanisë së Madhe dhe po ju them që ata që janë sot në botën tjetër, por që i shikojnë gjërat nga lart, do rrotullohen në varr nëse nipërit dhe stërnipërit e tyre do vazhdojnë të shkojnë pas Berihait për ta çuar votën në drejtimin më të gabuar, për ta çuar votën në një drejtim që fyen shqiptarinë. Që fyen Shqipërinë sepse Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë si sot, më e respektuar dhe më e barabartë në të gjitha tryezat ndërkombëtare si asnjëherë më parë dhe siç besoj askush se ka imagjinuar deri pak kohësh. Shqipëria është atje e ulur bashkë me fuqitë e mëdha në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku nuk janë 200 shtetet, por ku janë 15-16 shtete dhe ka zërin e saj dhe vlerësohet për zërin e saj dhe çmohet nga aleatët dhe nga partnerët tanë. Si asnjëherë më parë Shqipëria drejtoi organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE. Si asnjëherë më parë BE u ngrit, doli jashtë kufijve të vet, erdhi nga Brukseli në Tiranë për të bërë samitin e vet bashkë me Shqipërinë dhe vendet e tjera. Siç asnjëherë më parë Shqipëria përgatitet të presë në tetor Samitin e Procesit të Berlinit.
E pra, kjo nuk vjen ngaqë Shqipëria është ndonjë fuqi e madhe, as ngaqë Shqipëria është ndonjë fuqi pa të cilën nuk bëjnë dot të tjerët. Kjo vjen sepse Shqipëria i ka ngjitur shkallët e respektit me të gjitha ato reforma, me të gjitha ato përpjekje dhe mbi të gjitha me shpalljen e dinjitetit të shqiptarëve një kusht të panegociueshëm me të gjithë kur Shqipëria është aty në tryezë, pavarësisht se nuk jemi aq të pasur sa të tjerë, pavarësisht se nuk jemi të zhvilluar sa të tjerët, ne u japim respekt dhe marrim respektin që meritojmë e në këto kushte është skandaloze që të mendosh që të jesh shqiptar, që të nderosh flamurin tënd kombëtar, që ta kesh Shqipërinë të parën, që të mendosh për fëmijët e tu, që të mendosh dhe për ata gjyshërit dhe stërgjyshërit e vdekur e të shkosh mbas Berihait dhe të bashkohesh e t’i japësh frymë, e ti japësh energji një burimi errësire dhe një burimi prapambetjeje dhe një burimi të cilët aleatët e tu, aleatët tanë, aleatët e Shqipërisë e konsiderojnë toksik. Si mund të bëhet kjo?
Pastaj për të ardhur tek vota e 14 majit për Bulqizën. Çfarë kërkoni ju? Ju jo xhanëm, se ju keni ardhur këtu dhe e keni ndarë mendjen, por po ju them atyre që akoma e vënë në diskutim. Çfarë kërkojnë këta?
Se nuk e di fare kush është kandidati këtu, ndërkohë që atje në Klos nuk e dija, por e dëgjova kur foli Belinda. Bedriu që ka kandiduar nja 6 herë, e hyn e del në bashki atje. Çfarë do i bëjë Bedriu Klosit? Asnjë gjë! Bedriu do futet atje, po u fut, do marrë ato fondet, ca do i çojë në shtëpi siç ka bërë gjithmonë se u bë dhe biznesmen Bedriu atje dhe ca do i marrë për të paguar autobusë edhe ata që duhet të rrinë këtu të pastrojnë, të gjelbërojë, të ndriçojnë do futen nëpër autobusë të vijnë në Tiranë dhe të vazhdojnë atë avazin: ”Rama ik”. Se kanë 10 vjet “Rama ik” dhe ja ku erdha prapë unë këtu.
Si mund ta venë në diskutim një herë nuk e kuptoj, si mund ta vënë në diskutim? Ç’është ky tip këtu që do, që kërkon të futet kryetar bashkie. Po me kë do punojë ky? Me kë do i bëjë ky projektet e Bulqizës? Me non gratën, apo me Like Floririn? Po kur thotë Likja, “duam transparencë”. E keni parasysh? Që kur të afrohet Likja duhet të futësh duart në xhep të mbrosh xhepat se çfarë nuk kemi bërë për ta sjellë Liken në rrugë të mbarë. Nuk kemi lënë gur pa luajtur, se thamë hajde e kemi pasur shok, mos ta lëmë të ikë për lesh, por Likja e ka mendjen për keq dhe ashtu për keq vazhdon duke u bërë paterica qesharake e një non grate dhe ju tani do merrni një që ua ka sjellë non grata me Liken dhe do e fusni në bashki? E çdo bëjë ai pastaj? Me kë do punojë ai me Belindën? Apo do ikë me vrap kur të vijë Belinda këtu se Belinda është burri më i fortë që kemi në qeveri sa për dijeni. Çfarë do bëjë ai?
