Gjirokastra e rilindur, e transformuar nga themelet në qytetin turistik më terheqës e me një potencial të jashtëzakonshëm për të ecur përpara, mikpriti sot takimin elektoral, ku në vend të tribunave dhe mjeteve të propagandës u mbollën fidanë të rinj, ashtu si në çdo qytet tjetër të Shqipërisë, ku në fund të kësaj fushate do të numërohen mbi 25 mijë pemë të reja, falë kontributit të drejtëpërdrejtë të PS.
* * *
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Shumë faleminderit për këtë mikpritje!
Ndjesë për vonesën dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që ndalesën e parë sot e kemi këtu në këtë pikë të këtij qyteti magjik, e cila ishte një pikë e fshehur prej shumë e shumë vitesh për shkak të pamundësisë të aksesit dhe sot ne jemi këtu sepse ka një akses të ri. Më në fund, bypass-i i qytetit është një realitet dhe së bashku me parkingun nëntokësor në sheshin e Çerçizit, janë dy vepra të reja që do ta lehtësojnë tërësisht zonën historike nga makinat dhe do ta bëjnë shumë më të jetueshme dhe shumë më tërheqëse Gjirokastrën për këmbësorët duke rritur ende më shumë vlerën e pronës, duke rritur ende më shumë atraksionin turistik të saj.
Sigurisht që është dashur kohë për t’i bërë këto punë, por unë do të doja për një moment të kthenit sytë mbrapa dhe të shikonit nga sa larg e kemi nisur punën dhe sa rëndë ishte Gjirokastra kur ne morëm detyrën dhe çfarë indiference, çfarë braktisje, çfarë përbuzje pati për këtë qytet në vitet e qeverisjes së atyre që nuk duhet të kenë më asnjë shans, jo këtu, por askund në Shqipëri.
Mua më vjen mirë që sot ne jemi në gjendje të flasim përmes punëve; kemi bërë shumë. Ngado të hedhësh sytë nga bashkitë tona flasin punët pavarësisht faktit dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm për këtë dhe pikërisht sepse ne jemi të vetëdijshëm dhe pikërisht sepse ne nuk flemë mbi dafina dhe pikërisht sepse ne e dimë që çka duhet bërë është ende më shumë sesa është bërë, meritojmë mbështetjen dhe besimin sepse kemi treguar që dimë t’i shikojmë plagët, kemi treguar që dimë tua gjejmë plagëve ilaçin, kemi treguar që dimë t’i kurojmë plagët dhe kemi treguar që kemi durimin e madh për të këmbëngulur deri në shërimin e tyre.
Ne po bëjmë një fushatë, siç e shihni, një fushatë krejt ndryshe nga të tjerët dhe nga fushatat tona të tjera, një fushatë me shumë më pak shpenzime për propagandën elektorale dhe me një pjesë të shpenzimeve që shkojnë për të blerë dhe për të dhuruar pemë për të gjitha bashkitë ku ndalemi dhe më vjen shumë mirë që në fund të kësaj fushate, përveç rezultateve, qyteteve tona do t’i mbeten edhe 25 mijë e kusur pemë më shumë, falë kontributit të drejtpërdrejtë të Partisë Socialiste.
Ashtu sikundër, patjetër më vjen shumë mirë që këtu me Mirelën bashkë nuk vijmë thjesht për të vënë theksin tek punët që kemi bërë në nivelin vendor, por vijmë dhe me supet e lehtësuara nga një barrë shumë të madhe që kemi ndjerë të gjithë gjatë gjithë kohës që ka pasur dhe ka të bëjë me xhepin e njerëzve, që ka pasur dhe ka të bëjë me të ardhurat e familjeve, që ka pasur dhe ka të bëjë me pagat e tyre dhe sot falë gjithë atyre përpjekjeve, mundimeve, sakrificave që njerëzit kanë bërë duke i mbështetur dhe duke i pranuar reformat tona, ne kemi filluar rritjen më të lartë historike të pagave në Shqipëri e cila sot ka nisur konkretisht dhe në harkun nga prilli në prillin e ardhshëm do bëjë që paga mesatare e atyre që kontribuojnë në sektorin publik në Shqipëri të jetë 900 euro, nga 530 që e kemi pasur përpara nisjes së këtij operacioni masiv financiar për të fuqizuar ekonominë e familjeve të atyre që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri dhe kjo e shoqëruar edhe me rritjen edhe më të madhe të pagave në sektorin privat.
