35 vjet PS Dibër – Krenarë për Partinë Socialiste

 

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama: 

Të dashur miq edhe socialistë e socialiste të Dibrës!

Kthehemi sot këtu në këtë palllat sporti, pasi kemi pasur dy takime të paharrueshme, njërin para zgjedhjeve dhe tjetrin pas zgjedhjeve. Dhe  më kujtohet ai përpara zgjedhjeve, sepse me siguri nuk e keni harruar as ju, u bë një takim shumë popullor edhe shumë i përfolur nëpër të gjithë pasqyrat mediatike për punën e çyrykëve. Edhe unë nuk e kisha pritur që faktikisht të gjithë çyrykët do provokoheshin e do hidheshin përpjetë duk thënë ‘’ne nuk jemi çyrykë, ne jemi burra’’. Ndërkohë që burrat e mençur shkuan pas grave edhe Dibra nxori nga kutitë e votimit fitoren më të madhe ndonjëherë në zgjedhjet e përgjithshme për Partinë Socialiste. Kështu që ai ka qenë një moment i daljes në pah edhe një herë tjetër të mençurisë së kësaj zone, me të cilën për një sërë arsyesh, unë ndihem shumë i lidhur dhe më vjen shumë mirë që kjo lidhje tani materializohet edhe me shpejtësinë e ardhjes.

Erdha me disa minuta vonesë se u nsiëm nga Tirana në orën 4. Unë e di që nuk është 1 orë rruga, mirëpo Ulsiu i ka bindur të gjithë atje në Tiranë që rruga është 50 minuta. Edhe i thashë, po më çoni me vonesë. “Jo, jo” –më tha, “55 minuta jemi aty”. Po s’është 55 minuta, eshë një çikë më shumë. “Jo, jo” – tha, “se kështu na ka thënë Ulsiu”.Kështu që erdha pak me vonesë por fajin e ka Ulsiu, ta keni parasysh.

Megjithatë do të ishte e pa mendueshme përpara se ne t’ia dilnim ta ndërtonim rrugën e dibranëve, se kështu e quaj unë, mos u mërzit, Gon, ‘’Rrugën e Arbrit’’, do të ishte e pa mendueshme që të vije të bëjë një takim e të ktheheshe për një takim tjetër në orën 7.30 në Tiranë. Dhe kjo u realizua, por nuk është fundi, është vazhdimi i një rruge që është rruga e Partisë Socialiste, në të cilën ne kemi parë dhe kemi dëgjuar shumë por edhe kemi bërë shumë dhe duke u kthyer tek çfarë tha Ulsiu në fjalën e tij përmbyllëse, unë dua ta ri nënvizoj sepse historia e PS nuk nis me momentin kur hyra në parti unë me Ulsiun, se ne kemi hyrë më vonë dhe me thënë të drejtën, na shikonin dhe një çikë kështu si shtrembër, por nis në momentin kur socialistët dhe progresistët bënë një zgjedhje shumë të qartë dhe u shkëputën në mënyrë shumë të arsyeshme nga e shkuara duke i dhënë jetë një partie, e cila në këto 35 vite ka shënuar disa gjëra shumë të rëndësishme në librin e jetës politike shqiptare.

Në radhë të parë, PS ka provuar më shumë se sa një herë që është e vetmja forcë politike cila ka një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar dhe ndoshta është shembulli më kulmor i këtij fakti, është i lidhur me atë periudhë kur PS dhe lideri i saj historik Fatos Nano, ‘’bombardoheshin’’ nga të katër anët si të lidhur me Beogradin. Ata që i ‘’bombardonin’’, ishin ata që ditën flisnin për Kosovën, natën thyenin embargon që bota demokratike i kishte vënë Slobodan milosevicit dhe i shisnin naftë Slobodan Milosevicit, për të furnizuar makinerinë fashiste të spastrimit etnik. Ndërkohë që ishte pikërisht PS dhe ishin pikërisht njëra pas tjetrës, qeveritë e Partisë Socialiste, duke filluar nga qeveria e Fatos Nanos që nuk lanë asgjë pa bërë për të mbështetur hapur dhe mbyllur UÇK-në dhe çlirimin e Kosovës.

Së dyti, PS në këto 35 vite ka arritur të bëjë shumë edhe për arsye se e ka patur qysh në ditën e parë një raport shumë të kthjellët me të shkuarën, ndryshe nga ata të cilët u paraqitën si forca e të ardhmes dhe e kthyen Shqipërinë përmbys në më shumë sesa një rast, duke sjellë vetëm rrëmujë, sherr, konflikt, deri edhe në konflikt të armatosur dhe shkatërrim, Partia Socialiste diti shumë mirë që të ndahet nga diktatura në mënyrë të qartë, por ama, asnjëherë të mos e mjegullojë vështrimin mbi luftën nacionalçlirimtare dhe mbi historinë e vërtetë të çlirimit të Shqipërisë.

Dhe e treta që lidhet, natyrisht me BE-në, sot si shëmbëlltyra e kësaj, por që në fakt nuk është e lidhur vetëm me BE por është e lidhur me qasjen qytetare dhe europiane të PS ndaj shoqërisë dhe ndaj botës, është pikërisht marrëdhënia e kësaj partie me shoqërinë dhe me botën; një marrëdhënie e materializuar si marrëdhënie qytetarie në kuptimin e respektimit të lirive dhe të drejtave të të tjerëve. Qoftë këtu, miku im Kadriu, qoftë edhe në takimet e tjera, të tjerë miq që kanë folur në emër të themeluesve, e kanë pasur të pamundur të risjellin në këto salla, momente të paimagjinueshme sot nga  historia e shoqërisë shqiptare kur u tha që ‘’ne fituam lirinë’’. Ne fituam lirinë por ne nuk e fituam demokracinë, sepse ata të cilët morën përsipër të përfaqësojnë opozitën, në një sistem që në letër ishte demokratik, u përballën me dhunë, u përballën me brutalitet dhe me poshtërim të vazhdueshëm, u përballen me grabitje masive të votave, u përballën me rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.

Nuk imagjinohet sot, por Partia Socialiste në opozitë mbijetoi në një errësirë ku kishte vetëm një ekran televizori, nuk kishte atëherë rrjete sociale, kishte vetëm një ekran televizori dhe në atë ekran ishte vetëm Radio Televizioni Shtetëror ku Partia Socialiste mund të shfaqej përmes përfaqësuesve të vetë për shumë pak sekonda dhe në ato sekonda figura mbulohej nga komenti denigrues i Radio Televizionit Shqiptar. Ndërkohë që e gjithë fryma opozitare, e gjithë liria e asaj shoqërie kishte vetëm një pasqyrë gazetën “Koha Jonë”, të cilën në fund ata që flasin për liri e flasin për demokraci dhe krenohen si sjellësit e lirisë dhe demokracisë, e bënë shkrumb dhe hi duke e djegur dhe duke i marrë zvarrë të gjithë gazetarët që ishin aty brenda e duke i çuar në polici.

Ndërkohë që Partia Socialiste asnjëherë nuk është shfaqur si e tillë në shoqëri dhe asnjëherë nuk është shfaqur si e tillë ndaj kundërshtarëve të vet. E keni shumë mirë parasysh madje shumë shpesh Partia Socialiste është kritikuar nga vetë socialistët, lidershipi i Partisë Socialiste është kritikuar nga vetë militantët e Partisë Socialiste, se është i butë dhe tolerant në momente të cilat kanë qenë momente kthesash të mëdha, por njëkohësisht edhe poshtërimesh të mëdha nga e para, sepse Socialistët dhe të gjithë ata të cilët u poshtëruan dhe u shkelën me këmbë për vite me radhë, panë se si shkelësit me këmbë vazhduan pa i hyrë gjemb në këmbë.

E pra, pikërisht në këtë dobësi, në thonjëza, qëndron forca e madhe e Partisë Socialiste, e raportit të saj me shoqërinë, e raportit të saj me demokracinë. Partia Socialiste nuk kërkoi revansh, por kërkoi shtet të së drejtës. Partia Socialiste doli nga një opozitë ku kthimi i saj në krye të vendit u bë njëkohësisht në të njëjtat ditë me daljen e liderit saj nga burgu, ku u mbajt padrejtësisht dhe ku u fut politikisht, por në asnjë moment nuk la të kuptohej ai vetë dhe pastaj gjithë lidership i partisë ndonjë qëllim për t’u hakmarrë duke futur në burg burgosësin e vet, por përkundrazi nisi një rrugë shumë të vështirë, më të vështirë për të krijuar kushtet që burgosjet politike të mos përsëriteshin më kurrë në Shqipëri dhe nëse do të kishte drejtësi, drejtësinë ta bënte drejtësia, jo ta bënte politika. Kjo është një rrugë që bashkon Partinë Socialiste me aspiratat e shqiptarëve të cilat janë të lidhura me Europën dhe Shqipërinë europiane dhe kjo e bën Partinë Socialiste natyrshëm të vetmen forcë europianizuese të këtij vendi.

