The Socialist Party of Albania

Kryetari i PSSH Edi Rama: Shumë faleminderit! Shumë faleminderit për mikpritjen! Kur erdhëm këtu mu kujtua që disa vite më parë, këtu nuk kishte një park si ky, por kishte mbeturina, disa rrënoja dhe shumë ferra dhe ishte praktikisht një zonë ku askush nuk vinte sepse nuk ftonte askënd. Sot ky park është një park i qytetit, është një park ku njerëzit e të gjitha moshave venë e vijnë dhe është një park fantastik ku ne mblidhemi për të mbjellë pemën e fitores së radhës.
Në këtë fushatë për hir të së vërtetës ne e kemi pak më të lehtë sesa në gjithë fushatat e tjera që unë mbaj mend sepse kemi shumë punë të bëra që flasin vet, kemi rezultate të arritura që janë më shumë sesa fjalët dhe patjetër për shkak të punës dhe të rezultateve të arritura kemi edhe më shumë besimin tek vetja dhe tek njerëzit se do të mund t’i bëjmë të gjitha ato që duam të bëjmë dhe që do ta përmbushin këtë pjesë të misionit të PS që i takon kësaj gjenerate.
Kur unë kam ardhur në Gjirokastër në fillim kishte vetëm një hotel. E njëjta gjë në Përmet! Në Tepelenë s’kishte asnjë hotel! E njëjta gjë dhe jo vetëm kaq, por kur ne e kemi nisur këtë punë dhe këtë përpjekje të madhe nuk kishte një njeri, besoj unë, që të imagjinonte që Memaliaj mund të vinte një ditë dhe të hapte sezon turistik. Ndërkohë që Gjoleka do hapë sezonin turistik për vitin e dytë radhazi.
Në Gjirokastër vinin, numri mesatar i turistëve ishin 6-7 mijë dhe vinin dhe iknin dhe ata pak që qëndronin, qëndronin në atë të vetmin hotel që ishte dhe kjo nuk ndodhte as para 100 vjetësh, as para 50 vjetësh. Kjo ndodhte deri përpara 7-8 vjetësh. Sot Gjirokastra me shifrën e vitit të kaluar ka shkuar në 200 mijë turistë dhe nga një, Gjirokastra ka vetëm në qendrën historike 150 mundësi, 150 dyer të hapura, 150 bujtina që janë si hotele butik, njëra më e bukura se tjetra dhe të tjera janë në ndërtim dhe të tjera akoma po projektohen dhe tani më shpejtësinë që Gjirokastra ka marrë, do duhen shumë më pak vite sesa ato që u deshën për ta çuar në gjysmë milioni turistë.
Përmeti s’kishte këmbë turisti dhe ata pak që ktheheshin nga rruga që vinin në Gjirokastër, nuk kalonin asnjë natë në Përmet. Sot Përmeti është kthyer në një destinacion turistik që vetëm rritet jo nga viti në vit, por nga muaji në muaj dhe muajin e shkuar që akoma nuk është sezon i plotë në Gjirokastër janë regjistruar 12 mijë turistë që kanë qëndruar. Bëni shumëzimin dhe këtë vit do ta mbyllim përsëri me një numër shumë më të madh sesa 200 mijëshi i vitit të kaluar dhe ai gjysmë milionëshi do të arrihet në një periudhë kohe shumë më të shkurtër sesa mund të mendohet.
Tepelena turizëm as që mund të bëhej fjalë. Tepelena ishte një vend ku njerëzit e vendit që ishin larguar ktheheshin ose për dasma ose për vaki dhe kush s’martohej gjënë e parë që kishte në mendje ishte të ikte. Sot Tepelena ka 15 mijë turistë të numëruar vitin e shkuar dhe patjetër që numri i turistëve në Tepelenë do vijë duk u rritur në mënyrë eksponenciale njësoj si në Gjirokastër, njësoj si në Përmet, njësoj si në Memaliaj, njësoj si në Këlcyrë, njësoj si në Dropull, njësoj si në Libohovë. Cfarë ishte Libohova përpara sesa ne të merrnim përsipër ta ndryshonim? Libohova ishte një vend i shkretë. Dukej si ato filmat “ëestern” ku në rrugë s’ka asnjeri, është vetëm një rrugë, s’ka asnjëri dhe ti pret kush do dali nga ndonjë derë me kapele kauboj dhe kë do qëllojë dhe kush do vijë me një kalë. Sot Libohova është destinacion turistik dhe i gjithë qarku është ndezur si një motor ekonomik që vetëm do t’i rrisim kuajt fuqi muaj pas muaji, vit pas viti dhe pa diskutim atë që po shikojmë sot si përfitim të drejtpërdrejtë, si rritje të ekonominë së tyre familjare, pionierët e parë që shtohen ditë pas dite të industrisë së turizmit në këtë qark, do ta shohin gjithmonë e më shumë nga ata që në emigracion kanë bërë kursime dhe që kanë filluar të kthehen ose kanë filluar t’i çojnë kursimet këtu për të hapur të tjera dyer.
