Komunikim i Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH Edi Rama me mediat, në selinë e Partisë Socialiste pas mbledhjes së kryesisë
-Zoti kryeministër, çfarë u diskutua sot?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Punët tona, punët e brendshme të Partisë Socialiste që ju i dini, ne i ndjekim me shumë vëmendje vazhdimisht dhe nuk besoj se ka ndonjë gjë për t’u ndarë publikisht sepse ka filluar tani faza e planifikimit strategjik të fitores.
-I keni gati kandidatët?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: I kemi gati patronazhistët, kjo është gjëja më e rëndësishme.
-Zoti Rama, përmes sondazheve do t’i nxirrni kandidatët tuaj?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Ne kemi praktikën tonë të konsoliduar, bëjmë konsultim të kryqëzuar, konsultimin me partinë nuk diskutohet sepse ne kemi parti nuk kemi çeta që mblidhen dhe shpërndahen sipas thirrjeve, me komunitetin përmes anketimeve, sondazheve që ne i kemi po praktikë të konsoliduar, me vlerësimin e performancës së kryetarëve aktuale sepse ne jemi në një pozitë shumë specifike dhe për herë të parë dhe të fundit besoj që, duke pasur të gjitha bashkitë, kemi dhe një analizë performance të atyre ekzistuesve dhe natyrisht dhe me opinionin e Kryesisë së Partisë dhe mbyllet procesi.
-Zoti kryeministër, disa ditë më parë Ministrja e Jashtme njoftoi zëvendësimin e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim, ndërkohë ajo ditën e sotme ka thënë që do vazhdojë të jetë më gjatë në Shqipëri. Pse u thye etika diplomatike në këtë rast kur nuk duhet ta njoftojë kjo ministri zëvendësimin e ambasadores?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Nuk është thyer asnjë etikë e asnjë lloji dhe procesi për zëvendësimin e ambasadores ka nisur, siç është thënë dhe nga Ministria e Jashtme. Natyrisht, nuk e kemi nisur ne procesin, e ka nisur Departamenti i Shtetit, si për të gjithë ambasadorët që vendos, kur bëhet fjalë për ambasadoren e Shteteve të Bashkuara.
-Nuk është komentuar herët e tjera. Pse është komentuar këtë radhë?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Po sepse Amerikën e kemi të veçantë, nuk komentojmë për të gjithë ambasadoret sepse edhe sikur të komentonim, askush nuk do ta kishte mendjen, apo jo?
-Ka një krisje mes jush dhe ambasadores Yuri Kim?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Jo, “ngjitja” mes meje dhe ambasadores është më e fortë se kurrë, nëse mund ta përdorim kështu me metaforën e krisjeve dhe ngjitjeve. Nuk ka asnjë problem. Ne kemi pasur dje një takim të gjatë, konstruktiv, miqësor. Nuk ka asnjë problem. Kush e shpreson krisjen, gabon.
-Zoti Rama, ditën e sotme, Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak bëri me dijë një plan të përbashkët, një task force mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë sa i takon emigrantëve të paligjshëm. Si pritet të funksionojë dhe kur do të zbatohet?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Kjo është një kërkesë e imja që në kohën kur Boris Johnson ka qenë ministër i jashtëm ose ndryshe, siç e quajnë Sekretar i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe dhe e kam përsëritur vazhdimisht sepse sa herë kanë ardhur dhe kanë ndarë me ne këtë shqetësim, unë kam qenë konsistente në të njëjtën gjë; “Mos flisni për krim shqiptar se nuk ekziston një krim shqiptar. Krimi është krim dhe nuk ka etni. Nëse keni problem dhe doni ndihmën tonë sepse ne jemi zgjedhur për të qeverisur Shqipërinë dhe jo Britaninë e Madhe, ne jemi të gatshëm që, bashkë me ju, të ngremë një skuadër speciale, sic e kemi bërë me vende të tjera dhe ka funksionuar më së miri, e cila të merret 24orë në kohë reale për identifikimin, penetrimin, ndarjen e informacionit, vëzhgimin dhe në fund ndalimin e atyre elementëve që organizojnë këto rrjete të kriminalitetit, këto rrjete të trafikut klandestin e kështu me radhë”. “Ide e bukur, ide e bukur”, nuk është bërë kurrë.
