Mallakastër, për njerëzit dhe me njerëzit për bilancin e punëve të kryera të bashkisë dhe perspektivën e së ardhmes
Në Mallakstër vijoi këtë të shtunë takimi i Kryeministrit Edi Rama me banorët, për gjithçka është bërë dhe do të vijojë të bëhet në përpjekjen për të përballuar sa më mirë e më lehtë sfidat që solli vala e luftës.
* * *
Shumë faleminderit!
Më vjen keq që nuk mundëm ta bënim jashtë takimin, në atë hapësirën që kishim përgatitur, për shkak të shiut, por më vjen shumë mirë që po bie shi sot. Aq mirë më vjen saqë dhe çadrën nuk e doja afër sepse realisht, jo për bereqetin, por varemi shumë nga shiu në këtë moment kaq të vështirë përsa i përket energjisë, jo vetëm për ne, por për gjithë Europën, për gjithë botën dhe ne ende jemi në një proces transformimi të sistemit me investime që do të kompensojnë në një farë mënyre varësinë e plotë nga energjia e prodhuar nga burimet hidrike.
Nuk dua të zgjatem me punët e bashkisë sepse kryetari bëri një paraqitje të përmbledhur e cila mu duk e plotë.
Dua të përfitoj nga rasti për të komunikuar me ju lidhur me disa aspekte të tjera që janë besoj jashtëzakonisht të rëndësishme dhe është shumë e rëndësishme që pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht ndarjeve të natyrës politike që janë normale, të mos jemi të ndarë po të jemi të bashkuar në kuptimin e disa fakteve, e disa fakteve që vijnë nga rezultat i një fakti themelor, që ne jemi sot pjesë e një bote, e cila është në luftë.
Përpara se të them ato që kam për të thënë lidhur me këtë, dua të ndalem pak tek ulliri, duke u nisur nga nxitja që më dha Taulanti kur solli në vëmendje mediat që bëjnë atë që po bëjnë gjithmonë e më shumë kohët e fundit, që është dezinformimi masiv, helmimi masiv i opinionit publik pasi janë shumica e tyre jo të gjitha, janë të vendosura në një rresht që synon goditjen dhe rrëzimin e qeverisë, kjo është shumë e thjeshtë.
Është e vërtetë që vaji i ullirit sot është më i lirë se vaji vegjetal, por çfarë do të thotë kjo dhe çfarë mësimesh ka për të nxjerrë nga kjo?
Së pari, të mos harrojmë që megjithëse ne kemi sot një kapacitet të madh prodhues të ullirit dhe të vajit të ullirit, ne akoma importojmë 1000 tonë vaj ulliri, pse? Sepse ka një inerci dhe një traditë preference të vajit të ullirit të importit nga njëra anë, por sepse nga ana tjetër industria jonë e vajit të ullirit është ende në hapat e parë dhe falë mbështetjes që ne i kemi dhënë sepse përpara as që bëhej fjalë fare për asnjë lloj zinxhiri industrial sado simbolik, është një industri që ka probleme me certifikimin, që ka probleme me standardizimin. Pra mësimi i parë është që tani kjo vlerë e krijuar duhet parë si një vlerë e cila duhet garantuar sepse nuk është e garantuar.
Nuk mundet dot të vazhdohet të punohet veç e veç, secili me kurriz nga tjetri dhe secili duke bërë atë punën e vet në atë pjesën e vet të këtij segmenti, por duhen bashkuar forcat, duhen parë shembujt pozitivë që tani janë në Shqipëri.
