The Socialist Party of Albania

Fier, Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë nisi sot nga Fieri ciklin e takimeve të Asambleve të zgjeruara, që do t’i paraprijnë Kongresit të Partisë Socialiste në fillim të muajit dhjetor, për të diskutuar çështje që lidhen me nevojën e organizimit të partisë, si dhe me situatën aktuale të vendit në aspektin ekonomik, dhe në aspekte të tjera.

* * *

Po flas ulur që ta bëjmë pak më në formë bisede se fjalimet i bëjnë shokët e mëdhenj të partisë. Nisëm këtë cikël takimesh të asambleve të zgjeruara për t’i paraprirë Kongresit të Partisë në fillim të muajit dhjetor për të diskutuar çështje që lidhen me nevojën e organizimit të partisë, çka e kemi bërë gjithmonë pas çdo fitoreje në zgjedhje dhe çka do ta bëjmë përsëri, duke marrë në konsideratë të gjitha gjërat që nuk kanë shkuar si duhet, por duke marrë në konsideratë edhe nevojën që të jemi përsëri e përsëri, 3 hapa përpara të gjithë kundërshtarëve tanë, qoftë edhe për të diskutuar lidhur me situatën aktuale të vendit në aspektin ekonomik, por edhe në aspekte të tjera duke filluar nga të pasurit e vetëdijes se sot, ne po shohim një pjesë të atyre rezultateve për të cilat kemi punuar me ngulm për një kohë jo të shkurtër.

Sot, mora të dhënat e tetorit për turizmin, jemi tetor dhe krahasimisht me tetorin e vitit të shkuar, numri i turistëve që kanë hyrë në Shqipëri është rritur me mbi 80%.

Tetorin e shkuar kanë qenë 365 mijë turistë, këtë tetor 691 mijë turistë dhe nga janari në tetor, ne kemi prekur ose pothuasje prekur për disa mijëra akoma, numrin e 9 milionë turistëve në Shqipëri. Për të qenë të saktë është 8,92, por gjithesesi është një shifër, e cila do të ishte e paimagjinueshme deri para disa vite më parë.

Dhe mos harrojmë asnjëherë sepse nganjëherë kur ne fasim për turizëm, kur flasim për rritjen e numrit të turistëve, ka disa që mendojnë që kjo është diçka që nuk ka lidhje me jetën e tyre të përditshme dhe në fakt, ajo që po ndodh sot, është që turizmi po kthehet në një industri dhe nga ana tjetër, turizmi është eksporti më i madh sepse nuk është se ata turistë që vijnë rrinë në ajër.

Ata turistë që vijnë, do të thotë njëkohësisht që rrisin në mënyrë eksponenciale konsumin, rrisin në mënyrë eskponenciale kërkesën për shërbime, kërkesen për prodhime dhe patjetër rrisin në mënyrë shumë të ndjeshme të ardhurat në ekonomi, për ekonominë kombëtare dhe ekonominë familjare.

E nisa këtu, sepse besoj që turizmi dhe rritja e tij eksponenciale që do të vazhdojë vit pas viti, është pamja më e prekshme, konkrete e asaj që kemi bërë për Shqipërinë dhe asaj çfarë i ka ndodhur Shqipërisë falë gjithë punës sonë të përbashkët.

Shqipëria sot është një vend tjetër në sytë e atyre që deri dje, as nuk e imagjinonin që ta shikonin si një prej destinacioneve turistike më tërheqëse dhe kjo nuk lidhet thjeshtë dhe vetëm me bukuritë magjepsëse që ka Shqipëria, nuk diskutohet, por lidhet me faktin që puna jonë ka bërë që ato bukuri magjepsëse të vihen në dispozicion të njerëzve,të fillojnë të vihen në dispozicion të ekonomisë, të fillojnë të vihen në punë si burime të ardhurash për familjet tona.

Sot ishim në kantierin e rrugës së Bylisit, rrugës së re. Po ashtu edhe në një kantier tjetër, të një rruge që lidh faktikisht Fierin, Mallakastrën dhe Lumin e Vlorës. Këto rrugë nuk janë thjesht lehtësim i trafikut, i lëvizjes për njerëzit që banojnë aty, por janë rrugë që i shtohen kapaciteteve tona të industrisë turistike.

Ka pasur një rritje të madhe edhe të vizitorëve në parqet tona arkeologjike.

Ne këtu kemi 3 nga parqet më të rëndësishme arkeologjike të vendit që janë një destinacion i kërkuar nga turistët, por me këto investime, jo vetëm që do të rritet numri i vizitorëve, por krijon mundësi që të rrisim agroturizmin, të çlirojmë potenciale të reja në funksion të ekonomisë. Bukuritë e Shqipërisë aty kanë qenë gjithmonë, por që ato bukuri të kthehen në ekonomi, duhet që ne të bëjmë, që njerëzit të bëjnë ato që ne kemi bërë pjesërisht, dhe që do vazhdojmë t’i bëjmë për të aritur që gjithmonë e më shumë, çdo familje shqiptare, përmes ciklit të ekonomisë kombëtare dhe pastaj shumë familje shqiptare përmes shftytëzimit të drejtpërdrejtë të këtyre bukurive, të rrisin ekonominë tyre, të përfitojnë nga kjo pasuri magjepsëse që ka Shqipëria.

