Librazhdi, i tjetërsuar falë Rilindjes Urbane, me kujdesin dhe punën e palodhur të kryetarit aktual të bashkisë, është stacioni tjetër i gjelbër, në garën për tua lënë stafetën më të mirëve, në ecjen e pandalshme vetëm përpara.
* * *
Kryetari i PSSH Edi Rama: Shumë faleminderit për këtë mikpritje të posaçme si gjithmonë këtu në Librazhd dhe më vjen shumë mirë që edhe këtu, si në të gjitha stacionet e tjera, ne kemi mundësi të flasim përmes punëve të bëra, përmes veprave të kryera, përmes zotimeve të mbajtura dhe unë dua që qysh në krye të fjalës t’i bëj një falenderim të veçantë Kastriotit, i cili për dy mandate me radhë ka qenë këmbëngulës, ka qenë kërkues, ka qenë shumë i përkushtuar në krye të punëve dhe faktikisht, dua që ta dini që të gjithë, që pa Kastriotin ne nuk do kishim mundur dot të bënim këto ndryshime të mëdha, këto transformime të jashtëzakonshme në të gjithë bashkinë Librazhd.
Kastrioti e dorëzon stafetën me faqe të bardhe dhe është gati për të marrë një detyrë të rëndësishme në Tiranë dhe për të qenë në vazhdim një derë e hapur për të gjithë ju, por dhe për të qenë një krah për Mariglenin, i cili vjen nga eksperiencë pune dhe të cilit i takon tani të mos lëvizë nga Librazhdi, por të jetë pranë jush, të jetë me ju dhe të jetë për ju 24 orë në çdo ditë të javës pa pushim.
Ashtu si dhe në vende të tjera, për hir të vërtetës, ne këtu kemi mundësi të mblidhemi në hapësira që nuk kanë ekzistuar më parë.
Më kujtohet kur kemi ardhur në këtë zonë bashkë me Kastriotin dhe Taulantin dhe kemi parë se çfarë katastrofe ishte kjo hapësirë mu ngjitur me qytetin dhe kemi vendosur që ta kthejmë në një park të madh të të gjithë qytetit, i cili tanimë është para syve të të gjithëve dhe në të cilin duhet vazhduar të mbillen pemë, duhet vazhduar të ketë përkujdesje në mënyrë që të bëhet një park shembullor, për një qytet shembullor, për një komunitet shembullor, por nuk është vetëm parku, nuk janë vetëm hapësirat e gjelbërta, por janë të gjitha hapësirat e tjera të shërbimeve që janë transformuar. Janë çerdhet, kopshtet, shkollat që janë transformuar, janë qendrat shëndetësore që janë transformuar, është gjithë marrëdhënia mes bashkisë dhe qytetarëve, pavarësisht nëse gjendjen në qendër të Librazhdit apo periferi që janë transformuar dhe sot ne jemi në fazën e një transformimi të madh ekonomik. Kemi hyrë në një kthesë historike dhe rritja e pagave, e cila është rrita më e madhe historike që do të bëjë që paga mesatare nga 530 euro të shkojë në 900 euro në prill të vitit të ardhshëm, është shembulli më kuptimplotë i këtij transformimi.
Ashtu sikundër, kjo rritje pagash në sektorin publik do të shoqërohet me rritje pagash në sektorin privat, ashtu sikundër e tha dhe Damiani, nga gjithë kjo rritje pagash do të rriten dhe kontributet për sigurimet shoqërore dhe kështu do kemi mundësi t’i mbështesim edhe më mirë pensionistët, të cilët e meritojnë më shumë se kushdo tjetër mbështetjen vonë, vëmendjen tonë dhe përkushtimin tonë.
Unë nuk dua këtu të flas për kandidatë të tjerë, për kundërshtarë e të tjerë, ata janë të gjithë njësoj sepse janë të gjithë të përzgjedhur për një mision që nuk ka asnjë lidhje me hallet, problemet, nevojat, ëndrrat dhe shpresat tuaja. Ata janë të përzgjedhur për tu sulur në të gjitha bashkitë e vendit dhe për të kapur ku të munden peng bashkinë dhe për ta kthyer bashkinë përsëri siç kanë bërë gjithmonë në një kështjellë politike nga ku të sulmojnë qeverinë.