Këtë herë kam pasur një bisedë goxha përmbajtësore me kryeministrin e fundit, se kanë ndërruar shumë në Britaninë e Madhe qëkur jam unë kryeministër këtu, për shkak të gjithë atyre krizave që ju i dini që kanë pasur, dhe ai ka marrë përsipër që, jo vetëm të thotë “E bukur, e bukur”, por dhe ta shtyjë përpara. Kemi bërë një, si të thuash, dakordësi, se nuk është marrëveshje e re sepse marrëveshjet janë aty, nuk ka marrëveshje të re, por kemi bërë një dakordësi që është e shprehur në deklaratën që ju keni lexuar. E gjitha është aty, nga fillimi në fund.
E rëndësishme është që kryeministri britanik më ka shprehur keqardhjen dhe një keqardhje e shprehur në mënyrë shumë paekuivok për çfarë ka ndodhur, nënkupto për faktin që fatkeqësisht, komuniteti shqiptar është vendosur nën një dritë tërësisht të gabuar, më ka shprehur të gjithë konsideratën për bashkëpunimin, për ecurinë e punës së përbashkët në arenën ndërkombëtare, në Këshillin e Sigurimit, në NATO e të tjerë, më ka shprehur po ashtu dhe dëshirën që të takohemi shpejt dhe pastaj jemi ndalur tek kjo pjesë ku unë kam përsëritur të njëjtin princip; “Nuk ka nevojë fare që t’i ndani shqiptarët nga askush tjetër, komuniteti shqiptar në të gjithë vendet është një komunitet që sjell vetëm vlerë të shtuar në të gjitha aspektet. Ata elementë që janë elementë problematikë nuk përfaqësojnë komunitetin shqiptar askund dhe as shtetin dhe flamurin tonë; janë jashtënxjerrjet e një kombi, si të çdo kombi, me ata duhet marrë në një mënyrë tjetër.
Dy pika; nëse shanset për të marrë azil në Gjermani, azil politik flas, në Gjermani, Francë, Holandë, Suedi janë 0, atëherë kërkojeni tek vetja, kërkojeni tek sistemi britanik, mos e kërkoni fare as tek qeveria e Shqipërisë, as tek ata që nisen për të ardhur tek ju sepse nuk marrin dot vizë.
Ishte dhe një deputet interesant shumë atje në Dhomën e Parlamentit britanik që pyeste ambasadorin tonë “Pse nuk vijnë me ËizzAir këta?”
-Zoti kryeministër, a keni pasur një komunikim me presidentin serb, Alexander Vuçiç në lidhje me situatën e Kosovës?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Jo.
Në media janë publikuar disa ditë më parë faturat e hotelit të ish zëvendës kryeministrit, Arben Ahmetaj, ish ministri i Ekonomisë të paguara nga personi kyç i akuzuar për aferën e inceneratorëve, Klodian Zoto. A keni një koment për faktin që ish numri dy i qeverisë suaj, në bazë të këtyre dokumenteve, ka përfituar favore nga një person i akuzuar për skemën e inceneratorëve?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Në media janë publikuar edhe të tjera gjëra që lidhen me adresime të individëve, të grupeve, të faktorëve të caktuar drejt SPAK-ut, edhe për politikanë, të cilët ju i keni pranë dhe për të cilët nuk më rezulton që të më keni pyetur mua dhe as t’i keni thënë publikut se ka ndodhur dhe kjo dhe ne nuk kemi bërë komente. Ne nuk bëjmë komente të tilla.
-Por ky ka qenë një person i rëndësishëm. Ju as nuk e pranoni se ka një aferë inceneratorësh. Në këtë rast, ku kemi një tjetër ish ministër të përfshirë që ka marrë favore, ju vetë e dënoni që një ministër t’i paguajë faturat e hotelit një person tjetër?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Se është ky zakoni që duhet ngritur zëri, duhet penguar konferenca e shtypit, duhet përsëritur gjërat sepse duhet bërë propaganda këtu në këtë platformë. Unë e dhashë përgjigjen, nuk akuzova dhe nuk akuzoj askënd. Unë po them që, e para njëherë, në media dalin shumë gjëra dhe respekti im për median në raport me të vërtetën është i mirënjohur. Media është e dyndur në gjysmë të vërteta që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, por në rastin konkret bëhet fjalë për diçka që lidhet me një proces dhe bëhet fjalë për një denoncim që një individ i caktuar ka bërë në SPAK dhe ne as për njerëz që janë në Partinë Socialiste, as për njerëz që janë kundër Partisë Socialiste, as për ish President Republike, as për ish Kryeministra e të tjerë, nuk e kemi zakon të prononcohemi kur bëhet fjalë për pikërisht këtë lidhje dhe unë të gjitha çfarë thuhen në media i marr me shumë rezervë.