Industria e turizmit është ajo që është baza e rritjes tonë dhe Shqipëria, kampione e Ballkanit në turizëm në 2030 do të thotë një Shqipëri që bën turizëm jo thjeshtë në disa pika në bregdet si deri dje, por në 28 mijë kilometrat e saj katror ku çdo kilometër ofron bukuri, kush më shumë se tjetri.
Natyrisht që kjo nuk ka ardhur rastësisht, kjo nuk ka ardhur as sepse papritur njerëzit menduan që të merren me turizëm, por kjo ka ardhur sepse ne kemi bërë investime masive në infrastrukturë. Sot infrastruktura që sjell në Gjirokastër, që çon në Tepelenë, që çon në Dropull dhe kështu me radhë dhe brenda bashkive dhe që lidh bashkitë me njëra tjetrën, nuk ka të krahasuar me infrastrukturën që ishte. Sot ne bëjmë një fushatë e cila është e para fushatë qysh se ka zgjedhje në Shqipëri vendore ku nuk flitet për ujë të pijshëm. Sot të gjitha bashkitë e kësaj zone, ashtu sikundër të gjitha bashkitë e Shqipërisë, përjashto Shkodrën dhe pjesë të caktuara të vogla në çdo bashki janë të mbuluara me ujë të pijshëm 24 orë. Dhe sot ne mbulojmë me ujë të pijshëm më shumë konsumatorë sesa mbuloheshin dhe atë kohën përpara kohës së këtyre që kanë humbur vulën dhe duan ta kthejnë mbrapa vendin tonë.
Sot ne kemi të dhëna që as nuk do t’i imagjinonim disa vite më parë. Kush do ta imagjinonte që në Tepelenë do të investoheshin 40 milionë euro private nga njerëzit e atij vendi për struktura mikpritjeje? Askush nuk e ka imagjinuar. Dhe këto investime do të shkojmë vetëm duke u rritur.
Nga ana tjetër sot në bashkinë e Gjirokastrës dhe në të gjitha bashkitë e këtij qarku, në të gjitha bashkitë e Shqipërisë, përveç Shkodrës, kemi shkolla të rindërtuara masivisht sipas standardeve më të mirë europiane. Kemi kopshte të rindërtuara sipas standardeve më të mirë europiane. Shkollat që kanë nevojë akoma për ndërhyrje janë shumë më pak tanimë sesa shkollat ku ne kemi ndërhyrë masivisht.
Sot ne nuk kemi më problem plehrash nëpër qytetet tona, qytetet tona janë të pastra. Shkon në Tepelenë ku deri dje kur futeshe, po të ngrihej pak era të vinin plehrash përplaseshin si zogj tek xhami i makinës. E njëjta gjë në Përmet, e njëjta gjë në Memaliaj, në Këlcyrë, e njëjta gjë në Gjirokastër, por nuk është vetëm situata e plehrave në qytete, është situata e plehrave në tërësi.
Ne e kemi marrë Shqipërinë me vatra të panumërta infeksioni, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, me plehra që mblidheshin maleve dhe liheshin në anë të qyteteve dhe helmonin dynjanë dhe kalbeshin mbi tokë.
Sot, numri i këtyre vatrave është ulur në mënyrë drastike. Natyrisht që një meritë të veçantë e ka fshesaxhija juaj numër një, Mirela Kumbaro, që është dhe fshesaxhia numër një e Shqipërisë, sikur ka lindur me fshesë në dorë, ministre e Mjedisit dhe Turizmit dhe me këmbënguljen e saj, me durimin e saj, me kokëfortësinë e saj dhe me fuqinë e saj i ka vënë në rresht të gjithë kryetarët e bashkive, i ka vënë në rresht të gjitha strukturat dhe Shqipëria, nga një vend ku turistët vinin dikur dhe u mbetej në mend bukuria e natyrës dhe papastërtia e krijuar nga njerëzit, sot është një vend që i pret turistët krahëhapur, nuk ka nevojë të shohë përtokë dhe të skuqet sepse është e pastër siç nuk ka qenë kurrë ndonjëherë.