Kemi çuar në 40 mijë lekë pagën minimale, përtej parashikimit të programit tonë, por edhe përtej parashikimit të programit të atyre që ju e dini si i bëjnë programet, premtojnë nënë e babë se nuk kanë gjë në dorë dhe edhe ata pagën minimale e parashikonin 38 mijë lekë deri në fund të 2025. Ne sot e kemi 40 mijë lekë, duam ta kemi 45 mijë lekë deri në fund të këtij mandati, por ambicia jonë është që të shkojmë me patjetër në 60 mijë lekë pagë minimale. Pa 60 mijë lekë pagë minimale, detyra jonë është e pa përmbushur.
Ashtu sikundër ne thuajse i kemi dyfishuar të ardhurat për frymë. E kemi nisur këtë rrugë me 3300 euro për frymë, jemi në 6400 euro, por pa shkuar në 10 mijë euro për frymë, detyra jonë është e papërfunduar.
Kështu që, unë do t’iu thoja të gjithëve, është koha e një kapërcimi të gardhit edhe për ata të cilët janë mësuar të qëndrojnë në anën tjetër te gardhit, në emër të ndarjeve ideologjike, e djathta-e majta, PD-PS, ne – ata. Nuk ka ne – ata kur punojmë për të garantuar një qytet apo një fshat më të mirë për shqiptarët që jetojnë në atë qytet apo fshat, nuk ka ne dhe ata kur bëhet fjalë për të pastruar dhe për të mbajtur pastër mjedisin e përbashkët ku jetojmë, nuk ka ne dhe ata kur bëhet fjalë për të pasur më shumë gjelbërim, për të pasur komunitete që jetojnë në vendbanime të ndriçuara, për të pasur çerdhe, kopshte, shkolla që kemi treguar që dimë t’i bëjmë si në Europë shpeshherë, si shkollat, kopshtet dhe çerdhet më të mira në Europë me fondet publike. Nuk ka ne dhe ata kur do mendosh në 14 maj se për kë do japësh votën që të marrësh në punë në shërbimin tënd, në shërbim të familjes, në shërbim të komunitetit, në shërbim të qytetit tënd. Këtu bëhet fjalë për të marrë në punë dikë, këtu nuk bëhet fjalë për të ndarë sinorët politike, këtu nuk bëhet fjalë për të ndarë me tifozllëk sa të fortë jemi ne e sa të fortë janë ata dhe anasjelltas; këtu bëhet fjalë për të angazhuar njerëzit e duhur dhe për t’i gjetur punës njerëzit dhe jo njerëzve punë. Ky është dallimi më i madh në këtë fushatë!
Më besoni, e shikoj siç shoh këtë diell këtu përballë që ky është dallimi më i madh në këtë fushatë; ka forca përballë nesh që duan t’i gjejnë njerëzve punë nëpërmjet votës ndërsa ne jemi forcë që duam që punës t’i vëmë në dispozicion njerëzit dhe njerëzit e duhur duke bërë punën në krye të bashkive, duke bërë punën në krye të gjithë sektorëve, bëjnë që puna e përbashkët e të gjithëve, të majtë e të djathtë, socialistë e demokratë, qytetarë të zakonshëm të këtij vendi, të shkojë përpara. Përndryshe, ne kthehemi mbrapa.
