The Socialist Party of Albania

Fjala e kryetarit të PSSH Edi Rama në takimin elektoral përmbyllës në Shkodër:

Shumë faleminderit të gjithëve ju që jeni këtu kaq masivisht dhe shumë mirënjohje për gjithë mbështetjen që ju i jepni Benetit, i cili është këtu si një kandidat jo i rastësishëm, as si një kandidat i Partisë Socialiste.
Beneti është këtu si një mundësi tjetër për të gjithë qytetarët e Shkodrës, që nga qendra e deri në të gjitha periferitë e kësaj bashkie, të cilat shtrihen deri lart fare në Theth. Beneti është këtu edhe si një reflektim i yni pas asaj që ndodhi në 2019.
Në 2019, ne patëm një mundësi të artë për të treguar edhe në Shkodër se çfarë dimë të bëjmë, se çfarë duam të bëjmë, se çfarë mund të bëjmë së bashku, ashtu siç e kemi treguar në këto 4 vjet në Tropojë, ku asnjëherë nuk e kishim pasur mundësinë që të drejtonim bashkinë, për të njëjtat arsye si këtu në Shkodër..
I thashë Elisës kur po vinim, si të duket? në rregull çdo gjë? Kaq shumë nuk kam parë asnjëherë në Shkodër, por kam vetëm një merak. A do kemi hudhër a nuk do kemi hudhër këtë herë? “Çfarë hudhre”, – tha, se unë hudhër quaj kur del njëri që thotë “Rama Ik”. Kështu që, ai erdhi, e tha dhe iku të marrë lekët tani, por unë them që t’i bëjmë një duartrokitje atij sepse falë atij, ne na merr të keqen syri i keq ditën e dielë, se këtu është katandisur për hir të vërtetës, por më lejoni të mbaroj këtë njëherë se kam dhe pak për të thënë dhe për ata.
Pra, në Tropojë na u dha mundësia dhe ne e treguam se çfarë dimë të bëjmë dhe pavarësisht se çfarë do votojë Tropoja në datën 14, unë di të them këtë, që nuk mund të gjesh dot një tropojan që po të jesh vetëm për vetëm, pa televizor dhe pa mbledhje partie, të mos thotë që sa ka ndryshuar Tropoja në këto 4 vjet, nuk kishte ndryshuar në 40 vjet. Po edhe sikur të ketë ndonjë tropojan që e thotë këtë, unë jam dëshmitar vetë se unë kam qenë student kur kam shkuar në Tropojë, në vitin ’84 në mos gabohem dhe kur kam shkuar prapë pastaj si kryeministër, përveçse si kryetar partie, aty nuk kishte ndryshuar asgjë. Edhe Bajram Curri po aty ishte me atë dorën kështu, që në atë kohë, kur shkonin njerëzit, kishte dalë një barcaletë që Baca Bajram është aty për të të thënë, “Erdhe, 5 vjet këtu e ke”, se ishin ato lëvizjet e detyruara në kohën e komunizmit.
Kur e pashë Bacën Bajram si kryeministër, me atë “5 vjet këtu e ke”, thashë okej, pas 5 vitesh kismet do ta marrim edhe Tropojën”. E morëm mundësinë dhe bëmë atë që duhet.
Shikoni Kamzën. E njëjta gjë ka qenë dhe në Kamëz, asnjëherë nuk e kemi pasur mundësinë. Na u dha mundësia këto 4 vite dhe në Kamëz kemi ndërtuar për fëmijët e atij qyteti, që ju e dini shumë mirë sa shumë është zmadhuar dhe zgjeruar për shkak sesa shumë njerëz kanë ardhur, çerdhe, kopshte, shkolla, që jo vetëm janë me të njëjtin standard dhe të njëjtën cilësi si ato në Tiranë dhe kudo ku ne ndërtojmë, por në numër janë më shumë sesa të gjitha vitet bashkë me të gjithë deputetët, e bashkë me gjithë kryetarët e bashkisë që ka pasur aty Partia Demokratike. Natyrisht mund të vazhdoj me shembuj të tillë.