Çfarë e ka karakterizuar Partinë Socialiste? E ka karakterizuar gjithmonë prirja për të ndërtuar dhe gjithmonë ka qenë e detyruar të përballet me forcën e shkatërrimit, forcën e shkatërrimit të madh apo forcën e shkatërrimit të vogël, forcën që kur ka pasur në dorë të shkatërrojë Shqipërinë, ka shkatërruar Shqipërinë, forcën që edhe kur i kanë rënë pantallonat në fund të këmbëve prapë do të shkatërrojë fasadën e kryeministrisë apo të shkatërrojë kazanët e plehrave të Tiranës.

Çfarë e ka karakterizuar Partinë Socialiste në raport me shoqërinë? E ka karakterizuar fryma e tolerancës dhe fryma e njerëzillëkut, ndërsa ata që Partia Socialiste ka pasur dhe tani s’i kam më përballë se i ka mbrapa kanë qenë gjithmonë mishërimi i përçarjes edhe i urrejtjes, i ndarjes së shqiptarëve në këtej dhe andej, në demokratë dhe në komunistë, në njerëz të demokracisë dhe njerëz të diktaturës. Një ndasi, një përçarje, një poshtërsi që u shtri deri në fshatin më të largët ku zihej komshiu me komshiun për partinë dhe kur ndërkohë që të dy s’kishin as gjërat më elementare. Për çfarë ziheshin dibranët këtu, kur në ndërkohë ju duhej pesë orë për të ik e pesë orë për të ardhur nga Tirana? Ziheshin për partinë! E kush e futi atë sherr? Jo Partia Socialiste! Asnjëherë! Asnjëherë! Madje-madje kaq e vërtetë është kjo saqë nëse dikush sot, po s’besoj se sot e ka marrë dikë malli, po nesër dikush do të hapi të gjitha ato që kanë mbetur të shkruara, që kanë mbetur të regjistruara nga ballafaqimet politike, do konstatoj diçka ndër të tjera. Nga njëra anë një ballafaqim i buruar nga shpirti katran i sherrit me libër shtëpie, me radhë këdo që ka pasur një detyrë dhe që ka qenë në dritën e vëmendjes publike, ndaç në qendër, ndaç në periferi. Atje në qendër sherrin e bënin ata më të mëdhenjtë, këtu në periferi sherrin e bën ata më të vegjël, por të gjithë e bën sherrin me libër shtëpie. Ama kush do ta shohë këtë histori do ta ketë shumë vështirë të gjejë nga ana tjetër, nga ana e Partisë Socialiste përgjigje flak për flak me libër shtëpie, sepse Partia Socialiste siç e thashë e ka të shkruar në ADN-në e vetë edhe raportin kristal me interesin kombëtar edhe marrëdhënien e drejtë me të shkuarën, por edhe marrëdhënien qytetare europiane me shoqërinë dhe me botën.

Kërkoni dhe shikoni se çfarë i kanë thënë Fatos Nanos! Me libër shtëpie nuk i kanë lënë njeri rreth e rrotull familjes së tij pa bërë katran. zor se do shikoni që Fatos Nano të ketë lënë pas përgjigje të të njëjtit nivel dhe merrni dhe historinë time, një histori, ku më falni që po e kujtoj, por histori ku ka pasur edhe gjak, po e kam kokën e madhe dhe shikoni se çfarë nuk është thënë dhe se sa shumë është thënë për të gjithë robërit e shtëpisë time. Nuk keni për të gjetur dot një herë të vetme që unë të jem kthyer me robërit e shtëpisë së vet atyre. Po jo sepse ne jemi më të butë, jo sepse ne nuk dimë, por sepse ne jemi qytetar të Europës, në radhë të parë një herë këtu në shpirt pastaj jemi edhe europianë këtu në mendje. Ne jemi qytetarët e Europës, ne socialistët edhe kur jemi në maj të maleve, edhe kur jemi në fund në cepin më të largët Shqipërisë, qytetarin më europian dhe e them pa asnjë ekzagjerim në të gjitha qindra e mijëra kilometra e mia xhiro rreth Shqipërisë gjithë këto vite e kam gjetur mbi 100 vjeç në kalanë e Dodës. E di shumë mirë Ulsiu bashkë me disa të tjerë që kemi shkuar atje dhe pse them qytetarin më europian? Sepse ashtu si fliste ai për çfarë duhet të bënte në atë kohë ishte dialogu me Shqipërinë. Çfarë duhet të bënte Partia Socialiste dhe si duhet të sillej me shtetin shumë zor ta dëgjosh si leksion në një universitet. Ai ishte atje, por ama ishte europian në shpirt dhe ishte edhe në Europë ne mendje.

Për të ardhur tek rrëmuja dhe tek hakmarrja, çfarë na dallon si dy botë me të tjerët ne këtu në skenën politike shqiptare na dallon pikërisht dëshira, pasioni dhe vullneti për rregullin dhe angazhimi i paepur për shtetin e së drejtës, për drejtësinë me çdo kosto. Cila forcë politike do ta bënte atë që ka bërë Partia Socialiste se po ta bënte do e kishte bërë që nga 1912! Cila forcë politike mori përsipër që të dorëzonte pushtetin gjyqësor tek prokurorët dhe gjykatësit dhe të tërhiqej nga një territor duke ndarë në realitet atë që Kushtetuta e ka ndarë prej kohësh në letër. Demokracia nuk funksionon nëse nuk ka tre pushtete të ndara dhe ne po bëjmë demokracinë të funksionojë pavarësisht të gjitha vështirësive dhe pavarësisht të gjitha kostove. Prandaj edhe kush na hidhet në fyt duke na treguar se sa veta u burgosën e sa veta u hetuan, e sa veta janë të përfshirë këtu e janë të përfshirë atje dhe pastaj habitet kur del rezultati nga kutitë e votimit, është kaq imbecil sa nuk kupton që populli shqiptar në shumicë, duke qenë një popull europian në shpirt dhe në Europë në mendje, e kupton që te gjitha këto janë kostot e një ndërmarrjeje historike që mund ta bënte dhe mund ta bëjë vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë.

E kuptojnë që këto janë prova, këto janë prova që drejtësia që ne po mbështesim që të ndërtohet nuk është lojë, është reale dhe kur një pushtet pranon të goditet nga një pushtet tjetër si pushteti i drejtësisë dhe nuk reagon për ta shkelur me këmbë siç mund ta kishte shkelur dhe siç e ka shkelur me dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra vite, atëherë rruga e vendit është rrugë e sigurtë, rruga e lirisë është rrugë e sigurtë, rruga e të drejtave dhe e barazisë para ligjit është rrugë e sigurtë. Kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë!

Dhe do të doja të flisja dhe më gjatë se më vjen shumë mirë që jam këtu edhe Dibra më frymëzon, por dua të them që historia jonë, historia e Partisë Socialiste është njësh me historinë e vendit dhe çfarë sheh në historinë e Partisë Socialiste reflektohet në historinë e vendit.

Kur Partia Socialiste masakrohet, i burgoset udhëheqësi i saj, i shkelen në mënyrë të vazhdueshme të drejtat, i grabiten votat, Shqipëria shkonte poshtë dhe shqiptarët e paguajnë edhe më keq sesa komisionerët e Partisë Socialiste, sepse atyre iu morën votat, ndërsa gjithë shqiptarëve i zhveshën nga pasuria dhe i nxorën rrugë si skllevër pa asgjë që ju ranë mbi kokë piramidat e Sudes edhe të të gjithë atyre mashtruesve. Pastaj historia vazhdon prapë dhe nëse shikojmë sot meqë këtu simboli është rruga e Arbërit, sa herë që rruga e Arbërit u premtua, po aq herë nuk u bë. Ndërkohë që ne thamë që do ta bëjmë dhe ne e bëmë siç e thamë.

Kjo përsëri lidhet me rrugën e Shqipërisë sepse po aq e vështirë dhe po aq e pamundur sa dukej rruga e Arbërit, po aq e vështirë dhe po aq e pamundur duket rruga për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe po ju them siç e bëmë njërën do bëjmë dhe tjetrën.

