Faleminderit Berati
Turi i mirënjohjes mbërriti sot në Berat me falenderime të përzemërta për qytetarët përkrahës të Partisë Socialiste dhe jo vetëm, të cilët mbështetën dhe votëbesuan kandidatët e PS në garën elektorale të 14 majit.
* * *
Kryetari i PSSH Edi Rama: Shumë faleminderit për ardhjen tuaj këtu! Sot është dita për t’iu falenderuar dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte i tillë që edhe pse unë do kisha dëshirë që disa javë të mos hipja më në makinë për të ardhur lart e poshtë nëpër Shqipëri, ishte e pamundur pasi falënderimi nga afër i të gjithë atyre që ishin zemra e kësaj fitoreje të madhe të Partisë Socialiste është më e pakta që mund të bëja dhe më e pakta që mund të bënim sepse faktikisht, ky është rezultati më i mirë historik i Partisë Socialiste.
Ne kemi marrë numrin tonë më të lartë të votave historikisht, kemi fituar një mandat për të qeverisur në 54 bashki, por janë më shumë se 95% e popullsisë që do të drejtohen nga kryetarët tanë të bashkive.
Ashtu sikundër kemi dalë forcë e parë në Këshillat Bashkiakë më shumë sesa në të gjitha zgjedhjet e tjera vendore dhe kemi marrë mbështetjen e njerëzve për herë të parë në 30 e kusur vite në Tropojë, në Kukës, në Shkodër, në Kamëz e kështu me radhë. Kemi dy herë e gjysmë më shumë këshilltarë sesa të dytët pas nesh, që në fakt nuk janë të dytët pas nesh, janë të fundit prapa nesh.
Të gjitha këto janë rezultat i shumë gjërave, por mbi të gjitha janë rezultat i kontributit dhe i angazhimit të anëtarëve dhe anëtareve të Partisë Socialiste të Shqipërisë, janë rezultat i përkushtimit të të gjithëve ju dhe të gjithë atyre që si ju gjatë gjithë kësaj përpjekjeje u angazhuan si kryetarë organizatash, si patronazhistë, si aktivistë dhe si koordinatorë duke bërë të mundur që makina jonë elektorale të hyjë me një shpejtësi të re dhe të dalë në fund me një rezultat të ri rekord në politikën shqiptare.
Patjetër që në këtë rezultat rolin vendimtar e patën zgjedhësit që na votuan masivisht dhe dua t’i falenderoj të gjithë pa përjashtim të gjithë zgjedhësit dhe zgjedhëset e gjithë këtij qarku dhe kur them pa përjashtim, dua të falenderoj dhe ata zgjedhës që kanë votuar ndoshta për herë të parë në jetën e tyre për Partinë Socialiste dhe për kandidatët tanë duke qenë të djathtë vetë por duke preferuar që këtë herë të votojnë për veten e tyre, të votojnë për familjen, të votojnë për lagjen, për qytetin e tyre dhe të mos e humbasin votën në drejtim të paditur.
Ashtu sikundër dua të falenderoj dhe ata të cilët nuk kanë dalë fare në votim duke qenë në pamundësi për të votuar për ne, duke mos dashur të votojnë për ne dhe njëkohësisht duke mos dashur që ta ndyjnë dorën për të vënë shenjën e votës tek ai koalicion hijesh të së shkuarës që edhe këtu në Berat, që nga Skrapari, madje jo që nga Skrapari, por që nga Çepani deri në Kuçovë, që nga Poliçani e deri këtu në qytet e deri në Dimal morën atë që meritonin, disfatën që meritonin.
E gjitha kjo është vërtetë shumë për ne, është vërtetë një barrë shumë e madhe e një borxhi shumë të madh që ne duhet të bëjmë çmos që ta mbajmë me dinjitet duke, në radhë të parë, kuptuar që kjo votë nuk është shprehje e kënaqësisë popullore për qeverisjen tonë. Është shumë e rëndësishme ta kuptojmë këtë gjë të parën fare, të mos na fryjë kjo erë e fortë fitoreje, por të na shfryjë mundësisht, duke na bërë të ndjehemi ashtu siç jemi në fakt, shumë më të vegjël sesa na duket vetja përballë njerëzve që përsëri na besojnë kaq shumë. Nuk është një votë kënaqësie, njerëzit nuk janë të kënaqur me ne dhe unë jam i bindur që edhe këtu, ju që jeni këtu, që jeni zemra e kësaj fitoreje, po t’ju pyesësh tek e tek, keni më shumë pakënaqësi sesa keni kënaqësi nëse do flisni për qeverisjen tonë, qoftë atë në Tiranë, qendrore qoftë atë në çdonjëra nga bashkitë.
Ashtu sikundër të jeni të sigurt që të njëjtën gjë ndjej dhe unë dhe të njëjtën gjë do thoja dhe unë, por ama kjo është diçka e shëndetshme në rast se ne e kuptojmë që edhe njerëzit e përjetojnë po njësoj, madje ata që janë më larg kësaj qendre graviteti po themi, të Partisë Socialiste, e përjetojnë edhe më keq çdo problem dhe çdo çështje të pazgjidhur nga qeverisja jonë, por pritshmëria e tyre është komplimenti më i madh që mund të na bëhen ne për sa kohë ata e kanë këtë pritshmëri nga ne dhe për sa kohë ata vazhdojnë të besojnë dhe besojnë fort që vetëm ne mund t’i adresojmë ato probleme që nuk janë adresuar si duhet apo nuk janë adresuar fare dhe vetëm ne mund t’i korrigjojmë ato gabime që i kemi bërë pa diskutim dhe që nuk duhet të përsëriten. Kjo është një arsye shumë e fortë që ne të motivohemi më shumë, të përpiqemi më shumë dhe të bëjmë më shumë.
Natyrisht, kjo nuk vlen për të gjithë ata këtu që janë kontribuues dhe janë militantë dhe aktivistë në radhë të parë dhe kryesisht, kjo vlen për ata që janë në një karrige që lidhet me një detyrë, me një karrige që ua ka dhënë pikërisht kjo mbështetje, që ia ka dhënë pikërisht fuqia e kësaj partie. Vlen për çdonjërin, që nga drejtuesit e institucioneve, tek drejtuesit e bashkive, tek deputetët, tek ministrat dhe tek unë personalisht për të qenë shumë më të vëmendshëm dhe shumë më të përulur dhe për të bërë atë që populli e thotë shumë mirë, hallin që nuk ma zgjidh, të paktën ma qaj. Për të qenë të njerëzishëm, për të mos lënduar askënd me duke i parë nga lart poshtë dhe për t’i dhënë gjithkujt mundësinë që të dëgjohet, të respektohet dhe pastaj nuk diskutohet që jo çdo gjë mund të zgjidhet, por ama ne e dimë shumë mirë që kur dikush na zgjidh një hall i themi një herë faleminderit. Kur dikush na i qan një hall, i themi 10 herë faleminderit dhe njerëzillëku duhet të jetë pika e parë e programit të çdo kryetari bashkie që ka dalë nga vota e 14 majit. I thashë Kreshnikut qëparë, po mirë çfarë ndodhi në Kuçovë që fitorja ishte aq e ngushtë. Duhet analizuar dhe duhet kuptuar mirë ai rezultat sepse nuk ka arsye që Poliçani të jetë aq përpara, pavarësisht se Tiku i Poliçanit lind vetëm një herë. Mos duartrokisni se kjo nuk është vetëm për mirë, është dhe për keq.
Kështu që Kreshniku sado që ia kanë vënë emrin Kreshnik nuk i themi dot, bëhu Tik. S’bëhet dot! Megjithatë duhet kuptuar sepse nganjëherë ndodh që ne i marrim njerëzit dhe i marrim votuesit për të mirëqenë, në kuptimin mendojmë që i kemi në xhep. Mendojmë që ata në të gjitha rastet nuk do ndryshojnë drejtim mirëpo e patë se çfarë ndodhi. E patë që ndryshoi drejtim Shkodra, që ishte e paepur për shumë vite në pozicionin e besnikërisë ndaj një partie. Ndryshoi drejtim, pse? Sepse humbi virtytet? Në asnjë mënyrë jo, ndryshoi drejtim sepse pa që për veten e vet, për interesin e vet edhe demokrati shkodran duhet të votonte për kandidatin tonë, prandaj ndryshoi drejtim dhe kjo duhet t’i vlejë çdonjërit prej nesh, çdo kryetari bashkie të çdo vendi ku siç tha drejtuesi politik prej 32 vitesh është votuar PS sepse mund të ndryshojnë drejtim njerëzit nëse shikojnë që ti i merr për kollaj. Nëse shikojnë që ti mendon se votën e tyre e ke pavarësisht se ti ndalon t’i puthesh dorën apo vazhdon duke iu kthyer krahët. Nuk ndodh kjo! Ka ndryshuar diçka shumë e rëndësishme në 14 maj.