Natyrisht edhe këtu bën përjashtim bashkia e Shkodrës dhe po e përsëris, e po e përsëris e po e përsëris sepse është domethënëse kjo gjë. Shkodra është, mos t’iu vijë keq, mos t’i vijë keq askujt, është qyteti më i bekuar ndër qytetet e Shqipërisë, përsa i përket dhuratave që i ka bërë Zoti dhe besoj që nuk ka në qytet tjetër në Europë, të paktën unë nuk di, që Zoti t’i ketë dhënë lumë, t’i ketë dhënë liqen, t’i ketë dhënë det, t’i ketë dhënë mal, t’i ketë dhënë dhe alpet mbi kokë, të gjitha dhe Shkodra është bashkia më e prapambetur dhe më e papastërta e Shqipërisë. Arsyeja? Sepse në Shkodër, nga viti 1992 që bëhen zgjedhje pluraliste, Partisë Socialiste dhe kandidatëve tanë nuk i është dhënë kurrë shansi të tregojnë çfarë dinë të bëjnë dhe qysh prej vitit 1992, në Shkodër ata të tjerët vazhdojnë tu tregojnë që nuk dinë, nuk duan dhe nuk ka shans të mësojnë.
Kujt i shkon në mendje në Gjirokastër, në Tepelenë, në Këlcyrë, në Memaliaj, në Libohovë, në Dropull, në Përmet që të votojë për ta, duhet ta ketë parasysh këtë, duhet ta ketë parasysh Shkodrën, duhet të kenë parasysh në të gjitha rastet kur ata e kanë patur mundësinë të tregojnë veten këtu se çfarë kanë treguar. Kanë treguar të njëjtën gjë që tregojnë kudo, bëjnë një taraf që e mbyllin brenda pasi mbyllin derën për të tjerët, një pjesë të fondeve që mbledhin nga taksat e njerëzve i ndajnë mes njëri-tjetrit dhe pjesën tjetër e përdorin për të mbushur autobusë ku fusin punëtorët e ndërmarrjeve që duhen t’i rrinë në kokë qytetit, i nisin si turistë në Tiranë për të ngritur dy gishta dhe për të thënë “Rama Ik”, siç thonin më përpara ik ai e ik ai. Ndryshe nga përpara, sa më shumë ata thonë “ik”, aq më shumë vij.
As nuk mund ta imagjinoj e as nuk dua ta imagjinoj që në këtë qark do mund të ketë një bashki të vetme që do kthehet mbrapa, një bashki të vetme që do bjerë në ato duar, në ato duar të mbrapshta, në ato duar që dinë vetëm të shkatërrojnë dhe dinë vetëm të ngatërrojnë, në ato duar që dinë të gatuajnë vetëm helm, baltë dhe sherr sepse ne na duhet të vazhdojmë me projektet tona, ne na duhet të rrisim ritmin e punëve tona. Ne na duhet tani, mbi këtë bazë që kemi vënë, të ngjitemi shumë më lart sepse këto vite kanë qenë vite jashtëzakonisht të vështira ku përveçse na është dashur më parë të mbyllim gjithë ato gropa që ata lanë rrugëve, jemi përballur me forca të paparashikuara. Tërmeti që na ka detyruar të ndalojmë punë nëpër Shqipëri, të marrim fonde për ato punë dhe t’i çojmë për të futur në shtëpi mijëra e mijëra familje që mbetën në qiell të hapur për pak sekonda. Pastaj pandemia, që përsëri na detyroi të ndalojmë punë, shumë punë, të marrim shumë fonde, t’i çojmë për të blerë vaksina, t’i çojmë për të dhënë bonuse, për të dhënë pako rezistence.
Pastaj vjen dhe lufta, me inflacionin e me çmimin e energjisë, për të cilin vazhdojmë paguajmë nga arka e shtetit që fatura e elektrikut në shtëpitë tuaja dhe në të gjitha shtëpitë e familjeve shqiptare, në të gjitha dyert e bizneseve të vogla të Shqipërisë, të mos lëvizë asnjë qindarkë nga fatura përpara sesa çmimi të ngrihej, por çmimi vazhdon të jetë i ngritur, sado ulet, është shumë më i lartë sesa ai që ishte dhe vazhdojmë i paguajmë.