Thonë që Edi Rama i kërcënon që po votuat për ata, nuk bashkëpunojmë. Nuk është kërcënim ky, është fakt. Çfarë kërcënimi? Si të bashkëpunosh me ata? Jo se s’dua unë, jo se s’duam ne ta mbështesim një bashki që çon ata në zyrë, por është e pamundur. Shiheni Shkodrën. Kanë që në ’92, që kur ka zgjedhje vendore që kanë bashkinë. Është bashkia më e prapambetur e Shqipërisë në atë vend të bekuar që ka një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë. More lum po, more det po, more liqen po, more mal po, more breg po, more majat më të larta po dhe ata vazhdojnë jetojnë me kazanët që mbushen me plehra. Me plehra që mbulojnë kazanët edhe hajde të vijnë ata të nongratës t’i mbledhin dy herë në javë. Këtë doni ju? Jo ju, ata. Atë duan? Çfarë është kjo? Dhe në Shkodër, se po flisja për bashkëpunimin, ne kemi bërë çfarë kemi mundur, por i kemi rënë gjithmonë anash, duke e kapur veshin mbrapsht se me ata nuk bashkëpunohet, bëmë një nga stadiumet e reja dhe unë e di çkemi hequr me FIFA-n dhe me UEFA-n që mos ta fusnin në listë të zezë stadiumin që nuk luhet. Pse? Se është i vetmi stadium në Europë, se bota është e madhe, nuk e di, po dhe në botë nuk besoj të ketë që 7 metra nga tribuna VIP, ka një ofiçinë, një lavazh pa leje dhe as atë nuk e prishte bashkia. Dhe vijnë skuadrat e huaja, kalojnë nga ofiçina që të futen në stadium.
I bëmë rrugën nga Shkodra në Velipojë se aty s’kemi nevojë t’i marrim leje atyre dhe unë e di se çkemi hequr. Edhe me atë rrugë, edhe me rrugën e Thethit edhe ç’po heqim me Shëngjin-Velipojën, për çfarë do thoni ju? Se nuk bëjnë letrat e shpronësimeve. Jo lekët, lekët i jep qeveria për të shpronësuar njerëzit, normalisht. Nuk të japin letrat. Pse? Se s’duan të bëhet rruga. Se mos ta bëjnë komunistët rrugën. E komunistin e kanë atje në krye e po iu kalbet si i padëshirueshëm tani. Kemi dy ujësjellësa të financuar, me projekte, me gara të bëra, me kontrata, të dyja kompanitë gati, të fillojnë ndërtimin e ujësjellësit në Zogaj dhe Shirokë, nuk kemi leje ndërtimi, s’na i jep bashkia.
Pra, më mirë të rrimë pa ujë sesa komunistat të bëjnë ujësjellësit. Mirëpo mua më rezulton, unë nuk e di mbase ju këtu keni informacion tjetër, unë di që demokratët ujin e pijnë pa ngjyrë. Të djathtët nuk më rezulton që pijnë ujë blu. Urdhëro, si i bëhet me këta. Le që këtu pastaj është qamet fare. Çfarë do sillni këtu? do sillni prap minjtë e kromit, do i fusni në bashki? Se vetëm për atë punë e duan bashkinë. Për veten e vetë ndërkohë që ne po iu themi të gjithëve duhet të ecim vetëm përpara. Jo se ne i kemi bërë të gjitha gjërat mirë. Jo se ne e kemi shkrirë këtë punë këtu dhe kemi bërë mrekullira. S’kemi bërë mrekullira. Kemi bërë dhe gabime patjetër. Patjetër kemi bërë gabime. Patjetër kemi bërë dhe gjëra që s’jemi krenarë fare, por ama një gjë është e sigurtë. Po ishte puna për të tërhequr karrocën, një kalë ka Shqipëria, Partinë Socialiste. Nuk ka kalë tjetër! Karroca me qen rrugësh, nuk tërhiqet. Për të lehur po. Për të lehur e për të kafshuar kur s’e ke mendjen, po.
Miqtë e mi, sot jemi në një kthesë të madhe për Shqipërinë. Ma besoni këtë gjë sepse fakti që po rrisim rrogat si asnjë herë më përpara dhe fakti që me këtë rritje rrogash do të shkojmë në 900 euro pagë mesatare në Shqipëri, kjo vjen si rezultat i faktit që ekonomia po rritet dhe fuqizohet.
Ishim me Belindën përpara aty te terminali dhe po thoshte ai djali, më thoshin të gjithë ore, ti je çmendur. Do bësh investim në Bulqizë. E kam bërë, tha, dhe jam shumë i kënaqur. Vijnë familjarët.