Ajo hartë që keni para syve është një hartë që tregon se njerëzit kanë filluar të mendojnë sipas interesit të drejtpërdrejtë dhe jo vetëm të shikojnë sipas ngjyrës së fanellës së forcave politike dhe sa më shumë njerëzit të mendojnë sipas interesit të drejtpërdrejtë, aq më shumë kërkues bëhen me shumë të drejtë dhe aq më shumë humbet sensi që këta i kemi tanët dhe këtu s’ka problem se mund të bëjmë gabime sa të duam dhe prapë këta këtu do rrinë. Jo, nuk është kështu dhe ne na duhet të bëjmë realisht një reflektim shumë të madh pas kësaj fitoreje. Arsyeja pse ne kemi fituar dhe kemi fituar 8 nga 9 beteja elektorale dhe mund të fitojmë dhe 18 të tjera është sepse ne sapo kanë mbaruar një palë zgjedhje, kemi filluar të mendojmë për zgjedhjet e tjera duke mos e konsideruar asnjë fitore një arsye për të fjetur mbi dafina dhe për të vazhduar përpara duke i parë të tjerët nga lartë poshtë. Gjithmonë menjëherë kemi filluar të studiojmë dhe të lexojmë votën. Çfarë është kjo votë? Pse e kemi marrë dhe pse se kemi marrë? Ku e kemi marrë më shumë dhe ku e kemi marrë më pak? Çfarë ka ndodhur aty dhe çfarë ka ndodhur këtu dhe gjithmonë jemi përpjekur që ta mbajmë partinë sa më të gjallë dhe sa më të hapur pavarësisht se asnjëherë s’ia kemi dalë dot ashtu si duhet dhe për këtë arsye vazhdojmë të përpiqemi dhe të njëjtën gjë po bëjmë dhe do vazhdojmë të bëjmë edhe pas këtyre falënderimeve, për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë më mirë dhe ka shumë gjëra. Pse janë njerëzit të pakënaqur me ne? Po si të jenë njerëzit të kënaqur, ma thoni ju mua, kur unë jam i bindur po të çohet këtu çdokush që ka pasur punë me Hipotekën e Beratit nuk do thotë që unë jam i lumtur me Hipotekën e Beratit. Si mund të jenë të kënaqur? Si mund të jenë të kënaqur kur në zyrat e Hipotekës akoma sot nuk arrin dot të merret normalisht një certifikatë pronësie e një pronë që është e jotja, jo të marrësh një gjë që se ke, por të marrësh një gjë që e ke, për të marrë një certifikatë pronësie të duhet të heqësh keq dhe në shumë raste të duhet të paguash nën dorë. Ky është një sekret publik. Si mund të jenë njerëzit të kënaqur? Por ama nëse njerëzit na votojnë ne edhe pse ne akoma nuk iu kemi garantuar këtë gjë dhe për më tepër akoma kemi toka të tëra bujqësore të paregjistruara, do të thotë që ata besojnë akoma dhe nuk besojnë pak, besojnë shumë se e tha vota që ne jemi ata që mund tua u bëjmë këtë punë dhe jua u kam thënë që në fillim, ua u përsëris vazhdimisht dhe e kam bindje. E kam bindje jo kur ka kamera, por dhe kur skam kamera, jo kur jam me 500 përballë, por dhe kur jam vetëm e kam bindje që këtë vend o e bën Partia Socialiste, ose ky vend nuk bëhet. Nuk bëhet! Vetëm Partia Socialiste ka fuqinë ta bëjë këtë vend dhe kjo është një përgjegjësi shumë e madhe dhe prandaj atë fuqi që kemi duhet ta përdorim vetëm në këtë drejtim dhe nuk duhet të lejojmë asnjëherë që gjërat që ndodhin për fat të keq të na i lëndojnë besimin, të na i lëndojnë vullnetin, të na i lëndojnë krenarinë për Partinë Socialiste. Unë e di shumë mirë që ja këtu ku jemi, sot këtu nga ju mund të ketë jo pak njerëz që ka pasur momente që janë ndierë të lënduar, janë ndierë të lënduar me një drejtor. Të del një drejtor atje edhe të kujton filmat me beun, ndërkohë që s’ka bërë asgjë më shumë sesa ti. Ti je një anëtar i Partisë Socialiste, je një militant, je një njeri që ke trokitur në disa dyer për të marrë ca vota, je një njeri që ke ndenjur atje për të bërë komisionerin, je një njeri që ke marrë pjesë në numërim, ke ndenjur gjithë natën për të numëruar votat e deputeteve apo të kryetarëve të bashkisë që pastaj kanë prodhuar dhe atë drejtorin dhe ai drejtori pavarësisht se mund të jetë duke ecur në këmbë duke sikur është në majë të dy kuajve.
