The Socialist Party of Albania

Faleminderit Tirana!

Turi i mirënjohjes mbërriti sot në Tiranë, me një falenderim të madh drejtuar qytetarëve që besuan kandidatët e Partisë Socialiste në krye të punëve të bashkisë:

Kryetari i PSSH Edi Rama: Në radhë të parë, jo për ta thënë kështu, por realisht është pak si e tepërt kjo që të falënderohem unë nga ata që kanë fituar sepse për hir të së vërtetës besimi dhe mbështetja për të gjithë ju dhe për të gjithë ata që kandiduan buronte nga puna juaj në radhë të parë, buronte nga besimi që ju keni krijuar tek njerëzit dhe tek ata që pastaj iu mbështeten dhe të jeni të sigurtë që, nëse ju nuk do ishit në lartësinë e kësaj sfide, unë nuk do ju kisha mbështetur, por me siguri dhe të tjerët s’do ju kishin mbështetur. Kështu që, çdokujt i pëlqejnë falënderimet, por në këtë rast më duken pak të tepërta.

Ndërkohë që, në këtë takim dhe në këto takime, ne jemi në radhë të parë për të falënderuar të gjithë ata që e mundësuan këtë rezultat, pa i hequr asnjë meritë kandidatëve, por duke theksuar faktin që nëse nuk do të ishin në lartësinë e duhur të gjithë ata, të cilët i dhanë jetë kësaj fushate, por edhe përpara kësaj fushate e përgatitën këtë fushatë, por edhe përpara përgatitjes së fushatës ishin aty siç kanë qenë aty edhe në betejat e shkuara, ne nuk do kishim arritur dot rezultatin që arritëm.

Unë mendoj që mbi të gjitha ky rezultat është rezultati i Partisë Socialiste, është rezultat i një organizate, e cila është fuqizuar, është konsoliduar, si një skuadër që luan së bashku për një kohë relativisht të gjatë, mekanizmat e së cilës janë të kolauduar, repartet në kuptimin e mbrojtjes së mesfushës, të sulmit për të bërë një analogji me sportin janë të harmonizuara.

Organizatat bëjnë punën e tyre, kryetarët e organizatave bëjnë punën e tyre. Patronazhistët bëjnë punën e tyre. Me futjen e aktivistëve sigurisht që është shtuar një repart i ri, i cili është ende në fillesat e veta, por ka dhënë kontributin e vet, kështu që shpresoj ta ketë shumë më të madh në të ardhmen. Por pa harruar koordinatorët, pa harruar pastaj edhe të gjithë deleguarit në të gjitha zonat. Po pa harruar nuk diskutohet edhe deputetët. Pra, është një orkestër harmonike që ka arritur të bëjë përsëri detyrën dhe këtë herë duke prodhuar një rezultat, të cilin unë i mirëkuptoj deri diku edhe pse jo dot plotësisht, por i mirëkuptoj deri diku dhe ata që se kuptojnë sesi mund të arrihet një rezultat i tillë.

Dhe patjetër që partia ka arritur të prodhojë një bazë të rezultatit, ku pastaj merita e kandidatëve është që mbi atë bazë të prodhojnë dhe ata pjesën e tyre.

Dhe nuk besoj që i ngelet hatri lali Erit se boll e kemi përkëdhelur lali Erin në kuptimin e mirë të fjalës se mos na del ndonjë titull kështu padashje megjithëse lali Eri i kontrollon titujt dhe s’ka problem. Po dua pa i mbetur hatri të tjerëve e në radhë të parë të them që në këtë buqetë të Tiranës, trëndafili më i bukur është trëndafili i Kamzës për faktin se ishte dhe beteja më e pamundur teorikisht.

Ne në Tiranë e kemi, si të thuash, traditë të fitojmë.

Në Vorë kemi humbur, por dhe kemi fituar, në Rrogozhinë përgjithësisht kemi fituar dhe ndoshta ngaqë jemi mësuar përgjithësisht të fitojmë, patëm rezultatin më të dobët. Ndërkohë që ne Kamzë ne nuk kishim fituar asnjëherë!

Dhe në Kamzë besoj ishte shembulli i jashtëzakonshëm i një harmonizimi i dëshirës së madhe për të fituar me punën e madhe për të fituar, por edhe me kandidatin e madh për të fituar. Kështu që, se 60% në Kamzë është diçka e jashtëzakonshme. Megjithatë po të shkosh pak më thellë dhe të kërkosh arsyet e rezultatit pak më thellë e kupton shumë mirë se pse.