Dhe po ta shikojmë të zbërthyer, se çfarë qëndron prapa kësaj pamje të parë konkrete, të prekshme të trasnformimit të Shqipërisë në sytë e botës, janë një sërë politikash që janë vënë në zabtim. Unë e di që nuk është shumë argëtuese apo nuk është shumë tërheqëse të dëgjosh shifra, por duke qenë se kjo është një mbledhje, do të dëshiroja thjeshtë të rreshtoja disa shifra që janë të rëndësishme, disa të dhëna që janë të rëndësishme për të pasur parasysh se Shqipëria sot është gjithmonë e më atraktive dhe gjithmonë e më e respektuar, jo sepse ka një pamje të bukur, por sepse pas asaj pamjeje të bukur, kanë ndodhur shumë gjëra të rëndësishme.

FMN në misionin e vet të fundit theksoi se Shqipëria sot ka një nga ekonomitë më rezistente në rajon.Të kesh një ekonomi rezistente sot, brenda natyrisht kapacitetit që ke, nuk është diçka që e kanë të gjithë, sepse ju e dini shumë mirë sa gjëra kanë ndodhur në botë dhe i kanë prekur të gjitha ekonomitë. Agjencia e vlerësimit të shteteve, Standard & Poor’s bëri pas 7 vjetësh një tjetër rritje të rëndësishme në vlerësimin e Shqipërisë, duke e kaluar nga vlerësimi B+ stabël në vlerësimin B+ me prespektivë pozitive dhe nëse ne do të vazhdojmë të ecim përpara si deri tani, me uljen e borxhit që do flas pak më poshtë dhe me çeljen e negociatave, ne bëhemi një shtet që mund të marrë së shpejti vlerësimin dhe të kalojë në 2B.

E kemi përsëritur gjithmonë, po duhet përsëritur gjithmonë sepse është shumë e rëndësishme që disa gjëra të mos hiqen nga arsyetimi për të kuptuar se çfarë kemi bërë dhe deri ku ka qenë kufiri i mundësive dhe çfarë mund të bëjmë më tutje. Kemi pasur goditje të forta, të njëpasnjëshme, që nga tërmeti, te pandemia dhe ndryshe nga vendet e tjera rreth e rrotull që janë vende anëtare të Bashkimit Europian, ne, 5 vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk jemi pjesë e Bashkimit Europian, nuk kemi pasur mbështetje financiare ekstra nga Bashkimi Europian, ose më saktë mbështetje të konsiderueshme sepse kemi pasur disa gjëra që jemi falenderues, por që krahasimisht me fqinjët që janë në Bashkimin Europian janë të papërfillshme dhe borxhi ynë shkoi në 75%.

Sot që flasim, me buxhetin e vitit 2024, ne jemi pothuajse në 60%, pra kemi një ulje me 15% të borxhit dhe projeksioni ynë është që vitin e ardhshëm, nëse larg qoftë s’do ndodhë ndonjë gjë tjetër, ne do zbresim nën 60%. Kemi njëkohësisht bërë diçka shumë të rëndësishme për të gjithë njerëzit që ndërkohë që çmimi i energjisë u rrit në mënyrë të frikshme për të gjithë, jo për ne vetëm, asgjë nga kjo rritje e frikshme e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar, domethënë edhe në import, asgjë, as edhe një qindarkë nuk është reflektuar në faturën e dritave të asnjë familje shqiptare sepse kemi vënë në dispozicion një volum të konsiderueshëm lekësh për të mbështetur çdo familje, duke e paguar nga arka e shtetit diferencën që vinte nga rritja e imponuar nga kriza dhe është e çuditshme duke qenë se ka një informim për faktet, po ka dhe një propagandë kundër fakteve, shumë njerëz mendojnë edhe thonë që “na është rritur çmimi i energjisë”. Nuk ka asnjë rritje të çmimit të energjisë. Mjafton që secili të shikojë faturën në shtëpi, por ata që thonë “na është rritur çmimi”, janë ata që zakonisht as nuk pyesin fare në shtëpi se sa po paguhet.

Inflacioni ka qenë një tjetër problem shumë i madh. Nuk e them unë, e thonë të gjithë dokumentat e institucioneve ndërkombërare. Shqipëria pati dhe ka sot inflacionin më të ulët në rajon, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka inflacionin sot, nën mesataren e Bashkimit Europian. Aktualisht jemi, nga shtatori 2023 me 4.1% dhe sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e ardhshëm inflacioni do të rikthehet në normalitetin e përpara krizës, midis 2 dhe 4.

Përpara pak ditësh, Shqipëria doli nga lista gri e Taskforcës së Veprimit Financiar dhe doli nga lista gri, me vlerësime të larta për gjithë punën e bërë. Lista gri është një listë ku futen vende të cilat kanë problematika me qarkullimin e parasë, pastrimin e parasë dhe kështu me radhë, por është një proces. Për shembull, doli Shqipëria nga lista gri, u fut në listën gri Kroacia dhe Bullgaria. Pra, nuk është fundi i botës të hysh në listën gri, por është shumë më mirë të mos jesh në listën gri sepse kjo forcon shumë reputacionin e vendit, kjo rrit shumë besueshmërinë dhe njëkohësisht patjetër lehtëson shumë qarkullimin e parasë dhe këtu flasim për një vend që ka shumë ndërlidhje për shkak të shumë shqiptarëve që janë në emigracion dhe dërgojnë para, që investojnë në Shqipëri, por edhe për shkak të kërkesës në rritje të investitorëve të huaj. Këto janë pak a shumë disa elementë të pamjes së përgjithshme, e cila është pamja e një organizmi të shëndetshëm, por kur them të shëndetshëm nuk po iu them dhe nuk i them askujt gëzohuni se ekonomia është shumë mirë, aq më tepër që për vetë natyrën e njeriut, shto këtu dhe shqiptarin siç jemi ne, ekonomia nuk është dhe s’mund të jetë asnjëherë shumë mirë, por duhet të jetë më mirë, pra është më mirë seç ka qenë ndonjëherë, duhet të bëhet më mirë seç është patjetër.

Vijmë tani te buxheti sepse e gjitha kjo reflektohet pastaj konkretisht, se mund të flasim ne për shifra si këto që fola unë deri tani, po pastaj në fund fare, çdokujt i lind e drejta të thotë dakord, këto janë shumë të mira mesa duket, por unë s’po shoh gjë. E pra, vitin e ardhshëm ne do ta çojmë pagen mesatare 900 euro.

E është shumë lehtë ta bësh llogarinë, kaq është rroga në Gjermani, kaq është rroga në Shqipëri. Po, patjetër, por në ato dy pasqyra, mungon se çfarë pastaj mbetet në fund atje dhe çfarë mbetet këtu, gjithmonë flasim për njerëzit që kanë një punë të zakonshme, nuk flasim për ata që kanë punë me paga shumë të larta. Flasim për nivelin e punonjësve, për nivelin e zakonshëm.
Nuk janë vetëm 400 milionë euro për paga, janë edhe 250 milionë euro për pensionet, të cilat janë të shtrira në dy vite. Natyrisht që sa herë flitet për pensionet, kjo është një dhimbje për faktin që akoma nuk dalin llogaritë për të bërë një kërcim më të lartë, sepse pensionet janë të lidhura drejtpërdrejtë me sigurimet dhe në një vend ku deri dje sigurimet shoqërore ishin një gropë po aq e madhe sa ajo e Sudes, por e padukshme në sytë e njerëzve, është shumë e vështirë që të bësh atë që bën me pagat. Megjithatë, 400 milionë euro janë vënë në dispozicion për pagat dhe 250 milionë euro janë vënë në dispozicion për pensionet. Domethënë shikoni tani se çfarë impakti kanë 400 milionë eurot e pagave tek ata që janë në punë dhe çfarë impakti kanë 250 milionë eurot e pensioneve. Një impakt shumë më të vogël sepse numri i individëve përfitues është shumë herë më i madh, ama kjo është arka.
Nga ana tjetër, buxheti ynë prej 7 miliardësh që është më shumë se dyfishi i buxhetit që kemi pasur kur ne kemi marrë detyrën, më shumë se dyfishi, 33%, një të tretën e ka për mbrojtjen sociale, për kujdes social. Në këtë 33% nuk janë vetëm pensionet por janë edhe ndihma ekonomike, pagesat e papunësisë, asistencat sociale, janë ish të përndjekurit, ish pronarët, janë edhe bebet, bonusi i bebes, që nga gjyshërit deri tek të porsalindurit. Këtë shtrirje të mbështetjes dhe kujdesit social, ky vend nuk e ka pasur asnjëherë më parë, kjo është e vërteta.
Pastaj, ato diskutimet jeni të majtë por nuk jeni të majtë se jeni të dhjathtë, ato pastaj janë muhabete. Fakti është që 33% e 7 miliardë eurove shkojnë vetëm për mbrojtjen, për kujdes social në buxhetin e 2024 dhe mos harrojmë që jemi një vend i NATO-s, kemi detyrimet e marra si anëtarë të NATO-s dhe për herë të parë, Shqipëria ka 2% të buxhetit për ushtrinë, që do të thotë 2% është kriteri që përmbush detyrimin ndaj NATO-s. Ka vende shumë më të forta se ne që mbase tani do të jenë tek 2% por nuk kanë qenë tek 2%. Natyrisht, ky është proporcion por ama në proporcionin e buxhetit tonë, ky është një detyrim që Shqipëria e ka të plotësuar.
Ky është buxheti pak a shumë dhe diçka tjetër, asnjë taksë nuk do të rritet. Asnjë!
Jemi i vetmi vend në rajon që ka biznesin e vogël me zero taksë, nuk e ka asnjëri dhe zero Tvsh, nuk e ka asnjëri!
Ndërkohë jemi duke diskutuar dhe mbase do të arrijmë deri në fund që edhe nivelin e taksës mbi pagën, nivelin e lartë të taksës mbi pagën, të bëjmë një rishikim që nga rritja e pagave në nivelin e lartë dhe kur them niveli i lartë, kam parasysh që deri dje kishim 1 milionëshin si nivel të lartë, sot nuk është 1 milionëshi nivel i lartë, kështu që edhe aty do të mundohemi të bëjmë një zbutje në mënyrë që të mbetet më shumë për familjet të mbetet më shumë për ata që marrin pagën.