Natyrisht që kjo të lëndon dhe kur nuk të begenis, merre me mend sesa të mbaron punë, por një gjë ju them asnjëherë nuk duhet lënë që të tilla situata kaq të renda, fyese të lëndojnë krenarinë që je pjesë e kësaj partie e cila s’mund të ketë arritur dot të zgjidhë shumë probleme individuale të shumë njerëzve dhe shumë familjeve por ka arritur të fusë Shqipërinë në një kthesë shumë të madhe që e shohim dita ditës dhe ka arritur ta kthejë Shqipërinë në një vend ku, siç e shihni dhe ju këtu në Berat gjithmonë e më shumë njerëz nga e gjithë bota duan të vijnë për ta vizituar dhe për tu bërë konsumatorë për periudhën e kohës që qëndrojnë këtu, duke i dhënë frymë gjithmonë e më shumë ekonomisë sonë apo për të investuar këtu dhe kështu me radhë.
Është shumë shumë e rëndësishme kjo që po bëjmë, por është po kaq e rëndësishme që të përiqemi të bëjmë shumë më teper. Fola për hipotekën, ka plot gjëra të tjera që duhen adresuar dhe që nuk shkojnë, ashtu sikundër duhet bërë durim shumë i madh edhe në luftën kundër korrupsionit sepse kemi hyrë në një fazë komplet të re, ku për herë të parë në historinë e popullit tonë, po goditen njerëz të lidhur me pushtetin.
Natyrisht, që kjo s’është e lehtë, natyrisht që këtu ka edhe gjëra që të bëjnë të ndihesh jo mire, qoftë për arsye se s’ke si ndihesh mirë kur shikon dikë që deri dje ka qenë krah teje dhe pastaj është në krah të avokatit e përballë prokurorit e gjykatësit, dhe me siguri diçka ka ndodhur, por edhe kur shikon se si mund të përdoret forca e pushtetit të drejtësisë për të bërë dhe gjëra që nuk shkojnë, por të gjitha këto janë pjesë e një procesi, janë pjesë e një historie të re dhe rruga është e përpjetë, nuk është dishezë në këtë drejtim, por ama keni parasysh që për herë të parë po ndodh kjo. Për herë të parë në historinë e popullit tonë, kurrë s’ka ndodhur më parë.
E pra, për këtë duhet të jemi ne krenarë për Partinë Socialiste dhe do të jemi krenarë për të gjithë kontributin që japim.
E fundit që kam për të mos ju mbajtur më gjatë, është që ne kemi thënë shumë më parë dhe gjatë fushatës çfarë kemi bërë, çfarë do bëjmë, kështu që nuk dua të flas sot për çfarë do bëjmë.
Besoj që të gjithë djemtë dhe bashkë me vajzën që kam prapa e kanë menduar mirë kur iu kanë thënë se çfarë do bëjnë dhe patjetër që do kenë mbështetjen maksimale nga ana ime, nga ana e qeverisë për t’i bërë gjërat që kanë thënë, por e përsëris që gjëja kryesore që duhet të përpiqemi bashkarisht të bëjmë, është që bashkitë tona të jenë shumë më tepër “shtëpi të përbashkëta” për komunitetin dhe të jenë shumë më tepër një derë, ku njerëzit hallin që mbase nuk mund ta zgjidhin, mundet patjetër ta qajnë dhe mundet ta qajnë me respekt dhe me dinjitet.
