Në Mallakastrën që ka ndryshuar si nata me ditën, falë investimeve të rëndësishme të ndërmarra në vitet e fundit, vijoi sot mbjellja e fidanëve të rinj dhuruar bashkisë nga shkurtimi i shpenzimeve elektorale, duke krijuar kështu një traditë të bukur në çdo qytet të Shqipërisë, zgjerimin e hapësirave të gjelbra në funksion të qytetarëve të çdo moshe.
Kryeministri Rama njëkohësisht, Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë prezantoi sot në Mallakastër, kandidatin për kryetar bashkie Qerim Ismailaj.
* * *
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama: Shumë faleminderit për mikpritjen në këtë takim të thjeshtë, pa podiume, pa zhurmë të madhe, pa mjete të rënda të propagandës elektorale sepse ne kemi vendosur që në këtë pjesë të parë fushatës t’i shkurtojmë ato, të mos shpenzojmë për ato dhe me kursimet të dhurojmë pemë për të gjitha bashkitë e vendit.
Natyrisht që edhe këtu në Mallakastër kemi dhuruar dhe do vazhdojmë të dhurojmë pemë, por ju keni shumë pemë dhe megjithëse pemët nuk janë asnjëherë mjaft, ato që ju keni nevojë janë gjëra të tjera dhe më vjen shumë mirë që sot, nga ky vend këtu, ne mund të shikojmë dhe të shkuarën me sytë e kujtesës. Të shkuarën e afërt, jo shumë të largët, por ne mund të jemi edhe të mbushur me optimizëm për të parë nga e ardhmja sepse këtu, ju e dini më mirë se unë, por unë e mbaj mend shumë mirë, ka qenë një aks kryesor i qytetit të Ballshit me gropa, me baltë e pluhur dhe me asnjë hapësirë të denjë për të gjithë qytetarët, familjarët për të gjitha moshat siç është sot ky bulevard i bukur për një qytet të vogël, i cili falë mundësisë që ju na dhatë duke bërë të mundur që qeveria dhe bashkia të shohin në një drejtim dhe të punojnë së bashku për të ecur në atë drejtim, është një qytet që ka ndryshuar si nata me ditën edhe kur del përtej këtij bulevardi.
Janë bërë investime të rëndësishme dhe tani po mbyllet dhe besoj se me vendosjen e sahateve të rinj që kanë filluar, nga qershori do të fillojë të sjellë 24 orë ujë të pijshëm në shtëpitë tuaja ujësjellësi i ri, një kërkesë e kahershme, por më në fund edhe kjo e plotësuar. Ashtu sikundër edhe të tjera vepra të infrastrukturës do vazhdojmë t’i bëjmë së bashku.
Nga ana tjetër ne jemi shumë të vetëdijshëm që është një moment për të shkuar në një nivel tjetër edhe në raport me prodhimin kryesor të zonës, që është prodhimi i ullirit dhe me ngritjen e një infrastrukturë të grumbullimit, të përpunimit dhe të shitjes në tregun e brendshëm apo në eksport. Për këtë, dua t’iu them se prej disa muajsh, ministrja e Bujqësisë është angazhuar në një bashkëpunim me palën italiane duke identifikuar disa prej pikave më të rëndësishme strategjike për ullirin në Shqipëri dhe natyrisht, një prej tyre është Mallakastra.
Duhet ta dini që Italia, e cila është kampione botërore në prodhimin e vajit cilësor të ullirit, njëkohësisht ka një problem shumë të madh dhe e importon, diçka që shumëkush nuk e di, e importon 70% të lëndës bazë. Prandaj ata janë shumë të interesuar të bashkëpunojnë me ne dhe ne jemi shumë të interesuar që së bashku me ta, t’i japim një tjetër cilësi gjithë industrisë së lehtë këtu të mbledhjes dhe të përpunimit të ullirit.
Thënë të gjitha këto dhe të tjera që mund të themi, zgjedhja e 14 majit shkon përtej këtyre çështjeve. Shkon përtej këtyre çështjeve sepse prek në fakt një çështje thelbësore për vendin tonë. Çfarë dhe kush duam ne të jemi në vitet që vijnë; duam të jemi një vend që respektohet gjithnjë e më shumë ndërkombëtarisht dhe që shikohet gjithmonë e më shumë si një shtet serioz nga të gjithë partnerët tanë apo duam të jemi një vend të cilit t’i mbyllen qepenat nga aleatët tanë strategjikë për shkak të dy njerëzve të vetëm dhe asnjë arsye tjetër në botë, por për dy njerëz? Njëri që e ka damkën non grata në lule ballit dhe tjetri të cilin shqiptarët e kanë shpallur non grata prej kohësh?