Mjafton të shikosh çfarë është bërë në Kamzë, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në mendjen e shumë prej atyre që kanë votuar për Rakipin, që nuk kanë votuar ndonjëherë për ndonjë kandidat të tonin. Dhe ndoshta Kamza është një nga ato vende ku pjesa e atyre të djathtëve që, jo thjeshtë kanë abstenuar, por që kanë votuar është realisht e konsiderueshme. Dhe unë besoj që një nga arsyet themelore të asaj vote janë ato që janë bërë për fëmijët e Kamzës. Dhe sigurisht që votuesit kanë bërë një zgjedhje në një pjesë të madhe të tyre me mend, jo me zemër. S’kanë votuar me zemër për Rakipin, kanë votuar me mend, duke qenë të djathtë.

Me siguri e kanë dëshiruar një kandidat si Rakipi, por edhe shumë socialist Rakipi nuk duket për shkak të historisë së tij, për shkak të lidhjes që ka më zonën etj, në kuptimin që nuk është një kandidat që e ka ngjyrën shumë të fortë dhe që të largon, por në fund të ditës votën nuk ia kanë dhënë me zemër, ia kanë dhënë me mend, ia kanë dhënë duke parë çfarë ka bërë dhe duke kuptuar që mund të bëjë akoma më shumë apo është një garanci që gjërat e bëra nuk do prishen nga e para.

Në Kamzë edhe falë procesit të rindërtimit është bërë shumë, patjetër, që po e dëgjoja dhe këtë si argument, por nuk është çështja thjeshtë te procesi rindërtimit se rindërtim kanë pasur shumë bashki. Çështja është tek mënyra sesi është bërë puna. Edhe me shtëpitë është bashkia që ka mbyllur në kohë rekord gjithë strehimin. Është bashkia që ka krijuar një sinergji të jashtëzakonshme me njerëzit dhe një besim tek njerëzit. Ne kemi pasur në vazhdimësi probleme në bashkinë e Tiranës, në bashki të tjera për veprat publike me njerëz që dalin, hidhen mbi ekskavatorë, shtrihen etj, mbyllen me demek nëpër shtëpi për të penguar punët publike.

