Partia Socialiste e Shqipërisë

Etilda Gjonaj

Etilda Gjonaj ka lindur në 06.05.1981 në Tiranë. Znj. Etilda Gjonaj është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (1999-2003).
Ka kryer studimet dy vjeçare pasuniversitare për Master Shkencor në shkenca penale në
Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (2009 – 2011).
Ajo mban titullin “Doktor Shkencash” në shkenca penale, ndjekur pranë Fakultetit të Drejtësisë,
Universiteti i Tiranës. Ka kryer një sërë trajnimesh dhe specializimesh brenda dhe jashtë vendit për
çështjet e të drejtave të njeriut, sistemin e drejtësisë, sistemin penitenciar dhe shërbimit të provës,
sistemin elektoral, ndihmën juridike për grupet në nevojë, në organizata ndërkombëtare,
institucione të Bashkimit Evropian, etj.
Znj. Gjonaj ka qenë Zëvendësministër i Drejtësisë për periudhën maj – shtator 2017 dhe mbajti
postin e Ministres së Drejtësisë në 2017-2021.
Ajo ka ushtruar funksionin e Komisionerit në Institucionin e Avokatit të Popullit për një mandat 3-
vjeçar, ku ka drejtuar Seksionin e Çështjeve të Administratës Publike qendrore dhe vendore (2014-
2017). Për rreth dy vite e gjysmë ka qenë eksperte e Sekretariatit Teknik, të ngritur pranë
Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi (2015-2017).
Znj. Gjonaj, ka qenë aktiviste e shoqërisë civile, duke ofruar një kontribut për më shumë se 11 vjet
për të drejtat e njeriut. Përgjatë periudhës 2003–2014 ka kontribuar si drejtuese programesh për
programet e drejtësisë, reformave ligjore dhe institucionale, të zgjedhjeve dhe litigimit strategjik të
çështjeve të drejtave të njeriut, në Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Për disa vite është angazhuar si
pedagoge e jashtme në Departamentin Penal të Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti Tiranës.
Znj. Gjonaj ka shërbyer si eksperte dhe konsulente në një sërë organizatash vendase dhe të huaja,
me fokus të drejtat e njeriut dhe çështjet e drejtësisë, për monitorimin e ecurisë së Shqipërisë në
procesin e Integrimit Evropian dhe zbatimit të rekomandimeve të KE-së (2007–2012 Fondacioni
Soros), monitorimin e ecurisë së planeve të qeverisë për luftën ndaj korrupsionit të plan veprimeve
për çështjet e drejtësisë (2011–2013), për drejtësinë penale për të miturit, masat e sigurisë dhe
dënimet alternative, për çështjet penale, litigimit strategjik dhe ndihmës juridike.
Znj. Gjonaj është autore në një sërë publikimesh, studimesh kërkimore dhe shkrimesh shkencore
në revista juridike vendase dhe ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, si dhe lektore në një sërë
trajnimesh, konferencash dhe seminaresh në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.