14 maji ka shumë rëndësi për të vendosur se sa akoma dhe sa më shpejt ne duam të ngjitemi më tutje drejt majës që e meritojnë fëmijët tanë, për të pasur një Shqipëri të 2030 që është kampione e Ballkanit në turizëm, që është kampione e Ballkanit në eksporte bujqësore, që është kampione e Ballkanit në teknologjinë digjitale apo një Shqipëri e cila të kthehet mbrapa? Kush mendon që nuk ka kthim mbrapa të mundshëm gabon dhe historia tanimë 30 vjeçare duhet të na i ketë mësuar disa gjëra. Sa herë atyre u është dhënë mundësia të marrin në dorë fatet e vendit, fatet e një bashkie, fatet e një komune, fatet e një fshati, gjithmonë vendi, bashkia, komuna, fshati kanë bërë mbrapa, gjithmonë dhe sa herë na është dhënë ne mundësia, gjithmonë vendi, bashkia, komuna e fshati kanë bërë përpara.
Natyrisht që ne mund të bëjmë më shumë, natyrisht që ne nuk i kemi bërë të gjitha mirë, por ama të krahasosh ne me ata është njësoj si të krahasosh ditën me natën.
Ju e dini që unë pata një problem të papritur me apendicitin dhe ju falënderoj për solidaritetin, por me këtë rast mësova edhe që në shqip quhet “zorra qorre” dhe dua t’iu them këtë: që është një sëmundje sa e lehtë, aq edhe mund të jetë e rrezikshme nëse nuk goditet në momentin e duhur.
Kështu që unë e godita zorrën time qorre, tani së bashku duhet të godasin zorrën qorre të Shqipërisë në 14 maj!
Unë nuk e kuptoj si mund të dyshohet dhe si mund të diskutohet vota e 14 majit nëse e shikon atë votë ashtu siç është në fakt, si mundësia që të jep demokracia që si qytetar, si banor i një vendi ti të vendosësh ose të thuash fjalën tënde, se kë duhet të marrë qyteti në punë për t’i shërbyer qytetit dhe qytetarëve.
Mallakastra është një vend njerëzish shumë kokëfortë, por edhe shumë punëtorë. Tani sado kokëfortë që të jeni, kur vjen puna te puna, nëse ju duhet një zanatçi nuk e pyesni: “me kë je”? Por i thoni, “hajde bëj punën”. Pra nuk shkoni të kërkoni një të majtë meqë jeni të majtë dhe duhet të jetë patjetër i majtë ai që të rregullon çezmën. As nuk shkoni të kërkoni me patjetër një të djathtë dhe duhet të jetë patjetër i djathë ai meqë ju jeni të djathtë, që t’ju marrë drutë tua ngarkojë nga një pikë në pikën tjetër, por shkoni dhe merrni njerëzit që ia dinë asaj pune dhe që jua u bëjnë atë punë sa më mirë.
Nuk shkoni t’i çoni fëmijët për të mësuar anglisht tek mësuesi i fizkulturës meqë ai është i djathtë dhe mësuesja e anglishtes është e majtë, por shkoni i çoni të mësuesja e anglishtes.
Kur shkoni në spital dhe çoni më të moshuarit, nuk pyesni doktorin që del përpara: “ore me kë je ti”? Dhe në qoftë se plaku ka zemrën dhe kardiologu është i majtë dhe ti je i djathtë, ti nuk shkon tek gjinekologu që është i djathtë për të kuruar zemrën e plakut, apo jo? Kaq e thjeshtë është zgjedhja e 14 majit!
Unë besoj që kandidatët tanë kanë dy avantazhe të mëdha, të padiskutueshme dhe të pa konkurueshme fare sepse e para, janë kandidatë që janë shalqi me provë. Ky është shalqi me provë. Tani, edhe kastraveci i mirë është për sallatë, por shalqi s’bëhet, apo jo? Edhe kungulli i mirë është për të bërë byrek, por shalqi s’bëhet, kështu që Qerimi është shalqi me provë, por Qerimi ka dhe një avantazh tjetër, që ka një shalqi më të madh me vete në Tiranë që është po me provë.
