The Socialist Party of Albania

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin elektoral të zhvilluar në Kuçovë

Faleminderit! Shumë faleminderit për ketë mikpritje, që si gjithmonë këtu në Kuçovë është shumë e ngrohtë, shumë vëllazërore dhe shumë kuptimplotë për ditën e votimit sepse këtu në Kuçovë ne nuk diskutojmë rezultatin, por thellësinë e rezultatit.
Pavarësisht kësaj, këtu në Kuçovë ne kemi gjëra për të thënë sepse edhe pse kemi bërë shumë, kemi bërë shumë pak në krahasim me çfarë meriton një popull fantastik për gjithë mbështetjen që i ka dhënë, i jep dhe do t’i japë Partisë Socialiste, por edhe për virtytet e tij, për vullnetin e tij, për durimin, këmbënguljen sakrificat e tij.
Më vjen shumë mirë ndërkohë që këtu në Kuçovë është duke u ndërtuar një aeroport, i cili jo vetëm rrit në mënyrë shumë domethënëse, sigurinë, jo vetëm të vendit tone, por edhe Ballkanit, por duke u ndërtuar këtu, si një infrastrukturë e NATO-s përbën një burim të ri dhe shumë domethënës, për ekonominë, për punësimin dhe për të ardhmen e këtij komuniteti. Kur ne e kemi thënë këtë në fillim, pakkush e besonte, por ja që tani ky kantier është një realitet dhe ju të gjithë e keni prekur me sytë tuaj.
Nga ana tjetër edhe këtu në Kuçovë si në të gjithë Shqipërinë ku ne kemi drejtuar bashkitë, më vjen mirë se në këtë fushatë, më shumë se asnjë fushatë tjetër kemi shumë fakte, kemi shumë punë, të cilat flasin më mirë se fjalë dhe një ndër faktet është ky, park i cili deri para pak vitesh ishte një rrënojë industriale, ishte burim ndotjeje, por edhe një kartolinë dëshpëruese.
Sot, ky park është një kartolinë shumë e bukur për Kuçovën dhe ne nuk do të ndalemi me kaq sepse këtu ka nevojë edhe për të disa gjëra të tjera që parku të kompletohet me ambiente, me infrastrukturë sportive, me infrastrukturë për fëmijët më të vegjël dhe të gjitha këto do t’i bëjmë, që në fund fare kur të jetë plotësisht i kompletuar ky të jetë parku urban më i bukur i Shqipërisë sepse ky është më i madhi.
Nga ana tjetër më vjen shumë mirë që ne në këtë fushatë mund të flasim për kthesën e rëndësishme të madhe që po merr ekonomia shqiptare. Kemi pasur shumë probleme të trashëguara, kemi pasur dhe probleme të jashtëzakonshme të krijuara nga forca që nuk mund t’i parashikonim dhe i kemi përballuar me shumë angazhim, me shumë këmbëngulje, me shumë durim.
Ju e dini mirë se çfarë gropash, çfarë borxhesh, çfarë katrahure na lanë atë që pa asnjë turp në fakt kërkojnë të kthehen përsëri për të tërhequr përsëri Shqipërinë prapa dhe pastaj kini parasysh se çfarë furtunash na erdhën përpara nga tërmeti tek pandemia, tek pasoja e agresionit rus në Ukrainë me inflacion, me çmimin e energjisë dhe për të gjitha këto na është dashur të shpenzojmë shumë para për të mbrojtur çdo familje shqiptare sepse një qeveri nuk mund t’i bëjë dot të gjitha edhe sikur të jetë qeveria më e mirë në botë. Një qeveri mund të bëjë dhe çdo qeveri bën gabime, ne kemi bërë shumë punë, por nuk jemi krenarë për çdo gjë që kemi bërë, por ama një qeveri në radhë të parë duhet të mbrojë njerëzit e vendit të vet kur mbi ta vijnë gjëra të paparashikuar dhe ne kemi mbrojtur çdo familje që u prek nga tërmeti, kemi mbrojtur të gjitha familjet e të gjithë shqiptarëve që u prekën nga pandemia dhe vazhdojmë të mbrojmë familjet edhe nga goditja e çmimit të energjisë sepse në faturën tuaj, në faturën e të gjitha familjeve pa dallim nuk ka asnjë qindarkë më shumë se sa para se të rritej çmimi.
