The Socialist Party of Albania

Elbasani, stacioni tjetër i gjelbër në rrugëtimin vetëm përpara drejt 14 majit

Në Elbasan vijoi sot rrugëtimi i gjelbër drejt 14 majit, si stacioni i radhës ku me shpenzimet e shkurtuara të fushatës elektorale u mbollën pemë të reja për më shumë hapësira të gjelbëruara, më shumë mirësi, mbarësi e punë të realizuara për qytetarët.
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH prezantoi sot në Elbasan kandidatin për Kryetar Bashkie Gledian Llatja.

* * *

Përshëndetje të gjithëve!

Unë siç e dini tani e hoqa apendicitin; zorrë qorre u quaka, nuk e dija që quhej “zorra qorre”. Tani duhet të heqim së bashku zorrën qorre të Shqipërisë në 14 maj sepse zorra qorre e Shqipërisë nuk është se na ndalon dot të shkojmë përpara, por na pengon të shkojmë shumë më shpejt përpara dhe ashtu sikundër më e rëndësishmja, na turpëron të gjithëve.
Zorra qorre e Shqipërisë na turpëron ndërkombëtarisht, botërisht, sic duhet të ndjehet i turpëruar çdo demokrat këtu që i është ofruar një zorrë qorre ose më saktë një nga kokat e zorrës qorre, Xhikja, që e njohin mirë të gjithë shqiptarët.
Ju kërkoj ndjesë se jeni mbledhur shumë këtu, por ne kemi vendosur që të mos kemi, në këtë fazë të fushatës, tribuna dhe gjatësia ime me ndihmon pak sepse Damiani nuk pa asgjë kur foli përveç këtyre që ka rreth e rrotull por mbase ju bezdis pak ju që nuk kemi komunikim normal, por më mirë një tribunë më pak e shumë pemë më shumë sesa tribuna, ekranet që kushtojnë jo pak për t’iu treguar juve në ekran atë që ju e shihni vetë përditë.
Prandaj kemi vendosur që t’i shkurtojmë shpenzimet tona elektorale, paratë që marrin nga buxheti i taksapaguesve partitë dhe një pjesë të tyre tua lëmë qyteteve dhe nga kjo fushatë të mos mbeten mbrapa pisllëku i posterave që i merr era rrugëve apo që rripen nëpër mure me vite apo zhurma e madhe, ndotja e madhe akustike e sherrit, por të mbetet mbrapa më shumë gjelbërim, më shumë mirësi, më shumë mbarësi.
Siç ka thënë dhe profeti Muhammed, paqja e Zotit qoftë mbi të “Sikur dita e kiametit të të gjejë me një filiz në dorë, mos ik pa e mbjellë”.
Për mua është një ditë e bukur sot që të jem këtu dhe përveç diçkaje shumë të bukur që pamë, së bashku me Gledin, Damianin dhe të tjerë në dalje të Elbasanit, ku po ndërtojmë diçka për të cilën do t’iu flas disa fjalë, pata një surprizë të bukur. Nuk e dija që Tit Vullkani është nga Elbasani. Është hera e parë që e takoj. Je i madh dhe realisht, për mua ka qenë kënaqësi të dëgjoja këngën, e cila ishte surprizë për hir të vërtetës e bërë nga miq për këtë moment dhe ka qenë bezdi e madhe të dëgjoj ata që na u vunë mbrapa se me demek po promovojmë tallavanë. Ata tallavasë i marrin të keqen. Të thuash ti se rrinë e dëgjojnë gjithë ditën Mozartin dhe i vriten veshët nga tallavaja, epo e thotë njeriu “E kanë dhe këta një arsye”.
Por, këta rrijnë e dëgjojnë gjithë ditën çfarë del nga zorra qorre dhe pastaj na u bezdiskan nga ritmi i një kënge dhe nga fjalët e një kënge që është shumë më tepër sesa ajo fjala “Tallava’.
Kjo meriton një përgjigje dhe e meriton tani me Tit Vullkanin prezent prandaj Tit Vullkanin në muzikë, Tit Vullkanin këtu dhe fushata e rruga drejt 14 majit do jetë e gjelbër, e gëzuar, me nota të rëndësishme shprese dhe vështrimi nga e ardhmja, pa harruar kurrë që jetën çdo ditë duhet ta jetojmë siç na mësojnë të gjithë shqiptarët kudo ku janë që me gjithë vështirësitë, ia dalin edhe ta jetojnë jetën; edhe ata që kanë shumë më pak, prapë na tregojnë se gëzimi është një gjë e rëndësishme.