Jo më larg se 10 ditë më parë ndoshta, ishim bashkë me ministren e Bujqësisë dhe të tjerë në një realitet të ri të krijuar në Elbasan, një federatë e ullirit e cila kishte mbledhur bashkë 130 e disa individë, burra dhe gra, të cilët kishin arritur në një konkluzion shumë të thjeshtë, që nuk mund të vazhdonin më ta mblidhnin dhe ta përpunonin vetëm, por duhet të bashkonin forcat. Me këtë kooperativë që ata e kanë quajtur federatë, por që ishte një kooperativë, kishin bërë një projekt, kishin marrë fondet, kishin ndërtuar pikën e grumbullimit dhe të përpunimit dhe prodhonin një vaj i cili për shkak se ka një sasi më të madhe është edhe më i negociueshëm. Gjëja që ne duam të bëjmë dhe jemi të gatshëm të bëjmë, është të mbështesim të gjithë prodhuesit këtu të ullirit që të kenë një mbarëvajtje të bazuar tek procese që janë të dakordësuara me njëri-tjetrin për mënyrën sesi trajtohet gjatë gjithë procesit kjo kulturë dhe për mënyrën sesi në fund fare prodhimi mblidhet dhe certifikohet, duke ju vënë në dispozicion patjetër fonde, duke ju vënë në dispozicion linjat e nevojshme të prodhimit dhe të përpunimit, në mënyrë që ajo mrekulli që unë pashë para se të vija këtu edhe pse në shi, mozaiku i gjithë atyre prodhuesve të vegjël të kthehet në një forcë të mrekullueshme zhvillimore këtu në këtë vend që do të rrisë ekonominë e të gjithë atyre që merren me ullirin, do të rrisë dhe ekonominë vendore dhe do e kthejë praktikisht Mallakastrën në një shëmbëlltyrë të zhvillimit të kësaj industrie përpunimi. Besoj që është plotësisht e mundur, por sigurisht kërkohet vullneti për tu bashkuar. Natyrisht në këtë bashkim secili mban pjesën e vetë, në sensin që nuk është një kooperativë që bashkohet i madhi me të voglin dhe s’merret më vesh kush është i madhi, kush është i vogli, por është një bashkim ku secili vjen me madhësinë e vet dhe sipas madhësisë merr pastaj dhe të ardhurat.
Tjetra, nuk mundet të krijomë vlerë të shtuar në rast se nuk synojmë eksportin e vajit të ullirit. Nuk mundet dot të bazohemi vetëm tek tregu i brendshëm, por duhet të synojmë eksportin. Për të synuar eksportin, ju e dini shumë mirë, ata që merren me këtë punë e dinë shumë mirë që duhen standarde dhe duhet certifikim, gjë që ndodh me të tjerat, por me vajin e ullirit është një fushë në të cilën ka dhe konkurrencë dhe ka edhe një problematikë të veçantë. Kështu që për këtë arsye unë do t’ju lutesha shumë që të shikojmë nga e ardhmja bashkërisht dhe këtu është bashkia e cila duhet të marrë një rol për t’i organizuar njerëzit, për t’i ndihmuar të organizohen dhe ne pastaj si qeveri përmes AZHBR-së, përmes fondeve europiane, përmes kredive të garantuara t’ju mbështesim që këtu kjo industri që është e sapolindur në fakt, të marrë forcë dhe të bëhet një industri që sjell këtu të ardhura të konsiderueshme.
Tjetra është që ne këtu kemi një realitet të ndryshuar por nga ana tjetër kemi një realitet me një potencial shumë të madh për tu shfrytëzuar dhe agroturizmi duhet të marrë një fuqi shumë më të madhe dhe do jetë shumë më prezent.
Kemi sot vetëm një sot vetëm një shembull të një agroturizmi të ndërtuar me mbështetjen e AZHBR-së. Ka edhe disa të tjerë që janë bërë me forcat e tyre, por ndërkohë që mund të kemi edhe shumë më tepër se kaq sepse të kesh atë pasuri të trashëguar që është qyteti antik aty dhe që të mos e shfrytëzosh për t’i mbajtur këtu, të paktën një natë ata që vijnë në qytetin antik, është në fakt të lësh të ikin paratë. Për çfarë duhet të shkojë një i ri nga Mallakastra në Greqi? Për çfarë? Ose në Itali? Për të punuar për të tjerë atje, duke pasur këtu tokën e gjyshit? Duke pasur këtu shtëpinë e gjyshit qoftë edhe të rrënuar?