Ndërkohë dhe që sot që flasim fatura juaj nuk tregon çmimin e vërtete i cili është ai që ju paguani, plus asaj që paguan qeveria pikërisht që kriza e çmimit të energjisë që është një krizë globale botërore e europiane të mos vijë në shtëpinë tuaj dhe unë jam shumë krenar në radhë të parë për këtë, që me Partinë Socialiste, Shqipëria dhe shqiptaret kanë një qeveri që i mbron nga goditjet, por kanë edhe një qeveri që i nderon në arenën ndërkombëtare. Një qeveri që ia ka ngritur Shqipërisë dinjitetin si asnjëherë më parë, që e ka ngritur flamurin kombëtar në një lartësi që s’ka qenë kurrë më parë.
Një qeveri e cila sot e ka ulur Shqipërinë në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ky flamur qëndron bashkë me 15-16 flamuj të tjerë që janë flamuj fuqi shumë të mëdha.
Ndërkohë që, Shqipëria është shumë e vogël dhe kjo kthesë ekonomike është pikërisht tek këto fakte sepse pavarësisht se na është dashur të vonohemi me projekte për të cilat i kemi pasur fondet, por na kanë detyruar rrethanat që fondet t’i marrim për të ndërtuar shtëpitë, për të ndërtuar shkollat, kopshte e çerdhe, për të ndërtuar spitale të rrëzuara apo të bëra të papërdorshme nga tërmeti. Megjithëse na është dashur të marrim shumë fonde për të blerë vaksinat që të gjithë t’i marrin falas për të marrë paketat e mbrojtjes të rezistencës ndaj COVID, për të mbështetur familjet në faturën e energjisë elektrike, prapë se prapë sot kemi nisur rritjen më të lartë historike të pagave e cila ka nisur me mjekët, infermieret, arsimtarët, punonjësit e sigurisë, por nuk ndalet këtu sepse hap pas hapi, deri në prillin e ardhshëm pagën mesatare do ta çojmë në 900 euro ashtu skundër kemi rritur dhe pagën minimale në 40 mijë lekë. Do ta bëjmë 45 mijë lekë të reja deri në fund të mandatit, por nuk do të ndalemi dhe nuk e quajmë detyrën tonë të kryer pa e çuar në 60 mijë lekë pagën minimale. Të gjitha këto bashkë, së bashku me nevojën për të vazhduar më tutje përpara se ka shumë punë akoma për të bërë, e bëjnë të domosdoshme që të gjithë shqiptarët të kenë vetëdije të plotë se për çfarë votohet në 14 maj.
Në 14 maj është një zgjedhje më e qartë se kurrë ndonjëherë, nga njëra anë është Partia Socialiste me kandidatët e saj. Asnjë nga kandidatët tanë nuk ka rënë nga qielli, asnjëri, asnjë nga ne nuk është i përsosur, të gjithë jemi shqiptarë si gjithë shqiptarët, me të mirat dhe të metat tona, por ama, kandidatët e tyre janë faqja më e zezë ndër shqiptarët, janë kandidatët e faqes së zezë të atyre të dyve që i kanë marrë dhe i kanë vënë për tu turrur nëpër bashkitë e vendit kë të mund të marrin peng. Janë kandidatët e faqes së zezë të një gërdalle 80 vjeçare që ju e keni njohur që ditën e parë dhe që Kuçova bashkë me disa komunitete të tjera ka meritën që nuk ia ka ngrënë kurrë, asnjëherë, për asnjë moment asnjë kafshatë të sapunit për djathë, por sa herë është shfaqur këtu e ka kthyer mbrapa me bisht ndër shalë.