Nuk dua t’iu mbaj gjatë, por disa fjalë desha të them, në radhë të parë duke filluar nga aty ku ishim, tek kantieri që është një kantier jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë, për Shqipërinë e 2030, për rritjen e kuajve fuqi të ekonomisë sonë, për krijimin e një patforme komplet të re mundësish ekonomike, mundësish punësimi për të çelur një hapësirë këtu në Shqipëri e cila është një hapësirë unike në Ballkan, pa diskutim, ku do të hapet rruga për aktivitete të mëdha ndërkombëtare në fushën e auto-moto sport dhe patjetër për evente të mëdha muzikore e të tjera.
Besoj ju kujtohet që kur filluam të ndërtojmë stadiumin e ri në Tiranë se sa shumë fjalë keni dëgjuar dhe sa shumë gjëra të rënda na janë thënë dhe e patë tek ai stadium ku u hap gropa në të cilën ra foltorja brenda para ca ditësh, u tha që ishte stadium i lirisë kështu që fjalët i merr era, janë veprat që mbeten. Ashtu siç askush nuk e ka imagjinuar që do të sillnim në Shqipëri një finale të kupave të Evropës dhe e sollëm, mbajeni mend që ne do të sjellim Grand Premion e Formula 1 në Elbasan brenda vitit 2030, që do të thotë kulmin e një industrie komplet të re dhe komplet tjetër të sportit që lidhet me njëmijë gjëra të tjera dhe të gjitha gjërat lidhen pastaj me ekonominë.
Nuk është fjala për një garë e cila ka 1 miliardë shikues dhe e cila sjell këtu në këtë zonë 100 mijë njerëz, është fjala për një industri të tërë, është fjala për garat e panumërta ndërkombëtare që mund të organizohen duke ndërtuar këtë cirkuit dhe ne nuk po e ndërtojmë cirkuitin e Elbasanit vetëm, nuk po e ndërtojmë as si kinostudion e Luçit se ky Luçi është si Luli shumë. Më kujton Lulin, artist i madh po ka një ndryshim të madh, është edhe më bosh se Luli dhe të jesh edhe më bosh se Luli, vallaj nuk e di domethënë.
Më dërgon Damiani herë pas herë ndonjë pikante të këtij se e kam qejf shumë dhe nuk e keni idenë se çfarë gazi më kapi kur thoshte: “Elbasani është një shesh xhirimi natyral’’.
Domethënë aktori gjeti dhe shesh-xhirimin për të luajtur filmin e vet, dhe nuk duroi dot, se e di dhe ai që nuk fiton, po filloi edhe me kontratat. Bëri dhe një kontratë. Keni parë ju ndonjë kontratë, kryetari i ri i bashkisë me konsulentin X, pa u zgjedhur? Po ç’na rezultoi? Na rezultoi se edhe konsulenti tjetër ishte një aktor se firma ishte inekzistente dhe burri i huaj atje, se mua më shqetëson kur janë edhe të gjatë, se kur je i gjatë e bën edhe nga këto, s’ke as ku fshihesh.
Se e shihni ju, ai i vogli ‘’i zorrës qorre’’ tak, bam, bam, ju ka rënë demokratëve, ju ka ngelur në dorë, duhet të çohen nga shtëpia e të shkojnë ta votojnë. Do marrin fletën e votimit aty, “Bashkë Fitojmë”. Po me kë? Me ‘’të voglin e zorrës qorre’’.
Kurse këta, gjithë ai zdap si puna ime, Luçi, e del atje vë dhe kollaren, se këta mashtruesit e kanë kollaren pikë të dobët, vë dhe kollaren atje dhe me një ekran, edhe më një mashtrues tjetër që flet për 400 milionë.
Firmosin të dy. Filloi e ardhmja, filloi ndryshimi, filloi çlirimi nga zgjedha e Rilindjes!
Kurse ne jemi ndryshe. Ne këtë që po ndërtojmë në Elbasan, e para një herë po e ndërtojmë me një nga konsulentët më të mëdhenj në botë të auto-motoristikës dhe një konsulent që është krijuar nga baba dhe i biri dhe biri, Aleksandër Wurz është një ish-pilot i Formula 1 dhe konsulenti ka famë të madhe në Evropë sepse ka ndërtuar një sistem komplet të ri edukimi për sigurinë rrugore në Austri kështu që këtu në Elbasan do vijë gjithë dynjaja, shkollat ,fëmijët, mësuesit, sepse atë që kemi filluar me edukimin e sigurisë rrugore tek fëmijët, do ta ngremë në nivel europian. Ky është ndryshimi!