Ndërkohë që me një projekt të thjeshtë për ta kthyer atë shtëpi në bujtinë dhe me një punë jo të stërmundimshme, por me një punë të ndershme për ta kthyer në një kopsht atë tokën e trashëguar, mund të ndërtojë një destinacion ku mund ta ketë plot e përplot me turistë gjatë gjithë vitit, vendas dhe të huaj dhe të garantojë të ardhura që janë shumë më të mëdha se të ardhurat që mbledh në Greqi duke punuar për të tjerët. Kjo nuk diskutohet!
Kjo është një zonë e bekuar brenda bekimit të madh që ka Shqipëria me gjithë këto pasuri, të cilat kanë filluar të kthehen në mirësi për ata që janë të vendosur të punojnë këtu e t’i shfrytëzojnë. Sot nuk mund të flasim më për gjëra që mund të ndodhin, sot flasim për gjëra që kanë filluar të ndodhin. Çështja është që t’i shumojmë. Ne sot jemi në kushtet kur mundet që në fund të këtij viti të regjistrojmë 500 milionë dollarë eksporte. 500 milionë dollarë, Shqipëria. 120 milionë në total bënte kur ne e nisëm këtë rrugëtim, 120 milionë dollarë eksporte, turp! Gjysmë miliardi është një shifër serioze, por është e pamjaftueshme. Sot ne eksportojmë në bujqësi prodhime bujqësore më shumë se ç’kemi eksportuar në këtë fazë dhe në fazën e mëparshme kur ishte një bujqësi e organizuar në kohën e komunizmit. Më shumë!
Mund të bëjmë më shumë më tepër akoma, ama këto eksporte janë produkt i punës së njerëzve që po ia shohin hajrin punës në bujqësi. Puna në bujqësi nuk është ajo që del në televizor. Në televizor dalin vetëm gjysmat e të vërtetës, që është edhe gënjeshtra më e madhe. Do t’i thuash një njeriu një gënjeshtër të madhe? Thuaji një gjysmë të vërtetë! Sepse të nxjerrësh, të thuash që vaji i ullirit në Shqipëri, sot është më i lirë sesa vaji vegjetal, thua një pjesë të së vërtetës, por ta lidhësh këtë pastaj me faktin, që s’ia vlen të mbjellësh ullirin sepse të gjithë po e hedhin ullirin poshtë, këtu thua një gënjeshtër.
Ashtu sikundër të nxjerrësh dikë ose disa që hedhin mollët në kanal, kjo është një pjesë e së vërtetës, por nëqoftëse e kthen kamerën nga ana tjetër, mund të shikosh qindra të tjerë që mollët i marrin dhe i eksportojnë dhe në fund fakti është që kemi mundësinë t’i arrijmë që këtë vit, duke e tejkaluar objektin faktikisht, se ne duam të arrijmë në 1 miliardë dollarë eksporte në fund të kësaj dekade, por me këto kushte dhe me këto mundësi, është që të arrijmë gjysmën e objektivit që të arrijmë gjysmë miliardi këtë vit.
Kush i bën këto? Kush i prodhon? UFO-t? Apo i prodhojnë gazetarët? I kanë prodhuar dhe i prodhojnë njerëzit që i shohin dhe ia kanë parë hajrin punës atje. Dhe unë i sfidoj, i sfidoj ata që janë sot në Itali apo në Greqi sot dhe punojnë në bujqësi. Të shikojnë pak sa marrin atje nga italianët dhe grekët që i mbajnë në punë dhe sa mund të marrin duke ardhur duke punuar në Lushnjë? Le ta bëjnë llogarinë, sa mund të marrin. Ishim në Lushnjë dhe njëri e tha troç, “ne nuk i deklarojmë pagat që japim, se janë më të larta se ato që deklarojmë”. Patjetër!
Ndërkohë më vjen shumë mirë dhe këtu po e mbyll këtë parantezë me Mallakastrën, që sot ne jemi në procesin, më në fund, se di që ua ka premtuar dhe një paraardhës i paraardhësit të paraardhësit tim ujin e pijshëm, por as ai nuk e bëri dot. Mallakastra po bëhet me ujë të pijshëm.
Ka disa, ka shumë në fakt që kur flasim për ujin e pijshëm, thonë: “Si s’ju vjen turp që flisni për ujin e pijshëm në vitin 2022”? Duhet të na vijë turp se ne po sjellim ujin e pijshëm. Duhet të na vijë turp se kur ne erdhëm në detyrë s’kishte ujë të pijshëm. Pra nuk e bënë të tjerët dhe tani duhet të na vije turp ne që po e bëjmë. Dhe për më tepër thonë që jeni njësoj. Si jemi njësoj. Si qenka njësoj me ata që i lanë pa ujë dhe ne që po e bëjmë. Do ishte shumë mirë në fakt sepse në një farë mënyre turp është të diskutosh për ujin e pijshëm në vitin 2022, akoma, por është një turp që duhet ta mbajnë ata që e kanë, nuk është një turp që duhet ta mbajmë ne që s’kemi lidhje me faktin që nuk u mendua kurrë për ujin e pijshëm. Ndërkohë është mirë që ta kujtojmë që ujin e pijshëm 24 orë kudo s’kishte as në kohën e komunizmit, nuk ka pas. Fshatrat e Mallakastrës nuk kanë pasur ujë të pijshëm as në kohën e komunizmit, 24 orë. Ka pas fshatra që s’kanë pas ujë fare, shkonin e merrnin diku tjetër. Është fakt! Tani ne nuk mund të ulim kokën e të themi se s’mund ta themi këtë se është turp. Jo! Turp është për ata të cilët e lanë në atë derexhe këtë vend pa ujë. Sot në Shqipëri, shikoni vetëm një fakt për të gjithë ata që thonë sa keq kanë shkuar punët.
Sa tokë punohet? Dyfishi i tokës bujqësore punohet në Shqipëri. Pse ? Sepse kemi çuar ujin! Si mund të zhvillohet bujqësia me prodhimin në vetëm një pjesë të sipërfaqes ndërkohë që në pjesën tjetër njerëzit luftonin për mbijetesë? Pa ujë? Këto janë fakte. Këto nuk duan të thonë që Shqipëria është fushë me lule, absolutisht. As që ne duhet të jemi të mërzitur pse njerëzit nuk çohen të na duartrokasin dhe as që njerëzit që largohen, nuk kanë arsye të largohen. Jo të gjitha këto nuk janë kështu.
E vërteta është që sot edhe kur vjen në Mallakastër, unë kam ardhur edhe në Ballsh, e kam parë. Kur futeshe këtu, futeshe në një vend që ishte komplet i harruar dhe i braktisur. Sot futesh këtu dhe futesh në qytet, një qytet i vogël dhe dinjitoz për hir të vërtetës dhe ky është një ndryshim real. Pra krahasuar me ku ishte, është dita me natën, po krahasuar me ku duam ne dhe ku duam të jetë, s’ka gdhirë akoma, që të jemi të qartë. Është në të gdhirë le të themi dhe është puna jonë që do ta bëjë dhe është këmbëngulja jonë që do e bëjë dhe është e vërteta që do na ndihmojë për këtë, jo gjysmë te vërteta, por e vërteta. Me pjesën e vetë të mirë dhe me pjesën e vetë problematike, se ne nuk jemi të rënë nga qielli edhe patjetër që ka gjëra që mund t’i bëjmë edhe më mirë dhe do t’i bëjmë çmos që t’i bëjmë edhe më mirë, por që të diskutosh sot Shqipërinë krahasuar me ku ishte, e të diskutosh sot në një situatë të tillë që është faji i qeverisë pse ka inflacion, e këtu po hyj tek tema kryesore që dua të diskutoj me ju, është shumë, shumë problem.