Në Gjirokastër ne kemi një shembull, kemi Libohovën. Ne nuk kemi pasur mundësi ta drejtojmë Libohovën për shumë vite. Ka qenë, siç quhet ndryshe, bastion i djathtë. Bastion i djathtë do të thotë bastion i papastërtisë, bastion i dembelizmit, bastion i një klani që sundon qytetin apo fshatin, bastion ku paratë nuk dihet se ku shkojnë, bastion ku nuk mbillet asnjë pemë, bastion ku plehrat rrinë dy e tre ditë mbi kaza, siç rrinë në Shkodër sot e gjithë ditën për turpin e dheut. Bastion pa kopshte, bastion pa çerdhe, bastion pa shkolla, bastion me shërbime mizerabël ndërkohë që njerëzit, ata që votojnë kanë përgjegjësi të madhe jo vetëm për vete por edhe për fëmijët e tyre.
Kur shkon të votosh do mendosh edhe nëse ai që ti po voton, do ta bëjë më të mirë apo do ta prishë çerdhen, kopështin, shkollën? Apo do ta lërë fare pa çerdhe e pa kopësht? Dhe Libohova na dha mundësinë që ne ta drejtojmë dhe ndryshimi është nata me ditën. Në Libohovë kur unë kam vajtur për herë të parë, i kam bërë pyetjen vetes, si ka mundësi që këtu jetojnë njerëz që vazhdojnë akoma të dalin nga shtëpia në mëngjes e të kthehen në shtëpi në darkë kur këtu s’kanë absolutisht as edhe një shërbim, nuk kanë asnjë shenjë që këtu ka ndryshuar diçka, ka ndryshuar sistemi, ka ardhur një tjetër sistem, kur këtu gjithçka është rrënim? Me ato godina që dukeshin sikur mbanin njëra-tjetrën që të mos binin të gjitha në tokë bashkë. Pa asgjë. Zero.
Shkoni në Libohovë sot. Kush shkonte në Libohovë më parë për turizëm? As që bëhej fjalë.
Sot Libohova a filluar të kthehet në një destinacion turistik dhe ka potencial që të bëhet një na destinacionet turistike më të fuqishme të gjithë këtij qarku që është një nga pikat më të forta të turizmit në Shqipëri.
Mirëpo kjo nuk ndodh vetë. Këtë nuk e bën Zoti, këtë e bëjnë njerëzit me ndihmën e Zotit.
Dhe këtë e bëjmë vetëm ne, nuk dinë ta bëjnë ata të tjerët. Fare. Se po të dinin, do të mund ta tregonin sot pas 31 vjetësh që ka zgjedhje vendore pluraliste në Shqipëri, do të mund të na tregonin një komunë. Mund të na tregonin një bashki. Një bashki, një komunë ku kanë bërë diçka dhe të mund të thoshin: “jo, mo edhe ne dimë ta bëjmë’’.
Do na tregonin një. Nuk ka ça na tregojnë. Shikoni Shkodrën. 31 vjet e kanë pasur në dorë falë një mbështetjeje dhe një besimi të verbër, një fanatizmi politik dhe Shkodra sot është qyteti më i papastër i Shqipërisë, për turp të Zotit.
Nuk ekziston më në qytetet tona, në qytetet që qeverisën nga ne. Nuk ekziston më që kazanët të rrinë mbushur dhe mbuluar nga plehrat. Nuk ka më. Sot ne kemi qytete të pastra. Të gjithë të huajve që vijnë dhe që unë i takoj, dhe që Mirela i takon, i bën përshtypje që sa pastër është Shqipëria sepse përveç meritës së drejtueses tuaj që përveç të tjerave paska qenë një Gjiro që paska lindur me fshesë në dorë, po dhe nuk e dinim, se ka kaluar shumë kohë, ka humbur shumë kohë kot si përkthyese se duhet të kishte marrë fshesën që e vogël e t’i dilte Shqipërisë me fshesë lart e poshtë, po nuk është thjesht çështje individësh një e dy, është çështje kulture politike, çështje e një kulture qeverisjeje, është çështje e një përgjegjësie.
Ata nuk e kanë. Nuk ekziston fare. Atyre jepi çelësin e një zyre, aty brenda bëjnë çetën e tyre dhe nuk ka më lidhje ajo çetë me ata që e fusin çetën në zyrë. Nuk ka, kështu që zgjedhja është shumë e thjeshtë.
Shikoni Dropullin. Ne në Dropull sot kemi ça themi, kemi ça tregojmë edhe pse ka akoma shumë për të bërë edhe në Dropull. Kjo zonë është e goditur shumë nga emigracioni për shkak të afërsisë me Greqinë jo vetëm gjeografike, por edhe për shkak të një afërsie që ka të bëjë me minoritetin, ka të bëjë me gjuhën dhe unë ju siguroj qe nuk është e largët, është gjithmonë e më afërt dita kur gjithmonë e më shumë do të kthehen për të pasur këtu biznesin e tyre të vogël, për të bërë këtu agroturizmin e tyre, për të bërë këtu atë që bëjnë ata qe kanë dhuratë nga paraardhësit e tyre dhe nga fati i të qënit të lindur në vende të tilla, vënien në dispozicion të ekonomisë të madhështisë së natyrës dhe të madhështisë së trashëgimisë kulturore. Tani me kë do diskutojmë trashëgiminë kulturore , kujt mund t’i lihet, se për të lënë s’do lëmë asgjë, po kujt mund t’i lihet trashëgimia kulturore në dorë që ta administrojë e që ta bëjë përveç se Partisë Socialiste dhe përveçse, që mos t’ju flas pastaj për Tepelenën se po fillova të flas pastaj për Tepelenën, rëndohet biseda. Një xhep fallco atje ku hynin e dilnin vetëm ata tepelenas që o kishin mbetur aty, o vinin për ngushëllime për ndonjë vaki dhe nuk ndalonte njeri ,fare. Vetëm unë ndaloja për të përqafuar Tërmetin kur ishte i vogël, edhe më thoshte: “komandant, aman mor aman, aman të vijë dita ma lër mua këtë, aman”.
Mirëpo ja ku jemi sot, erdhi dita! Erdhi dita dhe jo Tepelena por falë Tepelenës gjithë qarku ka edhe një dalje në det atje nga ana tjetër. Te shkurtër fare nëpërmjet rrugës.
Urdhëro? Ky ka hallin se do dy dalje. Do dalje edhe nga Vlora se atë ‘’Vetëm Përpara’’ , Tërmeti e lexon jo vetëm Përpara me Tërmetin, po e lexon Përpara vetëm për Tërmetin.
Shumë faleminderit! Nuk po ju mbaj më se është edhe diell , i bukur por gjithsesi është kënaqësi e madhe të jem në Gjirokastër se këtu nuk diskutojmë ne as rezultat asgjë, këtu diskutojmë vetëm si të shkojmë akoma përpara dhe tani radhën e kanë gjithë këto pjesë të qytetit që tani i zbulohen dhe syve dhe kanë nevojë për ndërhyrje. Me bonusin e ri jetësimit kemi shumë shtëpi të tjera që po rregullohen por ndërkohë kemi folur edhe me Flamurin për pjesën e atyre shtëpive që kanë nevojë për ndihmë, për mbështetje, që kanë bërë ndryshime rrugës dhe që natyrisht nuk do të mund të prishen, prandaj duhet të adaptohen, të axhustohen, të zbukurohen në mënyrë që çdo shtëpi gjirokastrite të prodhojë para duke qëndruar aty e bukur, e hapur edhe pastaj se sa i jepni atyre që vijnë dhe sa u mbani në frigorifer për herën tjetër, e dini vetë ju. E keni vetë merak.
Shumë faleminderit