Tani më falni, o demokratë të Elbasanit. O ju që doni lirinë dhe demokracinë, po tani edhe rakinë e duan, është e vërtetë, lirinë, demokracinë po edhe rakinë, po rakia është pa dëm, rakia e tallavaja është pa dëm. Kush i do, shëndet iu bëfshin. Puna është si i bëhet kur duhet me pi atë që nxjerr zorra qorre?
Më dëgjoni mua, se unë e hoqa, nuk shihej me sy. E shëmtuar shumë zorra qorre. Tani pyetja është e thjeshtë; more e dini ju se për çfarë është ajo fleta e votimit apo se dini? I them atyre, se ju e dini. Ajo është për të ndarë, ore do kemi më shumë vepra të mira për Elbasanin apo do kthehemi prapë prapa nga e kemi nis, se e kemi nis nga shumë larg?
Mua më kujtohet kur bëmë stadiumin dhe u mbush Elbasani me të huaj. Tani imagjinoni atë që keni parë në një event të kombëtares sonë këtu, ta shikonit të shumëzuar për nuk e di sesa fish.
Imagjinoni dhe kjo është e mundur, sepse unë ato që i them, i bëj. Është vetëm çështje kohe. Ndodh që nuk i bëjmë dot të gjitha ashtu siç i parashikojmë se dalin edhe problem rrugës dhe pyetja që kam është: po mirë, pse kur zgjidhni shkollën për fëmijën, mësuesin e anglishtes për fëmijën, infermierin, doktorin për pleqtë që keni në shtëpi, o demokratë, që u ka ngel zorra qorre në dorë, pse nuk i pyesni a janë majtas apo janë djathtas?
Pse kur shkon për t’i dhënë fëmijës anglisht shkon tek mësuesi më i mirë dhe s’do t’ia dish edhe sikur të jetë komunist? Se do i mësosh fëmijës anglisht, mor vëlla. S’mund ta mësosh tek një mësues biologjie që t’i mësojë anglisht.
Pse kur merr hidraulikun në shtëpi, nuk do t’ia dish se ai mund të jetë komunist dhe nuk merr një karrocier demokrat që të të rregullojë çezmën? Sepse duhet çdo pune me i gjet njeriun dhe Shqipëria ia ka gjet njerëzit kësaj pune. Elbasani njeriun ia ka gjetur, tani për mua është shumë i urtë. Po ça të bëj unë? Është nga Elbasani. Se Damiani e ka një degë këtej po ka edhe një degë të shtrembër andej nga vij dhe unë edhe jemi një çikë me kacabunj edhe e kemi një çikë të vështirë me e përballu këtë tani që del ky Luluçi, që u distancua nga Luli. Edhe ky distancimin nga Luli e ka se kanë konkurrencë, kush është artisti më i madh. Edhe thotë do ta bëjë Elbasanin shesh xhirimi, domethënë shkoni në 14 maj, jo ju, ata për të cilët po ju flas, këta të paepurit e kalasë. Shyqyr e morëm ajkën e kalasë dhe e kemi në krye të Ministrisë së Arsimit po s’ka problem, unë ju them, shkoni, unë për ju e kam, si do ta mbani ndjenjën e të vjellit kur të vini aty kryqin tek ky ‘’i vogli i zorrës qorre’’, ju demokratët, se në kalanë prapë do ta bëjmë. Projektin e kemi filluar dhe do ta bëjmë një xhevahir këtu me gjithë ça ka brenda. Nuk ka rëndësi, po pse me përjetu atë moment aq dramatik. 30 edhe kusur vite demokrat, demokrat, demokrat, e përfundon voto Xhiken. Me Xhiken në krye. Për ku? Për prapa. Sa më prapa, prapë të mali me plehra atje.
Aty ku po bëjmë atë platformë të së ardhmes, që për gjithë Shqipërinë po ju them, aty kishim malin me plehra. Jo po u bë inceneratori, jo po këto, jo po ato. Mirë pra, dakord. Pati probleme? Pati. Pati njerëz që deshën me nxjerrë mjaltë nga plehrat? Pati. Ata kanë punën e vet por impianti është aty dhe Elbasani e ka arin të pastër. Kështu ndodh, s’ke çfarë i bën. Ndodhin edhe këto, por ama me ne është shumë e qartë kontrata. E dinë të gjithë ata që janë përgjegjës për firmën e anës tonë në kontratën me popullin. Kush lëviz nga kuadrati i ligjit, i arsyes, i të mirës, i shërbimit ndaj njerëzve, i sensit patriotik të punës, se do mjaltë për ta çuar në shtëpi atëherë sikterr, sikterr!