Thënë të gjitha këto, vijmë tek gjërat që janë për t’u bërë sepse gjërat që janë për t’u bërë janë më shumë se sa këto që kemi bërë dhe tek gjërat që janë për t’u bërë, që të mos zgjatem në shumë gjëra, dua të them shkurtimisht disa prej tyre.

E para, që ne të bëjmë atë kapërcim historik që kemi marrë përsipër dhe që ta kemi Shqipërinë e 2030 një vend kampion absolut në këtë rajon për turizmin, për eksportet bujqësore, për digjitalizimin, pra modernizimin teknologjik, ne duhet me patjetër të kuptojmë dhe këtë duhet të kuptojmë, jo thjeshtë intelektualisht, por këtë duhet ta kuptojmë në veprimin e përditshëm që duhet të rrisim me shpejtësi, me vendosmëri kapacitetet njerëzore në arsimin profesional. Nuk mundet dot ne të jemi kampionë në këtë rajon që jemi të rrethuar nga vende që luajnë në Champions League.

Asnjë nga vendet e rajonit tonë nuk luan në kategorinë e tretë siç luante Shqipëria deri 10 vite më parë, luajnë në Champions League të gjithë e që të konkurrosh me ata duhet, jo thjeshtë t’u ofrosh siguri, t’u ofrosh bukuritë e natyrës, ushqim të mirë, por duhet që t’ju shërbesh me cilësi.

Mungesa e specialistëve, mungesa e njerëzve të zanatit në të gjithë spektrin e industrisë së turizmit, por dhe në gjithë sektorët e tjerë është alarmante dhe është e kotë, është pa lidhje e këtë ua them të gjithë prindërve që kanë fëmijë në shkollë, që shkojnë në gjimnaz me pesa, me gjashta e që rrinë atje këmbëngulin për t’i çuar në universitet që të humbasin kohën, të humbasin atë që investojnë, për t’i dhënë fëmijës që një rrugë, e cila me shumë gjasë nuk do e nxjerrë asgjëkundi në vend se menjëherë ai fëmijë që mbase nuk është shumë i prirur për shkenca, të marrë një zanat. E mund të jetë shumë i prirur për zanatin dhe nga zanati mund të krijojë dhe biznesin e vet e mund të bëhet sipërmarrës i një kompanie shërbimi sipas zanatit të vet dhe të jetë i zoti i vetes e të fitojë nga puna e vet në vend se të vijë vërdallë, qoftë edhe po ia doli që të futet në universitet me një diplomë që nuk i pi ujë asgjëkundi, e ky është një ndryshim i madh që duhet bërë tani, jo pas 5 vitesh, tani, duke filluar që këtë vit ne i kemi nisur një proces sensibilizimi me shkollat. Me familjet, por po e shfrytëzoj këtë rast për t’i thënë prindërve të këtyre fëmijëve jepuni fëmijëve një zanat. Shqipëria kur ata fëmijë të dalin në jetë dhe s’po po flas pas 20 vjetësh, por po flas 5 vjetësh, 6 vjetësh. Shqipëria do të jetë vendi që do të ketë shumë kërkesë, shumë shumë fare kërkesë dhe do ketë punë dhe kjo është baza kudo sot. Koha kur shkoje në Europë edhe merrje një pagë që të jepte mundësinë të bëjë 1 mijë gjëra ka mbaruar në Europë. Nuk është më. Këtë mund ta dëshmojnë të gjithë ata që janë në emigracion, nuk është më. Sot ata që jetojnë me një punë, me një zanat në Europë, duan, domethënë e kanë të pamundur të bëjnë një tjetër përveç se të arrijnë në fundin e muajit, të çojnë fëmijët në shkollë dhe këtu mbaron filmi.

Po shikoja në emision, një kronikë me një djalë që kishte ardhur nga Gramshi, a nuk e di nga kishte ardhur në Tiranë, kishte një punë dhe thoshte nuk blej dot shtëpi. Po nëse ma gjeni mua një djalë në Gjermani, gjerman jo shqiptar, gjerman. Në Britani, anglez, jo shqiptar, në Francë, francez, jo shqiptar që bën të njëjtën punë dhe blen dot një shtëpi, atëherë jam unë gabim, nuk ekziston. Ky është një problem sot i gjithë Europës dhe mos harroni një gjë tjetër, – mos harroni, mos harrojmë dhe një gjë tjetër, sot Shqipëria është një nga vendet më të sigurta, një nga gjërat që të gjithë të huajt që vijnë në Shqipëri thonë është – Këtu del natën dhe s’ke frikë dhe e thonë njerëz që vijnë nga Londra, që vijnë nga Parisi, që vijnë nga Roma.