Kjo është shumë e rëndësishme.
Ashtu sikundër, është shumë e rëndësishme që ne të shkojmë përtej Partisë Socialiste. Këtë na tregoi vota e 14 majit, që kemi mundësi të shkojmë përtej PS për të krijuar komunitet, për të krijuar një komunitet politik që bazohet në qëllime të përbashkëta, dhe jo domosdoshmërisht secili prej pjesëtarëve të këtij komuniteti, të jetë nesër votues i PS, por ama ne nuk e dimë, askush nga ju nuk e di se cilët janë ata të djathtë që kanë votuar për ne.
Kështu që çdonjëri prej tyre, mund të jetë një votues i jonë dhe prandaj duhet t’i respektojmë të gjithë, jo me fjalë, por duhet t’i respektojmë të gjithë konkretisht, duke i njohur secilit dhe secilës prej tyre të drejtën që të ndihet i vlerësuar kur e meritojnë që të vlerësohen, apo të drejtën që të dëgjohen kur duhet dëgjuar.
Dhe ëmbëlsira në fund, një falenderim shumë i posaçëm për gratë dhe vajzat.
Ishte një burrë aty që nxorri një gjysmë ofshamë të dëshpëruar. Mos u mërzit, mos u mërzit se po mos ekzistonte një grua, ti s’do kishe parë dritën e diellit dhe po të mos kesh gruan që të pret atje, ku do vesh?
Tre ditë duhen dhe nuk shihesh më me sy kur del nga shtëpia, kështu që falenderoj shumë gratë dhe vajzat. Ne nëse mua do më thoshin “thuaj me dy fjalë, çfarë të bën krenar si kryetar i PS?”, unë do thosha: E para, fjala e parë është që, që nga dita e parë e krijimit të vet, Partia Socialiste kurrë nuk e ka cënuar as me një fjalë të vetme interesin kombëtar dhe e dyta, që PS votohet më shumë nga gratë sesa nga burrat.
Të të votojnë burrat është ok, por nuk është ndonjë vlerë e madhe, të të votojnë gratë, është shumë e rëndësishme. Sepse do të thotë që ke pëlqimin e dikujt që e di ç’do të thotë të mbash shtëpinë pastër; që e di ç’do të thotë të lash e të shpëlash dynjanë; që e di ç’do të thotë që të ketë për të gjithë një vend dhe në vendin e secilit të ketë respekt dhe që e di çfarë do të thotë në fund që të jesh një familje bashkë edhe në të mirë edhe në të keqe. Të gjitha këto vijnë nga gratë.
Vijnë nga nënat, vijnë nga vajzat, vijnë nga motrat. Telashet vijnë nga burrat dhe nga djemtë. Dakort? Kështu që shumë faleminderit të gjitha grave dhe vajzave që janë këtu dhe të gjitha zgjedhëseve tona. Mbetet për t’u parë Poliçani se si është ky raport i votës vajza, gra/burra, djem. Shpresoj që edhe në Poliçan të jenë më shumë vazja e gra më shumë se burra që të votojnë ty.
Shumë, shumë faleminderit dhe me shumë respekt për të gjithë ju dhe e dini shumë mirë që është e pamundur, jo me fjalë por që është e pamundur edhe me vepra, për t’ua shpërblyer atë që ju dhe të gjithë që nuk janë këtu, por që janë pjesë e kësaj familjeje, bëni që kjo familje të vazhdojë të ketë privilegjin të punojë dhe të udhëheqë të gjithë familjen shqiptare.
Por dua t’ju siguroj që edhe ose e di që unë personalisht nuk shlyhem dot me askënd prej jush, se Tiku e di që ne të gjithë i kemi Tikut borxh, ai i Poliçanit se ai Skraparati është në rregull, unë personalisht do bëj çmos që t’ua shlyej sadopak dhe nuk do të lë gjë pa bërë nga ato që mua më takojnë dhe nga ato që unë mundem që ta meritoj besimin tuaj.
Shumë faleminderit të gjithëve, me shumë respekt!