Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama në takimin me gra dhe vajza socialiste të Dibrës

Përshëndetje! Do ta filloj me një mesazh që më erdhi nga një numër që nuk e kam të regjistruar, më erdhi mbrëmë.

“Përshëndetje zoti kryeministër. Meqë nesër çelni siparin e garës në Dibrën time dhe me zonjat e nderuara të asaj zone edhe pse zonë e mbyllur dhe rurale, aty gratë kanë qenë themel dhe forcë vendimmarrëse në familje. Bashkë me urimin për të kaluar një ditë me mbresa pozitive po ju nis, dhe këtu fillon një histori dibrane brezash: Një dibran merr rrugën e karvanëve, rrugën e Arbrit domethënë për të ardh në Tiranë për të kërkuar ca napolona borxh Dine Hoxhës, një prej parive të Dibrës, i cili jetonte te rruga e Kavajës. Pasi kuvendojnë dhe i bien kryq e tërthorë problemeve të Dibrës, i kërkon para borxh për një nevojë që kishte. Dine Hoxha i hedh sytë gruas, ata kishin një kod të padeshifrueshëm për të pranishmit sy më sy dhe aty për aty i kthehet, i thotë nuk mundem, nuk kam për momentin. Dibrani i varfër, por finok e i zgjuar me dal te pragu i shtëpisë merr rrugën për nga Kombinati. Dinia si dinak që ishte i thotë, pse po shkon poshtë, e nuk po kthen nga Tufina për në Dibër. Po, po i thotë ai në Dibër po shkoj, por jo pa zbrit të mulliri i Toptanëve, me pa nëse guri i epërm lëviz të poshtimin, apo guri i poshtëm lëviz të epërmin. Dhe i zënë ngushtë Dinia i thotë: Ktheu të të jap napolonat edhe i ke fal, edhe s’më ke asnjë borxh. Dhe këtu mbyllet mesazhi.

Dhe nëpërmjet kësaj historie të vjetër, por të vërtetë, zoti kryeministër tregohet forca e gruas në familjen dibrane, pavarësisht angazhimit të pakët publik ndër shumë vite.”

E pra, edhe unë tani kam ardhur që me gurët e poshtëm t’i lëvizim gjithë gurët e epërm. Megjithatë, nuk ka nevojë për fjalë të shkruar, kam mbajtur vetëm disa shënime këtu.

Po, dua t’ju them këtë, që sot, kur sapo hyra, më është kujtuar takimi i parë në Partinë Socialiste të Dibrës. Takimi i parë në Partinë Socialiste të Dibrës, gjithë burra, mbyll si strofull atje, njëri hedh, tjetri prit, tjetri kap, tjetri hedh poshtë, nuk merrja vesh as ça thoshin, as me kë e kishin, as ku donin me dalë, po kuptoja vetëm një gjë, që më budallai aty isha unë.

Edhe sot, para se të vinim, ishim ulur te Bulevardi dhe i thashë Astrit Ademit e njihni, besoj Astrit Ademin. I  thashë Astrit, ti asnjëherë s’e ke besuar kur të kam thënë Partia Socialiste këtu nëse nuk i nxjerr gratë nga shpitë, që t’i japin komandën dhe nëse këtu nuk e marrin gratë dibrane, komandën nuk fiton kurrë.

Dhe sot, faktikisht, gjithë kjo pamje që është, ishte e paimagjinueshme 10 vjet përpara, është pamja e fitores tonë dhe unë, deri pa e pa këtë pamje, nuk e besoja këtë.

Tani unë këtë besoj që edhe mund të realizohet. Por ajo që është e rëndësishme është 4 apo 3, në datën 11 maj, falë jush vajzave dhe grave të Dibrës në radhë të parë, Dibra do votojë aty ku duhet, dhe në 12 maj do gdhihet rozë.

Sepse Dibra është grua, Shqipëria është grua, edhe Europa është grua dhe mua personalisht nuk ka asgjë që më bën më shumë krenar si kryetar i Partisë Socialiste, se sa fakti që kjo forcë mbështetjen më të madhe dhe themelin e vet më të fortë ka gratë dhe ka vajzat në të gjithë Shqipërinë.

Parafytyroni në të gjithë Shqipërinë, Partinë Socialiste e mbështesin 56% e grave dhe e vajzave.

Ka disa qarqe ku kjo mbështetje shkon në 65%. Dibra, sot që flasim, është në mes të dyjave diku ke 60% dhe llogaria është shumë e thjeshtë.

Nëse ne kemi 50% të grave dhe vajzave, nëse ne kemi shumicën e votuesve të parë, na mjafton vetëm gjysma burrave, nuk na duhen më shumë. Dhe të treja këto forca bashkë do të bëjnë që në 11 maj, jo vetëm në Dibër, por në të gjithë Shqipërinë ne të kemi fitoren më të bukur të të gjitha fitoreve tona.

Kjo është e dhjeta dhe e dhjeta do të jetë me notën 10, falë radhë të parë, juve që jeni këtu me të gjitha vajzat e grave si ju. Më pyesin disa, po pse e filloi fushatën Partia Socialiste nëpër salla me gratë, edhe me vajza? Edhe përgjigja ime është, po me kë ta fillonte? Me kë ta fillonte?

Imagjinoni vetëm diçka, sikur ju të gjitha t’ë ikni nga Shqipëria një muaj, edhe burrat t’i leni këtu, një muaj. Kur të ktheheni do gjeni nëpër Peshkopi ca njerëz me bisht. Po sikur burrat ikin të gjithë e t’ju lenë ju këtu? Do jetë Peshkopia më e pastër, më e bukur se çdo herë tjetër, edhe më e qetë. Kështu që, unë jam shumë krenar që ne kemi arritur kaq shumë në këto vite dhe kur ne e kemi nisur këtë rrugë si Partia Socialiste ka pasur 15% gra dhe vajza.

Sot janë 40 % dhe unë dua që ju dhe të gjithë gratë dhe vajzat që tanimë janë pjesë e 40-it mos të ndalen pa e bërë PS që të ketë një më shumë nga gratë dhe vajzat sesa nga burrat dhe djemtë, një vetëm.

Nuk duhet të ndalemi pa arritur numrin magjik 50 mijë e një gra e vajza anëtare të PS.

Tani këtu kam fatin të kem dy shembuj, i kam këtu përpara. Ja ku është Kkryetarja e Bashkisë së Bulqizës, ja ku është Kryetarja e Bashkisë së Klosit. Ju nuk e keni idenë se çfarë halli ishte të gjeje kandidat në Klos e në Bulqizë. Një grusht burrash që mblidheshin bashkë dhe thoshin ose ne do shkojmë me armikun dhe këtë lojë i bënin dhe armikut. Laj thaj shtatë veta. Atëherë një grua tjetër që ju e mbani mend besoj, para se të vinte Klosi këtu, më thotë “more si i bëhet kësaj pune se kjo nuk shkon”. Shkon këtu e shkon atje po ata bura, jo ai se ai është i fortë se ai njeh ca të fortë, se po s’pate atë të fortin. I thashë unë po sikur t’i biem komplet nga krahu tjetër, ka aty ndonjë grua. Është Festa – tha. Është Festa – tha, por sikur nuk ma duan shumë tha disa se ajo është ndarë nga burri. Është ndarë nga burri – i thashë? Po atë zgjidh, ajo është për ne dhe ja ku është. Ja ku është!

Dhe si fitoi Festa në Bulqizë? Fitoi me gra. Se siç thotë ajo historia e Dine Hoxhes, Dine Hoxha burrë me nam, po te gruaja shihte kur duhej me dhënë ose mos me dhënë lekët.

Se kur dalin nga shtëpia nëpër kafe bëjnë si të forte, por kur vijnë me vonese ulin kokën aty te dera. I keni parë kur ulin kokën e fillojnë justifikimet, jo kishim një mbledhje jo me ca shokë, jo sindikata e ku di unë se çfarë.

Ja ku është dhe Valbona. Por ajo që është më e rëndësishmja, jo thjeshtë janë zgjedhur dy gra, por Bulqiza dhe Klosi nën drejtimin e këtyre dy grave nuk njihen sot, në krahasim me kur këto morën detyrën.

Tani ne bëmë të mundur që ajo që nuk imagjinohej të ndodhte, shikoni sesi e kemi filluar me përpjekjen tonë për të hapur rrugën për grate, duke filluar nga këshillat bashkiakë.

Në 2011, 12% gra dhe vajza.

Në 2015, 35% gra dhe vajza.

Në 2019, 43% gra dhe vajza.

Në 2023 50% gra dhe vajza.

Dhe ka qenë PS që e ka vënë gjithmonë kusht këtë punë. Por më e bukura është sot me deputetet. 71 % e përfaqësueseve tuaja ju i keni në skuadrën tonë kombëtare. Këtu në Dibër keni në listën e mbyllur dy nga pesë. Dhe pjesa më e bukur është që në listën e mbyllur që është pjesa më e sigurte 52% janë gra dhe vajza. Dhe prandaj ju keni këtu deputete Almën. Deputetë të sigurte Almën dhe keni dhe zyshën që është në pjesën e hapur.

Mua më vjen për të qeshur kur thonë “këta fitojnë se vjedhin vota, këta fitojnë se kanë me vete të fortët, këta fitojnë se krimi, ne fitojmë sepse kemi në mbështetje gurët e poshtëm. Ne fitojmë sepse kemi me vete shumicën e grave dhe vajzave dhe ne do fitojmë edhe më thellë në 11 maj, pikërisht se ju që jeni sot këtu, do të garantoni që në 11 maj të merrni me vete te kutia e  votimit më shumë se asnjë tjetër, gra dhe vajza dibrane.

Dëgjoni tjetrën këtu.

Kur ne erdhëm në detyrë, vajzat me uniformën e policisë së shtetit ishin më pak se 5% dhe jo vetëm ishin më pak se 5 %, por ishin të lëna nëpër cepa. Sot ne faktikisht e kemi trefishuar numrin e grave dhe vajzave në Policinë e Shtetit dhe ju i keni parë që gratë dhe vajzat kanë dalë dhe në patrullën e përgjithshme dhe janë përfaqësimi më dinjitoz i joni.

Po kështu në Forcat e Armatosura ishin më pak 10%. Sot janë dyfishi dhe 22 % e tyre janë me gradë oficeri. Nuk dua t’ju lodh me shumë e shumë të dhëna që tregojnë sesa shumë i kemi mundur grave dhe vajzave që ta shfaqin potencialin e tyre dhe kjo natyrisht ka ardhur si rezultat i faktit që është thyer akulli dhe tani është hapur rruga.

Por dua t’ju them përtej kësaj pjese të historisë që ka të bëjë me PS, me gratë e vajzat që shikoni sot Dibrën.

Dibra sot ka një frymëmarrje tjetër, e ndien sapo hyn sepse Dibra sot është çliruar. I ka ikur laku nga fyti që e mbante si të zgjidhur nga trupi i vendit. Dhe Dibra sot është bërë praktikisht ajo që unë thosha dikur dhe përqeshnin, talleshin e ku di unë se çfarë, jastëku u gjelbër i kryeqytetit.

Sot për të shkuar nga Tirana në Durrës dhe për të ardhur nga Tirana në Dibër është pak a shumë e njëjta kohë. Pak a shumë e njëjta kohë. Nga ana tjetër, unë e di shumë mirë dhe këtë e kam me gratë dhe me vajzat e Peshkopisë që detyra ime mbaron kur të hapët dhe rruga Maqellarë-Peshkopi. Se ajo e bukura juaj e dibranëve është të jeni shembulli më ekstrem i asaj fjalës beso dhe kontrollo. Kështu që, edhe pak ditë dhe rruga Peshkopi – Maqellarë, që lidh përfundimisht edhe Peshkopinë me Rrugën e Arbrit do jetë e hapur.

Por, nga ana tjetër, para se të vinim këtu shkuam pamë sesi po mbyllen punimet te rruga e Cerenecit atje kështu që tani ju keni mundësi të dilni në Tiranë, të shkoni në Durrës, po të dilni edhe në Pogradec tek liqeni i Pogradecit duke i rënë nga Librazhdi dhe në ndërkohë, po punojmë edhe për atë pjesën tjetër, e tha edhe Blendi, të Burrel-Rrëshenit dhe ndërkohë shumë shpejt do mbyllim edhe rrugën e Lurës nga ana këtej.