Thonë që, “po jo por shiko çfarë po bëhet, po shkojnë ministra në burg dhe këta duhen heq”. Ou? Po pse? Që të vijnë ata që kur prokuroria nxirrte fletë arresti për personat përgjegjës i ruanin me Policinë në vend të çonin Policinë t’i arrestonte? Këtu kemi jetuar! Zorra qorre e mbajti në krye te tatimeve të Republikës së Shqipërisë një njeri që ishte me pranga në arrest shtëpie. Është e drejta e të pafajshmit! Ou? Po ata doni prapë ju? Jo, ja ku na keni ne. Dimë ti bëjmë ne edhe investimet, edhe ndëshkimet, patjetër. Sepse investimet i takojnë këtij populli që pas shekujsh më në fund po sheh dritë sepse po negocion me Bashkimin Europian dhe sot Shqipëria nuk është më ajo që ishte me qafën si qafa e zorrës qorre, që servilosu këtej servilosu andej, nuk e llogariste njeri. Sot Shqipëria e keni parë, vjen gjithë Europa këtu dhe bën samite dhe Shqipëria iu flet të gjithëve si e barabartë me të barabartët. Mund të jesh më i pasur, mund të jesh më i zhvilluar, respekte, por për shkak se jam më pak i pasur dhe më pak i zhvilluar unë në asnjë mënyrë nuk lejoj të më trajtosh si të pabarabartë sepse secili ka pjesën e vet nën diell dhe diellin nuk e ka dhënë as Amerika, as Kina. Diellin na e ka dhënë Zoti, por aleatët janë aleatë.
Si mund të votojë Elbasani, si ka mundësi? Ore këta demokratët, këta ishin më të flaktët, e mbanin flamurin amerikan nëpër klube, e mbanin flamurin amerikan nëpër zyra. Këta tani thonë, “Amerika e ka gabim”. Domethënë jemi me zorrën qorre se jemi me Amerikën? Domethënë punë e madhe shumë se po na e ndalojnë fare zemrën, ne do vazhdojmë të marrim frymë te zorra qorre. Po pse çfarë jemi ne? Një mesazh kam unë. E kam shumë të thjeshtë dhe shumë të qartë. Me kandidatët e zorrës qorre që larg qoftë dikush diku i çon në zyrën e bashkisë nuk ka bashkëpunim, nuk ka, nuk ka sesi të ketë. Nuk ka sesi të ketë sepse arsyeja pse ata janë vendosur këtu, atje, atje nuk është për të bërë më të mirë Elbasanin, për të bërë më të mirë Tropojën, a për të bërë më të mirë ku di unë se kë. Është për të mbajtur pengje dhe për të thënë ne dy kokat e zorrët qorre jemi shumë të rëndësishëm. Apendiciti iu vdes, kështu që më mirë trajtojeni mirë apendicitin ju amerikanë se ne përndryshe e ngordhim fare këtë vend, kjo është logjika. Se të kishin pasion për punë do ta kishin treguar në ndonjë vend. A mund të ma thoni ju një komunë, komunë se bashki, por dhe bashki, gjejeni, ku ata kanë qeverisur dhe kanë lënë një gjurmë që të thonë: ja këtë e bëmë ne. Nesër me ik ne, unë di t’i numëroj disa gjëra që i kemi bërë ne këtu në Elbasan, disa! Nga të cilat patjetër përfitojnë të gjithë se ato nuk janë bërë për të majtët. Ato janë bërë për të majtët dhe për të djathtët e për të krishterë e për myslimanë, e për gra e për burra e për të gjithë. Më thoni një gjë mor vëlla. Tropojën nuk e kishim marrë kurrë 4 vjet kemi që e qeverisim. Ka ndryshuar! E thonë të gjithë, e shohin të gjithë! Çfarë bënë ata? Çfarë i bën Tropojës? Gjithë ajo besnikëri. Çfarë i bënë? Të më thonë një gjë: ore këtë gjë këtu në 30 vjet e bëmë ne në Tropojë. Asgjë! Noc Rrokun!