Kamza është i vetmi vend ku ne s’kemi pasur asnjë problem. Dhe ndërkohë e kam fjalën për një segment të konsiderueshëm të Unazës së Madhe që kalon në bashkinë e Kamzës dhe ndërkohë të gjitha familjet kanë nënshkruar një marrëveshje besimi me kryetarin e bashkisë, duke pasur edhe një avantazh për hir të së vërtetës Rakipi që nuk e kanë pasur të tjerët. Që Kamza ishte shumë shumë poshtë edhe çdo gjë që mund të bëhej ndryshe, kishte një tjetër çmim po themi në sytë e njerëzve. Por pse po e zgjas me Kamzën? Po e zgjas pak me Kamzën për të thënë që rezultati i 14 majit është një rezultat i kombinuar gjërash, ndërkohë që patjetër, unë nga eksperienca ime besoj që nuk ekziston një kategori e quajtur zgjedhje lokale, gjithmonë zgjedhjet janë kombëtare, pavarësisht se zhvillohet në nivel kombëtar apo zgjedhjet zhvillohen në nivel lokal. Nëse në nivel kombëtar roli i deputetëve është në plan të parë, në nivel lokal roli i kryetarëve të bashkive është në plan të parë, por në fund të ditës nëse nuk ka një qasje kombëtare të së tërës, nuk lexohet mirë edhe vota e njerëzve.
Unë dua shumë që të përsëris që ne nuk duhet të biem në kurthin e idesë që njerëzit janë të lumtur me ne. Ajo hartë nuk është gënjeshtër, ajo hartë është e vërtetë, por ajo hartë nuk është pasqyrë e lumturisë apo e kënaqësisë së popullit me ne. Unë jam i bindur që edhe këtu në sallë, nëse individualisht secili pyet veten apo nëse individualisht secili pyetet, “ore, a je i kënaqur ti me qeverinë? Je i kënaqur ti me bashkinë? Je i kënaqur ti me të gjitha gjërat që ndodhin dhe ti voton nga kënaqësia?”
Unë besoj që numri i atyre që do thonë, “po, unë jam shumë i kënaqur” do jetë minimal sepse unë vetë do ta thosha këtë gjë, që “po, jam i kënaqur”. Edhe unë kur shkoj votoj, nuk votoj me idenë që duhet votuar se jam i kënaqur, por votoj me idenë që duhet votuar sepse duhet vazhduar kjo punë. Kjo është shumë e rëndësishme.
Ashtu sikundër është shumë e rëndësishme ana tjetër e medaljes. Po mirë, njerëzit nuk janë të kënaqur. Po pse kanë votuar kështu masivisht? Për të njëjtën arsye që ne e kemi parë në vijimësi të ndodhë me Partinë Socialiste dhe me ne në gjithë këto vite, që njerëzit nuk janë të kënaqur, por njerëzit besojnë që gjërat që ata presin të bëhen jemi ne që mund t’i bëjmë dhe nuk mund t’i bëjnë dot të tjerët.
Një gjë e veçantë është në këtë rezultat që besoj është dhe pjesa më e rëndë e rezultatit, që është pritshmëria sepse ky rezultat tregon pritshmëri shumë të madhe dhe në mes të mandatit të tretë tërësor të kesh një pritshmëri kaq të madhe është shumë sfiduese. Sigurisht që është frymëzuese dhe inkurajuese sepse kjo tregon që njerëzit nuk e kanë humbur shpresën tek ti, tek ne, por është shumë sfiduese sepse pritshmëria e madhe mund të ketë një problem shumë të madh sepse pritshmëria e madhe do të thotë që njerëzit presin shumë dhe ndërkohë që nuk do të thotë që njerëzit mund të presin për një kohë shumë të gjatë aq më tepër që nuk është pritshmëria e një dite të parë të një mandati të parë.
E njëjta gjë vlen dhe për të gjithë ato bashki ku ne kemi… lali Eri është në mandatin e tretë, të tjerë janë në mandatin e tretë, ka shumë mandate të dyta, ata që janë në mandatin e parë nuk janë shumë, janë pak dhe gjithandej është kjo pritshmëri. Kjo është shumë inkurajuese, por është dhe shumë e rrezikshme dhe duhet kuptuar shumë mirë. Aq më tepër që ne jemi të vetëdijshëm që është një pritshmëri që nuk përmbushet dot sepse ashtu sikundër në asnjë familje nuk ka pritshmëri të përmbushura plotësisht, por ka pritshmëri nga e nesërmja që lidhen me nevoja, me kërkesa, me dëshira sipas anëtarëve të familjes që nuk plotësohen dot menjëherë ose që një pjesë e tyre nuk plotësohen dot asnjëherë. Ashtu vlen dhe për një fshat, për një qytet, për një shtet edhe për vetë Amerikën që është shteti më i madh, më i pasur, në kuptimin, i madh ekonomikisht. Nuk i plotëson dot nevojat e të gjithëve, nuk i plotëson dot pritshmëritë e të gjithëve dhe nuk i përmbush dot dëshirat e të gjithëve.