Në Shkodër nuk na është dhënë kjo mundësi. E humbëm vetë mundësinë në 2019, për shkak të mungesës së sinqeritetit të kandidatit tonë, i cili nuk na e tregoi të vërtetën dhe pastaj u detyrua të tërhiqet ai dhe të na turpërojë dhe ne gjithë të tjerëve dhe këtë herë kemi vendosur, me shumë kujdes, sepse jemi menduar gjatë se çfarë mund t’i ofrojmë ne Shkodrës si reflektim, por edhe si mundësi dhe çfarë mund t’i ofrojmë ne Shkodrës që edhe ata të cilët kanë atë fiksimin historik që nuk e ndërrojnë votën, në kushtet ku realisht nuk ia vlen ta çojnë votën kot dhe të votojnë po atë që kanë votuar 30 e kusur vite, të mos ndihen të vënë në vështirësi.
Sigurisht që nuk e kam menduar në fillim që do gjenim një kandidat kaq ideal që të ketë punuar po aq vite me atë tjetrin që nuk po ia përmend emrin, se ky i thotë zoti Berisha, Beneti. Ashtu i thotë, “kam punuar me zotin Berisha dhe me zotin Rama” thotë. E vërtetë është ka punuar dhe faktikisht, me mua ka punuar sepse unë i kam vlerësuar punën dhe në atë lloj xhungle, ka qenë nga shumë të paktët që dilte në pah si shembull me punën e tij.
Beneti, se nuk e di a mbani mend, se kështu është i urtë, por Beneti ka bërë debate në televizion në fushatë elektorale kundër nesh. E merrnin se nuk kishin njerëz për t’i nxjerrë kundër nesh për argumente; ky nuk kandidonte për asgjë, por dilte mbronte zotin Berisha.
Megjithatë, për mua kjo nuk ishte problem përderisa Beneti kishte treguar që ishte njeriu i duhur për ta drejtuar e për ta menaxhuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe bëmë goxha punë. Kur i thashë “Benet, do futesh deputet”, më tha “unë deputet?”. Nuk më tha “Ç’punë kam unë me PS-në”, por më tha “Unë deputet? Nuk jam për atë punë”.
“Jo, do futesh”, i thashë, – “se je shumë blu dhe duhet të hedh edhe pak nga ngjyra jonë që të fillosh të balancohesh se kur të të çojmë atje për kandidat, larg qoftë, do të të votojnë të gjithë ata e mos të të votojnë fare këta të mitë, nuk shkon”. Kështu mori pak ngjyrë Beneti.
Ajo që është e rëndësishme, as ngjyra blu, as ngjyra mavi nuk e kanë udhëhequr kurrë Benetin në punën e vet, por e ka udhëhequr gjithmonë dëshira dhe e ka udhëhequr gjithmonë profesionalizmi i tij. Dua t’i them të gjithë atyre që nuk janë këtu që Beneti, si Shqipëria në fakt, nuk është as blu, nuk është as mavi, por është kuq e zi dhe Shkodra duhet të votojë kuq e zi këtë herë duke votuar për Benetin.
Ata të djathtët duhet të shohin sa xheloz është bërë ai që Beneti e quan Zoti Berisha. E keni parë sa xheloz është bërë për Benetin? Sikur i kemi marrë të dashurën. Ishte mërzitur Beneti shumë, më tha “Është shqetësuar shumë doktori”. I thashë “Mua ma thua këtë? Unë kam një jetë që punoj për të shqetësuar doktorin. Çfarë problemi kam unë me këtë”? I thashë, “Cfarë thotë?”
