Partia Socialiste e Shqipërisë

Damian Gjiknuri

Damian Gjiknuri ka lindur në Tiranë në 25 maj 1972

Z. Damian Gjiknuri është diplomuar në drejtësi në vitin 1994, në universitetin e Tiranës dhe zotëron gradën master në “Politikat publike dhe ligj”, lëshuar nga “Naval Postgraduate School”, Kaliforni, SHBA (2004) dhe Kolegji i Ligjit Londër, Britani e Madhe (1996).

Ai ka kryer edhe disa studime pasuniversitare në qendrën për politikat e sigurisë në Gjenevë (2000) dhe të drejtë ndërkombëtare në universitetin e Leidenit, Holandë (1994).

Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë për dy legjislatura, VII dhe VIII (2009-2013), (2013 – 2017) dhe është mandatuar si deputet për herë të tretë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Gjiknuri është anëtar i Partisë Socialiste që nga viti 2005. Ai është anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste dhe sekretar për çështjet Zgjedhore që nga viti 2011. Më parë, në vitin 2007, ai u zgjodh nënsekretar për çështjet ligjore dhe zgjedhore dhe bashkëautor i Kodit Zgjedhor 2008.

Ai ka qenë anëtar i Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë (2009–2013), si dhe bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore 2011–2012.

Përpara zgjedhjes si deputet, në vitin 2009, Damian Gjiknuri ka punuar si drejtues i një zyre ligjore dhe këshilltar ligjor për reformat rregullatore ekonomike në vend dhe rajon, financuar nga BE, USAID, GTZ, etj.

Deri në vitin 2005 Z. Gjiknuri ka ushtruar funksione të ndryshme publike, si: drejtor i kabinetit të Ministrit të Rendit Publik (2005), sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes (2001–2005), drejtor i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe marrëveshjeve në Ministrinë e Rendit Publik dhe koordinator kombëtar për çështjet e drejtësisë dhe ato të brendshme për negocimin e hapjes së negociatave me KE (1999 – 2001), drejtues i Planizim–Drejtimit në SHISH (1998), Gjyqtar i Shkallës së Parë (1995-1996), jurist në institucione të ndryshme (1994-1995).
Z. Damian Gjknuri ka drejtuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në Partinë Socialiste ai ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm (2021 – 2023). Aktualisht mban postin e Sekretarit Organizativ dhe Zgjedhor në PS.