Partia Socialiste e Shqipërisë

Bledar Çuçi

Bledar Çuçi ka lindur në Tiranë në 14.11.1970. Në vitin 1995, z. Çuçi përfundoi studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe në vitin
1998, studimet pasuniversitare (Master) për Menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë.
Gjatë viteve 1996-1997 ka ushtruar detyrën e juristit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mjedisit dhe
më pas në vitet 1999-2000 ka qenë oficer i Policisë Gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Në
vitet 2000 – 2005, z. Çuçi ka shërbyer në disa funksione drejtuese, si kancelar i Gjykatës së Rrethit
Tiranë, si dhe këshilltar i ministrit, drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit dhe Sekretar i
Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe në Ministrinë e Brendshme, Shtylla e Qeverisjes
Lokale. Gjatë kësaj periudhe, z. Çuçi ka shërbyer si: përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komitetin
për Demokracinë Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Strasburg, anëtar i Grupit Negociator
të Shqipërisë lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim–Asociimit mes Shqipërisë dhe
Bashkimit Europian (BE) dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Institutit për Trajnimin e
Administratës Publike (ITAP) në Shqipëri.
Gjatë viteve 2006 – 2010, z. Çuçi shërbeu si këshilltar dhe ekspert për disa programe
ndërkombëtare në Kosovë dhe Shqipëri, programe të mbështetura nga Agjencia e Shteteve të
Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar i
Mbretërisë së Bashkuar (DflD), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe BE.
Gjatë periudhës prill 2010 – nëntor 2011, ai ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës për Autonominë
Vendore në Shqipëri, ndërsa nga nëntori 2011 deri në gusht 2012, ka shërbyer si ekspert ligjor
pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore në Shqipëri.
Prej shtatorit të vitit 2013 e deri në mars 2017, z. Çuçi ushtroi detyrën si ministër Shteti për Çështjet
Vendore dhe Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit. Prej janarit të vitit 2019 deri në dhjetor
2020, z. Çuçi ushtroi detyrën e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ndërsa nga shtatori
2017- dhjetor 2018 ai ka qenë nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian si dhe
ka mbajtur detyrën e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën
Zgjedhore . Po gjatë kësaj periudhe ai ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore,
Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut si dhe ka qenë kryetar i Delegacionit të Kuvendit të
Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.
Prej shtatorit 2017 e në vazhdim z. Çuçi ka përfaqësuar qarkun Gjirokastër në Kuvendin e
Shqipërisë. Nga nëntori 2019 – janar 2020 ka qenë drejtues qendror i Operacionit për Menaxhimin
e Fatkeqësive Natyrore, tërmeti i datës 26 nëntor. Nga janar 2019-dhjetor 2020 ka mbajtur detyrën
e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Dhjetor 2020-gusht 2023 ka mbajtur detyrën e
Ministrit të Brendshëm. Aktualisht është Zëvendëskruetar i Kuvendit.
Z. Çuçi ka përvojë në mësimdhënie dhe trajnim. Gjatë periudhës 1997-2002 ka qenë lektor për
lëndët e bazës së teorive ligjore dhe të kuadrit ligjor mbi mjedisin në Fakultetin e Drejtësisë në
Universitetin e Tiranës. Në vitet 2004-2005 ka qenë trajnues në fushën e funksioneve të
administratës publike, të decentralizimit dhe të qeverisjes lokale në Institutin për Trajnimin e
Administratës Publike. Prej shtatorit deri në dhjetor 2008 ka qenë lektor i lëndës për Administrimin
e Territorit në Universitetin “Marin Barleti”.