“Më thotë”, tha, – “që Benet pse ike? Diçka ka ndodhur. Çfarë ke bërë Benet? Ku të kanë kapur”? I thashë, “thuaji më ka kapur Shkodra, nuk më ka kapur njeri”.
Realisht, Benetin e ka kapur një pasion, një dëshirë, një ambicie për ta bërë Shkodrën siç kemi bërë Vlorën, siç kemi bërë dhe po bëjmë Durrësin, siç kemi bërë Tiranën, siç kemi bërë Malësinë e Madhe, që kemi këtu, Toninin.
Tonini ishte mërzit, se po thotë, “po fitoi Beneti, po më ikin fondet në Shkodër”. Po mos u mërzit Tonin se e vërteta është që ne, në fakt, pavarësisht se çfarë thuhet, ne Shkodrës nuk ia kemi kursyer fondet asnjëherë dhe për këtë flasin faktet dhe flasin veprat sepse rrugën Shkodër-Velipojë nuk e bëri Beneti me zotin Berisha, siç i thotë, por e bëmë ne me Benetin dhe është investim strategjik sepse të ndërtosh rrugën Shkodër- Velipojë nuk është thjesht t’i ndërtosh një rrugë bashkisë Shkodër, por është të ndërtosh një tjetër aks strategjik për ekonominë dhe turizmin shqiptar.
Rrugën Shkodër-Theth nuk e bëri Beneti me zotin Berisha, e bëmë ne me Benetin. Edhe ai është investim shumë i madh dhe të dyja këto investime bashkë, së bashku me rrugën Shëngjin-Velipojë dhe anasjelltas, e cila është në ndërtim dhe për të cilën ky maska këtu del dhe thotë që unë gënjej, por në fakt edhe dokumentet që nxjerr, njësoj si dokumentet që nxjerr ai që Beneti e quan zoti Berisha, që një kitarist të grupit “Eagles” e nxjerr sikur është Erion Veliaj në Iran i maskuar, apo njësoj si dokumentet që nxjerr që Yuri Kim ka blerë prona në Sarandë ndërkohë që Yuri Kim është një burrë nga Ukraina dhe thotë, “Shikoni, unë i kam bërë detyrat e mia.”
Po mirë, pyetja është shumë e thjeshtë. I kanë marrë lekët e shpronësimit njerëzit? Se edhe lekët e shpronësimit, ndryshe nga bashkitë e tjera që i themi “shpronësoji me fondet e tua”, ia dha qeveria bashkisë Shkodër për të shpronësuar ashtu siç duhet të gjithë pronarët sepse në kohën e atij që Beneti e quan zoti Berisha, në Shkodër shpronësime nuk bëheshin sepse “këta janë tanët, punë e madhe fort, po i lemë pa i shpronësuar”, dëmshpërblimet e përmbytjeve nuk bëheshin se, çfarë dëmshpërblimi t’i bësh një njeriu si ai që më doli mua këtu kur ishte përmbytja e madhe, shumë vite përpara. Ne ishim në opozitë, më doli një tip; ishte ujë dhe baltë nga maja e flokut deri në fund të këmbëve, më doli përpara dhe më tha “Ti guxon të vish këtu? Ju komunistët guxoni të vini këtu? unë, shi si jam. Jam si po më shef dhe ja ku e kam shtëpinë atje”, shtëpia ishte komplet në ujë. “I kam humbur të gjitha, vetëm qeni më ka mbetur atje në majë të çatisë por kurrën e kurrës unë nuk bëhem me ju. Çfarë do ti këtu?”, më tha. “Unë dua qenin”, i thashë.
