The Socialist Party of Albania

Deklarata e deputetes Klotilda Ferhati nga Selia e Partisë Socialiste:

Prej disa ditësh, opinioni publik është shqetësuar nga publikimi i dokumentave që ngrenë dyshime se një deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë ka marrë para nga kompani të lidhura me diktatorin e Kremlinit, Vladimir Putin.

Të dhënat e publikuara nga media pasqyrojnë se si Monika Kryemadhi ka marrë para nga kompani të oligarkëve rusë që financojnë partinë e Putinit.

Ky është një rast shqetësues i cili ekspozon edhe një herë tjetër, skemën që ka përdorur Rusia për të minuar demokracitë europiane: financimin e partive politike.

Por në vend që të japë shpjegime mbi këtë situatë, deputetja Kryemadhi ka zgjedhur të sulmojë mediat.

Në vend që të vihet në dispozicion të organeve të drejtësisë, deputetja Kryemadhi kërcënon dhe akuzon mediat, vetëm se ato kanë bërë detyrën e tyre. Njësoj siç bën partia dhe zëdhenësit e Putinit kundër zërave kritikë me të!

Deputetja Kryemadhi do duhet të sqarojë se çfarë janë këto para…?

Çfarë janë këto llogari offshore?

Përse nuk janë deklaruar në ILDKP shumat dhe llogaritë bankare nga ku janë marrë para?

A ka patur ajo biznese me rusët? A ka marrë divident?
Nëse po, çfarë kërkonin rusët nga Monika Kryemadhi në këmbim të rublave?
E kërkonin si deputete apo si bashkëshorten e presidentit?

Në të dyja rastet, implikimi i një politikaneje shqiptare në skemat e errëta të financimeve ruse, është një goditje e rëndë ndaj demokracisë, ndaj vlerave europiane për të cilat punon e lufton aq shumë vendi ynë.

Drejtësia shqiptare nuk duhet të humbë kohë për të hetuar këtë rast që cënon sigurinë kombëtare të një vendi si i yni, i rreshtuar ndër të parët në krah të Ukrainës dhe kundër brutalitetit të Rusisë.

Ndërkohë që Kryemadhi refuzon sqarimet, organet e drejtësisë do duhet të hetojnë për të gjitha veprimet në këtë rast, që nga mosdeklarimi, e deri te dyshimet e adresuara nga mediat për pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Vetëm një hetim i plotë do të mund tu japë përgjigje pyetjeve se deri ku dhe në ç’masë Kryemadhi është përfshirë me rusët, se cilat janë interesat e saj me oligarkët e Putinit dhe sa i kanë prekur këto marrëdhënie, interesat kombëtare të Shqipërisë….

Ju faleminderit