Të diskutosh sot, që gjithë bota po çmendet dhe jo gjithë bota po gjithë vendet më të pasura po çmenden, unë isha në Gjermani, diskutimi kryesor aty ishte “si do e kalojmë dimrin, që do te jetë dimri më i vështirë që pas Luftës së Dytë Botërore dhe sa do të jemi në gjendje që të përballojmë goditjen e krizës së energjisë”. Gjermania, që ka gjithë ato resurse dhe po përgatitet të bëjë një injektim gjigand. Që i ka paratë për ta bërë, po ne? Si është raporti mes 460 milionë eurove të vëna në dispozicion këtë vit për të mbrojtur të gjitha familjet tuaja dhe gjithë familjet shqiptare nga goditja e çmimit të energjisë dhe për të mbrojtur të gjithë ato dyqane që janë aty te rruga kryesore dhe në çdo rrugë tjetër në krahasim me buxhetin tonë? Është një shumë jashtëzakonisht e konsiderueshme që ne e kemi vënë në dispozicion të kësaj lufte sepse ne nuk duam që goditja e çmimit të vijë tek pensionistët, të vijë tek familjet, të shkojë tek nënat kryefamiljare, të shkojë tek bizneset e vogla sepse po shkoi atje, atëherë jeta bëhet shumë e vështirë dhe kjo bën që fatura e energjisë elektrike që ju keni në shtëpi, që ju vjen në shtëpi te këtë një çmim që është 20% që e paguani ju ndërkohë që 80% e paguan shteti përmes buxhetit të shtetit.
Si qenka kjo që janë rritur çmimet dhe e ka fajin qeveria? Si mund të jetë kjo kështu kur çmimet janë rritur në të gjithë botën? Për të gjithë çmimet e botës e kemi fajin ne?
Ndërkohë që çmimet janë rritur, është e vërtetë, por janë rritur më pak se në të gjithë rajonin tonë, që të mos diskutojmë vendet e tjera dhe të shikojmë rajonin tonë, ku po i afron 20%, ndërkohë që ne jemi nën 10%, jemi në 7%, 7.5%, 8% aty vërtitemi. Pse? Për një arsye shumë të thjeshtë; sepse ne kemi mbrojtur nga goditja e çmimit të energjisë ata që ju shesin ju produkte, se po tua çonim neve atyre faturën, jo me çmimin real, por me një çmim më të lartë, me një çmim të rritur nga kjo krizë, atëherë direkt çmimet me të cilat ju bleni do të shkonin njësoj si vendet e tjera, por janë më të ulëta, pikërisht sepse ne mundësitë nuk i kemi ashtu siç i kanë të tjerët.
Këtu ne jemi në kushtet e një lufte dhe të thuash që nuk ka luftë për Shqipërinë, duhet të kesh një arsye që nuk ka lidhje me interesin e Shqipërisë; ose e thua sepse i shërben dikujt tjetër ose e thua sepse nuk di se ccfarë flet sepse fakti është që nuk ka nevojë për shkencë për të kuptuar që Kremlini, Putini i ka hapur luftë, jo Ukrainës, Ukraina është sebepi, i ka hapur luftë Perëndimit dhe qëllimi final i asaj lufte nuk është që të marrë disa copa nga Ukraina, por është që të gjunjëzojë Perëndimin, të gjunjëzojë të gjithë botën në perëndim të Rusisë, të gjithë bashkësinë Euro-Atlantike, pjesë e së cilës jemi dhe ne, kështu që patjetër edhe ne prekemi nga kjo rrugë. Si do ta gjunjëzojë Perëndimin sipas qëllimit dhe planit të tij? Duke kthyer energjinë në armë; Rusia është furnizuesi kryesor i Europës me gaz, por nuk është vetëm gazi, është gazi që impakton dhe energjinë elektrike, çmimin e energjisë elektrike. Atëherë, kthimi i energjisë në armë dhe inflacioni i luftës që është më keq sesa pandemia, në kuptimin jo të goditjes së shëndetit, por të përhajes në ccdo shtëpi, – pandemisë i ikje duke u futur brenda, – inflacionit nuk i ikën dot sepse sa herë që ti do blesh për të ngrënë, aq herë do të kapë dorën dhe do të kërkojë pjesën “Kaq % i dua unë se janë të miat”.