Po flisja për pagat dhe nuk dua t’ju mbaj gjatë. Dua t’ju them që me siguri Festa është njeriu i duhur. Në datën 14, nuk shkohet në votim për tifozllik. Ka disa që thonë nuk i shoh dot me sy ata. Nuk e shoh dot me sy Edi Ramën. Kjo është gjëja më e thjeshtë në botë. Mua më “pushkaton” me një lëvizje të sustës në telekomandë dhe shkon te syri i zorrës qorre. Rri aty, kënaqu. Nuk rri dot pa këta, merre nongratën, vendose te dhoma e gjumit atje, ta kesh. Merre Liken në korridor, te dera e banjos, por vota është kë do marrim në punë 4 vjet që të na pastrojë bashkinë, që të na sigurojë që rrugët të jenë të ndriçuara, që gocat kur vijnë vonë, mos t’i hajë ujku në errësirë dhe që prindi mos rrijë në ankth erdhi, s’erdhi. Kë do kemi që do na rregullojë si duhet për vitin e ri shkollor, shkollat, kush do na i mirëmbajë kopshtet, kush do na begenisi. Kush do tua bëjë të gjitha këto ju?!
Vetëm kandidatët tanë dhe Festa këtu, nuk ka tjetër kush i bën këto. Ata nuk e kanë mendjen fare te këto. Hiç fare po ju them. Fare! Dhe dua të dini një gjë, bashkia është grua, qeveria është burrë. Qeveria është për gjithë llojet e punëve, zhurmave, politikës, e luftra, e mbrojtja e rendit, bashkia është si e zonja e shtëpisë. Bashkia garanton që shtëpia të jetë e pastër. Që shtëpia të jetë në harmoni. Imagjinoni për një moment sikur të gjithë burrat të ngeleshin këtu dhe gratë të iknin një muaj. Gratë e Bulqizës të iknin një muaj, çfarë ndodhte këtu pas një muaji?! Gjithë burrat do ishin me mjekrën më të gjatë se unë duke folur me vehte nëpër rrugë. Që mos t’i hymë më thellë se ç’do ndodhte. Shtëpitë do ishin ‘’lesh dhe li’’, s’do dinin më të gjenin rrobat e veta për t’u veshur. Për të ngrënë, mos e pyet. Do hanin njëri – tjetrin se s’dinë as të gatuajnë. Gratë janë ato që e mbajnë shtëpinë. Nënat janë ato që e mbajnë realisht familjen me ngrohtësi, me dashuri. Motrat janë ato që janë bekim i madh kur i ke. Vajzat janë ato që sjellin buzëqeshje, mirësi. Çunat pastaj si të qëllojë, por përgjithësisht është djalë i mirë, janë djem të mirë, burra të mirë kur kanë gjithë pjesën tjetër që mban shtëpinë si duhet.
Kështu që, bashkinë ta ndajmë dhe ta lëmë mënjanë sherreve dhe budallalliqeve se bashkia duhet për punë.
Bashkia duhet për të çuar përpara që do ta bëjmë dhe mos harroni, dhe këtu do ta mbyll, nuk jeni më Bulqiza që ishit deri para disa vitesh, që ishit këtu si xhep pa hyrje, të mbyllur, të izoluar dhe që për të ardhur në Tiranë, duhej menduar mirë një javë, jeni më pak se 40 minuta larg Tiranës.
Kemi hapur sot edhe segmentin e Planit të Bardhë që e bën edhe më afër me Urën e Vashës. 300 metra kanë mbetur tek ai tuneli i Murrizit, se unë rri i numëroj ato metrat që nuk di ça të them domethënë.
Ajo që sot duhet patur parasysh, është që duke qenë kaq afër, jo vetëm Bulqiza, gjithë Dibra, as mos u çudisni fare kur ju them që kjo zonë brenda shumë pak vitesh, do të bëhet një zonë ku do të vijë duke u rritur e rritur, numri i vizitorëve dhe turistëve.
Do të bëhet destinacion turistik patjetër se këtu vërtetë është kromi që e ka krijuar këtë qytezë, por këtu janë bukuritë e natyrës. Dibra ka histori, ka destinacione nga më interesantet dhe ne do punojmë shumë fort, e kam thënë qysh në filli. Më thonin, “Rruga e Arbërit s’duhet bërë se s’ka njerëz, s’ka fizibilitet”.
Unë gjithmonë kam thënë, Dibra është jastëku i gjelbër i kryeqytetit kështu që kur them Dibra, ju jeni pjesa më afër këtu prandaj shihini të gjitha këto dhe Belindën që e keni këtu, nuk e keni këtu si një përfaqësuese e radhës, por e keni këtu me shumë vendosmëri për të bërë një ndryshim siç ka bërë kudo ku ka punuar, për të lënë gjurmë këtu bashkë me ju, por ama nuk po ju kërkojmë asgjë tjetër vetëm që të na jepni mundësinë t’ju ndihmojmë aq sa duam dhe që t’ju ndihmojmë aq sa duam, duam që Festën, se e ka edhe emrin shumë të bukur, ta bëni një festë sa më të madhe në mëngjes, që nga mëngjesi deri në darkën e datës 14, sa të numërohen ato.
Faleminderit shumë dhe shumë respekt dhe kini besim, kini besim edhe vetëm përpara kështu që gra, futini një të shtyrë burrave fort që të mos i shkojë mendja që të kthehen prapa.
Faleminderit!