Flisja dje me Elsa Lilën, se bëmë një Podcast, do shfaqet pak më vonë. Elsa Lila thoshte unë që të dal nga shtëpia natën duhet të jem e shoqëruar dhe banoj në qendër të Romës, jo në periferi. Dhe kjo është e vërteta. Dhe që mos të shkoj më tutje dhe të them që në Gjermani kur mbaron punën atje dhe je shqiptar dhe punon shumë më rëndë se këtu nuk diskutohet, nuk diskutohet dhe patjetër që ke siguruar atë jetën mujore të familjes tënde, as kjo nuk diskutohet, nuk ka shans ta gjesh dikë që të ulesh të pish kafe, të bësh muhabet, s’ka shanse, kurse këtu kjo është e garantuar. Pjesë e jetës është edhe kjo, është e garantuar. Por ajo që duhet kuptuar sot dhe duhet parë si investim për nesër, jo për nesër në të ardhmen, për nesër, nesër, nga familjet është që në vend që ti thonë fëmijëve ikni, ikni se nuk bëhet ky vend, ikni, ik, ik, t’iu thonë merreni një zanat tani, këtu, merrni një zanat dhe kur ju ta keni marrë zanatin është e sigurt 1000%, jo 100% që për ju do të ketë një punë dhe do të ketë një punë të mirëpaguar, sepse nëse ne kemi arritur sot të mendojmë që mund të kapim, mund t’i afrohemi 10 milion turisteve, 10 milion turistëve në dhjetor, sepse 9-ën e kemi që tani, por mund t’i afrohemi 10-ës do të thotë që vitin e ardhshëm do të kemi shumë e më shumë, çfarë janë këto. Këto janë nevojat të një grupi komplet të ri konsumatorësh, nevoja për shërbime dhe nëse sot në Shqipëri është gjithmonë e më e qartë që ka filluar kërkesa në rritje e të huajve për të blerë shtëpi, mjafton të shkoni të pyesni te Lungomarja e Vlorës, që deri dje nuk mund të kaloje natën se humbje në një gropë, ose gjeje shtëpinë me të pyetur se nuk kishte drita, se sa janë të huajt që kanë blerë dhe vazhdojnë të blejnë apartamente, është diçka që do të vazhdojë në rritje. Atëherë të gjitha këto kanë nevojë për një shoqëri që është në gjendje të shërbejë dhe të fitojë përmes shërbimit.