Ata nuk janë për punë, ata janë vetëm për sherr dhe kush ju ka dhënë mundësinë që të punojnë për komunitetin, ju ka parë vetëm sherrin. Nuk ka asnjë bashki në Shqipëri që ata mund të tregojnë se kanë bërë ndonjë gjë. Kurdoherë e kanë pasur në dorë drejtimin e bashkive, gjithmonë e kanë kthyer mbrapa bashkinë, e kanë kthyer mbrapa komunitetin, i kanë kthyer mbrapa gjërat që janë arritur me punë dhe me mund.
Sot zgjedhja për kryetarët e bashkive është një zgjedhje për t’i gjetur punës së kryetarit të bashkisë njeriun e duhur; nuk është një zgjedhje për të kapur njerëz që nuk e di sesi i vënë përpara komuniteteve dhe për t’i futur në zyrën e kryetarit të bashkisë që pastaj të mbushë autobusat për të shkuar për të luftuar me qeverinë në Tiranë apo të marrë fondet që janë për çerdhet, për kopshtet, për shkollat, për parqet, për ndriçimin publik e për të gjitha shërbimet, e t’i çojë për të mbushur autobusat.
Kjo është diçka që e kemi parë, është një film që e kemi parë dhe këtij filmi, Shqipëria nuk i kthehet dot më. Kjo është diçka që e kemi parë, është një film që e kemi parë dhe këtij filmi Shqipëria nuk i kthehet dot më, këtyre aktorëve të lodhur, të dështuar, këtyre aktorëve të damkosur si non-grata nga aleatët tanë të mëdhenj, këtyre aktorëve të damkosur nga populli shqiptar si njerëz me probleme, nuk ka më asnjë arsye për t’iu dhënë asnjë shans.
Unë jam i bindur që këtu në Librazhd nuk është nevoja për ta thënë këtë gjë sepse të gjithë e dinë këtë gjë, por edhe atyre pak të djathtëve apo njerëzve që janë vendosmërisht në anën tjetër, unë iu them 14 maji nuk është për të ndarë në dy anë komunitetin, nuk është për të ndarë në dy anë votën, 14 maji është për të vendosur se kë do marrë ky popull në punë për t’i shërbyer 4 vjet. 14 maji është për të vendosur që qyteti dhe gjithë Librazhdi, si gjithë bashkitë ku ne drejtojmë të vazhdojë të jetë i pastër, dhe jo të rikthehen kazanët që mbulohen nga plehrat me ditë të tëra në mes të rrugës, të vazhdojë të jetë i ndriçuar, që vajzat të kthehen në mbrëmje vonë pa pasur asnjë merak prindërit se po ju ndodh diçka rrugëve të errëta. Të vazhdojë të japë shërbime të mira në çerdhe, në kopshte, në shkolla. Të vazhdojë të prodhojë këtu shpresë dhe të ardhme për të gjithë ata që jetojnë me punë. Të rrisë të ardhurat nga bujqësia, të rrisë të ardhurat nga administrimi i mirë i pyjeve, të rrisë të ardhurat nga të gjitha rrugët e jetës ku njerëz e punës meritojnë të kenë mbështetje, meritojnë të kenë shpresë dhe meritojnë të kenë të ardhme.
Ju falenderoj shumë për gjithë besimin, për gjithë mbështetjen që i keni dhënë dhe jam i bindur do vazhdoni t’i jepni Partisë Socialiste dhe ju siguroj që atë që kemi nisur me Kastriotin do ta vazhdojmë me Mariglenin dhe 4 vitet e ardhshme do t’i katërfishojmë përpjekjet, do t’i katërfishojmë punët, do t’i katërfishojmë arritjet sepse tanimë Shqipëria po del nga një e shkuar shumë e gjatë, shumë e lodhshme, shumë e mundimshme. Është një vend që respektohet sot botërisht si asnjëherë ë parë dhe është një vend ku ka filluar të buzëqeshë dielli i shpresës dhe të ardhmes.
Kështu që, jua hëngsha zemrën të gjithëve. Shumë faleminderit dhe përpara, vetëm përpara, me Mariglenin, me Partinë Socialiste, me të gjithë ju së bashku!