I thashë disa dibranëve aty tek kafja që 5 vjet, edhe 5 vjet kohë ka për të blerë prona në Dibër, edhe 5 vjet. Pas 5 vjetësh, ky vend këtu do ketë çmimet e Tiranës sepse ky vend do të jetë një zonë e gjelbër e Tiranës. Kështu që, është koha që gjithë dibranët që kanë napolona si ato të Dine Hoxhës mënjanë, në emigracion a këtu, t’i investojnë në Dibër, t’i investojnë në Bulqizë, t’i investojnë në Klos, t’i investojnë në Mat megjithëse juve ju mbetet hatri kur ju them të gjithë dibranët se ju thoni “Nuk jemi dibranë” se ju jeni të mbretit, matjanët.

Në mbyllje dua t’ju them pak fjalë për 11 majin përtej Dibrës, përtej rrugëve, përtej urave, përtej zhvillimeve të tjera sepse kemi bërë shumë edhe për arsimin, kemi bërë shumë edhe për shëndetësinë dhe për programet sociale etj, dhe do vazhdojmë t’i bëjmë por 11 maji nuk është një ditë zgjedhjesh si të tjerat. Përgjithësisht, në zgjedhjet politike populli shkon për të vendosur kush do ta qeverisë dhe kush mund ta qeverisë më mirë në 4 vitet e ardhshme por ndonjëherë ndodh që zgjedhjet politike të jenë takim me historinë.

Ne kemi pasur 1 takim me historinë në zgjedhje, ’91-’92 dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve shuan votuan Partinë Demokratike, por nuk e votuan Partinë Demokratike sepse ishin të gjithë me Partinë Demokratike, as se nuk kishin vërejtje apo ankesa apo kritika. Aq e vërtetë është kjo sa Partinë Demokratike e votuan masivisht në mars dhe pastaj në zgjedhjet e verës për pushtetin vendor e kundër-votuan masivisht, por ama në 22 mars ishte koha e duhur, ishte vendi i duhur për të bërë zgjedhjen e duhur për të mbyllur përfundimisht një kapitull të gjatë të një historie e cila i përkiste të shkuarës dhe për të hapur një kapitull të ri duke zgjedhur me votë një sistem të ri. Prandaj e votuan Partinë Demokratike.

Në 11 maj është shumë e ngjashme sepse nuk është thjesht çështja të kemi qeveri. Ne qeverinë do ta kemi. Nuk ka bërë vaki nga Burreli në Peshkopi, 4-1 është shumë, por 74 i kemi? I kemi. 74 i kemi dhe në Dibër kemi 2. Sikur t’i marrim dhe nuk kemi në asnjë vend ku mund të humbim një deputet, një të marrim më shumë këtu në Dibër u bëmë 75. Pra, nuk është çështja e qeverisë. Çështja është më e madhe se kaq, çështja është e një shumice që duhet të bëhet bashkë për t’i dhënë një shtysë të fortë negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, çështja është e një shumice që duhet të bëhet bashkë për t’i dhënë mundësi forcës që qeveris që të ecë përpara dhe të realizojë të gjitha detyrat brenda 2 viteve. Na kanë dhënë afat 2027 për të mbaruar negociatat pa pasur nëpër këmbë lloj-lloj pengesash të kota. Çështja është që në 12 maj, Brukseli dhe të gjitha vendet anëtare të shohin që një popull në Shqipëri u bashkua përtej ndasive politike dhe përtej numrave dhe aritmetikës edhe krijoi një shumicë për Shqipërinë në BE. Kjo është shumë e rëndësishme.

Tani, ju dëgjoni plot njerëz që thonë “Ore po ky Edi Rama tani, se çudi e madhe, na ka kërkuar votën 3 herë, ka marrë 3 mandate, ka 12 vjet me Partinë Socialiste në qeveri, thotë tani ma jepni edhe një mandat tjetër se tani do ju fusim në Bashkimin Europian”.

Ata që flasin kështu, e para, harrojnë nga jemi nisur ne. Ne jemi nisur nga humnera, jo nga gropa, nga humnera kur Shqipërinë nuk ja fërshëllente njeri Shqipërisë fare, nuk e llogarisnin fare por nga ana tjetër nuk dinë si funksionon Bashkimi Europian sepse nëse do ishte çështja që ne nuk e bëmë në 3 mandate, se është faji jonë, po Mali i Zi? Mali i Zi i ka hapur negociatat për anëtarësimin 1 vit para se ne të vinim në qeveri në 2012, ishin yhy sa përpara nesh. Sot me Malin e Zi jemi të dy në një vijë tek dera e Bashkimit Europian.

Po Serbia? Serbia i ka hapur negociatat në 2014, ishte yhy përpara, sot Serbia është mbrapa nesh.

Maqedonia që e keni këtu Dibrën e Madhe afër, në 2005 është bërë kandidate për Bashkimin Europian, në 2005. Këtu mund të ketë goca e djem që në 2005 nuk kishin lindur akoma dhe sot akoma nuk i ka hapur negociatat.

Ne negociatat i kemi hapur vjet dhe na kanë thënë për 3 vjet, domethënë “2024-2027 nëse i bëni të gjitha, ne i mbyllim”. Çfarë ka ndodhur? Nga një anë ne kemi bërë detyrat tona, patjetër, sepse e kemi ngritur Shqipërinë në një nivel, në një majë ku të gjithë tani mund ta shohin e ta respektojnë se nuk e shihnin fare dhe kur i dilte, i dilte si një gur nëpër këmbë.

E kemi bërë Shqipërinë një vend që sot është zbulim për turizmin. 12 milionë turistë vjet dhe prisni sa do keni në Dibër këtë verë. Pra, ne e kemi bërë detyrën.

Ne kemi bërë reformën në drejtësi se ju këtu në Dibër keni edhe atë drejtuesin e SPAK-ut e keni këtej dhe dua ta sjell në vëmendje këtë fakt për një arsye; Altin Dumani, meqë është i zonës po e përmend këtu në miting, ka qenë prokuror shumë vite, po ky ka qenë, nga Dibra, i ndershëm, i zoti, i papërzier me asgjë tjetër përveçse me punën e vet por e kishit dëgjuar ju ndonjëherë Altin Dumanin të thërriste ndonjë ta merrte në pyetje, ndonjë person të njohur? Jo. Po si u bë kaq i fortë Altin Dumani? Altin Dumani u bë i fortë sepse ne bëmë atë që nuk e ka bërë asnjë forcë që ka qeverisur, që ka mbretëruar, që ka sunduar, që ka drejtuar në këtë vend që nga 1912, ne i dorëzuam drejtësisë shpatën e ndëshkimit që i takon drejtësisë dhe është për të vënë duart në kokë kur çohen dhe thonë “Si mund të votoni Partinë Socialiste, këta gjysmat janë në burg, gjysma tjetër janë për burg? Është për të vënë duart në kokë”.

Sepse nëse sot ju të gjithë dhe të gjithë njerëzit e zakonshëm po shohim që mund të ketë barazi përpara ligjit në Shqipëri, këtë e bëri Partia Socialiste dhe kur unë thosha atëherë “Ne duam një drejtësi që të mos shohë majtas e djathtas por të shohë drejt dhe të godasë majtas e djathtas”, majtas për kë e kisha unë? për kë e kisha unë kur thosha majtas, për Noc Rrokun? Për ne pra. Ne ishim majtas, ne jemi majtas. Dhe fuqia jonë morale, karakteriale, politike,  qytetare, patriotike për t’u ngritur mbi veten dhe për të qenë të gatshëm për të pranuar edhe goditjet e drejtësisë kur ato vijnë brenda shtëpisë sonë dhe kur brenda shtëpisë sonë ka njerëz të cilët janë të padenjë për ne, është jo një arsye që ne të ulim kokën, është një arsye që ne të jemi  krenarë sepse po i japim Shqipërisë diçka që s’e ka pasur kurrë.

Del bufi i kënetës se ju keni dhe qafën e bufit këtu. Ju kujtohet? Për të ardhur në Tiranë duhet të kalonit nga qafa e bufit. Tani qafën e bufit e latë, vini drejt në Tiranë.  Kështu duhet ta lënë demokratët qafën e tyre të bufit, ta lënë në ajër bufin, mos bëjnë qafa që mban bufin mbi kokë. Del bufi thotë ‘’ do shkrij SPAK-un në 12 maj’’. Ou? Po pse? Sepse ka hallin e vet. Shqipëria madhështore është vetëm një gjë, meqë dy herë shqiptarët e hëngrën dhe ia dhanë bufit herën e parë , i shkatërroi, ua thau komplet xhepin dhe i bëri të vriten rrugëve e të marrin rrugët se flasin për marrje rrugësh në kohën tonë. Po sa njerëz ikën nga sytë këmbët kur bufi shkatërroi Shqipërinë? Herën e dytë gati nuk na çoi prapë në greminë me borxhe, tani shqiptarët duhet të bëhen bashkë që prapë t’ia japin bufit që bufi të mundet të rrijë akoma në qafë jo vetëm të demokratëve por edhe të shqiptarëve. Jo ore! Nuk kanë shqiptarët asnjë sekondë për të humbur me këto histori, shqiptarët kanë vetëm një gjë për të bërë; për të shtyrë përpara që ne të bëhemi anëtarë të BE dhe ajo pasaporta atje, ajo pasaporta atje nuk është një dokument udhëtimi, një leje udhëtimi siç është pasaporta që kemi sot; ajo pasaporta atje është status i ri qytetarie për të gjitha ju, për të gjithë familjet tuaja, për të gjithë fëmijët tuaj, sepse me atë pasaportën e re, shqiptarët për herë të parë në histori bëhen me ligj dhe me zakon, qytetarë të barabartë në të njëjtën shtëpi që është shtëpia e BE. Dhe kjo nuk është retorikë, kjo është ajo që ndodh, sepse në momentin kur ne hymë në rrethin e BE, ne jemi njësoj si gjithë të tjerët brenda rrethit. Sot ne jemi jashtë rrethit. Këtu janë hyrjet. Vijmë tek kjo hyrja këtu, na thonë ‘’futuni në radhë, dil andej, ku po shkon’’?-  ore, kam pasaportën. Kam lirinë e lëvizjes. Ke lekë me vete? Kush të ka ftuar? Ke rezervuar hotel? Sa do rrish? Kush të pret? E pastaj të thonë atë të tmerrshmen në fund “Kur do ikësh”. Ti s’je futur akoma.

Pasi futesh, duhet të dalësh prapë sepse nuk rri dot këtu ose duhet të kërkosh azil politik. Ndërkohë që me atë, futesh nga të duash, askush nuk të ndalon dot, ndalon ku të duash, troket në çdo vend që do nëse do të kërkosh punë dhe të punosh, shko në çdo universitet, se kjo është për këta të rinjtë dhe nuk je student  i huaj, je student europian dhe të gjitha vitet e punës të njihen automatikisht ashtu sikundër dhe kujdesin shëndetësor, e ke njësoj si ato banorët nga ato vende ku je. Tani, kjo lihet, ky shans? Sepse ajo që mund të ndodhë, është nëqoftëse ne ngatërrohemi me këmbët tona , dera mbyllet. 2027 nuk arrihet, dhe po nuk u arrit 2027 nuk e dimë ça ndodh. Maqedonisë dera i është hapur atëherë , iu mbyll: Malit të Zi dera nuk i është hapur akoma, Serbisë akoma jo, tani ne na është hapur dera, duhet të hyjmë. Nëse Murrizi është tuneli juaj, ajo derë është Murrizi i të gjithë shqiptarëve, duhet të hyjmë aty .

Ju falenderoj jashtëzakonisht shumë edhe dua t’ju lë me një lutje. Një minutë se s’kam mbaruar, mos ma bëni si burrat. Një minutë. Me një lutje: Janë 27 ditë, e para një herë duhet folur me gratë e demokratëve, me nda .. po kur thonë, e keni dëgjuar “ ta ndajmë si muhabet burrash’’, domethënë çe pyet. Me nda tamam muhabet grash dhe pastaj gratë demokrate duhet të marrin peng burrat demokratë. Ndërkohë që ju me motra, me kunatat kujdes, kunatat mund të jenë të rrezikshme, me krushka, me komshije, me kushërira, me komshije të kushërirave, 5-ën, 5-ën që ta dëgjojnë tani të gjithë në Tiron e në të gjithë Shqipërinë se jemi live; që ‘’4 me 1 s’ka bo vaki, nga Burreli në Peshkopi’’.

I love you!