Siç nuk u tërhoqëm kur edhe gjeologjia na doli kundër dhe na bllokoi për një kohë të gjatë tek tuneli i Murizit që detyruam pastaj ta bëjmë hap pas hapi, hap pas hapi, hap pas hapi, ashtu ne e kemi bërë deri tani dhe do ta bëjmë deri në fund edhe rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe edhe ai tunel do hapet përfundimisht për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Dhe përfundimisht Shqipëria e shqiptarët do të jenë të lidhur me Europën siç është sot Dibra e lidhur me Tiranën që është bërë jastëku i gjelbër i Tiranës.

Dhe do t’ju them në fund fare dhe një histori që se kam treguar ndonjëherë. E dinë këta dibranët e sofrës politike. Kur ne kemi ardhur në qeveri, kemi gjetur një marrëveshje, një marrëveshje në parim të bërë nga qeveria e mëparshme për Rrugën e Arbrit me një shtet tjetër dhe një marrëveshje tërësisht skandaloze për nga shtrenjtësia e veprës dhe për nga interesat që duhet të paguanin shqiptarët dhe plus rruga me pagesë. Dhe kur e kam pyetur një njërin prej atyre që ishin në dijeni të firmosjes së asaj marrëveshje dhe i thashë po mirë si e firmosët atë marrëveshje, ajo është një tmerr, që ne pastaj u përpoqëm disa vite ta negocionim, nuk negociohej derisa unë mora vendim do ta prishim marrëveshjen, do e ndërtojmë vetë, le të kushtojë sa të kushtojë, ne do ta ndërtojmë vetë.

A e dini çfarë më tha? Më tha, “ja kemi thënë të tëra atij, po ai thoshte firmoseni se ajo s’ka për t’u bërë kurrë po për sa kohë kemi marrëveshjen, ja marrim votat prapë dibranëve”.

Ndërkohë që ne nuk e kemi bërë rrugën e Arbrit për t’i marrë votat dibranëve. Nuk e kemi bërë rrugën e Arbrit sepse rruga e Arbrit në të gjitha dokumentet dilte në një rrugë me një ndonjë ë përfitueshmëri të e madhe, siç i masin përfitueshmëritë këta shkencëtarët, por ne e bëmë Rrugën e Arbrit sepse mungesa e asaj rruge ishte boshllëku më i madh mes një shteti dhe një pjese të popullsisë së vetë dhe ne nuk mund ta linim dot një pjesë të popullsisë të ndarë nga pjesa tjetër e republikës dhe të ndarë nga pjesa tjetër e popullit, aq më tepër një trevë si kjo që i ka dhënë kaq shumë jo vetëm historisë së Shqipërisë, por që i ka dhënë kaq shumë në çdo hap të gjithë rrugës së vështirë të ngritjes dhe transformimit të Shqipërisë.

Kështu që gëzuar të gjithëve ditëlindjen e Partisë Socialiste  dhe mos lini askënd ta harrojë që ashtu sikundër, pa Partinë Socialiste dhe pa vendosmërinë e Partisë Socialiste në qeveri dhe pa tre mandatet e Partisë Socialiste, se tani ky është i katërti, nuk do kishte ‘’Rrugë Arbri’’, ashtu dhe pa Partinë Socialiste në krye, nuk ka Shqipëri në Bashkimin Evropian me të drejta të plota.

Dhe dua ta përshëndes këtë mikun tim këtu , se e sjell vazhdimisht shembullin se ky më ka thënë gjënë më të bukur, kur u hap tuneli dhe mbaroi ‘’Rruga e Arbrit’’, më thotë ‘’hajde me fitore se e bëre Rrugën e Arbrit, tani Dibra do të të japë vota siç nuk i ka pasur ndonjëherë PS”.

I thashë –po jo, mo- votat më duhen – i thashë, se duhet të shkojmë në Bashkimin Evropian.

“Dëgjo”, -më tha mua, “fiksimi im ishte ‘’Rruga e Arbrit”- tha. “Fiksimi yt”, –tha, “është Bashkimi Evropian. Ne do të të mbështesim ty”.

Shumë faleminderit edhe vetëm përpara me fiksimet tona.

Faleminderit!