E dyta, është nevoja për të forcuar më tej arsimin dhe për të forcuar në radhë të parë, në radhë të parë po për të forcuar sidomos universitetet. Universitete tona kanë një nevojë të madhe të shfrytëzojnë në mënyrë më të përgjegjshme autonominë. Kini parasysh, ne kemi rritur pagat, përpara pak javësh, kërkonin, ok me të drejtë që pas rritjes së pagave për pedagoget, të rriteshin pagat edhe për personalin mbështetës. Tani numri i studenteve nuk ka ndryshuar, madje ka patur një rënie, numri pedagogëve nuk ka ndryshuar. Është dyfishuar numri i personelit mbështetës. Tani çfarë është kjo? Ky për mua është abuzim me autonominë, nuk është autonomi. Merr njerëz në punë atje dhe shto personel mbështetës, ndërkohë që numrin e studentëve nuk e ke të rritur. Volumin e punës që bën nuk e ke të rritur. Për çfarë e shton? Kemi hapur një proces për ndërkombëtarizimin e universiteteve që po ecën dhe do të kemi gjithmonë e më shumë mundësi që edhe për ata që shkojnë në universitet dhe që janë të mirë, të kenë këtu mundësinë që të studiojnë pa ikur jashtë shtetit në universitete që kanë diploma të njësuara. Kjo është një tjetër gjë që duhet ta nxisim dhe duhet ta arrijmë për Shqipërinë e 2030 si derë të hapur.
Autonomia spitalore.
Fieri ka një spital që ju e dini më mirë ose e keni dëgjuar se ju jeni në asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste, ju s’keni nevojë për mjek se jeni të fortë. Vetëm kur rrini gjatë në krye të PS dhe kur keni të bëni me ata që kemi përballë, të del zorra qorre por përndryshe gjerat janë në rregull.
Në spitalin e Fierit ka filluar pilotimi i autonomisë spitalore që do ta shtrijmë dhe duhet patjetër ta shtrijmë në këtë periudhë drejtë Shqipërisë së 2030 në të gjitha spitalet, në mënyrë që, të rritet cilësia e shërbimit, por të bjerë në mënyrë drastike infeksioni i korrupsionit, i bakshishit.
Tjetra është digjitalizimi. Ju jeni të gjithë përdorues të e-Albania kur ju duhet. Është një proces që është shtrirë në shumë sektorë dhe ne tani po hyjmë në një rrugë akoma më të avancuar, me programe të reja të inteligjencës artificiale të cilat do të bëjnë shërbime të mëdha për vendin, shërbime shumë të mëdha për vendin. Dhe kjo do të na japë mundësinë që krahasimisht me rritjen në ato drejtime që fola, të rrisim një kapacitet në Shqipëri që të jetë një kapacitet që ndikon drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike se në fund të ditës është ekonomia.
Dhe e fundit, është rendi dhe drejtësia. Tek rendi jemi në shifra jashtëzakonisht pozitive. Vazhdimisht kemi pasur rënie të kriminalitetit. Jemi vendi me nurmin më të ulët të vjedhjeve të shtëpive në Europë. Këtë të Europës nuk e them unë dhe e kam thënë njëherë, mbase e keni dëgjuara por unë kam qejf ta përsëris këtu sot, që më erdhën ca miq nga Anglia, të huaj, britanikë, gjatë kohës së verës. Dhe më thanë, jemi mahnitur se po shikonim për shqëirpinë dhe gjetëm që keni numrin më të ulët të vjedhjeve dhe njëri nga ata ishte gazetar dhe tha është e çuditshme. Pyetja 2-3 njerëz këtu, e merrni me mend se kë ka pyetur. Edhe i tha si ka mundësi që shqipëria të ketë numrin më të ulët të vjedhjeve në Europë? Edhe këta i kishin thënë, njëri më saktë i kishte thënë “po çfarë të vjedhësh në shtëpi këtu, aty të hapësh frigoriferin s’ka asgjë”. Ndërkohë, tha, që kur pyeta dikë tha në Britani nga Ministria e Brendshme Britanike tha: Britania e para. Anglia numri një në Europë për vjedhje edhe tha “na kanë ardhur shqiptarët po na vjedhin shtëpitë”. Prandaj është rritur numri se kanë ardhur shqiptarët. Këta këtu thonë nuk vidhet se s’ke cfarë vjedh, ata atje thonë vidhet se janë shqiptarët, por ky është fakt në të gjitha rastet. Pra niveli i sigurisë në Shqipëri është shumë i rritur.
E lashë për në fund por nuk është në fund për nga rëndësia, është në fillim për nga rëndësia. Por thashë ta filloj më mirë me turizmin dhe ta mbyll me drejtësinë. Është drejtësia dhe kur them drejtësia kam parasysh korrupsionin, kam parasysh krimin. Kemi për shkak të reformës në drejtësi, për shkak të punës që është bërë me forcat e rendit jemi sot në një fazë revanshi të rëndësishëm ndaj krimit të organizuar dhe kjo nuk është diçka që bëhet se do ta besh ti dhe e bën. Kjo është diçka që kërkon shumë kohë. Kërkon shumë durim, kërkon shumë sofistikim sepse krimi i organizuar ishte i shtrirë këmbëkryq në të gjithë territorin. Sot është tkurrur në vatra të caktuara, por me krijimin e SPAK dhe me fokusimin tani të dyja palëve se deri dje thuhej: policia, policia por aleati më i madh i krimit të organizuar në Shqipëri ka qenë Prokuroria dhe Gjykata, nuk ka qenë policia. Dhe po të shikosh vetëm disa statistika të thjeshta, sa kriminelë, nuk po flas për ata të organizuarit, ata të mëdhenjtë, po flas për kriminalë vrasës. Përdhunues. Sa prej tyre kanë ri kryer vrasje? Kanë rikryer përdhunime pasi policia i ka arrestuar, i ka çuar në gjykatë dhe gjykatësit i kanë nxjerrë në sallë? E dini sa janë? Nuk janë as 1, as 2, as 7, as 10, as 20, as 30. Janë qindra! Qindra! Dhe nga ana tjetër vërtetë ne kemi bërë hapa kundër krimit të organizuar vijimisht, por kanë qenë hapa të cilat nuk na kanë dhënë pozicion revanshi. Na kanë dhënë një pozicion ekuilibri. Tani kemi hyrë në revansh, shteti, jo qeveria. Qeveria ka Ministrinë e Brendshme. Ministria e Brendshme është përgjegjëse për punën e Policisë por në ndërkohë shteti ka Shërbimin e vet Informativ që është futur në një fazë komplet tjetër. Komplet tjetër! Edhe kundër krimit të organizuar edhe kundër korrupsionit, por tani është dhe SPAK, Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar dhe çfarë keni parë në periudhën e fundit me arrestime figurash profilesh të larta të krimit të organizuar është vetëm fillimi i fundit, që do të thotë ka filluar fundi i pozicionit të privilegjuar të krimit të organizuar në zona të caktuara të Shqipërisë. Do të jetë shumë e afërt koha, nuk flas për dekada, flas për një kohë të shkurtër kur të gjitha këto vatra do shuhen. Dhe të gjithë ata që i përkasin asaj bote dhe që do kenë kurajën të rrinë në Shqipëri se një pjesë ia kanë mbathur do të përfundojnë aty ku kanë filluar të shkojnë ata që janë provat e para të gjalla se si këtu s’ka asnjë kompromis me krimin e organizuar dhe këtu këtë luftë që e kemi filluar dhe e kemi zhvilluar me 1001 vështirësira 10 vjet më parë, do ta fitojë shteti. Dhe do ta fitojë pa kthim. Natyrisht , krim, nuk ka vend demokratik pa krim, nuk ka vend demokratik ku mos të ketë edhe struktura të krimit të organizuar se zhdukja finale, përfundimtare e krimit është diçka që s’e ka arritur asnjë vend në botë, por ama një epokë e gjatë të fortësh me statuse speciale në botën e krimit të organizuar, do të mbyllet pa kthim. Dhe nëse për krimin e organizuar përdoret botërisht shprehja ‘’ bota e nëndheshme’’, ata do të kenë bishtat e tyre, do të kenë jetën e tyre por jo më mbi dhe’, nën dhe’. Mbitoka e Shqipërisë do të jetë e qytetarëve shqiptarë pastaj lufta e shtetit me krimin e organizuar do të bëhet me minjtë e nëntokës. Po jo nëpër mexhelise dhe jo deri nëpër fonde publike.
Kjo është mbase pak, për mua është shumë, por një nga gjërat më të sigurta dhe koha shumë shpejt do të flasë për këtë që po them, ndërkohë që përditë, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj do të shikoni që veprimi ndaj krimit të organizuar do të jetë shembullor.
Ndërsa për sa i përket luftës kundër korrupsionit, unë nuk dua të shtoj ose të përsëris gjëra që i keni dëgjuar me dhjetëra e dhjetëra, ndoshta qindra herë. Dua të them pak gjëra.
Këtu ka dy, sipas meje pozicione të dallueshme në mexhelisin e debatit publik. Njëri pozicion është; “drejtësinë e re e solli Amerika”; tjetri pozicion është “s’ka drejtësi të re, po ka një skap që po na kap se e ka kapur Edi Rama”. Të dyja këto janë të pavërteta, thjesht të pavërteta.
Para ca ditësh po bisedoja me Fatmir Xhafën që për një kohë shumë të gjatë ka qenë në tryezat qysh kur ishim në opozitë, ku është diskutuar çështja e drejtësisë, e reformës në drejtësi etj.
Dhe e solla emrin e Fatmirit këtu sepse ai ka një zakon të vjetër që mban shënime. Shikoni këtu, po mban shënim njëri nga këta? Po të ishte ai këtu, do ishte duke mbajtur shënime. Është zakon. Dhe më kujtoi që ne këtë që bëmë dhe po vazhdojmë të bëjmë më reformën në drejtësi, e kemi nisur jo kur unë e kam përsëritur shpesh, për programin e 2013-ës, po këtë e kemi nisur shumë kohë më parë jo si bisedë, se si bisedë e kemi bërë, këtë e di. Si do bëhet me drejtësinë, ça do bëhet me drejtësinë? E kemi nisur shumë kohë më parë kur në opozitë ne i kemi propozuar qeverisë së asaj kohe një pakt kombëtar për drejtësinë. Ka qenë dokument i propozuar nga Partia Socialiste në 2008-ën. Në 2009 ne nuk arritëm dot të marrim fitoren. Na bëri mirë ajo se mësuam që të fitojmë dhe vetëm të fitojmë, por në 2008 dhe pastaj ne kemi shkruar programin për një rilindje shqiptare që u bë programi ynë elektoral i 2013 dhe e kemi në program dhe kur kemi diskutuar programin në ato tryeza të programit, kishte nga ne plot që thoshin “ ore, po si do ta vëmë në program ne që do të bëjmë reformën në drejtësi kur ne s’kemi për të marrë 94 vota, që të kemi fuqi të ndryshojmë Kushtetutën apo 84 vota që të bëjmë ligje të veçanta. Ne do të marrim shumicën InshAllah, po s’besoj se do të marrim 84 vota. Dhe unë i thosha: ne do ta vëmë këtu dhe ne do ta bëjmë. Se si do bëhet, unë s’e kam filxhanin ta shoh dhe ata që shihnin filxhan nuk i kishim më në parti, po do bëhet sepse i ka ardhur koha dhe ka ardhur në pikën që nuk mban më kjo punë. Dhe u bë. Dhe po ju them, jo amerikanët, po gjithë forcat e NATO-s bashkë nuk e bënin dot këtë, e para se nuk është fare punë e tyre ta bëjnë këtë, në kuptimin që nuk angazhohen që hajde ta bëjmë këtë.