Shihni Shkodrën! Shkodrën nuk e kemi marrë asnjëherë. Shiheni Shkodrën. Po pse të mos jetë Shkodra si Vlora, si Durrësi, si Elbasani, si Fieri e si shumë e shumë të tjera, e si Korça? Pse duhet të jetë Shkodra 30 vjet mbrapa? Sepse kush voton për ta, voton për të ndenjur mbrapa. Është kaq e thjeshtë. Nuk dinë dhe nuk duan, por dhe po të duan nuk mbushin. Nuk mbushin! Është shumë e thjeshtë, nuk mbushin. More e kemi parë dhe kur s’kishin sherr. Kanë sherr! Po kur nuk kishin sherr çfarë kanë bërë? Vetëm sherrin iu ka parë Shqipëria atyre, vetëm sherrin iu kanë parë qytetet atyre, vetëm sherrin iu kanë parë fshatrat atyre. Është kështu, është për të ardhur keq, por është e vërtetë. Janë ndarë gjërat si me thikë. Nuk janë ndarë majtas – djathtas. Janë ndarë në njerëz që dinë çfarë flasin dhe çfarë bëjnë dhe në njerëz që nuk dinë çfarë flasin por që dinë çfarë bëjnë për veten.
E fundit që kam është që, Gledi tha disa gjëra që janë bërë, edhe gjërat që do bëhen, por unë ju them, kemi hyrë në një fazë të re të ekonomisë. Po dalim në një tjetër shkallë, në harkun e këtij viti që ka nisur tani dhe që përfundon si sot një vit, dhe që ka nisur tani me një rritje rrogash historike, ne do të arrijmë ta çojmë pagën mesatare në 900 euro në sektorin publik dhe të jeni të sigurt që sektori privat që ka filluar t’i rrisë pagat, do të vazhdojë t’i rrisë dhe nëse të ardhurat për frymë ne i kemi dyfishuar, e kemi gjetur me 3300 euro, jemi sot në 6400. Është pak shumë akoma por ama jemi në ngjitje, jemi në ngjitje dhe pa diskutim edhe me ndihmën e Zotit, edhe me pak fat kur i thonë, nëse do të kemi dhe ato zhvillimet fantastike që po presim ditë pas dite me zbulimet e reja të naftës dhe të gazit do të jemi në një tjetër rrugë, në një tjetër nivel me të tjera sfida dhe do mund të bëjmë shumë më tepër. Kështu që, nëse këto 4 vjet Gledi ka pasur mundësi të bëjë sa ka bërë, do të ketë 4 herë më shumë mundësi me besimin që ju do t’i jepni.
Këtu te kjo mrroklla, nxirreni mrrokllan nga xhepi të gjithë, këtu ka një aplikacion që quhet ‘’Aktivisti’’. Hapeni, kush e ka ta hapi, kush nuk e ka ta instalojë ‘’Aktivistin’’ tani dhe ju them juve dhe i them të gjithëve: ‘’Aktivisti’’ është një platformë ku të gjithë mund të marrin informacion në kohë reale për ato që bëjmë ne. Informacion që nuk e gjeni në asnjë media. Informacion që e gjeni të shtrembërruar dhe të sakatuar tek-tuk nëpër media të ndryshme. Informacion që i thotë të gjithë atyre që besojnë te Partia Socialiste se çfarë jemi duke bërë në të gjitha drejtimet dhe në të gjitha bashkitë. Merreni ‘’Aktivistin’’, përdoreni dhe shpërndajeni informacionin që gjeni aty te të tjerët përmes rrjeteve sociale në mënyrë që sa më shumë njerëz të shohin faktet. Sa më shumë njerëz të shohin punën, sa më shumë njerëz të shohin planet, të shohin prespektivën dhe sa më shumë njerëz të kuptojnë që unë nuk jam në këtë rrugëtim pse jam i majtë kundër të djathtit apo për t’i ndarë njerëzit ca të majtë ca të djathtë apo për t’i parë punët si të majtë e të djathtë. Nuk ka.

Unë në këtë udhëtim jam që bashkë me të gjithë ata që duan kokfortësisht një herë e mirë ta ngrenë Shqipërinë aty ku e meritojnë pastaj ta marrin stafetën brezi tjetër, t’ia dalim siç nuk ia kanë dalë të tjerët përpara nesh sepse Shqipërinë e ka persekutuar apendeciti dhe infeksioni i apendecitit dhe zorra qorre prej dhjetra, dhjetra e një qind vjetësh.

Prandaj, më 14 maj operim i zorrës qorre!

Shumë faleminderit!