Çfarë t’i thuash atij? Ai njeri, dëmshpërblimin e asaj përmbytjeje e mori nga komunistët sepse ai që Beneti e quan zoti Berisha, e ka shumë të thjeshtë formulën. E ka pasur të thjeshtë gjithmonë. Në fakt, me thënë të drejtën bravo i qoftë sepse ka pasur njerëz plot që ja kanë marrë sapunin ja kanë ngrënë për djathë parmixhano. E ka pasur të thjeshtë formulën, nuk ka nevojë për asnjë gjë tjetër. Vetëm që ne sa herë kemi nevojë, vijmë themi ‘fitore, fitore’. Se kush fiton këtu nuk kuptohet, por një gjë është e sigurtë që nga ato “fitore, fitore, fitore”, i humburi më i madh që nga viti 1992 në Shqipëri është Shkodra. Më i madhi! Nuk ka humbur sa Shkodra askush tjetër. Pse? Sepse askush sade si Shkodra nuk i ka dhënë mbështetje besnike, të verbër, gjithmonë pa asnjë ngurrim atij që Beneti i thotë zoti Berisha. Pse ka humbur Shkodra më shumë nga të gjithë? Sepse Shkodra megjithëse ka nga Zoti apo nga natyra për ata që janë mosbesues në mrekullitë e Zotit, më shumë sesa gjithë të tjerët, ka sot më pak sesa gjithë të tjerët. Askujt tjetër Zoti nuk i ka dhënë si qytet apo bashki ato që i ka dhënë Shkodrës! Askujt! Bravo Zotit, po, puna është tek bravo-ja e atyre që nuk e kanë lënë këtë dhuratë të Zotit që të kthehet në mirësi për gjithë këta njerëz qofshin të majtë, qofshin të djathtë, qofshin si të duan sepse Zoti askujt nuk i ka dhënë lumë, liqen, det, mal dhe alpet mbi kokë. Askujt!
Historia jonë e cila ka qenë shumë koprrace me shqiptarët, megjithatë Shkodrës prap i ka dhënë shumë. I ka dhënë bekimin e shumë njerëzve të mençur që kanë dalë në këtë vend. I ka dhënë bekimin e shumë figurave që janë shembuj frymëzimi për të gjithë e megjithatë çfarë ka që nuk funksionon këtu? Ka vetëm një gjë, nuk funksionon vota! Nuk ka funksionuar vota! Ka shkuar vota në mënyrë të vazhdueshme në drejtimin e gabuar dhe nuk është ndërruar kurrë dhe duke i thënë përmes votës atyre të tjerëve që ju bëni çfarë të doni, ju Shkodrën e keni nga ne, se ne jemi shumica këtu dhe ne Shkodrën ja u japim. Duke ja u thënë këtë, ata janë sjellë akoma më keq dhe kanë punuar gjithmonë e më pak për njerëzit e këtij qyteti, për njerëzit e kësaj bashkie se unë nuk e kuptoj dot ndryshe që kjo është bashkia më e ndotur e Shqipërisë. Unë s’e kuptoj dot, se mund të ankohen për fonde sa të duan, por po të llogarisni gjithë investimet që kemi bërë ne, ato që thashë, ato rrugë që shkojnë nga këtu deri në majë të Thethit e shtrihen deri në bregun e detit, plus investime të tjera për stadiumin, për restaurimin e kësaj godine, për muzeun Marubi, po t’i llogarisni të gjitha këto, janë më shumë sesa ka bërë qeveria e tyre për Shkodrën kur kishte pushtetin.
Sikur ta marrim të mirëqenë, dakord, nuk kanë pasur fonde të shkretët, po mirë për të pastruar, ju kanë munguar fondet këtyre?! Për t’i mbledhur plehrat nëpër kazanë nëpër rrugët e qytetit në mënyrë të rregullt, ju kanë munguar fondet këtyre? Jo, nuk ju kanë munguar. Atëherë, pse është Shkodra qyteti më i ndotur? Pse është bashkia me më shumë probleme të pastërtisë? Sepse vota që ju është dhënë atyre aq bujarisht pa ju kërkuar asnjëherë llogari po me votë, i ka bërë të mendojnë që çfarë problemi, nuk zgjohet herët njeriu nëse e ka rrogën e garantuar dhe po shkoi në punë, e po s’shkoi në punë. Nuk zgjohet herët! Nuk ka