Të gjitha këto fonde, nëse nuk do kishim pasur këto goditje do të kishin shërbyer për të bërë shumë më tepër punë, do të kishin shërbyer për t’i rritur rrogat më parë sesa i rritëm e megjithatë, ngaqë ekonomia jonë sot, siç e thotë dhe raporti i fundit i Bankës Botërore, është më e qëndrueshmja në Ballkan dhe ngaqë ne e kemi krijuar tani bazën, e kemi ndërtuar tani shkallën tjetër, jemi në gjendje të bëjmë rritjen më të madhe historike të pagave që ka nisur dhe mbyllet cikli prillin e ardhshëm, duke çuar pagën mesatare në sektorin publik në Shqipëri nga 530 euro në 900 euro.
Natyrisht, kjo do të shtyjë shumë më shpejt përpara edhe pagat në sektorin privat dhe niveli i pagave në tërësi do jetë krejt tjetër, ashtu sikundër do jetë krejt tjetër dhe niveli i jetesës në komunitet në të gjitha bashkitë.
Shqipëria ka hyrë në fazën që kush do të punojë, të investojë sado pak lekë dhe ta kthejë shtëpinë e gjyshit, ta kthejë një copë të trashëguar, ta kthejë një rrënojë të kujtdo qoftë me një marrëveshje me këdo qoftë në pjesë të industrisë së turizmit, të mund të jetojë këtu në vendin e vet, që nga Qafa e Pazarit deri në majë fare të malit më të lartë rreth e rrotull, duke fituar më shumë sesa fiton dhe ka fituar duke punuar për grekët, për italianët, për gjermanët, për anglezët e për këdo qoftë.
Këtu jemi ne sot, na duhet vetëm energji, na duhet vetëm besim, na duhet optimizëm dhe na duhet vetëm punë. Të tjerat nuk na duhen, sherret e vjetra nuk na duhen! Kthimi mbrapa është vetëvrasje sepse tanimë më e keqja është mbrapa dhe më e mira është e gjitha përpara.
Nga ana tjetër, çdo shqiptar, pavarësisht se çfarë simpatish, bindjesh apo përkatësish politike ka, nuk duhet të harrojë se sot Shqipëria është më e respektuar se kurrë në sytë e botës, sot Shqipëria është më e barabartë se çka qenë ndonjëherë tjetër në çdo tryezë ku ulet. Sot Shqipëria ulet në Këshillin e Sigurimit bashkë me 15, 16, 17 shtete nga më të fuqishmet e botës .Sot Shqipëria pret të organizojë Samitin e Berlinit në Tiranë në tetor, pasi ka pritur Samitin e parë të Bashkimit Europian jashtë kufijve të Bashkimit Europian dhe pasi ka drejtuar OSBE-në.
Tani pse ndodhin të gjitha këto? Jemi bërë ndonjë superfuqi ushtarake? Kemi shpikur ndonjë raketë? Jo! Jemi bërë ndonjë superfuqi ekonomike? Jo! Jemi zmadhuar dhe jemi më shumë 28 mijë kilometra katrorë? Jo! Kjo ndodh sepse me shumë vullnet, me shumë atdhedashuri në marrëdhënie më të huajt dhe patriotizëm të shëndetshëm, me shumë aftësi dhe këmbëngulje ne i kemi bërë vend vetes dhe nuk do të kishim qenë sot në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nëse nuk do të kishim mbështetjen dhe besimin e plotë të aleatëve dhe partnerëve tanë. Nuk do të kishim qënë kurrë dot në krye të OSBE-së nëse nuk do të kishim mbështetjen dhe besimin e madh të aleatëve tanë.