Kjo sigurisht që mund të marrë drejtime të ndryshme dhe unë jam i bindur që asnjë nga ju këtu dhe asnjë nga ne nuk do dëshironte që kjo të merrte një drejtim të gabuar që nga një pritshmëri shumë e madhe gjëja të kthehej në një zhgënjim shumë të madh sepse sa më e madhe të jetë pritshmëria, rreziku është që aq më i madh të jetë dhe zhgënjimi. Prandaj, ne duhet shumë të kërkojmë se çfarë mund të bëjmë, si mund ta bëjmë që njerëzit të vazhdojnë të na mbështesin dhe që besimi i tyre të mos cënohet përtej riparueshmërisë. Besoj që kryesorja është që ne mund të bëjmë shumë më tepër edhe aty ku vërtetë ne mund të synojnë të bëjmë 100% të gjësë që njerëzit presin, është vetëm një dhe kjo është begenisja e njerëzve, është krijimi i një raporti me njerëzit ku njerëzit të ndjehen të begenisur, të ndjehen të respektuar dhe të ndjehen të dëgjuar. Jo çdo gjë mund të plotësohet por ama çdo gjë mund të diskutohet. Jo për çdo gjë mund të thuhet po, por ama për çdo gjë mund të thuhet “të dëgjova” dhe besoj që ju e keni eksperiencën e njëjtë me shqiptarët që nëse u zgjidh një hall ose një problem, ke një “Faleminderit”, nëse iu qan një hall ke dhjetë “Faleminderit”. Nuk ka dalë kot dhe ajo shprehja “Hallin që nuk ma zgjidh, të paktën ma qaj” që do të thotë që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këtë pikë sepse në këtë pikë ne kemi deficite shumë të mëdha.
Kjo që po them nuk vlen për anëtarët e partisë, nuk vlen as për kryetarët e organizatave, nuk flas as për 95% – 98% të partisë. Kjo vlen për ata që kanë përgjegjësi drejtuese, për ata që kanë karrige, për ata që kanë një mandat në cilindo nivel për të drejtuar të tjerë. Kjo vlen për mua, vlen për ministrat, vlen për kryetarët e bashkisë, vlen për deputetët, vlen për këshilltarët deri në njëfarë mase, vlen patjetër dhe për drejtuesit në nivele ekzekutive që kanë të bëjnë me njerëzit ose që drejtojnë institucione që janë të lidhura drejtpërdrejtë me njerëzit.
Në këtë pikë është e domosdoshme që ne të mendojmë realisht sesi ky borxh i madh që na është dhënë të shlyhet deri në njëfarë mase, se të gjithin ne nuk e shlyejmë dot, duhet të jemi realistë, por deri në njëfarë mase ne mund ta shlyejmë dhe të kuptojmë që është shumë kur njerëzit të japin një besim apo kur si rezultat i këtij besimi ti individualisht përfiton diçka, në sensin që ti individualisht respektohesh dhe nderohesh e vlerësohesh; është shumë.
Para pak orësh dëgjova për një situatë që realisht të vë në siklet të jashtëzakonshëm. Një Sekretare e Përgjithshme që kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Natyrisht që ana e, si të thuash, ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person i cili është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti dhe unë uroj që të ketë sa më shumë të tilla por ama nuk mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla sepse është realisht diçka e rëndë. Mungesa e sensit të patriotizmit, mungesa e sensit të detyrës, mungesa e sensit të etikës në pikën që në një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë lloj niveli është realisht e tmerrshme.
Natyrisht që këtu ne e kemi hapur vetë këtë kuti të Pandorës, e kemi hapur vetë pikërisht sepse nuk kemi pranuar që të marrim përsipër përgjegjësinë e qeverisjes së këtij vendi duke mbajtur këmbën tek kapaku i asaj kutie për të vazhduar avazin e nuk e di sa shekujve ku të pushtetshmit, të fuqishmit apo të mbështeturit e të mbrojturit e këtij vendi kurrë, asnjëherë nuk janë thirrur nga drejtësia. Këtë e kemi bërë ne.
Unë 100 herë të kthehesha mbrapa, 100 herë do bëja të njëjtën gjë sepse në fund të fundit kjo është arsyeja pse njeriu merr përsipër të bëjë këtë punë që unë bëj apo që shumë këtu bëjnë sepse një pjesë janë vullnetarë, në kuptimin janë të angazhuar me Partinë Socialiste por nuk kanë detyra të këtyre niveleve dhe nuk janë në nivelet vendimmarrëse ku ndahet se çfarë rruge duhet të marrin, duhet të vazhdojnë në një rrugë symbyllur dhe të konsumojmë pushtetin duke bërë sikur nuk kuptojmë ose duke bërë barrikadë që kush është i joni mund të bëjë ç’të dojë me ligjin dhe me pasurinë e përbashkët dhe nuk preket apo duhet të ndjekim një rrugë tjetër? Ne e kemi zgjedhur këtë rrugë tjetër dhe në këtë rrugë nuk ka asnjë kthim mbrapa dhe nuk ka asnjë kompromis me askënd.