pse të zgjohet herët të vrapojë nëse si vrapoi, si s’vrapoi do marrë rrogën njësoj. Kështu edhe për këta. Si pastruan, si nuk pastruan, këta thonë, votën prap këta do na i japin se do luftojnë komunizmin. E vazhdon, që kur vij unë këtu, flas për këtë, kjo histori vazhdon. E kush paguan këtu? Nuk paguaj unë. Nuk paguan Partia Socialiste. Se ju e shikoni që si i morëm votat këtu, si nuk i morëm votat këtu, nuk është se kjo përcakton se a jemi, apo s’jemi qeveri në qendër. Pra nuk jemi ne që paguajmë, por është Shkodra që paguan dhe duke paguar Shkodra, paguan një kosto të madhe Shqipëria. Pse? Sepse kjo zonë këtu e ka bërë Zoti për të qenë një nga motorët më të fuqishëm ekonomikë të këtij vendi dhe kjo nuk funksionon si motor ekonomik.
Tani më falni, të ketë Korça 400 mijë turistë në vit dhe Shkodra të mos arrijë dot as nuk e di sesa është, por shumë nën 100 mijë, shumë. Të ketë Berati 300 mijë turistë në vit dhe janë qytete që e kanë nisur rrugëtimin me ne me shifra qesharake. Berati ka pasur 17 mijë turistë në vit. 17 mijë në vit! Vitin 2022 ka prekur afër 300 mijë. Korça ka pasur 30 e disa mijë, ka prekur 400 mijë. Të shkojnë çdo fundjavë 3 mijë njerëz për një vakt në Belsh si të shkojnë në Postribë. 3 mijë vetë dhe mos ndodhë kjo në Shkodër?!
Pse duhet të ketë këtë kontrast kaq të madh. “Se ne do dalim të luftojmë, se Edi Rama nuk ka për ta marrë kurrë Shkodrën edhe sikur të marrë gjithë Shqipërinë”! Pse, për mua është kjo? Çfarë lidhje ka kjo? Pastaj, çfarë ju gjeti ju, ju jo, po ata të tjerët, se drejtojmë ne këtu? Çfarë ju gjeti? Domethënë të kesh inat kalin dhe për inat të kalit e të lësh karrocën në tako, kjo është budallallëk. Ti s’je i detyruar të përkëdhelësh kalin. Ti merre, lidh karrocën, vazhdo punën. “Jo, nuk e dua kalin se kali ka qenë në stallë te komunistat”. Po mirë, rri pa kalë, mbaje karrocën në tako, hip sipër karrocës, ngriji dy gishta dhe thuaj “fitore”, po pastaj? Kjo historia e fitoreve të tyre është si ajo barcaleta që doli dikur për Brezhnjevin, që çfarë po bëhet me Bashkimin Sovjetik? Edhe përgjigja ishte Bashkimi Sovjetik është një tren që rri në vend, po gjithë qeveria bën ‘çaf-çuf, çaf-çuf’’, llafe. Njësoj edhe kjo ‘fitorja’. Çfarë fitore?
Unë shumë thjeshtë ju them të gjithëve këtu, ore, njeriu e provon more vëlla. Duan të vdesin pa provuar njëherë një gjë tjetër? Njeriu e provon. Çfarë nuk provuam në këtë demokraci, çfarë nuk provuam në këtë liri, çfarë nuk provuam. Por të mos provojmë një herë të marrësh në punë një tjetër kur ai që ke në punë ta bën punën keq e më keq , po ky është kulmi. Kaq e thjeshtë është kjo.
Rruga deri në Theth kalon nga Boga, tani ma tregoni dot ju mua pse Boga është e pastër dhe Thethi ka plehra? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Në Bogë bashkia është Malësia e Madhe, në Theth është bashkia Shkodër. Se po të hysh nëpër shtëpia edhe ata, edhe ata, i kanë shtëpitë e pastra, nuk janë njerëzit që duan të rrinë me pisllëkun.