Ama, sot kjo gërdallë me faqen e zezë të shumë të zezave që ka bërë, por të nxirë nga një damkë me shkrim dhe me vulë të aleatëve tanë më të mëdhenj, të cilët e kanë deklaruar, jo për të, por për të gjithë shqiptarët, që ta shohin e dëgjojnë, se është një person i padëshiruar, duhet zmbrapsur në çdo orvatje për të marrë qoftë dhe një bashki peng, duke sprapsur këta kandidatë të faqes së tij të zezë dhe kuptohet që asaj faqeje të zezë i shtohet ajo e artë e floririt të Likes. Faqe arti Like Floriri që nuk lashë dy gurë bashkë, së bashku me të tjerët, për ta sjellë në rrugë të mbarë, por që për fat të keq, kaq shumë e tërhiqte dhe e tërheq zullumi sa megjithëse i mori të tëra nderet nga Shqipëria prapë tek zullumi u kthye.
T’iu flas unë për kë kanë sjellë këtu? Duhet të flas? Ia vlen të flas? Unë them më mirë asnjë fjalë, më mirë asnjë fjalë se realisht po e hapa gojën do duhet të mbyllni të gjithë hundën. Më mirë asnjë fjalë. Mjafton për të tërë këta kandidatë që kanë ardhur këtu të përfaqësojnë faqen e zezë, faqen e zezë dhe nëse sot kemi një vend që është më i respektuar se kurrë ndonjëherë në arenën ndërkombëtare, nëse sot kemi një vend që ulet në çdo tryezë si i barabartë me të barabartët, nëse sot kemi një vend që mik pret tërë Europën që vjen këtu për të bërë për herë të parë në historinë e vet, jashtë kufijve të vet mbledhjen e saj dhe do mikpresë në tetor mbledhjen e madhe të Berlinit me tërë vendet e Ballkanit dhe me kancelarin e të tjerë që përsëri do vijnë në Tiranë, kjo ndodh sepse i kemi bërë vend vetes si asnjëherë më parë, sepse na respektojnë, na besojnë dhe na mbështesin.
Jo se ne jemi bërë ndonjë fuqi ekonomike dhe ushtarake, as se Amerika dhe Europa vijnë këtu se ne u bëmë narko-shtet dhe duan të mësojnë nga ne si të trafikojnë më shumë drogë, as se jemi vendi më i korruptuar në botë dhe duan të mësojnë nga ne sesi të vjedhin, por sepse duan që, duke na bërë pjesë dhe duke na afruar kaq shumë në shoqërinë e tyre të na ngrenë më lart dhe pa ta ne nuk ngrihemi dot në lartësinë që e meritojnë ata që dhanë jetën për Shqipërinë dhe ata që lindin këtu në Shqipëri. Kur ata thonë “Ju duam afër, ju duam në shoqërinë tonë, duam t’iu marrim për dore, vetëm ju lutem mos na e sillni me vete këtë faqe të zezë”. Ne çfarë bëjmë? Ne themi “Jo se jemi të djathtë”. Të djathtë? Ç’të djathtë?
Prandaj të gjithë duhet ta mendojnë mirë në 14 maj që miqtë tanë, ndërkohë që ne do numërojmë votat për Kreshnikun, për Partinë Socialiste, nuk do numërojnë votat tona, nuk i intereson atyre sa vota merr Partia Socialiste e sa vota merr Kreshniku. Ata do numërojnë sa shqiptarë akoma nuk e kanë kuptuar, akoma nuk mbushin, që me faqen e zezë lëndojnë marrëdhëniet me ta dhe marrëdhëniet me ta janë shumë të rëndësishme sepse nëse Shqipëria sot po rritet ekonomikisht falë atyre marrëdhënieve, do rritet edhe më shumë ekonomikisht sepse do ketë edhe më shumë investime, do ketë edhe më shumë punë, do ketë edhe më shumë turizëm, por nëse marrëdhëniet me ta lëndohen, gjërat bëhen edhe më të vështira, ju e dini shumë mirë.