Natyrisht që unë personalisht e kam ditur, siç besoj e kanë ditur dhe ata që janë angazhuar qysh në fillim që kjo nuk është rrugë që do mbarojë shpejt, kjo nuk është rruga e një mandati, e dy mandateve, e tre mandateve, kjo është rruga e një gjenerate për të arritur që ky vend të ketë drejtësi të barabartë për të gjithë.
Sigurisht që kjo është një rrugë me shumë vështirësi, me shumë situata të shëmtuara, të hidhura po të doni, njerëz që kanë marrë gjithçka. Nuk ka më shumë sesa të çohen për ty një ditë të dielë mijëra njerëz dhe të shkojnë të shënojnë emrin tënd atje, nuk ka më shumë, nuk ke çfarë kërkon më shumë. Asgjë nuk krahasohet me këtë.
Në jetën e një njeriu, sipas meje, nuk ka miliarda, nuk ka pasuri, nuk ka shtëpia e varka që krahasohen me këtë, që një të dielë mijëra njerëz, për një person, çohen dhe vënë kryqin aty dhe thonë “Parapëlqej filanin” ose qindra mijëra çohen dhe votojnë për partinë që ty të ka zgjedhur të përfaqësosh.
Prandaj, kush e bën këtë e ka vendin në ferr, nuk ka vend në asnjë zonë tjetër të jetës, por e ka vendin në ferr, nuk diskutohet.
Nga ana tjetër, çfarë mund të bëjmë ne në këtë rast? Ne thjesht duhet të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë që bëjmë. Këto janë gjëra të ndara, këtu secili e zgjedh vetë dhe pastaj rrugët ndahen por nga ana tjetër, duhet të jemi shumë të angazhuar që këtë gjë ta themi me njëri-tjetrin dhe të bëjmë çmos që ata njerëz që marrin një detyrë ta dinë se çfarë po marrin, ta kuptojnë se çfarë po marrin.
Ashtu sikundër, ata njerëz që e kanë një detyrë të mos kërkojnë përtej detyrës gjithçka dhe këtu, kur them gjithçka, nuk kam parasysh gjërat penale, nuk kam parasysh asgjë. Kam parasysh edhe ato gjërat personale të panumërta.
Do jap dhe një shembull dhe do ta mbyll se nuk është dita për ta bërë këtë, besoj është koha për ta bërë këtë por nuk është ky momenti. Ne akoma sot kemi një problem shumë të madh; jemi një vend që akoma nuk ka një stabilitet në çështjen e pronës dhe këtu nuk flas për probleme dhe konflikte të pronësisë. Këtu flas për faktin që sot një shqiptar i zakonshëm akoma nuk e ka të lehtë 100% që të marrë nga hipoteka certifikatën e pronësisë, që e ka atje, që ta nxjerrë se i duhet. Nuk e ka. Mund ta marrin, mund edhe mos ta marrin.
Çfarë lidhje ka kjo me atë që thashë unë? Ka shumë lidhje kjo sepse ne kemi përgjegjësinë që një bankë, hipoteka është një bankë, nuk është bankë likuiditeti, është një bankë pasurish të patundshme, e kemi trajtuar si një vend ku të fuqishmit e kësaj partie punësojnë njerëz. Kjo është e vërteta, duhet ta themi ne këtë.
Ne nuk mundet do të krenohemi mjaftueshmërisht me reformën në Drejtësi nëse ne jemi pengesë për trajtimin e drejtë të qytetarëve përtej gjykatave. Gjykata ndan konflikte apo gjykata ndan fajësi, por përtej gjykatave ka dhe një drejtësi tjetër që është të qënit i drejtë i shtetit, i një institucioni me qytetarin që nuk përbën vepër penale apo vepër administrative të gabuar por përbën një padrejtësi dhe ne nuk mund të jemi dot krenarë as me çfarë bëhet në nivelin e drejtësisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që është histori më vete por sidoqoftë po bëhen gjëra që nuk janë bërë kurrë në këtë vend, sepse kurrë deri më sot dhe ne këtë duhet ta kemi shumë të qartë dhe nuk duhet të kemi asnjë ngurrim t’ia bëjmë shumë të qartë të gjithëve, që nga koha kur është përmendur emri Shqipëri dhe kur është konstituuar shteti i parë shqiptar, nuk ka ndodhur që një person i lidhur me pushtetin dhe madje në nivele të larta, të shkojë e të përfundojë në duart e drejtësisë? Kjo ndodh vetëm sot dhe ndodh vetëm falë reformës që ka udhehequr Partia Socialiste dhe që mbështesim ne, por kjo është njëra anë, ana tjetër është, cilën drejtësi bëjmë ne në të përditshmen tonë në dyert e Kadastrës?
Çfarë drejtësie bëjmë ne në të përditshmen tonë dhe si mundemi ne që t’i themi vetes që ne e meritojmë atë votë dhe ne e meritojmë atë besim, nëse ne nuk i japim atyre njerëzve dhe mos harroni që na kanë votuar më shumë njerëz se në të gjitha zgjedhjet e Partisë Socialiste. Kemi marrë shumicën në këshillat bashkiakë në Tropojë, në Kamëz, në Shkodër. Tani si mund të shkojmë ne dhe të flemë të qetë apo si mund t’i gëzohemi ne kësaj fitoreje pa e menduar faktin që pjesa më e madhe e atyre njerëzve që na kanë votuar ne, akoma sot nuk trajtohen si njerëz nga Kadastra dhe një nga arsyet kryesore, në mos kryesorja e mos trajtimit të tyre si njerëz është sepse kush ka patur dy lekë pushtet në këtë parti, e ka parë hipotekën si një zonë interesash të veta. Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë secili nga ju e di, të gjithë ne e dimë, është mirë ta themi me zë të lartë, ta dëgjojnë dhe gjithë të tjerët të na vijë turp nga kjo gjë, seriozisht të na vijë turp dhe kush ka dorë në këtë turp, duhet të heqë dorë dhe ajo agjenci duhet të bëhet bankë Ashtu siç nuk bën vaki që t’i shkojë mendja njeriu që ta përdorë pushtetin për t’i thënë bankës së shtetit se çfarë duhet të bëjë, ose për të bërë lodra me kursin e këmbimit të bankës së shtetit, ashtu s’duhet t’i shkojë mendja njeriu që të merret me pronat e shqiptarëve dhe me titujt e pronësisë të familjeve shqiptare sepse kjo është kulminante. Mund të them dhe të tjera, por kjo është më e rënda, në mos më e rënda. Mund të them ka dhe të tjera dhe nëse ne do mendojmë kështu, ne kemi mundësi që pas dy vitesh këtë pritshmëri të madhe, të mos e kemi humbur dhe të shohim atë hartën që pa pritur e pa kujtuar të ndryshojë, por të shohim se si ajo mund të ndryshojë akoma më shumë për ne dhe kjo s’ka të bëjë fare me fundin e demokracisë apo s’ka të bëjë fare me vdekjen e pluralizmit, se ja ku është Greqia këtu, nuk besoj se aty vdiq pluralizmi kur harta u bë e gjitha blu. Nuk ndodh shpesh atje, ndodhi këtë herë. Pra nuk ka të bëjë kjo, nuk ka parti serioze që kur futet në zgjedhje, nuk shkon për t’i fituar të gjitha dhe po ju them dhe e kam thënë që ditën e parë që kam ardhur në këtë parti, se kam dëshmitarë, ja Fatmiri është këtu, nuk e di kush tjetër tani, Petro besoj mund ta ketë dëgjuar, Shalsi mbase, Mimi ndoshta, por e kam thënë; Partia Socialiste nëse është e mirë organizuar, nuk humbet në asnjë qendër votimi në Republikën e Shqipërisë. Unë e kam bindje këtë.
Natyrisht që ka qendra e qendra por nuk humbet. Të paktën kështu ka qenë dhe kështu është deri tani me ç’kemi parë rreth e rrotull. S’jemi më të mirët, me siguri ka shumë më të mirë se ne, por deri tani rreth e rrotull s’kemi parë. Do shohim më vonë, nuk e di. Unë ju ftoj juve në gjeneratën e re këtu të Rakipit edhe të Lalit, që të punojnë e të mos shikojnë. Kjo është ftesa që i bëj unë gjeneratës së re, por ajo që ju them është që duhet që rezultatin e këtyre zgjedhjeve s’duhet ta harroni, por jo s’duhet ta harroni për kënaqësi. Kënaqësia, ja e dinë këta, unë isha atje, më ka zgjatur shumë pak, pastaj nuk gëzohesha dot më, sepse është shumë e madhe ajo që na kanë dhënë njerëzit, është shumë. Më besoni, është shumë dhe ju e dini shumë mirë, që kur një njeri të jep një borxh shumë të madh, nuk të ndahet, se ka frikë se mos i ikën. Ka frikë se mos harron, ka frikë se mos i shmangesh se një borxh i vogël, thotë: i dhashë, t’i kam falur. Po ku falet kjo? A jeni në vete a jo? Ku falet kjo? Nuk falet kjo kështu që mos e bëni veten që të mos na e falin. Këto kisha unë.
Shumë faleminderit dhe një herë dhe për të qenë korrekt se unë e kam merak që kur citohem, të citohem saktë, unë nuk kam thënë që ti je lind me këmishë, unë kam thënë që ti ke lindur me dy këmisha. Dy, jo një. Më cito saktë. Me dy këmisha, dakord? Madje ti ka mundësi ta kesh dhe një këmishë të tretë që ia ke dhënë borxh Arbër Maznikut.
Faleminderit!