E dyta, askush, besojeni këtë gjë, sepse kjo është një nga arsyet themelore për të qenë krenarë për këtë familje politike, për të qenë krenarë për të qenit në këtë parti në këtë fazë historike, është një nga më themeloret. Nëse sot pandëshkueshmëria nuk është më mit dhe gjithkush është i ndëshkueshëm, kjo ndodh vetëm sepse ekziston Partia Socialiste e Shqipërisë. Askush, askush tjetër, as ata që ishin, as ata që duan të jenë, askush nuk e kanë këtë kapacitet jo për të menduar, por nuk e kanë këtë kapacitet shtetbërës që ka Partia Socialiste në ADN-në e vetë sepse që nga viti 1991 në Shqipëri ka pasur dy forca, një forcë që ka shkatërruar, një forcë që ka rindërtuar. Nuk ka pasur gjë tjetër. Partia Socialiste mund të ketë bërë gabime të mëdha se sa më i madh të jesh, edhe gabimet më të mëdha i bën.
Se pashë Erjonin atje. Po të bëj unë të njëjtin gabim me Erjonin, gabimi im duket më i madh se gabimi i Erjonit. Dhe rri atje se ka hallin e Juventusit. Tani ka ikur koha jonë si Juventus për këtë periudhë, por e kompensojmë me fitoret e reja të Partisë Socialiste.
Nuk ka asnjë forcë tjetër politike në Shqipëri, nuk ka pasur, nuk ka e më besoni, nuk do ketë për një periudhë të caktuar dot, sepse ky është kapacitet shtetbërës. Po thoja, Partia Socialiste mund të ketë bërë edhe gabime të mëdha në momente të caktuara, jo në kohën time, por në asnjë rast nuk mund ti thuash që për shkakun tënd, për shkak të kësaj partie Shqipërisë i ndodhi një shkatërrim. Në asnjë rast. Doni tia numërojmë shkatërrimet partisë tjetër? Nuk ma ha mendja se ia vlen t’ju humbas kohë.
Partia socialiste mund ta ketë gjuajtur topin jashtë por huq nuk ka dalë ndonjëherë. Doni t’ua them sa herë kanë dalë huq të tjerët dhe sa herë të tjera do dalin huq dhe kur dalin huq thonë: Ne e bëmë golin, por nuk na e quajtën. Pra, nuk është Amerika që bëri reformën në drejtësi. Është Partia Socialiste që bëri reformën në drejtësi dhe sigurisht gjeti dhe pati për këtë reformë një mbështetje masive të aleatëve strategjikë, patjetër. A bëri dot reforma pa mbështetjen e tyre? Jo nuk bëri. Edhe kjo është e vërtetë, por tjetër është ta udhëhequr reformën, tjetër është ta mbështesësh reformën dhe për ta udhëhequr një reformë në një vend, duhet vendi të ketë një forcë që ta udhëheqë. S’ka ndodhur ndonjëherë në histori që të vijë një vend tjetër dhe të bëjë udhëheqjen, pastaj mbështetja sigurisht që është e rëndësishme dhe në këtë rastin tonë, ishte shumë e rëndësishme se ne sado të zotë të jemi, do e kishim të pamundur që ti sillnim në sallën e Kuvendit të gjithë ata kreshnikët që do i hapnin luftë Amerikës por nuk do e votonin reformën në drejtësi, që mbanin dorën lart me kartonin jeshil dhe mbanin kokën poshtë sikur iu ishin ujitur pak pantallonat. Nuk do ndodhë, por po kaq e pa vërtetë është edhe tjetra që e kemi kapur ne drejtësinë. E kam kapur unë drejtësinë, ne. Kjo besoj nuk ia vlen një shpjegim sepse kjo është e qartë. Një forcë, një qeveri, një kryeministër që do të kapi drejtësinë, që do ta kapi drejtësinë për çfarë do ta kapi? Do ta kapi që mos i kapin askënd apo jo? Se ta kapësh drejtësinë dhe pastaj të t’i kapin ata që duhen kapur, kjo s’është kapje e drejtësisë. Kështu që, o ke brenda vetes vesin ose vizionin dritëshkurtër që ti të rrish në karrige dhe t’i kapësh të gjitha dhe pastaj të rrish sa më gjatë në karrige, ose kohën që ti je ulur në karrigen ku të kanë vënë të tjerët dhe fuqinë e asaj karrige ta vësh në dispozicion për të bërë gjëra që mbeten për të gjithë dhe kjo reformë në drejtësi dhe kjo që po ndodh është diçka që ka filluar sot, por do të mbetet për të gjithë dhe në vijimësi sepse është e pakthyeshme. Nuk kthehet kjo.
Natyrisht që jo të gjitha gjërat janë perfekt, nuk diskutohet, por kjo është rruga dhe e kemi mësuar gjatë gjithë këtyre viteve që vizioni mund të jetë i plotë, qëllimi mund të jetë krejt i pastër, përpjekja mund të jetë krejt e ndershme por ama kjo është një rrugë ku nuk jemi vetëm. Ka pengesa, ka të papritura, ka ngjarje, ka forca, ka rrëzime, ka ri ngritje, ka kthesa, ka të përpjeta dhe e njëjta gjë vlen dhe për drejtësinë. Ajo që ne udhët të bëjmë, se po thoja për ato që duhet të bëjmë jo për ato që kemi bërë është ne duhet të forcojmë kapacitetet e brendshme të pushtetit ekzekutiv për ta kontrolluar shumë më tepër dhe shumë në qelizë veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv në mënyrë që goditja e të keqes dhe në këtë rast e korrupsionit, të mos jetë diçka ekskluzive e SPAK-ut. Ose po nuk e kapi SPAK-u janë prokuroritë e tjera e tek prokuroritë e tjera kush ia del, ia del se janë akoma shumë bishta të të shkuarës, por duhet ne ti krijojmë kapacitetet tona të brendshme se nuk ka nevojë të presim SPAK-un apo të presim Prokurorinë për ti vënë gishtin një drejtuesi të një institucioni që e ka marrë vesh gjithë lagja që e ka dorën e gjatë.

E këtu sigurisht që është roli i institucioneve por këtu ka një rol të vetin edhe Partia Socialiste si një forum qytetar, si funksion më vete i aktivitetit qytetar. Është shumë e rëndësishme, por për këto do të flasim më gjatë gjithë kësaj periudhe, edhe në kongres dhe do të veprojmë konkretisht.

Ju faleminderit shumë! Donim thjesht të bënim një pasqyrë të së tërës e meqë u ngritën disa, po ngrihem dhe unë. Shumë faleminderit!