Tani, të diskutosh zgjedhjen midis kandidatëve tanë, midis Qerimit dhe kandidatëve të zorrës qorre është të mos jesh në rregull. Të mos jesh në rregull fare sepse nuk po shkon në stadium, në stadium nuk vihet në diskutim fare që Bylisi sikur dhe në kategorinë e 7 të jetë, me Bylisin do jesh. Edhe Reali Madrid të vijë këtu, prapë me Bylisin do jesh se është ekipi jot. Kurse kur zgjedh se kush do të pastrojë qytetin, kush do të ndriçojë qytetin, kush do të gjelbërojë qytetin, kush do mirëmbajë rrugët, kush do ndërtojë rrugët e reja, kush do ta shtrijë ujësjellësin dhe më tutje, këtu nuk zgjedh për tifozllëk, këtu zgjedh atë që ta mbush syrin që e bën më mirë sesa të tjerët. Për tifozllëk janë shumë të djathtë që nuk e shikojnë dot me sy Partinë Socialiste, nuk më shikojnë dot me sy mua, s’ka problem fare! Pse duhet të më shohin një herë? S’kanë pse të më shohin fare.
Tani taksirat është që kur unë dal në televizor dhe dal shpesh, një shtypje butonit dhe le të shkojnë tek ekrani i zorrës qorre, të rrinë gjithë ditën atje, s’ka problem. Unë nuk kam dalë për krushqira, kam dalë për të thënë që doni të zgjidhni punë, ja ku na keni, ne për punë jemi! Doni të ngatërroni punë? Futuni te zorra qorre dhe pastaj paçi fat! Kaq e thjeshtë është kjo punë!
Unë kam shumë besim që, jo Mallakastra, por edhe të tjerët do ta kuptojnë kështu siç është dhe për hir të së vërtetës dhe ata që iu ka mbetur ora te Partia Demokratike, do kuptojnë që iu ka mbetur ora. Që ajo orë të kurdiset duhet të heqin zorrën qorre dhe ata, se unë nuk e kuptoj, thotë këtu burri botës “shiko se unë e kam pasur gjyshin ballist, ma kanë vrarë komunistet dhe unë nuk i shoh dot me sy socialistët”. Se çlidhje ka kjo, këtë e kemi diskutuar 30 vjet, por se gjejmë dot!
Tani unë i them, po mirë mor vëlla ti që po i mban hatrin gjyshit a e kupton ti se çdo i besh gjyshit dhe sa herë do e rrotullosh në varr kur të shkosh tek qendra e votimit dhe të kesh aty Like floririn që duhet ta votosh? Se s’ka aty. Aty Partia demokratike është veç. Nga ana tjetër zorra qorre në fletë votimi ka Liken. Po pse more Liken do votoni ju? Flas për ata të djathtët. Domethënë e kupton çdo i besh gjyshit? Kështu që mendohu, se një herë e hëngrët. I vajtët mbrapa nuk e di sa vite një komunisti, anti-komunist që siç thotë Václav Havel, “s’ka më keq”.
Komunist, komunist, rri aty, drejtë, puna jote, por edhe komunist dhe anti-komunist dhe pastaj na thoni ne socialisteve që jeni komunistë ndërkohë që ne, ky s’ka qenë, unë skam qenë, tjetri, tjetri dakord e hëngrën, por deri tek Likja, vallahi është pak si e rëndë.
Kështu që për mendimin tim, në 14 maj ty që ta kanë vrarë gjyshin komunistët se ishte ballist është mirë që t’ja kursesh gjyshit rrotullimin 7 herë në varr kur ti të vësh kryqin aty te Like Floriri edhe të mos shkosh fare, s’ka nevojë. Mos na i jep ne votën se të pengon kjo lufta me komunizmin, por mos shko fare, lere se gjynah gjyshi she nga ana tjetër, me këta demokratët dhe këta të djathtët në fakt është për t’i pasur zili këta, se këta punës nuk ia dinë fare dhe punën e bëjmë ne për këta. E këta si na votojnë si s’na votojnë ne prapë ua pastrojmë edhe rrugicën, ua kryejmë edhe punët, iu shërbejmë njësoj si gjithë të tjerëve. Kështu që ne mund të mos jemi më të mirët, por kalë karroce më të fortë për ta çuar vendin përpara se Partia Socialiste nuk gjeni dot, se në fund zgjedhja është çfarë kali do marrësh për 4 vjet.
Nëse keni ndonjë dyshim merrini, shikojini një nga një kuajt edhe kuptoni vet se kë duhet të vini për të tërhequr karrocën. Pastaj në karrocë me Qerimin dhe me gjithë të tjerët i bëjmë punët si duhet. Faleminderit!