Me këto dy monstra, Kremlini kërkon të nënshtrojë Perëndimin. Si ta nënshtrojë? Duke ndezur një zjarr nga poshtë dhe duke nxitur, përmes shtrëngimit ekonomik, njerëzit që të çohen dhe të rrëzojnë qeveritë e tyre dhe natyrisht duke gjetur vegla lart e poshtë dhe ne, për fat të keq, një vegël të Kremlinit e kemi të ulur këmbëkryq në Tiranë, Partinë Demokratike, atë të non-grata, se nuk po merret vesh, as kush është, as çfarë është, por që të kuptohemi tamam, atë të non-gratës, sepse nuk është më një tezë; është një fakt i shkruar në raportin e Shërbimit Sekret Amerikan, të CIA-s, që ju e patë të gjithë.
Pse duhet t’i paguante Kremlini dhe pse gjysmë milioni dollarë i duheshin dhënë nga rusët Partisë Demokratike për të rrëzuar qeverinë tonë në 2017? Çadrës? Ju kujtohet çadra ju, si mbahet kjo çadra, si financohet kjo çadra? Ja ku na doli që çadra ishte dava ruse. Pse? Për ccfarë? Që ta bëjnë Shqipërinë më demokratike? Këtë merak kanë rusët, që Shqipëria të bëhet më demokratike, që të bëhet më Euro-Atlantike, që të ketë më shumë liri dhe të drejta? Prandaj ata donin që të sillnin PD-në në pushtet, që dhanë gjysmë milioni dollarë?
Nuk besoj. Unë besoj të kundërtën.
Kur shikon që vjen dita që paguajnë gjysmë milioni dollarë për të rrëzuar qeverinë në Shqipëri përmes Partisë Demokratike, ti thua “Po mirë, kjo nuk ka sesi të jetë një rrufe në qiell të hapur, atëherë paska një lidhje me atë që ndodhi më parë”, që qeveria e Partisë Demokratike bashkoi vullnetin dhe votën në Këshillin e Europës me partinë e Putinit për të goditur Kosovën. Kosova u godit me këtë bashkim votash dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës u kryqëzua botërisht nga ai lajm që mori të gjitha gazetat e botës, si një bandë që trafikonte organe njerëzore nga Shqipëria.
Pastaj vijmë tek pjesa tjetër. Ju kujtohet kur non-grata thoshte “Më erdhi Donald Lu ma solli atë të parave ruse dhe unë e refuzova kategorikisht si një thashethem të Sorosit”? A, e refuzove si thashethem të Sorosit dhe të Edvinit? Mos vallë ky refuzim të nxorri kaq hapur sa pastaj të erdhi non grata nga mbrapa? Se që Shtetet e Bashkuara të nxjerrin non grata një president me të cilin kanë bashkëpunuar, një kryeministër me të cilin kanë bashkëpunuar, të një vendi të NATO-s, kjo është unikale, duhet të kenë një arsye shumë të fortë për këtë, dhe nuk ka sesi të mos mendosh që ai korrupsioni madhor, ai minimi i demokracisë dhe gjithë ato cfarë i shkruajnë atje, janë të lidhura me faktin që këtu kemi të bëjmë me një vegël.
Tani, imagjinoni vegël këtej, vegël andej, janë bashkuar veglat bashkë, lloj-lloj spiunësh, lloj-lloj të pafytyrësh dhe të pabesësh, në raport me interesin kombëtar, në raport me Shqipërinë, në raport me Kosovën, dhe tani kërkojnë… cfarë kërkojnë? Kërkojnë atë që kërkon lufta e Vladimir Putinit, që të ngrihen njerëzit dhe të rrëzojnë qeveritë e tyre duke thënë “Nuk ka luftë. Ku është lufta? Nuk ka luftë këtu. Këtu fajin e ka qeveria”.
Këtë thotë dhe Putini, po ta shikoni. “Çfarë flasin këta? Ç’lidhje kam unë me inflacionin”?
Jo ka lidhje, por është “Putinflacion”, nuk është as inflacion.
Urdhëro, Shqipëria në rrezik. Do thoni ju “Po këtë kanë bërë gjithmonë”, dakord, patjetër, por mesa duket gjërat janë të lidhura. Ne nuk kemi nevojë t’i shikojmë në televizor, duke marrë paratë, nuk kemi nevojë se njëherë, dy herë, tre herë, vetëm të jemi komplet…
Si është kjo?
