Etilda Gjonaj

Etilda Gjonaj

ANËTARE E KRYESISË

Znj. Etilda Gjonaj (Saliu) lindi më 6 maj 1981, në qytetin e Pukës. Ajo banon në Tiranë dhe është e martuar me z. Irvelin Gjonaj dhe kanë një djalë, Itienin.
Ajo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (1999-2003). Ka kryer studimet dy vjeçare pasuniversitare për master shkencor në shkenca penale në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (2009 – 2011). 
Mban titullin “Doktor shkencash” në shkenca penale, ndjekur pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer një sërë trajnimesh dhe specializimesh brenda dhe jashtë vendit për çështjet e të drejtave të njeriut, sistemin e drejtësisë, sistemin penitenciar dhe shërbimit të provës, sistemin elektoral, ndihmën juridike për grupet në nevojë, në organizata ndërkombëtare, institucione të Bashkimit Europian, etj.

Znj. Gjonaj ka qenë minister e Drejtësisë në vitet 2017-2021, ndërsa më parë ishte zëvendësministre e Drejtësisë për periudhën maj - shtator 2017.
Aktualisht është deputete në qarkun e Tiranës, Nënkryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian në Kuvendin e Shqipërisë dhe prej shtator 2021 mban edhe pozicionin e Sekretares për Çështjet e Gruas në PS.

Ka ushtruar funksionin e komisionerit në institucionin e Avokatit të Popullit për një mandat 3- vjeçar, ku ka drejtuar Seksionin e Çështjeve të Administratës Publike qendrore dhe vendore (2014-2017). Për rreth dy vjet e gjysmë ka qenë eksperte e Sekretariatit Teknik, të ngritur pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi (2015-2017). 

Ka qenë aktiviste e shoqërisë civile, duke ofruar një kontribut për më shumë se 11 vjet për të drejtat e njeriut. Përgjatë periudhës 2003–2014 ka kontribuar si drejtuese programesh për programet e drejtësisë, reformave ligjore dhe institucionale, të zgjedhjeve dhe litigimit strategjik të çështjeve të drejtave të njeriut në Komitetin Shqiptar të Helsinkit. 

Për disa vite është angazhuar si pedagoge e jashtme në Departamentin Penal të Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. 

Ka shërbyer si eksperte dhe konsulente në një sërë organizatash vendase dhe të huaja, me fokus të drejtat e njeriut dhe çështjet e drejtësisë, për monitorimin e ecurisë së Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe zbatimit të rekomandimeve të KE-së (2007–2012 Fondacioni Soros), monitorimin e ecurisë së planeve të qeverisë për luftën ndaj korrupsionit të plan veprimeve për çështjet e drejtësisë (2011–2013), për drejtësinë penale për të miturit, masat e sigurisë dhe dënimet alternative, për çështjet penale, litigimit strategjik dhe ndihmës juridike. 

Është autore e një sërë publikimesh, studimesh kërkimore dhe shkrimesh shkencore në revista juridike vendase dhe ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, si dhe lektore në një sërë trajnimesh, konferencash dhe seminaresh në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Znj. Gjonaj është zotëruese e gjuhës angleze dhe italiane, si dhe ka njohuri të gjuhës frënge.

Ndaje me miqtë: