Vlorë,  – 27 prill 2025 – Rithemelimi i Shkollës së Aviacionit, një marrëveshje e rëndësishme strategjike për mbrojtjen ajrore shqiptare

U nënshkrua sot në Vlorë, një marrëveshje e rëndësishme strategjike për aviacionin dhe mbrojtjen ajrore shqiptare, ajo për rithemelimin e shkollës së aviacionit në këtë qytet, ku i pranishëm ishte dhe kryetari i PSSH Edi Rama.
Marrëveshjes i parapriu një prezantim i arritjeve dhe perspektivës për të ardhmen të dy prej komponentëve më të rëndësishëm zhvillimor në Shqipëri, transportit ajror dhe detar, që u realizua nga Zëvendëskryeministrja e Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

* * *
Kryetari i PSSH Edi Rama: Përshëndetje! Besoj që ishte një prezantim shumë shterrues në çdo detaj përsa i përket perspektivës së transportit ajror dhe atij detar, ashtu sikundër besoj se është momenti për mua, që pa u zgjatur të përqëndrohem shumë pak tek marrëveshja edhe tek kontekskti i kësaj marrëveshjeje.

Marrëveshja për krijimin e kësaj akademie, është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm në funksion të mbështetjes qoftë të Aviacionit Civil, qoftë të FA Ajrore me një kapital njerëzor të kualifikuar cilësisht për kohën që jetojmë.

Dhe unë jam shumë i lumtur sot që ne bëjmë të mundur një marrëveshje që i hap rrugën pastaj kontratës me një ndër ekselencat botërore në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Ndërkohë që, jemi në një moment kthese historike në fushën e mbrojtjes, kthesë historike që diktohet pa dyshim nga konteksti botëror, por dhe nga konteksti europian.

E mësuam në mënyrën më brutale të mundshme që lufta nuk është një film dokumentar bardhë e zi, por është një realitet fatkeqësisht në dyert e Europës, ndërkohë që po përjetojmë një proces tërësisht befasues dhe tërësisht të paimagjinueshëm deri pak vite më parë, të qasjes ndaj mbrojtjes, të qasjes ndaj idesë së luftës, në një botë, ku konflktet nuk duket se do shkojnë, duke u shuar, por po bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara për shkak edhe të teknologjisë që përparon në mënyrë marramendëse dhe patjetër që edhe për ne, ka lindur jo nevojam por domosdoshmëria që t’i qasemi këtij procesi transformimi me një strategji të re dhe kjo strategji ka filluar të jetësohet hap pas hapi.

Pjesë e këtij jetësimi është edhe marrëveshja që sapo u firmos, me partnerë strategjikë të besuar të Republikës së Shqipërisë, me miq dhe aleatë të padyshimtë të popullit shqiptar, të kombit shqiptar dhe jemi në një proces diskutimesh në disa drejtime.

Por, thelbi është që ne duam të rilindim industrinë tonë të mbrojtjes dhe industrinë tonë të prodhimit ushtarak. Jemi shumë optimistë, për hir të së vërtetës, kemi partnerët dhe aleatët e duhur që janë liderë në këtë fushë, jo vetëm Izraelin, por edhe SHBA dhe shtete të tjera të BE dhe patjetër edhe Turqinë që është një aleat strategjik i yni dhe ne jemi duke punuar intensivisht në disa drejtime.

Ajo që është më e rëndësishmja për këtë moment të theksohet, është që rritjen e buxhetit të mbrojtjes, të cilin ne e kemi fokusuar në mënyrë të veçantë vitet e fundit tek rritja e mbështetjes për FA tona, do ta vazhdojmë duke shtuar mbështetjen për ushtarakët tanë në të gjitha aspektet, jo vetëm në aspektet e pages, por dhe në të gjitha aspektet e tjera, deri tek strehimi.

Kemi filluar një politikë të re për të mbështetur strehimin e ushtarakëve dhe nga ana tjetër, do ta fokusojmë tek prodhimi, tek ngritja e një bazë të mirëfilltë prodhuese në Shqipëri për të vënë në dispozicion të FA-ve tona mjetet më të sofistikuara të kohës, por edhe për të eksportuar, duke bërë kështu dy gjëra, përveç rritjes së kapaciteteve të sigurisë; e para, duke krijuar një bazë industriale ekselence dhe duke iu krijuar mundësinë vajzave dhe djemve të këtij vendi që, jo vetëm të qëndrojmë këtu për punë të mirëpaguara, por edhe të kthehen këtu për punë të mirëpaguara, e nga ana tjetër duke përdorur industrinë ushtarake si një komponent të ri, si një motorr të ri të rritjes sonë ekonomike.

Kështu që unë jam shumë besimplotë që kjo marrëveshje e nënshkruar sot, e cila është vetëm një, siç thashë, nga gurët e një mozaiku kompleks, do të na japë në 4-5 vitet e ardhshme, mundësinë të jemi shumë krenarë që ishim këtu sot dhe jam i bindur që të gjithë ushtarakët e rinj që i shikoj aty në sfond, do ta kujtojnë ditë si ditën kur nisi një epokë e re për Forcat Ajrore të Shqipërisë, por edhe për Forcat tona të Armatosura në përgjithësi.

Ne kemi njerëz shumë të talentuar, kemi një situatë shumë interesante në fushën e teknologjisë me shumë vajza dhe djem të talentuar që kanë nevojë vetëm për mbështetje dhe hapësirë dhe të dyja këto, është detyra jonë që t’ua krijojmë, kështu që jam i bindur, që jo vetëm sa i përket pilotëve, përsa i përket kapitenëve dhe kategorive të tjera të profesioneve që duhen edhe forcave detare apo përsa i përket edhe pastaj forcave që do të përdorin edhe mjetet pa pilot, mjetet pa shofer etj, por edhe për gjithçka që ka të bëjë me aspektin tjetër të AI, të digjitalizimit, deri në pika ku ne sot as nuk e imagjinojmë, do të kemi një brumë të jashtëzakonshëm të vendit dhe do të bëjmë të mundur që me këtë brumë, të bëjmë një bukë të shkëlqyer në dekadat e ardhshme.

Shumë faleminderit!