Nuk do vinte BE këtu për herë të parë në historinë e vet jashtë kufijve të vet të Bashkimit Europian për të bërë Samitin nëse ne nuk do të kishim mbështetjen dhe besimi më të madh ndonjëherë të aleatëve tanë. Tani kur këta aleatë, kur këta partnerë detyrohen të ulen dhe ta shkruajnë dhe pastaj t’i vënë edhe vulën e shtetit të tyre, shtetit që është lideri i komunitetit tonë, të vendeve dhe komeve që jetojnë në shtete demokratike, SHBA-së dhe të na e tregojnë duke na e lexuar vetë, që ky individ është i padëshirueshëm për ne dhe ju lutemi shumë, hiquni këtij sepse me ne ky e ka mbyllur dhe e ka mbyllur me ne cilido që merret me këtë. Si ka mundësi që këtu të ketë akoma shqiptarë që i thonë vetes të djathtë, i thonë vetes patriotë, i thonë vetes të persekutuar, nuk e di tjetër çfarë i thonë, që nuk e marrin në konsideratë këtë? Po mirë, çfarë do bëjmë ne? Do të turpërohemi në sytë e të gjithë miqve dhe partnerëve tanë se Amerika e ka bërë me damkë në lule të ballit siç i vihen deleve ato numrat e matrikullimit, por BE qe nuk e ka këtë mekanizëm, të jeni të sigurtë dhe ju e shikoni, nuk ka më derë të hapur për Sa-Liken. Se janë bashkë! Një emër kanë! Sa-Like Floriri. Atëherë si i bëhet kësaj pune? Do t’i vëmë ne ata në pozitën që të thonë, ore po janë në vete këta? Ne u themi ,ore nuk duan ta shohin me sy këtë? Këta prapë na e vënë para syve. Këta prapë na e nxjerrin nëpër shtigje e nëpër rrëpira? Fusin kukullat e tij nëpër bashki? Ça patriotizmi është ky?
Nëse ata janë të djathtë, në emër të stërgjyshit apo gjyshit që ka qenë ballist, apo zogist, apo nacionalist, apo antikomunist, apo në emër të xhaxhait që ka qenë i pushkatuar, apo në emër të dajës që ka qenë i syrgjynosur, i internuar? Atëherë ata duhet ta mendojmë mirë këtë gjë. Sepse të tërë ata që përmenda, stërgjyshi, gjyshi, daja, xhaxhai do rrotullohen në varr në 14 maj nëse pasardhësit e tyre në emër të atyre dhe të djathtës do nisen te qendra e votimit e do votojnë atje “bashkë fitojmë” me Like Floririn. Si fiton me Like Floririn? Ça fiton?
Me Like Floririn fiton vetëm Monika dhe ndërkohë merr oksigjen Sa-Likja. Kjo nuk duhet të ndodhë, kjo është turp dhe kjo nuk është se nuk duhet të ndodhë se do na pengojnë këta ne që të fitojmë në Gjirokastër, e të fitojmë në Tepelenë, e të fitojmë në pjesën dërrmuese në mos të të gjitha bashkive të Shqipërisë. Jo! Kjo nuk duhet të ndodhë sepse është të ulësh flamurin tënd kombëtar. Nëse sot flamuri jonë kombëtar është më lart se asnjëherë tjetër, kjo s’diskutohet që është merita jonë që udhëheqim këtë vend dhe kemi ngritur në dinjitet dhe në respekt, por kjo vjen patjetër dhe ua thashë dhe mos harroni kurrë, sepse janë ata aleatët strategjikë dhe miqtë e partnerët tanë të mëdhenj që na mbështesin. Pa mbështetjen e tyre e kemi parë ne ku vemi. Na bëhet jeta si një qafë pazari siç ishte përpara se sa të rilindte në kujdesin e Mirelës e në kujdesin e kryetarit të bashkisë e të tjerëve. Ashtu e doni?
Prandaj duhet harruar ajo alternative! Duhet harruar sepse ajo alternativë është jo kthim prapa. Është kthim prapa me kokën poshtë dhe me bishtin ndër shalë.
Në fund fare dua t’ju them këtë. Ju e keni dëgjuar dhe më parë. Kur kam ardhur këtu dhe kam thënë, jepini Flamurit, Tërmetit, Almës, Klementit, Tolit mandatin dhe pastaj Gjolekës më pas, që të bëjmë edhe më shumë se ç’kemi bërë. Tani po ju them, dilni masivisht atje, jepuni gjithë këtyre djemve dhe asaj gruas nga Përmeti fuqinë tuaj dhe në 4 vitet e ardhshme do të bëjmë katërfishin e atyre që kemi bërë në të gjitha vitet që jemi duke punuar së bashku, sepse sot ky qark është i lidhur i gjithi. Sot nisesh për Tepelenë dhe zbret e del në detin Jon, në një udhëtim shumë të thjeshtë dhe anasjelltas. Sot kush vjen në Gjirokastër, nuk vjen më vetëm në Gjirokastër. Ka kaq shumë për të parë dhe për të bërë dhe ajo që duhet të bëjmë ne, është t’i mbajmë sa më gjatë, mos t’i lëshojmë. Të rrinë jo një ditë e dy, por të rrinë 5,6,7 ditë dhe t’i lënë këtu të gjitha lekët qe kanë fituar, për pushime.