Ajo që është fatkeqësia pastaj është që njerëzit, një pjesë e tyre, jo shumica, i shkojnë nga mbrapa. Për ccfarë? Për dinjitetin. Dinjitetin e kujt? Që Shqipëria të kthehet përsëri në një karagjoz shtet që i bën karshillëk gjithë planetit dhe që i thotë Amerikës “Këtu jam unë dhe bëhet si them unë” dhe bëhet aq shumë si them unë, sa unë nuk pyes fare për ty, ndërkohë që ne e dimë shumë mirë këtë gjë që kjo s’është kështu. Se bëhet si themi ne për çështjet tona të brendshme, po s’bëhet si themi ne për çështjet e mëdha të aleancës në të cilën jemi pjesë. Sot kjo është situata.
Ne kemi fatkeqësi që kemi një vegël, një çorbë ruse në mes të mexhlisë. Një bashkim të një te keqeje të madhe. Ju kujtohet kur më thoshin mua po çfarë ke që i thua Lulit ndahu nga ata të dy, po ata njëri i shkreti në pension, tjetri president. Ja pra që Luli iku, ata të dy mbetën. Jo mbetën, po ata të dy dolën prap. Si mund të shkohet pas tyre. Për cilën arsye në botë?! Për çfarë?! Do luftojnë emigracionin ata?! Do ta bëjnë Shqipërinë më të mirë ata?! Do na ofrojnë më shumë me Amerikën ata? Do na bëjnë ne më të fortë në Europë ata?! Ata që i kishin ulur pantallonat deri në fund para të huajve dhe që e kishin bërë Shqipërinë një lolo ndërkombëtare që në vitet e fundit s’i vinte njeri as për vizitë, jo më të imagjinohej që të vinte gjithë Bashkimi Euopian këtu për të bërë mbledhje.
Po në fund fare, nuk diskutohet që do ndodhë ajo që ka ndodhur edhe më parë. Ata do marrin atë që ju takon, do me thënë “noc rrokun”. Ndërkohë, që ne do vazhdojmë të mbështesim sa të kemi fuqi familjet, pensionistët. Ua kemi indeksuar dy herë pensionin. E di që nuk mjafton, as nuk e diskutoj fare. Do vazhdojmë ta bëjmë. Me gjithë vështirësinë e madhe që ka buxheti, përsëri pensionistëve në fillim të dhjetorit do t’u japim një tjetër mbështetje financiare. Do vazhdojmë të rrisim pagat. Do rrisim pagat për të gjithë, po ne nuk mundet dot të pranojmë që ata, të cilëve iu rritet paga më shumë, pedagogëve të universitetit duan edhe më shumë. Këtë s’mund ta pranojmë. S’e bëjmë dot. Aq më tepër kur e kërkon një shik-s. E patë si thatë, do futemi në grevë urie për ngritje pagash. Pastaj thanë duam që presidenti të na garantojë jetën. Pastaj kërkuan nga komuniteti ndërkombëtar mbrojtje nga kërcënimi dhe pastaj në fund fare, ikën dhe thanë nuk do bëjmë grevë.
Si mund të jenë pedagogë universiteti këta?! Ata nuk janë shumica, po si mund të jenë pedagogë universiteti?! Çfarë mund t’i mësojnë këta brezit të ri. Megjithatë, edhe një herë tjetër të gjitha këto ne do t’i kapërcejmë. Kemi kapërcyer tërmetin, pandeminë. Kjo është më e keqja nga të treja, por edhe këtë do ta kapërcejmë. Padiskutim, që ne do ta çojmë Shqipërinë në atë majë që kemi vendosur ta çojmë dhe padiskutim që edhe Mallakastrën do vazhdojmë ta mbështesim dhe padiskutim që koha që keni pritur për këtë shejtan rrugë është mjaftueshmërisht e gjatë për të mos pritur më.
Unë shpresoj që mos më duhet të vij më këtu t’ua premtoj prap. Por që, nëse do më bjerë rruga prap, të vij nga rruga e re.
Faleminderit!