Anila Denaj
Anila Denaj është lindur më 18 shtator 1973, në Tiranë. Që prej shtatorit 2023 ajo mban postin e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ajo është diplomuar për Financë dhe Menaxhim Bankar në vitin 1995 në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik dhe vjen me një përvojë të gjatë pune, si në sektorin bankar privat, ashtu edhe në sektorin publik. Në eksperiencën e saj 28 vjeçare përfshihet një periudhë e konsiderueshme në fushën e konsulencës ndërkombëtare.
Më parë, znj. Denaj ka kryer funksionin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë.
Znj.Denaj ka qenë Zëvendës Drejtuese e Ekipit për Mbështetjen e Agrobiznesit Shqiptar (AASF) – mbështetur nga Qeveria Shqiptare dhe BERZH. Më herët ajo ka shërbyer si eksperte e jashtme për Fondacionin e Garancisë së Kredisë Rurale (RCGF) –mbështetur nga KFW.
Znj. Denaj, është një ish-bankiere me mbi 18 vite përvojë në këtë sektor. Ajo ka punuar si këshilltare financiare ndërkombëtare për 12 vjet në ProCredit Holding GmbH / IPC Consulting Gmbh, duke mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në bankat e ProCredit Group në Salvador, Bolivi, Ekuador, Rumani dhe Mozambik. Në Shqipëri ka mbajtur postin e anëtarit të bordit drejtues të Bankës Procredit dhe më herët të Zëvendës Drejtoreshës së Përgjithshme të Procredit Bank.
Në vitin 2014, ajo ka mbajtur pozicionin e Drejtores së Përgjithshme në Ministrinë e Financave, me fokus në mbikëqyrjen e operacioneve në Financat, Legjislacionin dhe Menaxhimin e Pronës Shtetërore, Menaxhimin e Teknologjisë së Informacionit, Burimet Njerëzore etj.
Eksperienca e saj shtrihet edhe në rolin si anëtare bordi në shumë institucione të rëndësishme si anëtare e Bordit të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Shqipëri (FSDKSH), njëherazi duke mbajtur edhe detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm për një periudhë 4 mujore.
Ajo ka shërbyer gjithashtu dhe si anëtare e Bordit të Fondit Shqiptar të Sigurimeve Shoqërore dhe anëtare e Bordit Mbikëqyrës të Shoqërisë së Sigurimeve INSIG SH.A. Për tre vjet, zonja Denaj qëndroi si anëtare e Bordit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Shqipëri (A.K.E.P.).
Znj. Denaj ka një marrëdhënie të gjatë bashkëpunimi me Shkollën e Administratës Publike (ASPA) si dhe është trajnere e çertifikuar nga Bashkimi Evropian në programin e Lidershipit. Aktualisht si kryetare e nën-komisionit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ), ka kryer çertifikimin me temë, “Ekonomia Qarkulluese. Tranzicioni drejt Zhvillimit të Qëndrueshëm”, pranë institutit arsimor, MIT Professional Education në Boston, SHBA.