Kështu që, çdo familjeje mund t’i bjerë fatkeqësia që t’i dalë një dru i mbrapshtë, çdo familjeje mund t’i bjerë fatkeqësia që më i vjetri i familjes të lajthisë komplet, por çdo familje merr masa që të mos kthehet në problem për gjithë dynjanë për shkak të njërit apo për shkak të tjetrit. Unë atyre të shtëpisë time u them, po patë shenjën më të vogël që unë mund të shkoj në këtë drejtim, më mbyllni në shtëpi se unë mund të mos ta kem më mendjen në vend por në asnjë mënyrë nuk duhet t’iu turpëroj juve.
Çdo familje këtë bën dhe nuk e merr drurin e shtrembër, ta ngarkojë në krahë e të shkojë në dasëm kur e ftojnë të tjerët, apo jo? Si ne, Shqipëria, familja jonë, në këtë komunitet ku tani jemi të pozicionuar më mirë se kurrë, çfarë bëjmë ne, i themi “Ju duam juve por duam dhe këtë faqe-ziun, ne duam që të na doni por të na doni bashkë me këtë faqen e zezë”. Epo, nuk ka bashkë!
Kështu që, nuk e kam për ju, por për gjithë ata këtu në Kuçovë, aq pak sa janë, që akoma mendojnë që t’i japin një dorë faqes së zezë, akoma e mendojnë dhe duke i dhënë një dorë faqes së zezë të marrin në qafë edhe bashkinë e tyre se me kandidatët e tyre nuk ka të ardhme. Kreshniku këtu ka gjithë mbështetjen tonë, të deputetëve që janë këtu, timen personalisht dhe të qeverisë ndërsa kandidatët e tyre kanë vetëm faqen e zezë nga mbrapa. Çfarë doni tani, faqen e zezë që kanë nga mbrapa, të vijnë e ta vënë këtu përpara? Me faqen e zezë do çojmë përpara punët e Kuçovës?
E them për ata që akoma e çojnë ndër mend, se as nuk diskutohet që këtu, faqja e zezë nuk ka puthur edhe kur dukej e bardhë fare jo më sot që është e zezë dhe nxin si bloza, me atë vulën në lule të ballit, person i padëshirueshëm për aleatët dhe miqtë tanë dhe jo vetëm për Amerikën sepse Amerika dhe Britania e Madhe e kanë në sistemin e tyre, por dhe për gjithë Europën. Asnjë derë nuk u hapet në Europë atyre.
Çfarë donatorësh do vijnë këtu të financojnë, në cilëndo bashki? Çfarë do financojnë? Edhe sikur të mos ishte kështu, edhe kur nuk ka qenë kështu, më tregoni cilën bashki ata e morën, drejtuan dhe e çuan një hap përpara, ma tregoni një. Asnjërën!
Ja ku është Shkodra, që nga ’92-shi drejtohet prej tyre, asnjë ditë të vetme nuk e kemi drejtuar ne për arsye që nuk është vendi tani t’i shpjegojmë. Ashtu u duket atyre që ne jemi komunistë ndërsa ata që votojnë ata janë të djathtë. Me të djathtën e tyre u ka vajtur jeta mëngjër shkodranëve dhe Shkodra është sot bashkia më e prapambetur e Shqipërisë.
Shikoni Tropojën, e patën ata nga ’92-shi deri në 2019. 4 vjet na u dha mundësia ne, se na ngeli në dore se dihet pse historia. Në 4 vjet kemi bërë për Tropojën më shumë se ç’ kanë bërë ata në 44 vjet. Shikoni Kamzën, edhe në Kamëz e kanë pasur ata deri në 2019. Sot Kamza nuk njihet për vetëm 4 vjet. Fëmijët atje nuk shkonin dot në shkollë nga rrugët gjithë baltë, lëre që shkollat ishin pocaqi të gjitha. Në Kamëz kemi ndërtuar nga themelet 20 e kusur shkolla të reja, kopshte, çerdhe, që të mos flas për rrugë e për të tjera. Pse? Sepse ne dallojmë prej tyre, shumë dallojmë. Atyre jepu një gur në dorë e përdorin të çajnë kokën. Ne, me një gur, bëjmë dy, bëjmë tre, bëjmë 4 dhe bëjmë murin.
Kështu që, ju hëngsha zemrën të tërëve dhe faleminderit për të gjitha!