Është ajo partia që Beneti thotë “e zotit Berisha”. E keni parë? Ka një marrëdhënie me pisllëkun që është e tmerrshme. E tmerrshme, a thua se duan të garantojnë liritë dhe të drejtat e plehrave që duhet të rrinë plehrat në rrugë e mos i ngacmoni, s’ka problem, le të rrinë aty, se do vijmë do t’i mbledhim, e të rrinë aty, s’ka problem. Fitore! Ç’fitore?

E ndërkohë është shumë e rëndësishme edhe për vetë ata se unë nuk i them dot atyre me fiksime hajdeni tani, se partia juaj shkoi për pambuk, votoni Partinë Socialiste. Unë nuk i them votoni për PS.

Atyre që i thonë vetes të djathtë, atyre që thonë jo, more vëlla, ne nuk e ndërrojmë fenë kurrë, se u bë si fe kjo. “Ne s’ndërrojmë fe kurrë, ne jemi të djathtë’’. Në rregull. S’po ju them votoni për Partinë socialiste, po ju them hajdeni more zotëri voto Benetin dhe ik në shtëpi, s’ke pse voton Partinë Socialiste.

Voto Benetin dhe ik në shtëpi. Se hall i mah, se mos bëhen xhelozë dhe nuk e votojnë nga xhelozia se edhe ky është problem, që pse e morët. S’kemi marë gjë ne, ne e morëm dhe e kemi sjellë në Shkodër, mbajeni sa të doni këtu, është i juaji. Është për të majtët, është për të djathtët dhe unë për veten time nuk jam duke vazhduar po atë muhabet se e kam bërë 100 herë këtu; që e kam gjyshen nga Shkodra, që jam rritur me një dhomë me gjyshen time, që kur feja ishte e ndaluar ajo fikte dritën, unë flija gjumë me përshpërimat që bënte lutjet me rruzaret në dorë. Nuk po i hyj fare këtyre punëve. Se pse të kem unë problemme Shkodrën, këtë e dinë vetëm ata që kanë problem me mendjen e vet. Unë nuk i hyj fare kësaj. Unë do them, pse dua unë që ne ta drejtojmë Shkodrën; sepse dua që Shkodra të futet në “makinën e madhe’’ ku janë motorrët e ekonomisë.

Në Vlorë nuk ndalonte asnjë njeri. Iknin. Kalonin dhe iknin poshtë se s’kishte ku rrije.
Vlora s’kishte hotele. 2- 3 hotele. S’kishte turistë që të ndalonin në Vlorë.

Sot, Vlora ka turistë në dimër dhe në verë, por unë po ju them nëse ne na jepet mundësia që t’i vëmë në zbatim ato projekte, ta bëjmë edhe atë projektin këtu në hyrje të Shkodrës, ta bëjmë atë projektin e kompleksit turistik me marinën, me amfitetatrin, me të gjitha ato në këmbët e kalasë. Ta bëjmë edhe pjesën e ndërhyrjes tek liqeni nga Zogaj në Shirokë që është edhe ajo një pjesë e programit se si ta ndezim motorrin e ekonomisë këtu, t’i bëjmë këto dhe pastaj nuk do jetë Shkodra që do ketë zili Vlorën apo që do shohë me zemrën të thyer Korçën. Do jenë ato që do kenë zili Shkodrën dhe aq më mirë akoma.
Kemi dy programe të mëdha investimesh këtu. Nëse ne marrim drejtimin këtu me Benetin, ato i bëjmë shumë më shpejt, nëse do vazhdojmë të merremi jo sill letrat e shpronësimeve, jo më jep lejen e ndërtimit, jo po prit të vijnë zgjedhjet, kush do vonohet këtu? Do vonohet Shkodra.

Do vonohet zhvillimi, do vonohet ekonomia. Kjo është një gjë që duhet të jesh komplet i verbër dhe shurdh që të mos e shohësh dhe unë besoj që është dita për ta bërë këtë gjë, në 14 maj.

Për të votuar pa komplekse fare, dhe atyre që s’mbushin fare, fare, s’duan të dëgjojnë , i them, po mirë rri në shtëpi fare, mor vëlla.
Rrini more, mos dilni se edhe kjo është e tmerrshme. Po mire, gjithë këtë luftë të madhe, 30 e ca vjet si të ishte kalaja e Krujës që nuk i dorezohet turqve, e bëtë që të dilni të votoni Liken?

Se liken keni tek fleta e votimi, “Bashkë Fitojmë’’ me Like Floririn, nuk ka tjetër aty , sepse zotit Berisha, që e quan ky, i ka humbur vula, i ka humbur partia, s’ka asgjë, nuk është fare në fletë votimi.

Demokratë që do shkojnë atje për inatin tim, për inatin tonë, për inat të Benetit dhe për inat të së ardhmes, dhe për inat të fëmijëve dhe për inat të të moshuarve, dhe për inat të pastërtisë dhe për inat të ndriçimit, dhe për inat të zhvillimit, e do thonë ‘’bashkë fitojmë’’ me Like Floririn.

Do çohet gjithë shpirtrat e atyre që kanq ikur në botën tjetër me trupin plot me plumba nga pushkatimet, e do çohen shpirtrat e atyre që kanë ikur në botën tjetër me plagë nga torturat, e do thonë; ej, o nipa, o mbesa, a jeni në vete a s’jeni në vete? Po pse për Liken u vramë ne? Për Liken ua trashëguam ne amanetin e së djathtës? Po pse me Liken do luftoni komunizmin ju, që nuk ekziston? As komunizmit, ashtu sikundër nuk ekziston më as ajo që ishte Partia Demokratike dhe më vjen keq, dhe e vetmja mënyrë që të bëhet të riekzistojë e djathta, është me hap rrugën. Me hap rrugën se s’ka rrugë, është e mbyllur. Ore, është rruga e mbyllur. Isha me një gazetar kosovar sot në mëngjes, me Berat Buzhalën, dhe më thoshte mua; a nuk ndjen ti përgjegjësi që opozita është kaq dobët?

