Albana Koçiu
Albana Koçiu është lindur në Tiranë, më 10 Korrik 1977. Prej shtatorit 2023, Albana Koçiu mban postin e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Përpara kësaj detyre, Znj. Koçiu ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Departamentit të Administratës Publike, – institucion në varësi të Kryeministrisë, – që prej vitit 2013. Në kuadër të kësaj detyre, znj. Albana Koçiu u emërua nga qeveria shqiptare si negociatore në procesin screening me Komisionin Evropian, duke kryesuar delegacionet shqiptare në nivel teknik lidhur me procesin e Reformës së Administratës Publike (PAR).
Gjatë mandatit të saj, ajo ka inciiuar me profesionalitet dhe integritet reforma të rëndësishme në këtë sektor mbi organizimin e administratës së një shteti, duke synuar rritjen e standardeve dhe përafrimin e kuadrit ligjor përkatës me atë të Bashkimit Evropian. Ajo është vlerësuar për punën e saj, ku është spikatur edhe në nivel rajonal duke u propozuar si Anëtare e Bordit Drejtues të Shkollës Rajonale të Administratës Publike të Ballkanit Perëndimor (RESPA), përgjegjësi e cila u zhvillua me efikasitet dhe devotshmëri deri në momentin e largimit të saj në vijim të emërimit në detyrën e re të ministrit.
Znj. Koçiu ka në tërësi një eksperiencë mbi 20-vjeçare në menaxhim, në pozicione drejtuese në administratën qendrore dhe vendore, me fokus të veçantë në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe të shërbimeve sociale.
Znj. Koçiu ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Sociale (1996-2000), në Universitetin e Tiranës me arritje të suksesshme duke u specializuar me një Master Shkencor mbi monitorimin e sistemit të shërbimeve sociale në Shqipëri (2005-2007). Ajo ka vazhduar duke dhënë kontributin e saj akademik si Profesor i Asociiuar që prej vitit 2010 deri në vitin 2022 pranë Departamentit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.
Njëherazi, Znj. Koçiu ka ndjekur një sërë kualifikimesh profesionale mbi lidershipin në administratën publike, mirëqeverisjen, politikat e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe politikat sociale.
Në vitin 2001, Znj. Koçiu iu bashkua stafit të Bashkisë së Tiranës, si drejtore e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Në vijim, ajo ka mbuluar edhe detyra të tjera të rëndësishme si Drejtore e Qendrës Ekonomike për Zhvillimin dhe Edukimin e Fëmijëve gjatë periudhës 2007-2008, dhe si Drejtore e Përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme së Menaxhimit të Shërbimeve gjatë periudhës 2008-2011.