– E keni kontaktuar zotin Ahmetaj për këtë çështje për të ditur të vërtetën e tij ose të vërtetën tuaj?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama:Procesi ka punën e vetë dhe të vërtetat individuale të secilit, janë të vërteta individuale. Unë di që edhe një herë tjetër dhe e përsëris meqë ma thatë, që janë tre vepra në Fier, në Elbasan dhe në Tiranë për të cilat 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do thoja që duhen bërë dhe të cilat sot janë në shërbim të komuniteteve. Ajo e Elbasanit është pronë e komunitetit tanimë, pra investim i bërë që është sot pronë e komunitetit. Ajo e Fierit është e destinuar të jetë pronë e komunitetit. Ajo e Tiranës ka shpëtuar një herë e mirë Tiranën nga plehrat dhe nga e gjithë thagma. Koncepti është shumë i thjeshtë. Nëse ne nisemi në një betejë dhe kemi një qëllim të caktuar dhe rrugës dikush apo disa që janë nisur për të arritur atë qëllim, këpusin edhe dardha dhe mollë për t’i futur në trasta mbas shpinës time, kjo është një çështje që nuk e kanë me mua, e kanë me drejtësinë.
Ndërsa për rastin konkret nuk kam asnjë koment për të bërë thjesht sepse nuk mundet dot të ngrihen akuza dhe të bëjmë spekulime e të fillojmë të bëhen komente mbi copa të dhënash që janë të gjitha për tu hetuar, për tu vërtetuar, për tu gjykuar. Kur të hetohen, kur të vërtetohen janë të vërteta, s’janë të vërteta, çfarë përmbajtje kanë, si janë e të tjerë dhe kur, nëse do të ketë një vendim mbi to, atëherë unë siç kam folur gjithmonë, do të flas përsëri. Unë nuk flas të bëj muhabet këtu sepse ka një muhabet për tu bërë dhe sepse ka interes për të marrë nëpër gojë njerëzit.
– Po në rastin e zotit Balla që ka një vendim gjykate që ka fshirë ato mesazhe që kanë dalë nga përgjimet si pjesë e një hetimi ku lidheshin banda kriminale.
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama:Kjo pastaj hyn te një nivel tjetër i të njëjtës vorbull. I vorbullës së asaj qenërie të madhe politiko mediatike që për fat të keq karakterizon të përditshmen e pasqyrave tona informative dhe dizinformative dhe që për fatin më të keq, shqiptarët janë të detyruar ta kenë pjesë të jetës së tyre brenda mureve të shtëpisë kur hapin televizorët apo rrugës kur ndezin këto mrrokllat e teknologjisë digjitale.
– Zoti Rama, a do ta ndihmojë Shqipëria Kosovën me forca policore në rast se…?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama:Po për çfarë arsye do ta ndihmojë Shqipëria, Kosovën me forca policore dhe për çfarë arsye Kosova, që është një shtet sovran, demokratik duhet të ketë forca policore të shteteve të tjera në territorin e saj që është një territor integritetin e të cilit e mbron një bashkësi e tërë ndërkombëtare, se se kuptoj këtë pyetje, realisht.
– Zoti Rama kam një pyetje meqë ditën e sotme kam ngrënë edhe mjaltë siç më këshilluat ju, pyetja është për Erion Braçen. Ka denoncuar sërish që Kuvendi nuk po e lejon të bëjë punën e tij si deputet duke mos i shqyrtuar amendametet që ai ka propozuar. Si i përgjigjeni shqetësimit të zotit Braçe?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama:Po pse mendon që e ke arritur nivelin që të shërbesh si urë komunikimi mes meje dhe Erion Braçes? Ai vërtet nuk është i pranishëm këtu, por është gjithmonë i pranishëm tek unë edhe kur s’është i pranishëm. Nuk ka nevojë të ndërhyjë dikush midis meje dhe Erion Braçes.
– I keni dhënë një përgjigje për faktin që akuzon mazhorancën se po bllokon nismën e tij?
Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama:Tani po abuzon me konferencën se ka dhe kolege të tjera. Bëre nuk e di sa pyetje, tani karikoje për herën tjetër kallashnikovin.
Faleminderit!