Po unë për atë punë jam. Çfarë përgjegjësie? Unë për atë punoj, që opozita të jetë sa më dobët. Pse çfarë, do punoj që të forcoj opozitën?

Por ama në fund nuk është faji im se këtë punë ka kundërshtari. Edhe i thashë: ne fituam zgjedhjet. Dita e parë në parlament, e para. Unë në foltore, lexoj programin e qeverisë.. Fjalimi i parë i tyre, “qeveria të largohet”, “Edi Rama jep dorëheqjen’’.

I thashë, dhe ia kam thënë, neqoftëse keni ardhur me këto mend, përgatituni të dëgjonin programin e mandatit të dytë, e po vazhduat me këto mend, do dëgjoni mandatin e programit të tretë, sepse ju duhet të nxirrni një herë mësim pse humbni. Se nuk mund të jetë kjo histori që ju gjithmonë fitoni e në fund humbni, se këtë s’e di. Fitore, fitore, fitore! Ju kujtohet ai artisti që thoshte “Rrini të qetë, votat janë në kuti, janë të sigurta”. Fitore, fitore, humbje, humbje.
Ju kujtohet ai artisti që thoshte “Rrini të qetë, votat janë në kuti, janë të sigurta”. Fitore, fitore, humbje, humbje. Nxirrni mësim.
Mirëpo, nuk i nxjerrin dot mësimet ata se është njësoj si bashkia këtu. çfarë mësimesh nxjerr bashkia kur “Punë e madhe, nuk bën asnjë punë, vazhdon merr votën”. Ashtu dhe ata, asnjë mësim nuk kanë për të nxjerrë në qoftë se njerëzit e vet, me votën e vet do t’i thonë “Vëlla, hapma rrugën”. Kështu i thuhet babait në shtëpi, ku babai nuk kupton “Babë, rri gëzoje këtë pleqëri se tani do ta drejtojmë ne këtë punë”.

Unë i them atyre të shtëpisë time “Po patë ndonjë shenjë që unë nis të mos kuptoj, mos më lini të dal nga shtëpia se do t’ju turpëroj juve” se njeriu kur bëhet ashtu, nuk merr vesh më se çfarë bën, por duhet familja t’i thotë “Rri këtu tani, çaj, limon, filma” dhe bëni sikur humb çelësi e mbajeni brenda.

Këtë punë e bën vota, vota. “Sovraniteti” thotë, “Jemi sovranë, sovraniteti, liria, pavarësia, demokracia”. Çfarë thua?
Të ka mbaruar fitili? Shko shiko punën tënde. Çfarë thua? Çfarë lirie? Çfarë demokracie? Çfarë sovraniteti? Shko shiko punën tënde, shko tregoji përralla stërnipave atje, edhe Beneti të vjen për vizitë e të thotë “Zoti Berisha, me Shkodrën po punojmë mirë, keni ndonjë ide?”
-Ai do t’i thotë “Benet, je i shitur. Pse u shite?”
-Jo zoti Berisha, nuk jam shitur, por kam ardhur këtu të blej nga ju mendime.
Këto kisha unë. Nuk di se çfarë të them më tepër. Nuk dua t’ju lodh shumë se keni dëgjuar shumë gjithë këto ditë e gjithë këto javë, por një gjë po ju them; të ndryshojë Puka, të ndryshojë Fushë-Arrëzi, të ndryshojë Malësia e Madhe, të ndryshojë Vau i Dejës e Shkodra të rrijë t’i shohë e të mos ndryshojë Shkodra, unë këtë nuk di se ku ta vendos, as në qiell dhe as në tokë nuk rri.

Faleminderit të gjithëve!
Faleminderit jua hëngsha zemrën të gjithëve dhe Inshallah Beneti në 14 maj po e ka zemrën tuaj dhe të shumicës së shkodranëve që ta bëjmë Shkodrën zemrën e gjithë Shqipërisë!