T’ lënë tek njerëzit tanë, tek familjet e njerëzve të zakonshëm që të fuqizohen dhe e nesërmja, rruga që sapo nisim në 14 maj, është pikërisht rruga e fuqizimit të ekonomisë, të njerëzve të zakonshëm. Prandaj lërini, jo ju, por ata, ndarjet absurde dhe të jemi të bashkuar, jo të gjithë në Partinë Socialiste, por të gjithë për të ecur vetëm përpara se në 14 maj, nuk do shkojnë në stadium për ta ndarë se cila fanellë do ngrejë kupën. Në 14 maj çdo prind shkon atje me votën e vetë të vendosë kë do të marrë komuniteti në punë për 4 vitet e ardhshme që të ndërtojnë çerdhet, kopshtet, shkollat që mungojnë, të mirëmbajë ato që janë, t’i ngrohë dhe tua bëjë jetën më të lehtë prindërve duke i trajtuar më mirë fëmijët dhe kështu më të moshuarit dhe kështu familjet dhe kështu të gjitha dhe me këto nuk bëhet shaka.
Nuk lihen fëmijët pa ngrohje në kopsht për të sjellë një kukull të Sa-Like Floririt në bashki. Nuk lihen të moshuarit pa parqe! Shiko si mirëmbahen këto parqe! Kështu mirëmbahen të gjitha parqet që janë në bashkitë tona dhe të kthehen plehrat këtu që të moshuarit të ikin nga sytë këmbët e të mos kenë nga të ulen për të bërë muhabet apo për të bërë ato lojërat e tyre. Nuk lihen! Nuk tradhtohet shtëpia, nuk tradhëtohen njerëzit e familjes se ti ke në dorë votën dhe me votën tënde merr në qafë kalamajtë që nuk votojnë akoma. Kështu që t’i thërrasin mendjes dhe prapë këtu e kam një prapë një kërkesë për gratë që janë këtu, se burrat e kanë mendjen që të ulen nëpër kafene të luftojnë parti me parti. Gratë janë ndryshe se gratë nuk kanë kohë për të humbur. Gratë nuk kanë kohë të rrinë në kafene të merren kush parti është më e mira. Prandaj gratë të mos lënë gjitone, të mos lënë kushërirë, të mos lënë krushk, mos lënë grua tjetër në Pazar që e ka burrin me probleme politike në kokë, pa i thënë hajde shkojmë bashkë ta kapim burrin tënd e ta sjellim në vehte.
Janë disa që nuk vijnë në vete. Inkurajojini gratë e tyre t’i mbyllin brenda në shtëpi.
Në 14 maj ata të lajnë xhamat. Në 14 maj ata të bëjnë gjellën. Në 14 maj ata të vënë përparësen dhe ta presin gruan me byrek në dorë pasi ajo të ketë votuar Flamurin, Tërmetin, Klementin, Dhimitrin, Almën, Gjolekën edhe Nardin se harrova që kemi dhe Libohovën. Se kemi një në Libohovë që është gati t’iu varrosë falas. Ai thotë më jepni votën, varros falas gjithë Gjirokastrën. Një tjetër në Tepelenë kishte dalë me megafon në kafe dhe ishte vetëm, s’e dëgjonte njeri. Këtu në Gjirokastër nuk e di kush është fare por s’na intereson.
Ujë falas, varrime falas, zhurmë falas, plehra falas të gjitha falas i keni me ta kështu që e dini mirë ju se çfarë vjen pas asaj ‘’falas’’. Jo të të varrosin falas, po mos të të lënë të vdesësh rehat.
Ju falenderoj shumë dhe kam një surprizë të vogël për ju po më ndihmuan dhe nuk më lanë në baltë. E kam mësuar këtu nga Mirela pastaj e kam provuar me të gjithë ju që po the Gjirokastër i ke thënë të tëra.