Partia Socialiste e Shqipërisë

Erion Veliaj

Erion Veliaj lindi në Tiranë, më 17 dhjetor 1979. Pas përfundimit të shkollës së mesme në gjimnazin “Sami Frashëri”, ai ndoqi studimet e larta në SHBA, ku është diplomuar për “Shkenca Politike” në Grand Valley State University, Michigan. Më pas, ai përfundoi studimet Master në Mbretërinë e Bashkuar pranë University of Sussex, me fokus tek Integrimi Europian. Përpara se të kthehej në Shqipëri në vitin 2003, Erion Veliaj ka punuar në Amerikën e Veriut e të Jugut, Afrikën Lindore dhe në Kosovë.

Në vitin 2003, Veliaj themeloi lëvizjen MJAFT, një organizatë që unifikoi frymën aktiviste e protestuese të rinisë shqiptare, e që në vitin 2004 mori edhe çmimin e Kombeve të Bashkuara për shoqërinë civile. Lëvizja MJAFT, përveç kreativitetit dhe energjisë, u bë e njohur edhe për mënyrën inovative të drejtimit, ku mbizotëronte puna e grupit. Në vend të qendërzimit të aktiviteteve nën drejtimin e liderit, Lëvizja karakterizohej nga delegimi i punës tek të gjithë anëtarët e skuadrës – një element që vazhdon të mbetet thelbësor në mënyrën e drejtimit të Veliajt.

Erion Veliaj drejtoi lëvizjen MJAFT deri në Nëntor të vitit 2007. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 ai ishte kandidat për Kuvendin e Shqipërisë përmes listës civile G99.

Në periudhën 2007–2009, Veliaj iu bashkua Iniciativës për Stabilitetin Europian, një organizëm kyç në promovimin e zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Në vitin 2011 Veliaj iu bashkua kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin, ku u dallua për organizimin për herë të parë të stukturave të Partisë Socialiste në vendet ku punojnë e jetojnë shqiptarë, sidomos në Greqi dhe Itali.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, Veliaj ishte kandidat i Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, nga ku u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në shtator të vitit 2013, Veliaj u emërua Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Në krye të kësaj ministrie, ai u dallua për menaxhimin mjaft të suksesshëm të një institucioni, buxheti i të cilit përbën rreth 30% të buxhetit të shtetit.

Prej vitit 2015 e në vazhdim z. Veliaj mban postin e kryetarit të bashkisë Tiranë. Erion Veliaj aktualisht është drejtues Politik i Qarkut Tiranë dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste.