Prononcimi për median i Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri:
Pyetje: Çfarë diskutuat sot në Kryesi?
Përgjigje: Atëherë sot patëm një diskutim në lidhje me strategjinë re fushatës. Patjetër dhe me planin e masave që shumë shpejt ne do ta materializojmë. Duke përgatitur të gjitha aktivitetet në funksion të promovimit të Partisë Socialiste, projektin e saj por njëkohësisht fushatës që ka të bëjë me zgjedhjet vendore sepse ka zgjedhje vendore dhe fushata do të trajtohet në mënyrë tjetër. Kështu që u diskutua nga të gjithë anëtarët e kryesisë për strategjinë dhe për një kalendar aktivitetesh të cilat ne shumë shpejt do ti bëjmë publike dhe do të respektojmë ato afate ligjore që ka dhe Kodi Zgjedhor, pra duke filluar fushatën 30 ditë përpara siç edhe kërkon Kodi Zgjedhor. Kështu që nga kjo pikëpamja ishte një mbledhje organizative pune ku të gjithë anëtarët e Kryesisë dhanë kontributin e tyre dhe PS hyn e sigurt me një program të qartë, me koncepte të qarta. Me një strategji të mirëtestuar, gjithmonë në funksion të rezultatit besoj shumë të mirë që ne do të marrim në këto zgjedhje.
Pyetje: Tubimi i hapjes së fushatës elektorale, është vendosur kur?
Përgjigje: Ne kemi menduar që të mos bëjmë aktivitete në fillim të mëdha masive, nuk duam të bërtasim, dua t’u tregojmë njerëzve se çfarë pune dimë të bëjmë dhe çfarë është duke u bërë në Shqipëri. Kështu që kemi menduar një strategji tjetër e cila shumë shpejt do të bëhet publike, por natyrshëm ne do të fillojmë aktivitetin javën tjetër , pasi siç është në përputhje me Kodin Zgjedhor, ne duhet të synojmë aktivitete më të qeta, takime më të vogla, duke përçuar mesazhin e paqes, të zhvillimit dhe të ndërtimit të Shqipërisë në atë fazë që vërtet ka hyrë vendi dhe që meriton të ta shikosh.
Pyetje: Cila është strategjia për kundërshtarin politik, do ta sulmoni për rublat ruse?
Përgjigje: Tani te rublat ruse janë vetë të zhytur në ato rubla ruse. Kështu që në këtë rast shqiptarët janë të qartë dhe natyrshëm meritojnë që tua përsërisim, por strategjia jonë është strategjia e ndërtimit të së ardhmes, e progresit që ka bërë Shqipëria, e evidentimit kudo, në të gjithë territorin e Shqipërisë, gjë që është konkrete, të shumë zhvillimeve pozitive që po ndodhin. Pra, ne shikojmë strategjinë e sigurisë së këtij vendi, zhvillimit të këtij vendi, kurse pala tjetër ju e dini që nuk ka strategji, ka thjesht një slogan që është përmbysja, revolucioni, e cila nuk përkon me interesat e Shqipërisë në këtë moment historik që ata janë.
Pyetje: Z. Gjiknuri për disa ditë radhazi Partia Socialiste nxirrte përfaqësuesit e vet nga selia duke sulmuar znj.Kryemadhi, duke e akuzuar pikërisht për çështjen e financimeve ruse. Pse i keni ndalur këto sulme tani? Kuptuat që banka nga ku ishte bërë financimi ishte mbyllur tre vite para se të ndodhte transferta e zonjës Kryemadhi?
Përgjigje: Nuk është çështja se sa herë deklarojmë në mbi një çështje që tashmë është bërë fakt publik. I takon organeve të drejtësisë që të verifikojnë dhe të zbulojnë të vërtetën. Dhe aq më tepër personave që akuzohen të bëjnë më dije të vërtetën për ato gjëra që akuzohen. Kjo ka një interes kombëtar. Tashmë është radha e organeve të drejtësisë. Nuk do bëjë Partia Socialiste konferenca të përditshme për shtyp në lidhje me këtë çështje. Ne thirrjen e kemi bërë me përfaqësuesit tanë të lartë. Faktet janë evidentuar. I takon organeve të drejtësisë, qoftë edhe për këtë pretendim që ju thatë.
Kështu që nuk zgjidhen këto me konferenca partie as në strategji të partive politike që të merren vetëm me një akuzë të veçantë.
Pyetje: Z. Gjiknuri a do të jetë kjo një fushatë ‘dietike’, nisur nga deklarimet e kryeministrit gjysma e fondeve të fushatës do të shkojë për mbjellje pemësh?
Përgjigje: Kjo ka dhe aspekt simbolik. Përveç faktit që patjetër Partia Socialiste në këtë fushatë do shpenzojë në kufijtë minimalë që kërkon ligji, duam të japim mesazh. Mbjellja e një peme është simboli i zhvillimit, i jetës, i progresit. Shqipëria ka hyrë në këtë fazë dhe ky mesazh do përçohet te qytetarët. Ne e shikojmë që Shqipërinë, edhe sipas sondazheve, si një vend që po bën progres. Ka patjetër nevojë të bëjë më shumë progres, por njëkohësisht e shikojmë Shqipërinë si një vend stabël që po rritet në të gjitha dimensionet, kurse pala tjetër e shikon zi sepse është i vetmi mesazh që ata kanë në mendje dhe atë dinë të përçojnë. Patjetër kontrasti është i qartë, simbolika është e qartë. Ne mbjellim një pemë, ata le të çirren për atë revolucionin e tyre imagjinar.
Pyetje: A ka më vend në Tiranë për të mbjellë pemë pas 1 milion pemëve që janë mbjellë këtu z. Gjiknuri?
Përgjigje: Gjithmonë ka vend për pemë. Ky vend është më i gjelbëruar se 10 vite më parë dhe natyrshëm që gjelbërimi do e bëjë jetën e njerëzve më të mirë.
Pyetje: Z.Gjiknuri, cila do jetë motoja apo slogani i fushatës elektorale të Partisë Socialiste?
Përgjigje: Shumë shpejt do ta bëjmë edhe sloganin tonë politik. Patjetër që do ti mëshojmë mesazhit të progresit dhe vazhdimësisë së kësaj rruge që nuk duhet ndalur.
Faleminderit!